|
Kur isha student në Athinë dhe punoja delivery natën, xhaxhai im, Viktori një intelektual i shumë lexuar, u thoshte kushërinjve që jetonin në një banesë në një lagje të Athinës - “Marko po u përplas me bosat e punës, u thotë, ik pirdhu.”
Ishte një metaforë që e përsëriste shpesh në atë kohë ku diskriminimi ishte i dukshëm sidomos tek afendikoit. Sepse për mua, në çdo vend pune ka një rregull të thjeshtë se respekti dhe dinjiteti vlejnë më shumë se çdo rrogë apo favor. Nuk kam besuar kurrë te servilizmi. Nuk kam besuar kurrë që duhet të bëhesh “lepe-peqe” i pronarit për të mbijetuar. Dhe këtë, me kohë, edhe xhaxhai im e kuptoi dhe e përdorte në çdo tavolinë. Por sot sapo lamë pas një reality show që theu të gjitha tabutë. Prandaj më pëlqeu shumë ajo që pamë te post Big Brother VIP Albania 5, sepse nxori në pah një të vërtetë që e kemi të gjithë, por rrallë e themi, të vërtetën në sy. Rogert Sterkaj tha atë që shumë e mendojnë, por nuk e thonë kurrë kur përballë kanë dikë “me pushtet”. Ndërsa Ledion Liço, si moderator dhe figurë kyçe e ekranit, pranoi përballjen publikisht, ashtu pa u fshehur pas rolit apo pozitës, edhe pse këtë të fundit nuk e pranon kurrë, ndoshta nga modestia. Dhe kjo është e rrallë, sepse zakonisht ndodh e kundërta ku shumë “bosa” nuk e kanë kapacitetin të përballen me një realitet LIVE, aq më tepër me një Rogert Sterkaj të paparashikueshëm, që ta thotë troç në sy, pa filtra. Kur dikush ka diçka në dorë si punën, ekranin, mundësinë, atëherë njerëzit nuk flasin. Përkundrazi, bëhen edhe më servilë. E shohim çdo ditë, si në politikë, në administratë, në televizione. Lajka për të mbijetuar, por edhe heshtje për të mos humbur vendin e punës. Fjalë pas shpine, por jo në sy, dhe kur vjen momenti i debatit si në këtë rast televiziv, ata lëshohen si hienat, jo për të vërtetën, por për t’i bërë lajka eprorit dhe për të shqyer kolegun. Por ajo përplasje në BBVIP 5 theu një model, se një që flet troç, dhe një tjetër që e përballon publikisht bëhen më të pëlqyeshëm për publikun sepse sinqeriteti është mbi gjithçka. Në fund të ditës më i sinqertë është ai që ta thotë në sy, dhe jo ai që të buzëqesh përpara dhe të godet pas shpine. Prandaj, ky është një test karakteri që jo të gjithë e kalojnë, por që nga ekrani i madh i Top Channel, jo vetëm na kujton të reflektojmë mbi veten, por edhe na detyron sesi të reflektojmë.
0 Comments
Mblidhen në Tiranë për të kujtuar diasporën. Një iniciativë për t’u vlerësuar dhe kaq. Sepse thelbi nuk është tek ceremonitë, por tek përgjigjja e një pyetjeje themelore, se cili ka qenë realisht roli i diasporës shqiptare në këto 35 vite tranzicion dhe çfarë ka bërë shteti për të?
Krahasimet me shekullin e kaluar janë të gabuara. Sot nuk jemi më në fazën e mbijetesës kombëtare si dikur. Shqipëria dhe Kosova kanë kaluar etapa historike të vështira dhe kanë zgjidhur çështje ekzistenciale. Por në këto dekada të fundit, diaspora ka marrë një rol tjetër në atë të mbijetesës ekonomike të vetë popullsisë. Le ta themi troq, pa retorikë se nëse Shqipëria ka marrë frymë ekonomikisht, kjo ka ardhur falë diasporës. Miliarda euro remitanca kanë mbajtur familje të tëra, kanë ushqyer ekonomi lokale dhe kanë zëvendësuar mungesën e një shteti funksional social. Në shumë raste, familjet në Shqipëri nuk janë mbështetur nga politikat publike, por nga djemtë dhe vajzat e tyre që sakrifikuan jetën jashtë vendit. Ky është një kontribut i pallogaritshëm. Një borxh moral që shteti shqiptar nuk mund ta shlyejë kurrë plotësisht. Por pyetja sot është tjetër se - çfarë ka bërë shteti për këtë diasporë? Përgjigjja është e dhimbshme dhe e dukshme. Mjafton të hedhësh një sy në gjykatat shqiptare. Pasuritë e emigrantëve si shtëpi, toka, investime janë bërë objekt grabitjeje përmes falsifikimeve, abuzimeve dhe një sistemi që shpesh ka dështuar të mbrojë pronën. Nga zyrat noteriale deri tek vendimet gjyqësore, një pjesë e madhe e diasporës është përballur me një realitet që nuk ka asgjë të përbashkët me drejtësinë. Mjafton të ndjekësh emisionet si ajo e Eni Çobanit për të parë histori konkrete, sesi jetë të tëra sakrifice që përfundojnë në zhgënjim dhe humbje. Kjo është çështja që duhej të ishte në qendër të çdo takimi për diasporën, pra sa emigrantë janë dëmtuar? Kush janë përgjegjësit? Pse vazhdojnë të operojnë struktura që kanë abuzuar për dekada? Pse nuk ka masa konkrete deri në heqje licence dhe ndjekje penale? Vetëm pasi të përballesh me këtë realitet, mund të flasësh për integrim, për kulturë, për arsim apo për rolin politik të diasporës. Deklaratat e bukura të kryeministrit shqiptar se “diaspora nuk është më histori ikjeje” janë të vërteta vetëm pjesërisht. Po, ajo nuk është më ikje. Sepse e ka përmbushur misionin e saj. Sot, diaspora është histori kthimi. Por një kthim i hidhur dhe i braktisur nga të tëra anët. Kthehet me shpresë, por shpesh gjen zhgënjim. Kthehet për të pushuar, por përballet me beteja ligjore për atë që i takon. Kthehet pasi i është marrë djersa e një jete të tërë në emigracion, pa harruar atë që ka dhënë dhe që nuk kërkon mirënjohje. Dhe për këtë, shteti shqiptar ka dështuar të japë përgjigje. Premtimet për qendra kulturore, për përfaqësim politik, për përfshirje të diasporës në vendimmarrje kanë mbetur në letër. Edhe në komunitetet më të mëdha shqiptare, si ai në Greqi, mungon përfaqësimi real në strukturat politike shqiptare. Diaspora nuk kërkon më fjalë të mëdha, por ajo kërkon drejtësi. Kërkon mbrojtje. Kërkon dinjitet. Dhe mbi të gjitha, kërkon që shteti të mos jetë spektator, por garant i asaj që ajo ka ndërtuar me sakrificë. Sepse pa diasporën, Shqipëria do të kishte qenë shumë më e dobët. Por pa drejtësi për diasporën, Shqipëria rrezikon të humbasë besimin e saj më të madh. Chicago nuk ka qenë kurrë një qytet neutral në hartën e komuniteteve ballkanike në Amerikë. Për dekada me radhë, ai është konsideruar si bastioni më i fortë i komunitetit serb në SHBA, si një komunitet që jo vetëm është rritur në numër, por ka ditur të organizohet, të lobojë dhe të mbrojë versionin e vet, edhe në momentet më të errëta të historisë së tij gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë.
Por këtë herë, skena nuk i përkiste atyre, sado që janë përpjekur ta shfaqin nacionalizmin e tyre nëpërmjet evenimenteve sportive. Në një ndeshje të NBA, përballë Phoenix Suns, ajo që ndodhi brenda United Center ishte më shumë se një performancë artistike, ishte një sfidë simbolike në zemër të një territori të konsideruar “i pushtuar” prej vitesh. Kostumet tradicionale shqiptare, ritmi i këngës dhe vallja me simbolikën e shqiponjës nuk ishin thjesht folklor. Ishin identitet që përmbante mesazh dhe prezencën e shqiptarëve për të dominuar kudo nëpërmjet vlerave. Dhe jo kudo, por në arenën ku Michael Jordan ndërtoi mitin e tij me gjashtë tituj kampionë, në një tempull që përfaqëson madhështinë e sportit amerikan. Pikërisht aty, ku miliona sy ndjekin çdo detaj, ngjyrat kuqezi nuk kërkuan leje për të qenë faktor, por ata dominuan. Për komunitetin serb në Çikago, kjo nuk ishte një pamje e lehtë për t’u përtypur. Jo sepse ishte provokim, por sepse ishte një kujtesë e fortë, për të treguar se hapësirat publike nuk janë më monopol i askujt. Shqiptarët nuk janë më thjesht një komunitet në hije. Ata janë të organizuar, të dukshëm dhe të gatshëm të tregojnë kush janë, jo vetëm në periferi, por në skenat më të mëdha ku bota ka hedhur miliona sy Dhe kur kjo ndodh në “shtëpinë” e dikujt tjetër, mesazhi bëhet edhe më i qartë. Pra mjafton vetëm një valle… për të ndryshuar balancat dhe për ti bërë të dukshme vlerat ndaj antivlerave. Që dje, diva e muzikës greke Marinela është ngjitur në qiellin e engjëjve.
