Marko Caka
  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact

10 vjet pa Danin

7/22/2026

0 Comments

 
Kanë kaluar 10 vjet pa një nga gazetarët më të mirë sportivë shqiptarë, Ramadan Bigza. Një penë që i mungon jo vetëm sportit shqiptar, por edhe komunitetit të emigrantëve shqiptarë në Greqi.

E njoha në vitet e para të tranzicionit, kur unë isha ende student, ndërsa ai, së bashku me kolegun Kolec Traboini, sapo kishin themeluar gazetën e parë të shqiptarëve në Greqi, "Emigranti". Ishin vite të vështira, kur dinjiteti i shqiptarëve përballej çdo ditë me paragjykime dhe sfida. Falë penës së Danit, Kolec Traboinit dhe gjithë stafit të gazetës, u mbajt gjallë krenaria dhe zëri i shqiptarëve në Greqi.

Nuk do ta harroj kurrë kulturën dhe fisnikërinë e tij shkodrane. Sa herë që ngrija telefonin, më përshëndeste me humorin e tij karakteristik: "Nadja mirë, kuadër!" Pastaj nuk mungonin kurrë këshillat e vyera për gazetarinë, në një kohë kur unë po hidhja hapat e parë në këtë profesion.

Ai i përkiste atij brezi gazetarësh që kishin sakrifikuar shumë gjatë periudhës moniste. Nuk kishte sportist shkodran, por edhe në rang kombëtar, që të mos e njihte Ramadan Bigzën. Me penën e tij ai përjetësonte sukseset e sportistëve, duke ua përcjellë lexuesve emocionin e fitoreve, rekordeve dhe krenarisë kombëtare.

Vllaznia ishte shpirti i tij. Nuk kishte bisedë ku të mos përmendej skuadra e zemrës. Nga brezi i Ramazan Rragamit e Din Zhegës e deri te futbollistët e brezave më të rinj, të gjithë janë pasqyruar me mjeshtëri nga pena e Ramadan Bigzës. Ai nuk shkruante thjesht për ndeshjet apo rezultatet, por ai shkruante edhe për njerëzit, karakterin, sakrificën dhe emocionin që fshihej pas çdo suksesi.

Ishte mik me shumë prej futbollistëve shqiptarë që shkëlqyen në kampionatin grek në vitet '90, si Foto Strakosha, Bledar Kola, Edvin Murati, Salvador Kaçaj, Arjan Bellaj, Agustin Kola e shumë të tjerë. Intervistat e tij ishin ndër më të lexuarat nga shqiptarët e Athinës. Të gjithë e njihnin Danin dhe shpesh thoshin: "Lum ai që e kap pena e Danit, se vetëm ai di me ta qëndisë shkrimin." Dhe ishte e vërtetë. Ai kishte dhuntinë t'i kthente faktet në rrëfime, emocionet në fjalë dhe sportistët në personazhe që mbeteshin gjatë në kujtesën e lexuesit.

Më pas u bë kryeredaktor i "Gazeta e Athinës" duke pasqyruar me përkushtim problemet dhe jetën e komunitetit shqiptar. Të njëjtin profesionalizëm e tregoi edhe te gazeta "Albania", të cilën e ngriti në një standard të ri, duke e bërë gazetën më të lexuar dhe më të respektuar të shqiptarëve në Greqi.

Për shumë vite fundjavat na bashkonin te kafeneja Benetti në Omonia, një oaz ku diskutonim hallet dhe sfidat e komunitetit tonë. Në ato takime mbizotëronte fryma e atdhedashurisë, përkushtimit dhe dëshira për të ndihmuar bashkatdhetarët, pa bërë kurrë llogari për koston.

Thonë se miqtë e vërtetë njihen edhe kur largohesh. Marrëdhënia jonë vazhdoi edhe pasi unë emigrova në Shtetet e Bashkuara. Flisnim shpesh dhe ai më përsëriste gjithmonë:-"Mos e lër gazetarinë, sado e vështirë dhe me sakrifica të jetë."

Jeta më çoi drejt kinemasë, por unë vazhdova të shkruaja herë pas here për gazetën ku punonte Dani. Ai i lexonte me kënaqësi shkrimet e mia dhe, njësoj si në fillim, më inkurajonte edhe në rrugëtimin tim në botën e filmit. Kjo korrespondencë vazhdoi deri në fund të majit të vitit 2016. Ndërsa ndodhesha në xhirimet e një filmi të viteve 20-të për MGM Studios, mora lajmin që nuk do të doja ta dëgjoja kurrë, se Ramadan Bigza nuk jetonte më.

Zemra e tradhtoi, edhe pse ai e donte jetën dhe kishte ende aq shumë për të dhënë.

U largua duke lënë pas një familje të mrekullueshme, dy djem të denjë që vazhdojnë të mbajnë gjallë frymën dhe vlerat e të atit, me respektin për njerëzit, dashurinë për profesionin dhe përkushtimin ndaj komunitetit.

Edhe pas dhjetë vitesh, Dani mbetet një emër që nuk shuhet. Ai jeton në kujtimet e miqve, në shkrimet që la pas dhe në respektin e të gjithë atyre që patën fatin ta njohin.
​
I paharruar qoftë kujtimi yt, Dani.
0 Comments



Leave a Reply.

    Author

    ​Welcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema.
    Happy reading! 

    Archives

    August 2026
    July 2026
    June 2026
    May 2026
    April 2026
    March 2026
    February 2026
    January 2026
    December 2025
    November 2025
    October 2025
    September 2025
    August 2025
    July 2025
    June 2025
    May 2025
    March 2025
    February 2025
    January 2025
    December 2024
    November 2024
    October 2024
    September 2024
    August 2024
    July 2024
    May 2024
    January 2024

    Categories

    All

    RSS Feed


  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact