|
Pas publikimit të artikullit tim të fundit në gazetën "Tema" mbi ngjarjet e rënda në SHBA dhe vrasjen e dy protestuesve amerikanë nga agjentë federalë të ICE, u përballa në faqen time në Facebook me një fenomen që, për çudi, nuk e kisha hasur më parë në këtë formë, as në 30 vite karrierë gazetarie.
Mes komenteve u shfaq një profil me emrin Roz Marku. Përtej një identiteti virtual që shfaqej si “verior” dhe disa lidhjeve të deklaruara me kandidaturën e një shqiptari republikan në SHBA, asgjë tjetër nuk e lidhte realisht me Shqipërinë. Profili ishte pa foto personale, por i stolisur me imazhin e presidentit aktual amerikan, një adhurim që do t’ia kishte zili edhe Trump Jr. Nuk shkruante kurrë në shqip, gjë që lë të kuptohet se nuk e zotëron mirë gjuhën, por përgjigjet e mia të gjata dhe shpjeguese i kuptonte për mrekulli. Një paradoks tipik i arrogancës digjitale, që nuk flet gjuhën, por pretendon monopolin e së vërtetës. Që në fillim, gjuha e tij ishte sulmuese, përjashtuese dhe fyese. Me këtë, fatkeqësisht, jemi mësuar në rrjetet sociale dhe nuk ka asnjë arsye të zbresim në batakun e injorancës. Ajo që më befasoi ishte akuza që e dëgjoja për herë të parë në jetën time, “komunist i vogël”. Si arriti në këtë përfundim Roz Marku i etiketimeve të shpejta, nuk u bë kurrë e qartë, pasi në artikullin tim nuk kishte asnjë tezë ideologjike, por vetëm fakte dhe dëshmi mbi vrasjen e dy protestuesve amerikanë nga agjentë federalë të ICE. Gjithmonë në mendjet e sëmura, kur mungon argumenti, shpiket armiku. Më vjen keq që komunizmi ka lënë pasoja të rënda te shumë njerëz. Unë pata fatin që ky sistem monstruoz të mos më përfshinte drejtpërdrejt, për shkak të moshës së re. Por im atë nuk i shpëtoi dot kësaj makinerie represive, nga kuadër me shkollë të lartë u degradua në kooperativist bujqësie, për shkak të një dajë të tij të vrarë nga njësitet e krijuara për përndjekjen e antikomunistëve. Pikërisht për këtë arsye jam betuar që kurrë të mos i shërbej jo vetëm asaj mostre, por asnjë pjelle ideologjike që mbart të njëjtën logjikë shtypjeje. Në vitet e mia të punës si gazetar në Greqi, nëse Roz Marku jetoi, siç pretendon ai, me dhimbjen e pasojave të një sistemi, unë jetova me dhimbjet reale të emigrantëve shqiptarë, me dhunën, torturat, diskriminimin dhe poshtërimin e tyre, të dokumentuara me fakte dhe dëshmi në faqet e gazetave shqiptare. Kjo është diferenca mes përvojës reale dhe retorikës boshe. Nga gjithë ajo që shkruante në një anglishte të varfër, një gjë u bë e qartë se Roz Marku është një trumpist i bindur. Kjo është e drejta e tij dhe nuk vihet në diskutim. Çdokush ka të drejtë të besojë te lideri i vet politik, madje edhe ta shndërrojë atë në figurë shpirtërore. Po të ishte për këtë arsyeja, unë nuk do të kisha shkruar asnjë rresht. Ajo që binte në sy ishte sjellja kërcënuese, gjuha përjashtuese dhe bindja se kush nuk mendon si ai duhet etiketuar, diskredituar dhe dëbuar simbolikisht. Në thelb, ajo që shfaqej ishte një mendësi autoritare, me tipare fashiste, e maskuar pas termit të rehatshëm “antikomunist”. Të deklarohesh antikomunist është gjëja më e lehtë në botë, sepse është përgjigjja standarde që jep çdo i huaj në një intervistë emigracioni në SHBA. Pyetja e vërtetë është pse kjo kërkesë morale vlen vetëm për komunizmin dhe jo edhe për dy ideologjitë e tjera monstruoze që ka njohur njerëzimi, për fashizmin dhe nazizmin. Shkrimi im kishte për qëllim të hapte debat, jo të prodhonte linçim. Reagimi i këtij komentuesi, i vetëshpallur si mbrojtës i së vërtetës absolute, e ktheu diskutimin në një përplasje të dhunshme verbale dhe ideologjike. Ishte një shembull tipik se si diskursi publik rrëshqet nga argumenti te fyerja dhe nga mendimi ndryshe te urrejtja e organizuar. Në vend të kundërargumenteve, u përdorën etiketime ideologjike, akuza kolektive dhe sulme personale. M’u atribuuan bindje, prejardhje dhe histori familjare që nuk i njeh dhe që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin. U përfshi feja, u manipulua historia dhe u hodh baltë mbi familje, krahina dhe komunitete të tëra. Kjo nuk është kritikë, por është përpjekje për delegjitimim. Kur mungojnë faktet, shpiket faji. Kur mungon arsyeja, ngrihet zëri. Ky model reagimi nuk është i ri. Ai bart tiparet e mendësive totalitare që pretendojnë se zotërojnë të vërtetën absolute dhe e shohin mendimin ndryshe si kërcënim. Në këtë logjikë, fjala e lirë tolerohet vetëm kur përputhet me bindjet e tyre, ose përndryshe kërkohet heshtja, përjashtimi ose poshtërimi publik. Madje Roz Marku arriti deri aty sa të tentonte të më intimidonte, duke më kërcënuar me dëbim nga Amerika e lirive dhe duke sharë vendin e origjinës sime, ndërkohë që tek ai nuk vihej re asnjë ndjesi përgjegjësie apo empatie. Se ku e gjen këtë forcë të brutalitetit, duke menduar të njëjtën gjuhë që përdornin diktaturat, ku ushtarët besnikë të partisë kryqëzonin qytetarët dhe i dërgonin në internime, deri në qelitë e ftohta të minierave të Spaçit. Në mënyrë të papranueshme, në këtë debat ai përfshiu edhe fenë. Ajo që për miliona njerëz është burim paqeje dhe morali u përdor si mjet përçarjeje. Madje edhe emri im, për shkak të konotacionit fetar, u devijua sipas logjikës së vjetër totalitare. Vetëm me demokracinë ai mori sërish emrin e babait të gjyshes sime të persekutuar, pra emrin e babait të dajës së vrarë. Por historia, sipas Roz-it, u deformua për të ndërtuar narrativa faji kolektiv, një qasje e rrezikshme dhe thellësisht e padrejtë ndaj atyre që kanë vuajtur realisht nga regjimet dhe ekstremizmat e së shkuarës. Debati publik kërkon përgjegjësi. Kritika është e shëndetshme, por fyerja nuk është. Kundërshtimi është i domosdoshëm, por dehumanizimi jo. Një shoqëri demokratike matet nga aftësia për të përballuar mendime të kundërta pa rrëshqitur në gjuhë urrejtjeje. Komuniteti që kam ndërtuar ndër vite në rrjetet sociale, për gati dy dekada, është ngritur mbi respektin, dialogun dhe dinjitetin. Ai nuk është hapësirë për linçime, shpifje apo projeksione të frustrimeve personale. Heshtja, kur fjala shndërrohet në helm, është shpesh forma më e lartë e përgjigjes. Jo çdo provokim meriton podium. Ky shkrim i imi nuk është thirrje për censurë, por për reflektim. Fjala e lirë është themel i shoqërisë sonë, por ajo vjen gjithmonë me përgjegjësi. Pa të, debati shndërrohet në zhurmë dhe liria në kaos.
0 Comments
Të bësh një protestë paqësore është një nga aktet më të civilizuara në shoqëritë demokratike. Pikërisht këtë u kërkoi protestuesve në Minneapolis edhe Zonja e Parë e SHBA-së, Melania Trump. Deklarata e saj erdhi në një moment krize të thellë, kur zemërimi publik kishte shpërthyer pas vrasjes së Renne Good dhe, së fundmi, Alex Pretti-t nga efektivë të Agjencisë së Mbrojtjes së Kufirit (ICE), vrasje të kryera, sipas pamjeve filmike, në gjakftohtësinë më të plotë.
Dy ngjarje të rënda, të dokumentuara nga video tashmë virale, kanë tronditur jo vetëm opinionin amerikan, por edhe atë ndërkombëtar. Që prej atij momenti, indinjata e protestuesve është rritur dhe përplasja me trupat e ICE është bërë gjithnjë e më e ashpër. Përballë protestave masive, autoritetet federale kanë shtuar praninë e forcave të tyre në Minneapolis. Madje, në territorin e tensionuar ka zbritur vetë drejtuesi i kësaj agjencie, Gregory Bovino. Sjellja e Bovinos ka qenë aq agresive, sa protestuesit e kanë akuzuar hapur për qëndrime autoritare dhe retorikë që ngjan më shumë me metodat e regjimeve totalitare sesa me një shtet demokratik. Ironikisht, Bovino vjen nga një familje emigrantësh italianë, me gjyshër të ardhur nga Kalabria. Por kjo trashëgimi nuk duket se ka ndikuar aspak në qëndrimin e tij. Përkundrazi, sipas protestuesve dhe kritikëve, ai shfaq një agresivitet të ftohtë dhe përçmues ndaj emigrantëve, një sjellje që shumëkush e ka krahasuar me oficerët e Gestapos, madje me një lloj nostalgjie të rrezikshme për autoritarizmin. Kritikët e kanë quajtur Bovinon një “Napoleon të mundshëm”, duke ironizuar edhe estetikën e tij të ashtuquajtur “naziste”. Me valën anti-emigrante të nxitur nga Donald Trump, Minneapolis dukej se ishte momenti politik që Bovino kishte pritur prej kohësh. 55-vjeçari, zyrtar i lartë i patrullës kufitare amerikane, ishte bërë më herët figurë kyçe në operacionet agresive kundër emigracionit në Los Angeles, Chicago dhe qytete të tjera. Por deklaratat e tij pas të shtënave ndaj Alex Pretti-t, një shtetas amerikan 37-vjeçar, e çuan famëkeqësinë e tij në një nivel të ri, aq sa përfundimisht tejkaloi edhe kufijtë e tolerancës së administratës Trump. Në reagimin fillestar, Bovino pretendoi se Pretti kishte për qëllim të “masakronte agjentët e zbatimit të ligjit”. Ndërkohë që pamjet video rrëzonin këto pretendime, ai jo vetëm që nuk u tërhoq, por i dyfishoi deklaratat provokuese në emisionet kryesore televizive të së dielës. Edhe pse pranoi se ishte hapur një hetim, Bovino dukej sikur e paragjykonte rezultatin e tij, duke vazhduar ta quante Pretti-n “të dyshuar” dhe jo viktimë. “I dyshuari e vendosi veten në atë situatë”, i tha ai Dana Bash në emisionin State of the Union në CNN, duke injoruar pamjet që sugjeronin se Pretti po përpiqej të ndihmonte një grua të shtyrë me dhunë përtokë nga agjentët. “Viktimat janë agjentët e patrullës kufitare”, shtoi ai. Këtu lind një pyetje thelbësore morale:- nëse një njeri me origjinë emigrante e quan viktimën “të dyshuar”, atëherë si u quajtën protestuesit e dhunshëm të 6 Janarit që sulmuan Kapitolin, tempullin e demokracisë amerikane? Nëse Garda Kombëtare do të kishte vepruar atë ditë me të njëjtën brutalitet, 6 Janari do të ishte shndërruar në një masakër me mijëra viktima. Por ata u përmbajtën, duke zgjedhur të mbrojnë jetën njerëzore edhe mbi simbolikën e ndërtesës. Ndërsa në rastin e Renne Good dhe Alex Pretti-t, njerëz të paarmatosur, pjesëmarrës në protesta paqësore, u qëlluan pa mëshirë nga oficerë që më shumë ngjallin fantazmat e nazizmit sesa figurën e një polici që ka si parim themelor vlerën e jetës njerëzore. Prandaj deklarata e Melania Trump duhet parë më shumë si një dush i ftohtë për trupat e ICE sesa si kritikë ndaj protestuesve të Minneapolis. Sepse protestuesit, pa armë, janë etiketuar si të dhunshëm, madje edhe si “terroristë”, vetëm për të justifikuar krime që pamjet filmike i nxjerrin lakuriq. Videot janë të qarta se Renne Good dhe Alex Pretti nuk ishin të rrezikshëm. Nuk ishin të armatosur. Nuk ishin terroristë. Ajo ishte një nënë e brishtë me dy fëmijë. Ai ishte një infermier që shpëtonte jetë njerëzish. Ata nuk kërcënonin jetën e askujt. Ata po kundërshtonin Pa dyshim, filmat e këtij viti dallohen për nivel të lartë realizimi dhe cilësi artistike. Për këtë do të ketë kohë të flitet deri në ceremoninë finale. Ajo që dua të theksoj sot është diçka tjetër: një mirënjohje personale, por me domethënie publike.
Ky edicion bëhet i veçantë nga shfaqja e një emri që për profesionistët e industrisë nuk është aspak i panjohur, Michael Bauman, i nominuar për Çmimin Oscar në kategorinë Best Cinematography për filmin “One Battle After Another”, me protagonistë Leonardo DiCaprio, Sean Penn, Teyana Taylor dhe Benicio Del Toro. Michael Bauman konsiderohet prej vitesh si një nga gaffer-ët më të mirë të ndriçimit në botë dhe, së fundmi, si një nga Drejtorët e Fotografisë më premtues në Hollywood, veçanërisht në ndriçimin e filmave të studiove të mëdha. Për mua, ky nominim ka një domethënie të veçantë për shkak të një historie personale, që më lejoi ta njoh nga afër karakterin e tij njerëzor. Katër vite më parë, gjatë pandemisë globale, bashkëshortja ime, Ediola Pashollari, po kërkonte të hapte një kapitull të ri në karrierën e saj duke u vendosur përfundimisht në Nju Jork. Pavarësisht përvojës së gjatë profesionale si lidere në disa organizata ndërkombëtare dhe kualifikimeve të larta akademike, aplikimet e saj për pozicione drejtuese si përgjigje kishin të njëjtin justifikim paradoksal: overqualified. Në kulmin e këtij procesi profesional, erdhi një telefonatë e papritur nga vetë Presidenti-themelues i International Cinematographers Lighting Society (ICLS), Michael Bauman. Pasi kishte shqyrtuar CV-në e Ediolës, ai i ofroi menjëherë pozicionin e Drejtores Ekzekutive të shoqatës. Një bisedë e shkurtër mjaftoi për të shprehur bindjen dhe krenarinë e tij që një institucion ndërkombëtar i këtij niveli të drejtohej nga një grua me përvojë shumëvjeçare në organizmat ndërkombëtare dhe me formim akademik në disa Universitete prestigjioze në Angli dhe SHBA. Që nga ajo ditë, Ediola drejton një nga institucionet më të rëndësishme të ndriçimit në industrinë e filmit hollivudian, në një botë ku drita nuk është thjesht teknikë, por gjuhë artistike. Në këtë rol, ajo bashkëpunon nga afër me bordin drejtues të ICLS-së, si dhe bashkëthemeluesit dhe drejtuesit e departamenteve të ndriçimit të filmave epikë si Rafael Sánchez (Joker 2) dhe Martin Smith (Mission: Impossible). Gjithashtu ajo kordinon aktivitetin e 500 anëtare të shoqatës, që janë kokat e ndriçimit të kinematografisë botërore. Si dhe moderon aktivitetet e ndryshme me producentë e aktorë të njohur ndërkombëtarisht. Puna e anëtareve të ICLS-it është një kontribut që rrallë shihet nga publiku, por që përcakton identitetin vizual të filmave më të mëdhenj në botë. Pikërisht për këtë arsye e solla sot në vëmendje këtë moment të rëndësishëm në karrierën e Michael Bauman, tashmë i nominuar për Oscar. Jo vetëm sepse e meriton si profesionist, por edhe si njeri i thjeshtë, komunikues dhe i hapur. Gjatë vizitës sonë në Shqipëri, Bauman tregoi interes të veçantë për vendin tonë. Ai kërkonte vazhdimisht që t’i dërgonim fotografi nga çdo vend që ne vizituam, për t’i pasur si referencë për projektet e tij të ardhshme. Gjithashtu ai donte në detaje jo vetëm infrastrukturën por edhe arkitekturën shqiptare. Sipas reagimeve të tij, ai u befasua nga bukuritë e rralla dhe mahnitëse të Shqipërisë, duke shprehur hapur idenë se pse këto peizazhe të mos bëhen pjesë e produksioneve të mëdha hollivudiane. Ndoshta ky nominim për Oscar është edhe një dritë e vogël shprese që një ditë, kamera e Hollywood-it të ndalet edhe mbi Shqipërinë. Investigimi i Le Lene nuk është thjesht një reportazh televiziv. Është aktakuzë publike ndaj një shteti që ka zgjedhur të mos shohë, të mos dëgjojë dhe të mos veprojë. Është prova se në Shqipëri krimi nuk fshihet më në bodrume apo periferi, por operon hapur, në kulla, në qendër të kryeqytetit.