Marinela nuk ishte vetëm një ikonë e skenës muzikore, por edhe një figurë që përfaqësonte elegancën dhe aristokracinë e jetës greke. Një emër që u bë i njohur edhe për publikun shqiptar, madje që para ndryshimit të sistemit. Ajo u kthye në një fenomen me këngën “Dimitrula mou”, dhe në koncertin e saj të parë në Shqipëri arriti të mbushte Pallatin e Koncerteve si rrallëherë më parë. Edhe unë, që jam rritur në veri, aty ku gjuha greke nuk arrinte, por fjalët e para në greqisht i kam mësuar, pikërisht nga zëri i saj i jashtëzakonshëm. Ishte një zë që kaloi kufijtë dhe bashkoi popuj, pavarësisht plagëve që historia kishte lënë pas. Nëse shqiptarët kishin si divë Vaçe Zelën, për grekët Marinela ishte gjithçka, një simbol që respektohej nga të gjithë, nga më i madhi te më i vogli. Ajo u shndërrua në një legjendë, me koncerte të rralla që mbaheshin në tempullin e muzikës klasike, në Odeon e Herodes Atticus, duke i dhënë çdo paraqitjeje një dimension të veçantë. Pavarësisht peshës së madhe artistike dhe hijes që mbante, ajo arriti të fitojë dashurinë edhe të publikut shqiptar, duke u bërë këngëtarja e parë greke që u ftua të performonte në Shqipëri gjatë asaj kohe. Në jug, zëri i saj kishte mbërritur më herët përmes valëve televizive e radios greke, por për pjesën tjetër të vendit, ajo erdhi si një frymë e re, në një kohë kur marrëdhëniet mes dy popujve po hapeshin, të ndikuara edhe nga figura Andrea Papandreut. Dhe kështu, bashkë me atë erë të re, erdhi edhe zëri i Marinelës, si një zë që nuk i përkiste vetëm një vendi, por të gjithë atyre që dinë të ndiejnë muzikën. Sot ajo heshti… por jehona e saj vazhdon edhe përtej kufijve. Sepse legjendat nuk largohen, ato thjesht kthehen në përjetësinë e trashëgimisë kulturore të muzikës së popujve pa kufinj. Edhe nëse nuk e kishe njohur nga afër, Namir Lapardhjaja ishte një prani e vazhdueshme në jetën publike përmes shkrimeve të tij. Ai ishte nga ata autorë që nuk kalojnë pa u vënë re, sepse nuk shkruajnë për të mbushur hapësirë, por për të trazuar ndërgjegje.
Vdekja e tij e parakohshme nuk është vetëm një humbje familjare. Është një humbje për gazetarinë, për publicistikën dhe mbi të gjitha për një kulturë debati që sot ka më shumë nevojë se kurrë për zëra të sinqertë dhe të pakompromis. Lapardhjaja ishte një publicist i mprehtë dhe një analist i realitetit shqiptar, që nuk e shihte vendin e tij me cinizëm, por me një dashuri të vështirë, me atë lloj dashurie që të detyron të flasësh, të kritikosh dhe të mos heshtësh përballë asaj që nuk shkon. Ai e njihte Shqipërinë e tranzicionit në thelb, me gjithë kontradiktat, zhgënjimet dhe shpresat e saj të papërmbushura. Në një kohë kur shumëkush zgjedh kompromisin, ai zgjodhi koston. Të ndjekësh pasionin dhe të mbrosh bindjet në një realitet të brishtë institucionalisht dhe moralisht ka çmim, dhe ai e pagoi këtë çmim pa hezitim. Jeta e tij ishte e lidhur ngushtë me letrat, me kërkimin dhe me përpjekjen për t’i rikthyer shoqërisë një sens reflektimi që shpesh mungon. Një nga dimensionet më të forta të mendimit të tij ishte raporti kritik me të djathtën shqiptare. Si një i përndjekur nga sistemi i kaluar, ai iu bashkua asaj me besimin se do të përfaqësonte vlerat e lirisë dhe dinjitetit. Por zhgënjimi që pasoi ishte i thellë. Për të, kjo nuk ishte thjesht një zhgënjim politik, por një plagë personale, një ndjenjë braktisjeje që rëndonte mbi një histori tashmë të mbushur me dhimbje. Pikërisht ky dimension e bënte zërin e tij të veçantë, sepse ai nuk fliste nga distanca, por nga përvoja. Nuk kritikonte për efekt retorik, por sepse kishte besuar. Dhe kur një zë që ka besuar flet për zhgënjimin, ai meriton të dëgjohet më shumë se kushdo tjetër. Sot, përballë largimit të tij, tundimi është të rikthehemi te temat që ai vetë ngrinte me aq këmbëngulje. Por ndoshta sot nuk është dita për këtë. Sot është dita për të kuptuar boshllëkun që lë pas një njeri që jetoi me integritet intelektual dhe pasion të rrallë për fjalën. Sepse në fund, humbja e Namir Lapardhjasë nuk është vetëm një penë më pak. Është një zë më pak , dhe zërat si i tij nuk zëvendësohen lehtë. Nesër filmi "One Battle After Another" do të jetë në garë për Oscar. Por njeriu që i dha shpirt këtij projekti nuk do të jetë fizikisht aty për ta përjetuar këtë moment. Ai do ta ndjekë nga lart, nga qielli i engjëjve të kinemasë. Nëse Hollivudi ka pasur ndonjëherë një engjëll që i dha gjithçka artit të filmit në pak vite jetë, ai ishte Adam Somner.
