Marko Caka
  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact

Adam Somner: Njeriu pas kamerës që shkroi histori në kinemanë botërore

3/14/2026

0 Comments

 
Nesër filmi "One Battle After Another" do të jetë në garë për Oscar. Por njeriu që i dha shpirt këtij projekti nuk do të jetë fizikisht aty për ta përjetuar këtë moment. Ai do ta ndjekë nga lart, nga qielli i engjëjve të kinemasë. Nëse Hollivudi ka pasur ndonjëherë një engjëll që i dha gjithçka artit të filmit në pak vite jetë, ai ishte Adam Somner.

Ky ishte filmi i tij i fundit si Executive Producer, por historia e tij në kinema ishte shkruar shumë kohë më parë. Adam Somner ishte një nga ndihmës-regjisorët më të mëdhenj që ka njohur industria e filmit. Një profesionist që qëndroi pranë dhe punoi krah për krah me disa nga regjisorët më të mëdhenj të planetit si Steven Spielberg, Martin Scorsese, Alejandro González Iñárritu, Paul Thomas Anderson dhe Ridley Scott.
Ai ka qenë pjesë e disa prej filmave që kanë formësuar kinemanë moderne, si Saving Private Ryan, Munich, War Horse, Bridge of Spies, The Post, Licorice Pizza, Roma, The Irishman, etjerë. Filma që sot janë pjesë e historisë së artit të shtatë.

Unë pata fatin ta njoh nga afër më 7 shtator 2014 gjatë xhirimeve të filmit Bridge of Spies të Steven Spielberg. Ishte një e diel e bukur shtatori, por skenat i kishim brenda. Aty pashë nga afër një ndihmës-regjisor të palodhur, të kudondodhur dhe mbi të gjitha jashtëzakonisht profesional. Ishte nga ata njerëz që e kuptonin vizionin e regjisorëve të mëdhenj pa pasur nevojë për shumë fjalë. Dhe kjo vinte nga një aftësi e rrallë për komunikim me aktorët dhe gjithë trupën e filmit.

Unë isha vetëm pesë muaj në botën e filmit dhe emocionet ishin të papërshkrueshme. Por Adam Somner ishte nga ata njerëz që të ndihmojnë të kapërcesh frikën dhe të japësh më të mirën nga vetja. Më udhëzoi, më orientoi dhe mbi të gjitha më bëri të kuptoj se në sheshxhirim gjithçka fitohet me durim, disiplinë dhe shumë dublime.

Në atë film luaja një reporter të Luftës së Ftohtë të vitit 1961 dhe duhej t’i thosha vetëm dy fjalë personazhit të Tom Hanks- “Flash back”. Ishte bërë pothuajse një garë se kush do ta thoshte atë fjali nga radhët e reporterëve. Por ishte Adam Somner ai që i propozoi Spielberg emrin tim, për shkak të ngjashmërisë që kisha me reporterët e vendeve sovjetike që kishin ardhur të mbulonin gjyqin e “spiunit” Rudolf Abel, të luajtur nga Mark Rylance, i cili më pas fitoi edhe Oscar për rolin dytësor.

Nuk do ta harroj kurrë momentin kur më vendosi duart mbi supe për të më dhënë sinjalin e nisjes sapo dera e sallës së gjyqit do të hapej. Ishte një gjest i vogël në vetëm një skenë, por për një aktor të ri ishte një botë e tërë besimi.

Dhe fati më trokiti sërish disa vite më vonë në filmin The Post, përsëri me Steven Spielberg dhe Tom Hanks, kësaj radhe bashkë me legjendën e kinemasë Meryl Streep. Në atë film unë luaja policin njujorkez të viteve 70-të që mbronte personazhin e saj nga protestuesit e Watergate në Hotel Plaza. Edhe një herë tjetër një eksperiencë e paharrueshme nën drejtimin dhe udhëzimet e Adam Somner.

Por ndoshta kjo është madhështia e njerëzve si ai. Ata nuk kërkojnë të jenë në qendër të kamerës. Ata janë ata që bëjnë që kamera të tregojë historinë në mënyrën më të përsosur.

Sot Hollivudi ka humbur një nga arkitektët e heshtur të filmave të mëdhenj. Një njeri që nuk kërkoi kurrë dritat e skenës, por që i dha dritë qindra skenave që do të mbeten përjetë në historinë e kinemasë.

Dhe për mua, ai do të mbetet gjithmonë ai njeri që më vendosi duart mbi supe në një sheshxhirim dhe më tha vetëm një fjalë: “Go.”

Por në të vërtetë, pa e thënë me zë, ai po më thoshte shumë më tepër se ajo, se “Tani është momenti yt.”

Dhe ndoshta ai moment ishte pikërisht ajo pikënisje nga ku mori rrjedhë edhe rrugëtimi im shumëvjeçar në botën e filmit.

Sot një ditë para Oscar-it të 98-të, Adam Somner prehet në paqe por Hollivudi do të vazhdojë të bëjë filma të mëdhenj… por një pjesë e shpirtit të tyre do të mbajnë gjithmonë emrin e tij.

0 Comments



Leave a Reply.

    Author

    ​Welcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema.
    Happy reading! 

    Archives

    March 2026
    February 2026
    January 2026
    December 2025
    November 2025
    October 2025
    September 2025
    August 2025
    July 2025
    June 2025
    May 2025
    March 2025
    February 2025
    January 2025
    December 2024
    November 2024
    October 2024
    September 2024
    August 2024
    July 2024
    May 2024
    January 2024

    Categories

    All

    RSS Feed


  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact