Ndryshimet e mëdha që po ndodhin në politikën amerikane mund të thuhet se Presidenti i ri Donald Trump po bën një "revolucion " në jetën e vendit të tij dhe jo vetëm, duke ndaluar të gjithë paratë që sipas tij nuk dihej se ku shkonin.
Miliarda dollarë gjithë këto vite u lëshonin nga Kongresi amerikan me miratimin e presidentit por në fund nuk dihej se ku shkonin me shpenzime marramendëse. Sipas administratës së re të Presidentit Trump ka patur aq shumë shpenzime, saqë janë kryer shumë abuzime nga duart e atyre që i menaxhonin këto fonde ku predispozohej se me anë të programeve do të ndihmonin jetën sociale e edukuese si dhe komunitetet diskreminuese në botë. Fonde të pafundme që dalin nga taksat e amerikanëve duke përfunduar në duart e disave, saqë po tu bëhej një alla veting shqiptar, drejtuesve të këtyre institucioneve, agjencive dhe organizatave joqeveritare pasuritë e tyre janë marramendëse dhe nëse këta janë jashtë vendit qeveria amerikanë nuk mund të bëjë asgjë, as edhe ti hetojë. Departamenti Amerikan i Shtetit me anë të ambasadave të tyre në vendet e treta për zhvillim kanë akorduar miliona dollarë me anë të programeve për të ndihmuar sektorët e tyre emergjente por gjithë këto dekada me gjithë financimet ato përsëri janë në gjendje të varfëruar. Rasti më i keq për tu marrë si shembull janë shtetet afrikane dhe të rajonit tonë së bashku me Shqipërinë, duke përjashtuar financimin për reformimin e drejtësisë e cila duke qenë e shkatërruar nga korrupsioni me ndihmën amerikanë financiare e logjistike ka nje shenjë pozitive për ndryshim sado që SPAK po lufton për ta rimëkëmbur drejtësinë. Të gjithë hallkat e tjera që shfrytëzuan ndihmat e amerikanëve me anë të USAID-it rezultojnë sipas administratës së re amerikane një keq menaxhim sa lind pyetja, në duart e kujt shkuan gjithë ato para. Prandaj President Trump ishte i prerë që gjatë fushatës së tij, duke ju premtuar amerikanëve se gjatë drejtimit të tij do të ndalohen të gjitha këto para të pafund, të shpenzuara që nuk janë gjë tjetër veçse djersa e gjaku i popullit amerikan. Prandaj keto premtime e bënë Presidentin Trump unik duke fituar besimin e masës së gjerë të amerikanëve madje edhe votën e komuniteteve të mëdha emigruese të cilët pas integrimit të tyre në shoqërinë e re filluan të mendonin më shumë për kontributin e familjeve të tyre në SHBA sesa për vendet e tyre të origjinës të zhytur në skamje për faj të politikës së korruptuar që pasuronin familjet e tyre duke vjedhur ndihmat e qeverisë amerikane, pra taksat e tyre. Kjo është edhe ideja e Trump "Bëjmë Amerikën të madhe përsëri ", që të përmirësohet jeta amerikane e para dhe pastaj duhet menduar për të tjerët , që kanë përfituar nga ndihmat amerikane dhe në fund të ditës i janë edhe mosmirënjohës. Kjo mosmirënjohje dallohej mirë tek politikanët e korruptuar shqiptarë të cilët sulmonin verbalisht ambasadorët amerikane sepse lufta e tyre ishte e pa mëshirshëm ndaj gjithë atyre që minonin demokracinë dhe reformat në vend që financoheshin nga qeveria amerikanë. Në sfondin global Presidenti Trump shihet skeptik por një gjë është e qartë për të gjithë ata që janë klasifikuar për korrupsion lufta e tij ndaj tyre do të jetë akoma më e ashpër dhe nuk do të ketë asnjë kompromis për falje. Përndryshe Presidenti Trump bie ndesh me parimet e tij për të çrrënjosur “shpërdorimin e jashtëzakonshëm dhe vjedhjen dhe abuzimin”. Këtë e bëri të qarte edhe anëtari i kabinetit të tij, Sekretari i Shtetit, Marko Rubio në urdhërin e fundit e tij të lëshuar për të gjitha institucionet dhe ambasada amerikane në botë.
0 Comments
Masakra Raçakut një dëshmi e gjallë ndaj qëndrimeve idjote të gazetarit Carlson dhe regjizorit Stone1/16/2025 Si sot me 15 janar 1999 masakra e Reçakut shënon një nga krimet më mizore brenda një ditë që ka kryer njerëzimi që pas luftës së Dytë botërore. Në ato ditë të ngjarjes isha student në Athinë dhe në konviktin e studenteve më takon Rudenc Ruka, një super patriot, arkeolog dhe hulumtues i studimeve historike shqiptare i cili pasi kishte marrë pamjet e para në internetin e sapodalë të asaj kohe, me tregon për masakrën e Raçakut, dhe që kishte filluar ti publikonte në chatin e tij të hotmailit për të sensibilizuar këdo, e për të kuptuar dorën përbindëshe të kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviç, i cili nuk kishte ndalje. Pas gjithë atyre krimeve që kishte bërë në Bosnjë radhën e kishte Kosova për të kryer genocidin më të madh të shekullit 20-të.