Faktet janë të ftohta dhe tronditëse, një Call Center, me rreth 100 operatorë, funksiononte si organizatë kriminale e strukturuar, duke mashtruar mijëra qytetarë italianë dhe europianë, me një xhiro fitimi rreth 30 milionë euro. Jo në ndonjë fshat të humbur, por në mes të Tiranës. Le t’i bëjmë pyetjet një nga një, sepse këtu nuk ka më vend për naivitet: Si është e mundur që 100 persona hyjnë çdo ditë në të njëjtin ambient për të kryer vepra penale dhe askush nuk e vëren? Si është e mundur që një biznes me fluks financiar dhjetëra miliona euro të mos bjerë në radarët e tatimeve, bankave dhe strukturave antikrim? Si është e mundur që një kullë moderne të mos ketë kamera sigurie funksionale ose që këto pamje të mos jenë parë kurrë nga autoritetet? Përgjigjja më e thjeshtë dhe më e dhimbshme është kjo, se nuk është se nuk u pa, është se u tolerua. Ky nuk është krim i fshehtë. Ky është krim industrial, që kërkon logjistikë, drejtues, financim, mbrojtje dhe heshtje institucionale. Pa këto, nuk mbijeton asnjë ditë, jo më vite. Dhe tani le të flasim për përgjegjësinë individuale. Njëqind operatorë. Njëqind bashkëpunëtorë në krim. Njëqind njerëz që e dinin shumë mirë se po zhvatnin llogaritë bankare të qytetarëve të huaj. Asnjë pendesë. Asnjë denoncim. Asnjë frikë. Sepse në Shqipëri krimi nuk të stigmatizon, por të punëson. Dhe kur të paguan mirë, shumëkush është gati të shesë edhe ndërgjegjen, madje të tradhtojë edhe më të afërmin. Dhe kur një shoqëri sheh 100 mashtrues që hyjnë e dalin çdo ditë nga një kullë dhe nuk pyet asgjë, problemi nuk është vetëm shteti. Problemi është normalizimi i pisllëkut. Ku ishte policia ekonomike? Ku ishte SHISH? Ku ishin prokurorët që sot flasin për luftë ndaj korrupsionit? Ku ishte SPAK se ky nuk është krim i rëndomtë, por krim i organizuar dhe i mirë strukturuar ? Ku ishin bankat që duhej të raportonin transaksione të dyshimta? Ku ishin tatimet që duhej të pyesnin se nga vinin këto para? Të gjithë këta institucione ose kanë qenë të paafta, ose bashkëpunëtore, ose të frikësuara. Nuk ka alternativë të katërt. Dhe fakti që u deshën gazetarë italianë për ta zbuluar këtë skemë është poshtërimi më i madh për shtetin shqiptar. Sepse kjo do të thotë se krimi i huaj hetohet më seriozisht se krimi që ndodh në oborrin tonë. Ky nuk është episod. Ky është model. Sot Call Center. Nesër pastrim parash. Pasnesër trafik ndikimi. Dhe gjithçka ndodh sepse Tirana është bërë një qytet ku era e keqe nuk ndihet më. Jo sepse nuk ekziston, por sepse të gjithë janë mësuar me të. Në këtë realitet, pyetja nuk është më, - “Si ndodhi kjo?” Pyetja e vërtetë është,- Sa të tjera funksionojnë ende sot, pa u zbuluar? Sepse nëse 100 mashtrues nuk u panë, atëherë problemi nuk është se nuk shohim dot. Problemi është se kemi zgjedhur të mos shohim. Ngjarjet po rrjedhin me shpejtësi rrufeje. Donald Trump është i pandalshëm, por mbi të gjitha i paparashikueshëm. Nuk është rastësi që zhvillimet globale po ndodhin me këtë intensitet dhe se protagonisti kryesor është një i vetëm, Presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Bota po jeton nën hijen e tij. Jemi mësuar që loja gjeopolitike të zhvillohej mes SHBA-së, Rusisë dhe Kinës. Por sot loja është zhvendosur brenda vetë aleancës perëndimore, diçka që nuk kishte ndodhur kurrë më parë në këtë formë. Trump e zgjoi këtë realitet dhe e ktheu në faktor. Ai nuk po i vë në provë aleatët vetëm për t’ua matur forcën, sepse këtë e di prej kohësh si lider i Aleancës Atlantike, por po i teston se sa të aftë janë pa Amerikën, madje duke i trajtuar si “kundërshtarë të përkohshëm”. Europa është e indinjuar si gjithmonë kur dikush po i cënon "rehatinë" e vet. Trump ka folur për Groenlandën dhe Brukseli ka përjetuar një tjetër krizë morale, të shoqëruar me deklarata të thella, shqetësime serioze dhe konferenca shtypi ku thuhet shumë pa u thënë asgjë. Sepse Europa, kur përballet me realitetin, reagon me fjalor. Donald Trump nuk po i kërcënon aleatët europianë, ai thjesht po u heq iluzionet. Dhe kjo është arsyeja pse Europa është kaq nervoze. Për herë të parë pas dekadash, dikush po e trajton siç është, kontinentin e madh, me histori të lavdishme, parime fisnike dhe… zero kapacitet për të imponuar vullnetin e vet pa SHBA-në. Groenlanda është bërë drama e radhës europiane. Një territor formalisht nën mbretërinë e Danimarkës që Europa e kujtoi vetëm kur Trump e përmendi. Deri dje ishte akull, sot është “sovranitet”. Danimarka flet për dinjitet kombëtar, BE-ja për të drejtën ndërkombëtare, ndërsa asnjë nuk shpjegon pyetjen bazë, se kush e mbron realisht Groenlandën kur lojtarët e vërtetë zbresin në fushë? Europa sillet sikur po i merret një kopsht, jo një pikë kyçe strategjike globale. Dhe sillet kështu sepse nuk ka mësuar kurrë të mbrojë veten. Ka mësuar vetëm të besojë se dikush tjetër do ta bëjë për të. Pushtimi rus i Ukrainës e ka bërë të qartë se ambiciet e Putinit nuk kanë kufij dhe se megalomania cariste mbetet aktive. Në këtë kontekst, Trump duket se po përballet me liderët aleatë për çështjen e Groenlandës, duke u shfaqur njëkohësisht si kundërshtar i tyre politik, por në thelb si aleati më besnik i sigurisë perëndimore. Trump, me brutalitetin e tij karakteristik, po bën atë që Europa urren më shumë, po thotë të vërtetën pa dekor. Arktiku nuk fitohet me rezoluta. Nuk mbahet me parime. Nuk administrohet me komisione. Ai mbahet me prani, fuqi dhe vendimmarrje. Tre gjëra që Europa i ka lënë prej kohësh në duart e Uashingtonit. Kur Lavrov thotë se Groenlanda është produkt kolonial, Europa bën sikur skandalizohet. Kur Rusia pushton Ukrainën, Europa “shqetësohet”. Kur Kina zgjerohet, Europa “monitoron”. Dhe kur Trump flet, Europa “reagon fort”. Një kontinent i tërë që jeton në kohën e tashme vetëm përmes fjalëve. Europa është e zemëruar sepse Trump po e trajton si të barabartë me realitetin, jo me mitin që i pëlqen të tregojë vetes. Në mitin europian, BE-ja është fuqi globale. Në realitet, është një bashkësi që nuk arrin të mbrojë as periferitë e saj pa NATO-n, pra pa SHBA-në. Groenlanda është thjesht pasqyra. Trump nuk po e merr Europën seriozisht, sepse Europa nuk sillet seriozisht. Ajo flet për sovranitet, por nuk investon në mbrojtje. Flet për autonomi strategjike, por kërkon gjithmonë ombrellën amerikane. Flet për paqe, por shpreson që luftërat të ndodhin larg kufijve të saj. Ironia më e madhe? Europa po sillet sikur Trump po shkel rendin ndërkombëtar, ndërkohë që rendi ndërkombëtar ekziston vetëm sepse SHBA-ja ka paguar faturën për dekada. Tani që fatura po u shfaqet edhe europianëve, ata flasin për “sjellje të papërgjegjshme”. Groenlanda nuk do të humbasë sepse Trump është agresiv. Europa do ta humbasë sepse është pasive. Dhe kur kjo të ndodhë, Brukseli do të mbajë një samit urgjent për të shprehur “keqardhje të thellë” dhe për të riafirmuar “vlerat e përbashkëta”. Në fund, Europa nuk ka frikë nga Trump sepse Presidinti Trump është SHBA-ja e parimeve që nuk vdesin kurrë. Ka frikë nga pasqyra që ai po i mban përpara. Sepse në atë pasqyrë nuk shfaqet një superfuqi morale, por një kontinent i varur, i ngadalshëm dhe i paaftë të veprojë pa leje. Ka shumë gjasa që në të ardhmen Groenlanda të kalojë nën ombrellën dhe kujdesin e drejtpërdrejtë të SHBA-së, jo domosdoshmërisht përmes pushtimit klasik, por si garanci sigurie ndaj fuqive të mëdha që e shohin këtë territor si zonën më të lakmueshme të shekullit XXI, në aspektin gjeopolitik dhe gjeoekonomik. Dhe kjo është arsyeja pse Trump është problemi i Europës dhe jo sepse është i rrezikshëm, por sepse është i sinqertë në një botë që Europa do ta donte të mbetej gjithmonë diplomatike, edhe kur po i ikën toka nën këmbë. Rikthimi i intervistave të Linda Ramës, ku ajo flet për jetën me bashkëshortin e saj, kryeministrin e vendit, për ndikimin reciprok dhe reflektime filozofike mbi pushtetin dhe jetën, ngre një debat legjitim publik, se çfarë roli duhet të ketë zonja e parë në një demokraci funksionale?