Ky ishte filmi i tij i fundit si Executive Producer, por historia e tij në kinema ishte shkruar shumë kohë më parë. Adam Somner ishte një nga ndihmës-regjisorët më të mëdhenj që ka njohur industria e filmit. Një profesionist që qëndroi pranë dhe punoi krah për krah me disa nga regjisorët më të mëdhenj të planetit si Steven Spielberg, Martin Scorsese, Alejandro González Iñárritu, Paul Thomas Anderson dhe Ridley Scott. Ai ka qenë pjesë e disa prej filmave që kanë formësuar kinemanë moderne, si Saving Private Ryan, Munich, War Horse, Bridge of Spies, The Post, Licorice Pizza, Roma, The Irishman, etjerë. Filma që sot janë pjesë e historisë së artit të shtatë. Unë pata fatin ta njoh nga afër më 7 shtator 2014 gjatë xhirimeve të filmit Bridge of Spies të Steven Spielberg. Ishte një e diel e bukur shtatori, por skenat i kishim brenda. Aty pashë nga afër një ndihmës-regjisor të palodhur, të kudondodhur dhe mbi të gjitha jashtëzakonisht profesional. Ishte nga ata njerëz që e kuptonin vizionin e regjisorëve të mëdhenj pa pasur nevojë për shumë fjalë. Dhe kjo vinte nga një aftësi e rrallë për komunikim me aktorët dhe gjithë trupën e filmit. Unë isha vetëm pesë muaj në botën e filmit dhe emocionet ishin të papërshkrueshme. Por Adam Somner ishte nga ata njerëz që të ndihmojnë të kapërcesh frikën dhe të japësh më të mirën nga vetja. Më udhëzoi, më orientoi dhe mbi të gjitha më bëri të kuptoj se në sheshxhirim gjithçka fitohet me durim, disiplinë dhe shumë dublime. Në atë film luaja një reporter të Luftës së Ftohtë të vitit 1961 dhe duhej t’i thosha vetëm dy fjalë personazhit të Tom Hanks- “Flash back”. Ishte bërë pothuajse një garë se kush do ta thoshte atë fjali nga radhët e reporterëve. Por ishte Adam Somner ai që i propozoi Spielberg emrin tim, për shkak të ngjashmërisë që kisha me reporterët e vendeve sovjetike që kishin ardhur të mbulonin gjyqin e “spiunit” Rudolf Abel, të luajtur nga Mark Rylance, i cili më pas fitoi edhe Oscar për rolin dytësor. Nuk do ta harroj kurrë momentin kur më vendosi duart mbi supe për të më dhënë sinjalin e nisjes sapo dera e sallës së gjyqit do të hapej. Ishte një gjest i vogël në vetëm një skenë, por për një aktor të ri ishte një botë e tërë besimi. Dhe fati më trokiti sërish disa vite më vonë në filmin The Post, përsëri me Steven Spielberg dhe Tom Hanks, kësaj radhe bashkë me legjendën e kinemasë Meryl Streep. Në atë film unë luaja policin njujorkez të viteve 70-të që mbronte personazhin e saj nga protestuesit e Watergate në Hotel Plaza. Edhe një herë tjetër një eksperiencë e paharrueshme nën drejtimin dhe udhëzimet e Adam Somner. Por ndoshta kjo është madhështia e njerëzve si ai. Ata nuk kërkojnë të jenë në qendër të kamerës. Ata janë ata që bëjnë që kamera të tregojë historinë në mënyrën më të përsosur. Sot Hollivudi ka humbur një nga arkitektët e heshtur të filmave të mëdhenj. Një njeri që nuk kërkoi kurrë dritat e skenës, por që i dha dritë qindra skenave që do të mbeten përjetë në historinë e kinemasë. Dhe për mua, ai do të mbetet gjithmonë ai njeri që më vendosi duart mbi supe në një sheshxhirim dhe më tha vetëm një fjalë: “Go.” Por në të vërtetë, pa e thënë me zë, ai po më thoshte shumë më tepër se ajo, se “Tani është momenti yt.” Dhe ndoshta ai moment ishte pikërisht ajo pikënisje nga ku mori rrjedhë edhe rrugëtimi im shumëvjeçar në botën e filmit. Sot një ditë para Oscar-it të 98-të, Adam Somner prehet në paqe por Hollivudi do të vazhdojë të bëjë filma të mëdhenj… por një pjesë e shpirtit të tyre do të mbajnë gjithmonë emrin e tij. Duke u kthyer nga xhirimet në Long Island, rastësisht veshi më zuri një bisedë në greqisht nga një radio lokale. Nuk ishte aspak çudi. Komuniteti grek në shtetin e Nju Jorkut është ndër më të mëdhenjtë dhe më të organizuarit, falë edhe gjeneratave të hershme të emigrimit.
Por ajo që më tërhoqi vërtet vëmendjen ishte tema e emisionit. Në prag të festës së pavarësisë së tyre, moderatorët kishin ngritur një ide që po trajtohej si një kauzë kombëtare: që muaji mars të njihet në Shtetet e Bashkuara si Muaji i Trashëgimisë Greke (Greek Heritage Month). Në SHBA, marsi tashmë njihet si Muaji i Historisë së Grave (Women’s History Month) dhe njëkohësisht si Muaji i Trashëgimisë Irlandezo-Amerikane (Irish-American Heritage Month). Megjithatë, drejtuesit e emisionit argumentonin se edhe komuniteti grek meriton një hapësirë të tillë institucionale për shkak të historisë dhe kontributit të tij në shoqërinë amerikane. Dhe për ta arritur këtë, sipas tyre, duhet vetëm një gjë, një iniciativë e organizuar e komunitetit dhe një lobim serioz në Kongresin amerikan. Ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte reagimi i menjëhershëm i dëgjuesve. Që nga momenti kur ideja u hodh në ajër, shumë anëtarë të komunitetit grek e mbështetën publikisht, madje duke u shprehur të gatshëm ta mbështesin financiarisht këtë nismë. Për ta, nuk ishte thjesht një ide mediatike, por një projekt identitar për kombin e tyre. Idetë që lidhen me identitetin dhe historinë kombëtare gjithmonë të ndezin mendimin. Dhe pikërisht në atë moment më erdhi një pyetje e natyrshme- pse të mos ketë edhe komuniteti shqiptar një nismë të tillë? Shqiptarët në Shtetet e Bashkuara kanë një histori të gjatë, një komunitet aktiv dhe mbi të gjitha një raport të veçantë me Amerikën. Shqipëria dhe shqiptarët njihen gjerësisht si ndër miqtë më besnikë të Shteteve të Bashkuara. Një partneritet që është dëshmuar në histori, në politikë dhe në qëndrime strategjike ndër dekada. Nëse një komunitet shqiptar do të organizohej seriozisht për një nismë të tillë, lobimi në Kongres nuk do të ishte aspak një mision i pamundur. Pyetja që lind natyrshëm është- se cili muaj do të ishte më i përshtatshmi? Shumëkush mund të mendojë menjëherë për nëntorin, për shkak të pavarësisë së Shqipërisë. Por në SHBA nëntori është tashmë Muaji i Trashëgimisë së Amerikanëve Vendas, një muaj me peshë të madhe historike dhe simbolike. Pikërisht për këtë arsye, personalisht nuk do ta zgjidhja nëntorin për një iniciativë të tillë. Për mua, zgjedhja më e natyrshme do të ishte muaji janar. Një muaj që lidhet drejtpërdrejt me datëlindjen e figurës më emblematike të historisë shqiptare, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Figura e Skënderbeut nuk është vetëm simbol i identitetit kombëtar shqiptar. Ai është një figurë historike që lidhet edhe me historinë e Evropës dhe të Perëndimit, si një nga mbrojtësit më të njohur të qytetërimit evropian në shekullin XV. Historia e tij nuk është thjesht histori shqiptare, por është pjesë e narrativës së rezistencës dhe mbrojtjes së vlerave perëndimore. Dhe ka edhe një fakt interesant se muaji janar nuk figuron aktualisht në listën zyrtare të muajve të trashëgimisë në Shtetet e Bashkuara. Kjo do të thotë se ekziston një hapësirë reale që një komunitet i organizuar mund ta propozojë dhe ta mbrojë një iniciativë të tillë. Sigurisht, një ide e tillë nuk bëhet realitet vetëm me entuziazëm. Ajo kërkon organizim komunitar, mbështetje institucionale, angazhim të shoqatave shqiptaro-amerikane dhe mbi të gjitha një strategji serioze lobimi në Kongres. Por nëse komunitete të tjera arrijnë ta bëjnë, pse jo edhe shqiptarët? Ndoshta ka ardhur koha që edhe komuniteti shqiptar në Amerikë të mendojë më ambiciozisht për mënyrën se si përfaqëson historinë dhe identitetin e vet në hapësirën publike amerikane. Sepse do të ishte një moment historik për çdo shqiptaro-amerikan si dhe për kombin shqiptar në tërësi, që një ditë muaji janar të njihej zyrtarisht në Shtetet e Bashkuara si Muaji i Trashëgimisë Shqiptaro-Amerikane. Dhe ndoshta është koha që kjo ide të mos mbetet vetëm një mendim i lindur rastësisht nga një radio në Long Island, por të kthehet në një nismë reale të komunitetit shqiptaro-amerikan. Ky Big Brother ka prodhuar shumë debate, por në fund do të mbahet mend për dy figura, Ledion Liço dhe Rogert Sterkaj.