Më kujtohet një punë të madhe për sensibilizimin e opinionit grek bëri edhe i ndjeri, atdhetari e albanologu më i madh i Arvanitasve Arestidh Kolja, i cili më fotot e masakrës së Raçakut që i mbante në duar duke ua dëshmuar të gjithë teleshikuesve të emisionin më të shikueshëm të gazetarit grek, Makis Trandafillopulos "Xhungla", dhe duke jua vënë gishtin kolegëve të tij në studio, se kush bën vëllezër kriminelët serb janë turpi i Greqisë. Imazhet tmerruese të asaj dite pasi bën xhiron e botës duke treguar se mizoritë e kasapit të Ballkanit Millosheviç nuk kanë limit aleanca atlantike me ShBA-në në krye u përgatiten për ti dhënë goditjen përfundimtare të makinerisë vrasëse të serbëve. Por duhej sensibilizuar e gjithë bota se kjo makineri e vdekjes së njerëzimit duhet ndaluar një herë e sa më parë. Prandaj edhe bombardimet ishin mëse të nevojshme për të ndaluar reprezaljen e forcave serbe ndaj popullsisë së pafajshme të Kosovës. Edhe pse kanë kaluar 26 vite nga masakra e vrasjes së 45 civilëve brenda pak orëve , mosnjohja e gjenocidit nga ana e palës serbe, si autorë të krimit shokues, tregon se pasardhësit e atyre kriminelëve jo vetëm nuk janë distancuar por vazhdojnë të mbajnë gjallë nacionalizmin e tyre shkatërrues deri në atë pikë sa të viktimizohen nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pikërisht për këtë propaganda pro serbe dhe antishqiptare ka nisur të shfaqet edhe përtej Atlantikut në shtetin e aleatës më të madhe të shqiptarëve, në SHBA. Ajo që na shqetëson më shumë të gjithëve është se kjo frymë dashakeqëse antishqiptare ka hyrë edhe në elitën mediatike konservatore amerikane, me pionerët e tyre Tucker Carlson dhe regjisori Oliver Stone. Janë dy figura të njohura si mbështetës së flaktë të Donald Trump, por qendrimet e tyre të djathta kalojnë ekstremet me tendeca fashiste. Tek shumica e amerikanëve dhe e shqiptarëve të Amerikës. Këto dy figura nuk sjellin aspak ndonjë adhurim, përkundrazi opinionet e tyre me plot mllef e urrejtje ndaj kundërshtarëve politikë më tepër të irrididintojnë dhe të bëjnë të ndërrosh kanal. Prandaj edhe bashkëbisedimi i ditëve të fundit që me deklaratat e tyre kundra bombardimeve të Natos në Serbi në 1999 ishin lajm për ne shqiptarët por për amerikanët jo se ju bën më përshtypje ekstremizmi i tyre deri dhe përtej llogjikës jo vetëm si antishqiptar por edhe si antiamerikan. Oliver Stone njihet publikisht si një antianerikan, mik i Vladimir Putin pra si një filorus i thekur, që do të thotë se në realitet ai është një mik i armiqve të përjetshëm të SHBA-së. Pra si një antiamerikan që ka shkelur mbi gjakun e gjithë dëshmorëve amerikanë që kanë rënë për mbrojtur demokracivë të brishta në shumë vendet e botës. Po të bëjmë një analogji të sulmeve bombarduese amerikanë, pyetja për Turce Carlson ështe nëse Serbia nuk duhej të bombardohej nga forcat aleate, atëherë përse Iraku duhej të bombardohej pas sulmit në Kuvajt me urdhrin e liderit të tyre shpirtëror të familjes Carlson, GW Bush kur dihet që nuk kishte reprezalje masive të popullatës si në Kosovë. Madja babai i Turce Carlson, si një gazetar i njohur i familjes Bush ka qenë një përkrahës i madh dhe reporter i bombardimeve amerikane në Irak .Për ta vënë në dijeni Oliver Stone, se shtet gangster është Rusia ku bëjnë ligjin Oligarkët e Putinit, dhe jo Kosova që për pak vite ka ndërtuar një shtet demokratik sado që forcat serbe proruse veprojnë me të gjitha mënyrat në veri të saj për të destabilizuar shtetin e saj. Ajo që pritet është sa sa do ndikojnë të dy këta figura të neveritshme antishqiptare në administratën e Trump, e cila do të ketë një rol kryesor në marrëdhenjet e negocimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Nuk duam të parashikojmë që tani për fatin e Kosovës se si do të jetë në duart e Presidentit Trump për katër vite e ardhshme, por nëse të fituar do të jenë Serbët vota e shqiptarëve të Amerikës do të jetë turpi më i madh që i është bërë ndonjëherë interesave madhore kombit, që është mbi gjithçka. Gjithësesi uroj që Trump do të ndjekë linjën historike të Presidenteve të SHBA-së për të mbrojtur interesat e tyre aleatëve të tyre strategjikë dhe të shqiptarëve si populli më proamerikan i botës. Zjarret apokaliptike të Los Angeles në zonën e më të famshmëve të botës së hollivudit dhe regjistrimi i votës së emigrantëve për ne shqiptarët janë dy ngjarjet më të rëndësishme të javës që sapo lamë pas.