Personalisht, mbetem i bindur se zonja e parë e kryeministrit nuk ka asnjë detyrim publik të flasë për bashkëshortin e saj, e aq më pak të ndërtojë një narrativë morale apo filozofike rreth pushtetit. Kryeministri është zgjedhur nga qytetarët për të qeverisur. Bashkëshortja e tij jo. Për këtë arsye, profili i ulët institucional do të ishte jo vetëm zgjedhje e mençur, por edhe shenjë respekti ndaj publikut. Historia politike njeh shembuj të qartë. Melania Trump, një nga figurat më të diskutuara të kohëve moderne, mbajti gjatë mandatit të parë një profil publik minimal, intervista shumë të rralla, dalje të kufizuara dhe asnjë përpjekje për të komentuar politikën apo për të shpjeguar presidencën e bashkëshortit. Edhe më ekstrem ishte rasti i Bess Truman, bashkëshortja e presidentit të 33-të të SHBA-së, Harry S. Truman, e konsideruar Zonja e Parë më e rezervuar në historinë amerikane. Ajo shmangu mediat, refuzoi intervistat dhe zgjodhi jetën private larg Uashingtonit. Në këtë kontekst, intervistat e zonjës Rama nuk kontribuojnë realisht në informimin e publikut. Ato mbeten në nivelin e fjalëve të mëdha, të paketuar me terma filozofikë dhe reflektime personale që nuk adresojnë asnjë nga çështjet thelbësore që shoqëria shqiptare ka të drejtë të dijë. Nëse zonja Rama zgjedh të flasë publikisht, atëherë fokusi nuk duhet të jetë marrëdhënia bashkëshortore apo perceptimi i saj mbi pushtetin, por transparenca e plotë mbi aktivitetin e saj profesional, veçanërisht gjatë viteve që ka drejtuar organizata të shoqërisë civile. Pyetjet janë të thjeshta dhe legjitime: si janë shpërndarë fondet dhe bursat? Cilat kanë qenë kriteret? Kush ka përfituar dhe pse këto procese nuk janë bërë kurrë plotësisht transparente? Pra, transparencë, jo poezi. Shoqëria civile nuk është hapësirë imuniteti nga llogaridhënia, sidomos kur ndërthuret me pushtetin politik. Heshtja për këto çështje dhe zëvendësimi i tyre me narrativa morale e filozofike nuk i shërben as besimit publik dhe as vetë figurës së zonjës Rama. Në Shqipëri politika është katandisur në një konkurs provincial simpatie, se kush e ka më mik të huajin. Qeveria dhe opozita janë futur në një garë qesharake se kush pëlqehet më shumë nga Uashingtoni dhe Brukseli, sikur varfëria zhduket me një shtrëngim duarsh dhe korrupsioni shpërbëhet nga një letër urimi.
Në parim, marrëdhëniet me SHBA-në dhe BE-në janë jetike. Jo për selfie politike, por sepse lidhen me orientimin gjeopolitik të vendit dhe, mbi të gjitha, me përmbushjen e standardeve që na afrojnë me Europën, si një ekonomi më të fortë, shtet më funksional, shoqëri më të drejtë. Kjo është arsyeja pse votohet një qeveri. Por ne, populli, në syrin e opozitës, mesa duket kemi bërë një keqkuptim historik, kemi votuar kryeministër jo për të qeverisur Shqipërinë, por për të bërë karrierë ndërkombëtare. Pra që këtu fillon mashtrimi i madh. Ne nuk kemi zgjedhur kryeministër për të drejtuar botën, as për të qenë pjesë e bordeve imagjinare të paqes globale, e aq më pak për të zgjidhur krizën e Gazës. Kemi zgjedhur kryeministër për të drejtuar një vend të rraskapitur, të varfëruar dhe të zhytur në korrupsion prej tre dekadash. Megjithatë, opozita sillet sikur matësi i vetëm i qeverisjes është se si sillen ndërkombëtarët me Edi Ramën. A e pëlqen Trump? A i dërgon letër? A e fton në ndonjë tryezë? Dhe në anën tjetër të opozitës së dështuar, fantazia kolektive ka kaluar çdo kufi, prej vitesh dëgjojmë se “Trump do ta arrestojë Ramën”, se do ta nxjerrë në gjyq popullor, madje – pse jo – edhe do ta varë në mes të Tiranës, që të kënaqen të gjithë armiqtë e tij politikë. Ky është niveli i debatit. Për dy ditë me radhë, mediat shqiptare janë marrë vetëm me një letër. Opozita akuzon, kryeministri reciton. Fjalë të bukura të Trumpit shiten si “sukses kombëtar”, sikur standardi i jetesës në Shqipëri rritet me komplimente dhe jo me paga, spitale, shkolla dhe drejtësi funksionale. Ironia shkon më tutje, se këtë stekë e ka vendosur vetë opozita. Ajo ka vendosur rregullin idiot se një kryeministër gjykohet nga mendimi i të huajve, jo nga jeta e qytetarëve. Dhe Rama, mjeshtër i mbijetesës politike, po luan poker me letra të hapura, ndërsa kundërshtarët e tij vazhdojnë të shikojnë qiellin. Ndërkohë, ajo që harrohet me qëllim është thelbi: – varfëria periferike që vazhdon,– elitat që pasurohen çdo ditë, – korrupsioni që gllabëron pasurinë publike, – trafiqet ilegale që ushqejnë një ekonomi paralele. Për këto e kemi zgjedhur kryeministrin. Por këto janë detaje të mërzitshme nga ana e opozitës, sepse mendojnë se nuk bëjnë më zhurmë në veshin e simpatizantëve të tyre. Por, për opozitën, klikime sjellin letrat , ftesat, opinionet e të huajve. Pra opozita, e fiksuar pas ambasadave dhe deklaratave, nuk shkon derë më derë, nuk përballet me hallet e qytetarëve dhe nuk ia numëron kryeministrit në sy përgjegjësitë e tij reale, por ata presin një mrekulli diplomatike. Dhe kështu, pa e kuptuar, po e mbajnë në pushtet më mirë se çdo fushatë. Nëse Rama thotë se kjo opozitë ia ka dhënë katër mandate, nuk po bën humor. Po përshkruan realitetin e hidhur. Dhe nëse vazhdojnë kështu, rreziku i vetëm për të nuk është humbja e pushtetit, por që të mos e lënë rehat as pas mandatit të fundit. Sepse në këtë vend, kryeministri nuk gjykohet për atë që u bëri shqiptarëve, por për atë që i thanë të huajt për të. Dy realitete që, për koincidencë, u zbuluan kur FRESH-i po festonte jubileun e 34-rt të saj, nga një forum që dikur frymëzoi shumë të rinj për t’u futur në politikë, por që gjatë rrugës devijuan nga ideali fillestar i tyre.