Njëri për mënyrën se si e drejton lojën me inteligjencë dhe ekuilibër, tjetri për mënyrën se si e trondit atë duke refuzuar të jetojë me maska. Ledion Liço po dëshmon se moderimi i një formati si Big Brother nuk është thjesht prezantim televiziv, por një ushtrim i vërtetë inteligjence dhe vetëkontrolli. Të menaxhosh njerëz të izoluar për muaj të tërë brenda një shtëpie, ku presioni psikologjik është ekstrem dhe ku 100 mijë dollarë janë në lojë, kërkon më shumë se profesionalizëm edhe karakter. Ledioni e peshon çdo fjalë. Edhe kur tensionet shpërthejnë dhe banorët kalojnë kufijtë e arsyes, ai nuk e humbet qetësinë dhe nuk bie në nivelin e konfliktit. Ky është dallimi mes një moderatori të zakonshëm dhe një moderatori që e kupton se Big Brother nuk është vetëm spektakël, por edhe një eksperiment social. Edhe me banorin më problematik, ai di të komunikojë dhe ta orientojë drejt lojës. Sepse për drejtuesin e Big Brother, çdo banor është i barabartë, madje edhe ai që krijon tension, sepse mban gjallë dinamikat e lojës. Sepse në atë shtëpi nuk shohim vetëm banorët. Shpesh shohim veten tonë si shoqëri. Dhe pikërisht aty hyn në lojë Rogert Sterkaj. Ai hyri si antihero. I ashpër, provokues, pa diplomacinë që shumë të tjerë e përdorin si maskë. Por në një shtëpi ku shpesh dominon hipokrizia, ndodh diçka interesante, se ai që nuk fsheh asgjë fillon të duket më i sinqerti. Në jetën reale ne jemi mësuar me një fenomen të njohur, me njerëzit që në publik shfaqen si engjëj që derdhin lot krokodili, ndërsa në momentin e parë të provokimit tregojnë një fytyrë krejt tjetër. E njëjta gjë ndodh edhe në Big Brother Albania 5. Ka banorë që ndërtojnë me kujdes imazhin e viktimës, me buzëqeshje të buta dhe me lot që dalin në momentin e duhur. Por mjafton një përplasje me Rogertin dhe maska bie. Në atë moment publiku sheh diçka tjetër, atë nervin, arrogancën, agresivitetin e fshehur pas moralit të rremë. Rogerti, edhe sikur të shkojë në një milion nominime, ka gjasa që publiku ta shpëtojë përsëri. Dhe kjo është arsyeja pse publiku shpesh zgjedh të mbajë në lojë pikërisht atë që duket më i rrepti. Jo sepse njerëzit duan konflikt, por sepse duan autenticitet. Ironia është se shpesh ne si shoqëri jemi shumë më të ashpër me një reality show sesa me realitetin tonë të përditshëm . Nuk revoltohemi gjithmonë kur shohim hipokrizi në politikë apo në jetën publike, por reagojmë fort kur ajo shfaqet në një shtëpi televizive. Big Brother nuk është një universitet morali, por është një pasqyrë. Dhe ndonjëherë pasqyra nuk na tregon atë që duam të shohim. Në këtë pasqyrë, Ledion Liço përfaqëson ekuilibrin dhe arsyen që mban lojën në binarë. Ndërsa Rogert Sterkaj përfaqëson atë impuls brutal që shpesh e detyron të vërtetën të dalë në sipërfaqe. Dhe ndoshta ky është mësimi më i mirë i këtij sezoni, se në një botë ku maskat janë bërë normale, ndonjëherë edhe një antihero shërben për të rikujtuar vlerën e sinqeritetit. Sepse në fund të ditës , publiku nuk voton gjithmonë për më të qetin apo më të bukurin, por shpesh për atë që, edhe me ashpërsinë e tij, na detyron të shohim të vërtetën dhe na tregon se ku fshihet e keqja Thuhet shpesh se fati vjen vetëm një herë në jetë. Nëse fati i kombeve dhe i shteteve lidhet me vendimmarrjen e presidentëve të Shteteve të Bashkuara, atëherë Kosova pa dyshim përfaqëson një nga rastet më domethënëse të historisë moderne. Ndërhyrja vendimtare e administratës së Bill Klinton solli atë që sot Kosova e gëzon si realitet politik, pavarësinë nga regjimi shtypës i Sllobodan Millosheviç.
Ky është një fakt historik i pakontestueshëm, i pamundur për t’u fshirë nga memoria e një kombi që pagoi lirinë e tij me gjak. Vendimi u mor pa hezitim, në një moment kur bota po vëzhgonte, por vetëm një qendër reale pushteti veproi. Duke parë zhvillimet e fundit në Iran, paralelet historike bëhen të pashmangshme. Prej më shumë se katër dekadash, ky shtet është mbajtur nën kontrollin e një regjimi teokratik autoritar, që e ka izoluar shoqërinë iraniane dhe e ka kthyer jetën e qytetarëve të saj pas në kohë. Goditjet dhe presioni i shtuar ndaj strukturave të pushtetit kanë tronditur seriozisht themelet e regjimit të udhëhequr nga Ali Khamenei, duke krijuar ndoshta krizën më të madhe të legjitimitetit që ai ka përjetuar ndonjëherë. Në këtë kontekst, roli i Donald Trump shihet nga shumëkush si faktor vendimtar, si një president që nuk heziton të marrë vendime të forta, edhe kur ato shoqërohen me kosto politike dhe rreziqe strategjike. Për herë të parë pas shumë vitesh, fati i një populli të shtypur u vendos në tryezën e vendimmarrjes globale pa kalkulime të gjata diplomatike dhe pa frikën e prishjes së një “ekuilibri” artificial. Ashtu si në rastin e Kosovës, historia tregon se regjimet më të ngurta nuk rrëzohen domosdoshmërisht nga proceset e gjata, por nga momentet kur pushteti përballet me vendime të guximshme. Nëse koha do ta konfirmojë këtë kthesë edhe për Iranin, mbetet për t’u parë. Por një gjë është e sigurt, ndonjëherë, fati i popujve ndryshon vetëm sepse dikush, në momentin e duhur, vendos të mos mendohet dy herë. Një element që e veçon qasjen e Trump nga paraardhësit e tij është mënyra se si ai e koncepton fuqinë amerikane, jo si instrument të pafund negociatash, por si mjet presioni të drejtpërdrejtë. Ai nuk ndërtoi politikë mbi iluzionin e reformimit të regjimeve autoritare nga brenda, por mbi bindjen se disa sisteme pushteti kuptojnë vetëm gjuhën e forcës dhe të kostos reale. Kjo filozofi, e zhveshur nga romantizmi diplomatik, e ka bërë Trump një figurë të debatueshme në Perëndim, por njëkohësisht një faktor real destabilizues për regjime të ngrira prej dekadash. Në rastin e Iranit, ky stil veprimi ka thyer një tabu të vjetër ndërkombëtare, idenë se status quo-ja, sado represive, është më e sigurt se përballja. Trump zgjodhi përballjen, duke e vënë regjimin për herë të parë përballë rrezikut ekzistencial, jo thjesht izolimit ekonomik apo retorikës simbolike. Pikërisht këtu qëndron pesha historike e vendimmarrjes së tij, jo në premtimin e një demokracie të menjëhershme, por në krijimin e një çarjeje reale në një sistem pushteti që deri dje dukej i pathyeshëm. Historia nuk lëviz nga fjalimet, por nga vendimet. Dhe historia është brutalisht selektive, kur ajo mban mend vetëm ata që, në momentin kritik, nuk u fshehën pas procedurave. Ashtu siç Kosova u bë realitet politik sepse dikush mori përgjegjësinë e plotë të veprimit, edhe sot fati i popullit iranian po vihet në provë nga e njëjta logjikë, se se tiranitë nuk bien nga lodhja e kohës, por nga tronditja e forcës. Roli i Trump nuk qëndron te simpatia apo antipatia që ngjall, por te fakti se ai prishi një ekuilibër të rremë që për dekada ushqeu regjime represive në emër të “stabilitetit”. Ky është momenti kur historia ndalon së qenë neutrale. Ose mbron status quo-në e dhunës, ose hap një çarje ku popujt e shtypur shohin për herë të parë mundësinë reale të ndryshimit. Në fund, fati i kombeve nuk vjen shpesh. Por kur vjen, ai nuk troket dy herë. Dhe ata që hezitojnë ta kuptojnë këtë, zakonisht mbeten vetëm si fusnota në librat e historisë. Dosja Epstein dhe hallkat e errëta të rekrutimit: nga mostrat e pushtetit te rasti i Mise Beqirit2/26/2026 Mjafton të hedhësh një sy mbi shkëmbimin e mesazheve të zbardhura në dosjet hetimore të Jeffrey Epstein për të kuptuar se si funksiononte rrjeti i prostitucionit të nivelit të lartë, si një industri e heshtur, e mirëorganizuar dhe e mbrojtur nga pushteti. Nuk bëhet fjalë për raste sporadike, por për një prostitucion elitar, që tronditi themelet e botës politike, financiare dhe mediatike globale.
Në këtë kontekst del edhe emri i Mise Beqirit, modele shqiptare që jetonte në Europën Veriore, e përmendur në komunikime dhe materiale që lidhen me dosjen Epstein. Rasti i saj nuk është as përjashtim dhe as kuriozitet periferik. Përkundrazi, ai shërben si një sinjal alarmi, një “kuti Pandore” që tregon sesa thellë është zhytur elita botërore në shfrytëzimin e trupit të femrës, shpesh deri në kufijtë kriminalë të përfshirjes së të miturve. Ajo që e bën edhe më tronditës këtë realitet është fakti se New York City rezulton një nga qendrat ku ky mekanizëm ka funksionuar për vite me radhë. Një metropol i ëndrrave dhe i mundësive, i kthyer paralelisht në terren rekrutimi për vajza të reja me ambicie për modeling dhe karrierë publike. Ëndrra u është shitur si shans, ndërsa realiteti ka qenë shfrytëzim. Dosjet e Epstein tregojnë qartë se femrat nuk u përdorën për t’u ndihmuar në karrierë, por për të ushqyer haremet e elitës, ku interesat ekonomike, politike dhe personale ishin shumë më të mëdha sesa ambicia e një vajze për të ndërtuar një karrierë të ndershme. Faktet flasin vetë se asnjë nga vajzat që kaluan në orbitën e këtij rrjeti nuk arriti të ndërtojë një karrierë reale. Përfitimi ishte minimal, ndërsa abuzimi maksimal. Më tronditës bëhet rasti kur, sipas komunikimeve të përfshira në dosjen Jeffrey Epstein, del se Mise Beqiri në një rast tenton të veprojë edhe si hallkë ndërmjetëse, duke u përpjekur të afrojë shoqe të saj në rrethin e Epstein. Premtimet që përcilleshin ishin të njëjtat që ky mekanizëm kishte përdorur vazhdimisht: udhëtime, luks, kontakte, “mundësi karriere” dhe akses në një botë që për vajza të reja dukej e paarritshme ndryshe. Ky element nuk e zhvendos përgjegjësinë nga figura qendrore e këtij rrjeti kriminal, por tregon si funksiononte skema e rekrutimit, përmes besimit personal, miqësisë dhe iluzionit të suksesit të shpejtë. Vajzat nuk afroheshin nga struktura formale, por nga njerëz që njihnin, që i besonin dhe që vetë ishin tashmë të kapur në rrjet. Ky është mekanizmi klasik i shfrytëzimit modern, ku viktima kthehet në instrument, shpesh pa e kuptuar plotësisht dimensionin kriminal të zinxhirit ku është futur. Dosjet e Epstein nuk tregojnë vetëm abuzim seksual, por edhe një arkitekturë të ftohtë manipulimi, ku çdo hallkë shërbente për të ushqyer sistemin. Në këtë prizëm, rasti i Mise Beqirit nuk lexohet thjesht si histori individuale, por si pjesë e një modeli më të gjerë që shpjegon pse ky rrjet funksionoi për vite me radhë pa u thyer, sepse nuk dukej si krim, por si “mundësi”. Dhe pikërisht kjo e bën edhe më të rrezikshëm. Përfshirja e Mise Beqirit në dosjen Epstein tregon anën e errët të një bote që ka ekzistuar gjithmonë, por që rrallëherë është denoncuar nga viktimat. Jo për mungesë dhimbjeje, por për mungesë force për t’u përballur me një sistem të blinduar nga pushteti dhe frika. Nuk është aspak çudi të mendohet se lista të ngjashme ekzistojnë ende, të mbajtura larg syrit publik nga njerëz të fuqishëm që vazhdojnë aktivitetin kriminal nën petkun e respektabilitetit. Si rasti i sipërpërmendur, ka dhjetëra e qindra histori të ngjashme në botë, dhe vitet e fundit vihet re një përhapje shqetësuese edhe tek vajzat shqiptare. Ajo që bie në sy është mosha gjithnjë e më e re, udhëtimet e shpeshta drejt destinacioneve ekzotike dhe jashtëzakonisht të shtrenjta, pa asnjë burim të dukshëm të ardhurash. Vizita në Nju Jork dhe shtete të tjera amerikane, pa agjendë profesionale, pa kontrata modeling apo projekte konkrete, por me ekspozim të vazhdueshëm luksi në rrjetet sociale, luks që nuk shoqërohet kurrë me transparencë financiare. Në këtë pikë lind një pyetje legjitime, se cilat janë kriteret reale që u mundësojnë disa prej këtyre vajzave të përfitojnë me lehtësi vizë amerikane, në një kohë kur qytetarë të tjerë refuzohen edhe pse kanë të ardhura të ligjshme, punë apo biznese të dokumentuara? Dyshimi është i pashmangshëm: për një kontingjent të caktuar “mise-sh”, kriteret duken të panevojshme, mjafton që një dorë e fortë të sponsorizojë shpenzimet, udhëtimet dhe shërbimet e tyre. Ky nuk është moralizim. Është një alarm shoqëror. Sepse pas imazheve luksoze dhe jetës “perfekte”, fshihet shpesh një realitet i errët shfrytëzimi, ku trupi i femrës kthehet në monedhë këmbimi për interesat e elitës. Dhe rasti Epstein me emra konkretë si ai i Mise Beqirit na tregon se sa e shëmtuar mund të jetë kjo botë, kur dritat fiken dhe dosjet hapen. |
AuthorWelcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema. Archives
April 2026
Categories |
RSS Feed