Duke parë një video virale në Los Anxhelesin apokaliptik ku zjarret nuk kanë lënë asgjë mbi dhe, përveç se shkrumit e hisë, mirëpo që Zoti kishte shpëtuar vetëm një shtëpi dhe banori në vend që t’i gëzohej kësaj mrekullie, qante më tepër se ku janë banorët, ku janë shtëpitë e tyre dhe çfarë rëndësie ka jeta ime pa ata. Pikërisht tek kjo e fundit dua të ndalem, për ta kuptuar edhe ne në Shqipërinë time sesa e rëndësishme është jeta jonë dhe e gjithësecilit në një shoqëri të përbashkët, por me qëndrime dhe ide të ndryeshmë. Pra, jeta jonë me komshiun që ndajmë gjithçka në të mirat e të këqijat që na sjell e përditshmëria jonë. Dhe meqenëse jeta jonë ndahet edhe me fqinjët, kështu që është e rëndësishme ti respektojmë qëndrimet dhe mendimet e tyre sesi duan ta konceptojnë dhe ta ndërtojnë jetën e tyre bazuar tek bindjet e besimet e tyre. Historikisht familja ime vjen nga bindjet e majta dhe nuk e luan topi, të paktën as tek unë që jam pasardhësi i fundit i tyre që të ndërrojë këtë kah. Tani çeshtja është se në këtë tokë nuk jetoj vetëm unë por jetojmë të gjithë bashkë me vllazni, e me shoqni, e me komshi që kanë edhe ata bindjet e tyre dhe që duhen respektuar deri në fund. Pra me pak fjalë jeta jonë nuk ka kuptim pa larmishmërinë e mendimeve të gjithsecilit sepse është si ajo sofra që nuk ka kuptim pa muhabetin dhe debatin e miqve. Jam rritur në një familje të madhe, ku të parët e mi drejtonin sofrat e miqve, ku fqinjët dhe mysafirët kishin larmitet në përzgjedhjet e tyre, të bindjeve si dhe të besimeve të ndryeshmë që vijnë më shumë nga trashëgimia e tyre familjare. Mos të them, se komshinjtë më të mirë i kisha të besimit ndryshe nga ajo e familjes sime, që vinin e ndanin edhe kafshatën e fëmijëve me ne, në një harmoni absolute. Madje edhe tani që po hedh këto rreshta, i kujtoj me nostalgji se sa të mirë e bujarë i kisha fqinjët, që në një kohë shkoja dhe mbushja ujin tek ata ngaqë tek ne po rregullonin tubacionet dhe uji i pijshëm ishte jetik për familjet tona. Në çfarëdo ore që t'ju shkoje ata të hapnin derën dhe të mirëprisnin dhe kurrë nuk bezdiseshin nga ecëjakët e mia. Im atë gjithmonë më këshillonte që të kisha kujdes me fqinjët, të jem gjithmonë i sjellshëm me ata, t’i përshendesësh në rrugë dhe kur të kanë nevojë të vraposh pas hallit të tyre . Ky ishte ai edukimi që morëm nga prindërit tanë për të respektuar njeriun që bashkëjeton me ty, në një pallat, në një rrugicë, në një lagje, në një qytet apo në një fshat. Pra të respektosh këtë njeri me të gjitha larmishmëritë që ka, sepse fundja fundit me atë do ndash të mirat dhe të këqijat që të sjell fati i jetës. Tani problemi ështe se për mua jeta nuk ka kuptim pa e patur njeriun e bindjeve ndryshe, pra duhet edhe e djathta sepse boshti për të qëndruar ka nevojë për të dyja kahët. Pra nëse e lëmë të anojë vetëm tek e majta, apo tek e djathta trungu është i predispozuar në çdo moment të rrëzohet. Pra nëse e lëmë një qeveri i çfarëdo kahu të jetë, të rrëzojë trungun pra shtetin nënkupton se pushteti ka degraduar dhe është i kapur në duart e një grupi njerëzish që nuk kanë të bëjnë me ideologjitë dhe interesat e votuesve, por luftojnë për interesat e tyre personale dhe shembujt kanë treguar se në këto raste kthimi në diktaturë ka qenë i pashmangshëm. Nëse flasim për situatën në Shqipëri ku e majta është e konsiliduar nga socialistët, dhe e djathta është e shkërmoqur si asnjëherë, atëherë lind pyetja se ku është vertetë ajo e djathta bio e shqiptarëve që nuk e lidhte asgjë me sistemin e kaluar përveç përndjekjes dhe persekutimeve në ekstrem. Sepse kjo e djathtë që po zihet dhe që kishte ndarë qeverisjet me socialistët për 34 vite po tregon se të shkuarën e kanë patur të përbashkët vetëm që kanë ndërruar kahët e ngjyrën për ti shërbyer xhepave të tyre. Ajo që monizmi i veçoi, i torturoi, i përsekutoi dhe në fund i vrau gjyshërit e tyre, ata nuk po i shikoj gjëkundi të bashkuar, veçse presin mëshirën e fatit se dikush do dalë e do i mbrojë kauzat e tyre. Këtë të djathtë po kërkoj unë si i majtë që jam, por më shumë shoqëria ime këtu në diasporë që vertetë monizmi i përsekutoi të dergjur burgjeve famëkeqe dhe sot nuk kanë asnjë dritë shpresë. Atë po kërkon edhe një miku i im, i të djathtës së ndershme, Gjon Destanishta që sot jeton si qytetar i SHBA-së, i cili përvçse votoi për Trump-in, ligji i ri zgjedhor si pjesë e diasporës i jep të drejtën të regjistrohet e të votojë edhe jashtë Shqipërisë për vendlindjen e tij. Vota e familjes së tyre ka qenë gjithmonë për të djathtën e vertetë, por gjithmonë kanë qenë të zhgënjyer sepse akoma nuk ka dalë një lider i përsekutuar që nuk është i përlyer me të shkuarën që ti përfaqësojë ata në idealet e të parëve të tyre. Emrin Gjoni e ka marrë nga gjyshi i tij, një ish gjeneral i besuar i Zogut, por mbi të gjitha një patriot i madh i vendit kundra hordhive serbe, por që regjimi e burgosi se i sherbeu eprorit të tij duke ja mohuar vlerën e tij prej atdhetari vetmohues. I biri i tij, i ndjeri Nikolin Destanishta për shkak të biografisë gjithë jetën që fëmijë u internua por që nuk e shuajti kurrë dashurinë për vendin e tij, për Shkodrën e tij, për njerëzit që e rrethonin dhe e vlerësonin si burrë fisnik e të mençur. Gjatë gjithë periudhës së tranzicionit ai kurrë nuk u ankua për fatin e keq të jetës së tij e të familjes së tij prej bindjeve të djathta, dhe asnjë nga bashkëqytetarët e tij nuk i fajësoi për mëkatet e regjimit, përkundrazi gjithë jetën e tij tek njerëzit jepte respekt me një atdhedashuri të madhe. Ashtu u largua në jetën hyjnore duke lënë një trashëgimi familjare të shëndetshme, por gjithmonë me pengun se e djathta e persekutuar një ditë do ketë liderin e tyre për të mbrojtur idealet e tyre, për të drejtat e tyre absolute që ju takojnë. Atë po kërkon tani i biri i tij, Gjoni, dhe gjithë bashkëvuajtësit e tyre që ndodhen në Amerikën e largët, por vërdallë tyre po ju vijnë përsëri përfaqësuesit e dy partive të mëdha me plot premtime por që gjithmonë për ata kanë qenë boshe e zhgënjyese duke i bërë dy herë të përsekutuar . Nëse unë si i majtë, vota ime predispozohet se është e mbrojtur nga socialistët e ndershëm, po për Gjonin si i djathtë i ndershëm ku do shkojë vota e tij? Kush do ta mbrojë e do ta përfaqësojë të djathtën e tij të përsekutuar, pra cili politikan i djathtë i ndershëm dhe i pa përlyer do ta mbrojë kauzën e tyre të vertetë ku gjyshërit e prindërit e tyre sakrifikuan duke vuajtur si martir i internimeve e burgjeve më të egra të regjimit monist. Kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga ceremonia e ardhjes së Presidentit të ri të Amerikës opinioni që do e hedh në keto pak rreshta mund të jetë i çuditshëm, por sot vetëm imagjinare që nuk është më. Ndërkohë të gjithë presim riardhjen e Presidentit Trump bashkë me premtimet e tij, ndërsa për mua është më e veçanta dalja në skenë e njeriut më të afërt të tij, ose e thënë ndryshe e njeriut X, më të pasurit të planetit, Elon Musk. Ajo që do hedh këtu në shkrimin tim për Musk para disa vitesh e kishin guximin ta thonin vetëm konspirionistët, por sot dita ditës teoritë e tyre prej "budallenjëve" po vijnë e bëhen realitet. Madje edhe emri i tij i zgjedhur X është ajo që po ndeshemi ne sot, që shumë shpejt bota do komandohet vetëm nga këto germa të alfabetit, ndërsa ne të tjerët që kemi zgjedhur emër mbiemër të lidhur me prejardhjen tonë natyrale e fisnore në një të ardhme shumë të shpejt do jemi thjeshtë vetëm një numër, pra nuk do të kemi asnjë lloj funksioni. Pak nga pak ekzistenca jonë si qenje njerëzore ka filluar të zëvendësohet me krijesën robotike e krijuar po nga duart tona dhe e mendjeve të avancuara si Elon Musk etj. Por me futjen e teknollogjisë së avancuar dalëngadalë truri jonë me ekzistencën tonë në punë po zëvendësohet nga Inteligjenca Artificiale (AI) e cila do të komandojë çdo gjë nëpërmjet botës digjitale. Këtë kam filluar ta ndjej që tani në industrinë e filmit amerikan ku unë jam i angazhuar për shumë vite dhe studiot e mëdha hollivudiane kanë nisut të na zevëndësojnë me njeriun e prodhuar nga Inteligjenca Artificiale (AI). Ajo që është e quditshme dhe shpresoj të mos ndodhë, se gjithë këta krijesa që i krijoi dora dhe mendja e njeriut do të arrijnë një ditë të zëvendësojnë edhe organizmin tonë pra ne si qenje koti duke mos arritur të bëjmë asgjë në këtë botë, pra përveçse të mos punojmë të mos kemi nevojë edhe të ushqehemi, që do të thotë këto qënje të na zëvendësojnë në gjithçka që trupi ynë ka nevojë. Siç shihet drejt asaj po shkojmë që njeriu tja lëshojë radhën kësaj qënje derisa të zhdukemi një herë e përgjithmonë nga ky planet që sot është më shumë se kurrë në rrezik nga po vetë dora e njeriut. Pra pak a shumë është si një ndëshkim që po na bën po vetë nëna natyrë me ligjet e saj që jeta jonë të mos përballohet nga ndryshimet klimaterike që ja kemi sjellë po vetë ne.
Të gjithë kemi vënë re sjelljet e fundit të quditshme të Elon Musk pak para zgjedhjeve e pas zgjedhjes të Presidentit Trump që nga deklaratat e tyre deri edhe në stilin e tyre të veçantë të kërcimit gjatë festave të tyre. Të lë përshtypjen sikur Presidenti Trump shoqërohet me një "jashtë tokësor", por në të vertetë ai është njeriu më i fuqishëm i planetit si nga paraja ashtu dhe nga fuqia mendore. Mjafton që këtë ta thotë Musk dhe bota është e gjitha me të drejtën e tij duke i bërë liderët e tjerë kundërshtarë politik(më shumë të majtët europianë) si budallenj. Ky rrezik ka filluar të shfaqet në fillim në Europë aty ku bota ka qendrën më të cilivizuar dhe më të zhvilluar të saj, por duke qenë e zhgënjyer nga keq qeverisjet, qasja e Elon Musk është bërë akoma më e lehtë, më e ndikushme dhe në disa vende akoma më e dukshme për ta kapur situatën vetë në dorë. Ajo që është e quditshme për të gjithë ne se tendenca e njeriut X është me qasje drejt të djathtës, madje duke shkuar më përtej drejt të djathtës ekstreme e cila është pakica më e pakënaqur gjatë gjithë këtyre dekadave pas luftës së dytë Botërore, qëkur u vendos ky rend botëror që e bëri të papërfillshme ekzistencën e tyre si një ndëshkim ndaj mizorisë ç'njerëzore që bëri Hitleri ndaj njerëzimit. Prandaj nuk është e rastësishme qasja e njeriut më të pasur të planetit drejt kësaj të djathtë ekstreme që në fund të fundit nuk ka asgjë për të humbur nga ky eksperiment i Elon Musk, përkundrazi ky rend botëror e ka lënë gjithmonë mënjanë pa asnjë pushtet. Tani me ardhjen e Trump shpresat e tyre për të ardhur edhe një herë në pushtet janë ndezur më shumë, dhe deklaratat populiste të "supermenit" Elon Musk e bëjnë akoma më të besueshme. Erërat e ekstremizmit kanë filluar të bëhen të dukshme edhe në Spanjën majtiste ku Musk me aleatët e tij kanë sulmuar institucionet dhe duke bërë thirrje që njerëzit të mbështesin trashëguesit e nazizmit. Si TIK-TOK-u ashtu dhe X-i i Musk-ut janë dy mjetet më të fuqishme propaganduese të së djathtës ekstreme të cilët kanë sjellë pas vetës edhe më rebelet influencues të dy rrjeteve më të mëdha sociale. Të gjithë janë të prirur për të shkatërruar gjithçka që establishmenti me anë të globalizmit kishte ndërtuar qarkun e tyre që vetëm ata e kontrollonin botën e zhvilluar dhe askush tjetër. Shenjat për ndryshim kishin filluar që me daljen e parë në skenën politike të Donald Trump, i cili tani ka më shumë gjasa se duke qenë Presidenti i fitores absolute të 5 nëntorit të realizojë qëllimet e tij jo vetëm brenda Amerikës për ta bërë më të madhe por edhe jashtë saj si një lider absolut botëror. Duke ditur se me avancimin e teknollogjisë ka ndryshuar edhe jeta jonë njerëzore dhe për ta patur nën kontroll këtë, pikërisht në krye të saj Presidenti Trump ka zgjedhur njeriun më inovator të njerëzimit, dhe më të pasurin Elon Musk. Duke i njohur dhuntitë e tij, Trump beson se me Musk në krye ShBA do të shtrijë gjithë ndikimin e saj në kontinentin e vjetër e pastaj pse jo gjithë planetin. Ambiciet e tij imagjinare të hershme si "pushtimi" i Grenlandës sot po nisin të jenë më të besueshme me deklaratat e tij publike. Ka mundësi se gjatë mandatit të tij të dytë për arsye të sigurisë dhe kërcënimeve të vazhdueshme të Rusisë që sa vjen dhe bëhet më e rrezikshme për fqinjët, Danimarkës më shumë do ti interesonte që Grenlandën ta ketë nën kujdesin e partnerit të saj më të madh strategjik, ShBA-së, duke kryer një marrëveshje shitje alla Hong Kong që u mbrojt dhe u zhvillua për 100 vjet nga britanikët. Bashkimi i Kanadasë si shtet i 51të i SHBA-së ,emërtimi i Gjirit të Meksikës në atë amrikan, zaptimi i kanalit të Panamasë, dhe ishullit të Grenlandës në llogjikën mendore të njeriut përtej shakasë për fqinjët dhe BE-në janë veçse kërcënime serioze nga një aleat i tyre historik, por për Trump dhe Elon Musk janë më shumë një realitet i mundshëm duke ditur se siguria botërore sa vjen e bëhet më e rrezikuar nga "armiqtë" e vjetër të perëndimit, Rusi-Kinë. Prandaj nëse në një kohë për të gjitha këto që lartpërmenda ishin diskutime imagjinare dhe muhabet tavolinë, tani dalin nga deklaratat e dy njerëzve ku njëri për 10 ditë do të rimarrë postin e Presidentit të shtetit më të fuqishëm të planetit dhe tjetri me pasurinë dhe mendjen inovatore që ka mund të blejë gjithçka në botë për të ndryshuar të gjitha rregullat ashtu siç i do ai, dhe që i bën realitet. Që sot në mengjes ish Kryeminstri grek Kostas Simitis nuk jeton më, por që do mbahet mend tek shqiptarët e Greqisë, në historinë e emigrimit të tyrë masiv në shtetin fqinj. Pra karriera e ish kryeministrit grek, Simitis përkoi në kulmin e emigracionit shqiptar atëherë kur shqiptarët kishin nisur ta quanin shtetin fqinjë si atdheu i dytë. Pikërisht atëherë kur shqiptarët luftonin për të fituar identitetin e tyrë në shtetin helen nga ku ishte poshtëruar në mënyrën më të keqe që në gjenezën e emigracionit masiv me operacionin famëkeq "Fshesa" të qeverisë së Kostandinos Micotaqis ardhja e Simitis hapi dritën jeshile për njohjen e drejtave të emigrantëve shqiptarë. Duhet thënë se menjeherë pas ardhjes së Kostas Simitis si kryetar i Pasok dhe Kryemistër i vendit duke pasuar liderin shpirtëror të tyre, Andreas Papandreu, ai nisi përveç reformave të brendshme të zhvillimit ekonomik dhe arsimor të vendit, ajo që do mbahet mend tek shqiptarët është reforma e politikës emigruese në vitin 1998 në legalizimin për herë të parë të emigrantëve shqiptarë duke i pajisur që në fillim me lejen e punës, duke u dhënë mundësinë e punësimit të rregullt dhe të udhëtimit të tyrë të parë të ligjshëm për të vizituar familjet e tyre në Shqipëri. Ajo që do mbahet mend gjatë, madje për të mos u harruar kurrë, periudha e Simitis për Shqiptarët është se gjatë qeverisjes së tij, krijoi hapësira të mëdha punë, siç ishte punësimi me i madh i tyre në sektorin e ndërtimit në veprat më të mëdha të historisë moderne greke, si ndërtimi i Qendrave të Lojërave Olimpike "Athens 2004", Aeroporti i madh i Athinës, "Eleftherios Venizelos", Ura e Riu-Antiriu në lehtësimin e transportit tregtar dhe udhëtimit me fqinjët verior, metroja e Athinës, autostrada Atiki Odhos e sa sa të tjera ku shqiptarët duke qenë forca kryesore ndërtuese në vend, me remitancat e tyre ndihmuan familjet e tyre në vendlindje si një frymarrje e thellë duke mbajtur gjallë ekonominë e shkatërruar të vendit tonë nga qeverisjet e këqija të politikanëve shqiptarë.
Qeveria me drejtimin e Simitis do mbahet mend si qeverisja më harmonike ndonjëherë me qeveritë shqiptare, i cili ndërtoi ura lidhëse të marrëdhenjes së Shqipërisë me Bashkimin Europian. Një marrëdhënie që nisi që në fillim të drejtimit të tij në 96-ën duke arritur një marrëveshje të rëndësishme të fqinjësisë, atë marrëdhenjes së miqësisë me qeverinë më kontraverse të Shqipërisë post komuniste ku dë fakto drejtohej nga Sali Berisha, por që u firmos nga ministri Sërreqi. Pastaj ajo që arriti kulmin e marrëdhënie ishte me qeverinë e socialistëve shqiptarë duke u bërë promotorja kryesore investuese në zhvillimin e ekonomisë shqiptare të dalë pas luftës së 97-tës. Ishte po vetë iniciativa e Simitis i cili kontriboi në ndërtimin falas të spitalit shqiptar si dhe me përgatitjen specialistëve të fushave të ndryshme, si dhe të përgatitjes së studentëve të parë oficerë ushtarak në akademitë ushtarake greke. Me Simitis si kryeministër ishte qeverisja e parë greke që injoroi tonet nacionaliste që vinin nga të dyja vendet, por që prodhonin destabilitet nga çerdhja nacionaliste e disa himarjotëve shqiptarë por që kusuret i vuanin emigrantët shqiptarë në Greqi. Me Simitis në krye qeveria greke ishte promotorja e vetme që me presidencën e saj të BE- ftoi në tryezat e saj të rëndësishme delegacionet qeveritare të Kosovës duke e ulur për herë të parë palën serbe me atë të Kosovës në samitin rajonal të 2003. Kostas Simitis ishte një kryeministër teknokrat dhe moderator që futi Greqinë në eurozonë në njësimin e monedhës si dhe i dha një hop zhvillimit ekonomik për të balancuar difiçitin buxhetor të krijuar nga qeverisjet e mëparshme. Sadoqë u përballë me fraksionet e brendshmë të partisë të linjës Andrea Papandreu të cilët me anë të shpërdorimeve dhe korruspisionit të zyrtarëve të lartë shtetëror kishin krijuar një grop të madhe të deficitit dhe ulje të prodhimit të brendshëm. Për shkak të këtyre fraksioneve të brendshme të cilët kontrollonin balancën qeverjes së Pasok, qeveria e Simitis pësoj disa skandale të kryera nga anëtarët e kabinetit të tij, por që asnjëherë nuk është vënë në diskutim pastërtia e tij të lidhur me grupet korruptive të interesit. Ajo që vlen të përmendet ështe se rivali i tij politik që kishte betejat më të ashpra politike, i ndjeri Akis Xohaxopulos u dënua me 20 vjet burg për korrupsion dhe që vdiq në 2021. Xohaxopullos alla Meta ishtë politikani më i lartë në shtetin fqinjë që u dënua nga një gjykatë greke për krrupsion gjatë ushtrimit të postit zv Kryeminstriit, dhe të ministrit të mbrojtjes me tenderin e blerjeve të nëndetëseve luftarake greke. Dhe së fundi qeveria Simitis do mbahet mend në shpartallimin e grupit të fuqishëm terrorist "17 Nëntori" i cili me sulmet dhe vrasjet e tyre politike kishte tronditur shtetin fqinj për më se dy dekada. Gjithmonë Big Brother- in në Top Chanel e kam parë të domosdoshëm për shqiptarët, sepse është një pasqyrë e tyre brenda një shtëpie të madhe ku përplasen të gjitha steriotipet që ka trashëguar vendi në vite.
Dhe një e më i veçanti që më ka ngacmuar gjithmonë por që u shfaq vetëm pak ditë para se ti jepnim lamtumirën e vitit të shkuar brenda shtëpisë më të famshme të shqiptarëve ku vëllai i madh i kontrollon të gjithë non stop. Dhe më çuditshmja, ky fenomen ishte fshehur brenda gjeneratës së re, por që ishte aq i freskët si dikur kur më ngacmonte atë adoleshencën time të viteve të fundit të monizmit. Pra Livia e Jozi, dy banorët e këtij formati ishin dy dëshmitarët më të famshëm që zgjuan fenomenin se "Ti s’je shkodran, por je nga rrethinat". Pothuajse kjo ndodh vetëm në Shkodrën teme dhe në asnjë qytet tjetër, ngaqë është djepi i kulturës shqiptare. Pikërisht në Shkodër nuk qëndron kjo tek qytetarët dembabadem të saj, por luftë ndaj "qytetërimit" ka ardhur nga jabanxhinjtë i themi ne në Shkodër. Kjo ishte përbuzja më e madhe që i bëhej një banori në rrethinat e qytetit apo një banori të fshatrave që e kufizojnë qytetin. Pra dy të rinjtë e shtëpisë së Big Brother "luftonin" për qytetërimet që duhet të ishin medoemos brenda qytetit mundësisht në qendër të qytetit, që i bie diku nga Piaca apo teatri i Migjenit. Madje edhe ky i fundit që ka emrin e teatrit më të madh të qytetit verior ku është trashëguar e ruajtur vlera e artit të Shkodrës, po ta dëgjonte nuk do ta zinte varri atje ku është. Sepse Millosh Gjergj Nikolla, shkurt Migjeni me prejardhje nga Reka e Dibrës është argumenti më i fortë se të jesh qytetar ku qyteti po bën një shekull që krenohet me veprat e tij, nuk është e thënë që të jesh brenda tij, por mund të jesh edhe nga rrethinat apo edhe nga fshatrat më të skajshëm që ka Shkodra si rreth, apo si njësi administrative, mjafton që me dijet i ke dhënë ndriçim shoqërisë ku jetojmë e punojmë. Këtë kanë bërë shkodranët e hershëm që me civilizimin e tyre të fituar nga natyra e tyre edukuese dhe nga shkollimi i tyre pothuajse jashtë vendit, i dhanë zhvillim mendjes së vonuar të shqiptarëve të tjerë, që ishin të prapambetur nga lufrat e skamjet feudale. Për shembull emrin e mirë të qytetarit Shkodran, mund të ketë edhe një pukjan si pjesë e qarkut të tij, mjafton që me edukimin dhe formimin i jep kontribut Shkodrës. Ashtu si qytetar shkodran nuk të bën edhe sikur të jesh banor në qendër tek lulishtja e madhe nëse ti ke një jetë kriminale që vetëm i prish imazhin e mirë të qytetit mijëra vjeçar. Pra, njeriun e edukuar dhe me vlera nuk e karakterizon emri i një qyteti, por personaliteti i tij që është një vlerë e shtuar për Shkodrën si qytet dhe si qark. Të gjithë e dinë se Shkodra e ka thelbin e qytetërimit me fshatarët e saj përreth, të cilët u vendosën që në hershmërinë e qytetit duke mbajtur emrat e fshatrave të tyre si mbiemër. Si përshembull, fshati Bushat me bushatlinjtë liderë të principatave, fshati Shirokë me doktor Frederikun, themeluesin e kirurgjisë shqiptare të fillimin e shekullit 19-të dhe me shestanët si kampionët më të mëdhenj të notit shqiptar, fshati Mjedë me poetin e tyre të famshëm Ndre Mjeda, fshati Mes me tregtarët më të medhenj mesianë që e zhvilluan qytetin, me fshatin Fishtë shumë pak kilometra nga qyteti që i dhanë Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë Gjergj Fishtën e madh, e sa e sa të tjerë që Shkodra jonë krenohet me ata. Diskriminimi me anë të epiteteve se ti je rrethinor e s’je nga qyteti e kisha kujtuar se ishte lënë prapa nga shqiptarët por që flinte akoma brenda gjeneratës së re, dhe të vinte e të shpërthente brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri, tek banori i saj, Jozi e Livia për tu vetëmbrojtur kjo më ka befasuar. Dhe kjo meritë i takon këtij formati të Top Chanel që me anë të eksperimenteve të saj me banorët sjell një fenomen që ka vite që fle në mendjet e sëmura të disa brezave të shqiptarëve, por që duhet të ndalohet një herë e mirë, duke u kthyer në një debat publik që brezat që vijnë të kuptojnë se QYTETAR nuk të bën qyteti, por cilido që vjen e jeton e jep kontribute për komunitetin për ta zhvilluar atë që Shkodrën dhe çdo qytet tjetër ta ndjejnë si shtëpinë e tyre. Kështu e kanë bërë qytetërimet e vendeve zhvilluese që jetën e shikojnë së bashku me fshatrat e tyre përreth sepse pa ata dhe produktet e tyre shoqëria dhe zhvillimi njerëzor nuk ka jetë. |
AuthorWelcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema. Archives
February 2025
Categories |