Dy pamje, dy fytyra, një e vërtetë e vetme. Të dy produkte të së njëjtës linjë. Njëra e konsumuar, tjetri ende në ambalazh. Por përmbajtja është e njëjtë. Realiteti i parë është opinionistja e Big Brother VIP 5, Monika Kryemadhi. I dyti është anëtari i ri i FRESH-it, studenti Dasho Ivizaj, i cili dha një intervistë për emisionin “Dekalog”, të drejtuar nga kolegu im i vjetër, Roland Qafoku. Dashoja e sheh politikën si trampolinë për ngjitje, por deklaratat e tij të parakohshme, me tone epike – “si një petal fluture e partisë” – u perceptuan ndryshe nga opinioni publik dhe përfunduan duke u shndërruar në meme në rrjetet sociale. Pra sipas memeve Dasho ende flet për politikën me patosin e një studenti që s’e ka provuar pushtetin, por e ëndërron si bankomat moral. Dy personazhe në kohë të ndryshme, të bashkuar nga e njëjta “dashuri” për politikën, por që në thelb ngjajnë si dy flluska uji. Le ta nisim me të parën me pionierën e FRESH-it, Monika Kryemadhi. Big Brother-i i Monikës na zbuloi një talent që nuk ia kishim vënë re më parë, atë të opinionistes. Dhe aty, për herë të parë, duket në vendin e vet. Pra, Big Brother-i bëri atë që politika nuk e bëri dot, e zhveshi nga miti. Na tregoi se kjo grua nuk ka pasur kurrë profil politik. Ka pasur profil social, intrige dhe komenti trash, elemente që në Shqipëri ngatërrohen shpesh me politikën. Një rol që i shkon për shtat më shumë se çdo post politik. Në zhargonin e rrugës së qytetit tim, një personazh i tillë që nuk i shpëton asnjë thashethem dhe që ngatërron lagjen, quhet dallavergjeshe. Dhe këtë rol, zonja Kryemadhi po e bën për mrekulli. Ajo që po zbulojmë tani është pyetja thelbësore, - çfarë e shtyu të hynte në politikë, kur dukshëm kjo nuk ishte fusha e saj? Big Brother na tregoi se Monika Kryemadhi nuk e ka në shtat supstraktin politik. Ajo u shty nga iluzioni se politika ishte rruga më e shpejtë drejt suksesit. Dhe për një kohë, ashtu ndodhi. Por nuk llogariti pasojat. Nuk mësoi as nga fraza e famshme e filmit të viteve 80-të të Kinostudios “Shqipëria e Re”- “Po të gëlltisësh një çorbë të prishur, do të vjellësh gjithë jetën.” Dhe për këtë nuk është e vetme. Shumë të tjerë e gëlltitën atë çorbë, duke menduar se ishin zot në këtë tokë dhe se asnjë sistem nuk do t’i kapte, lëre më t’i poshtëronte para ligjit. Për Monika Kryemadhin, sot kjo është një pendesë që me shumë gjasë do ta shoqërojë gjithë jetën. Roli i opinionistes po i tregon se politika nuk ishte për të. Shumë njerës si opinionistja jonë nuk hyri në politikë për Shqipërinë. Hyri për veten. Sepse ëndrra e shumë të rinjve pas diktaturës nuk ishte ta bënin Shqipërinë si Europa, por të rreshtonin veten në aristokracinë e Europës, një elitë fallco, pa trashëgimi, e ndërtuar mbi kriterin e pasurisë por që duhen vjedhur paratë e popullit për tu shfaqur në këto sallone me botokset e klinikave dhe të orave zviceriane, me kostumet e Pradës, çantën e Hermesit, dhe me takat e Gucci-t për të zbritur nga hija e rëndë e Lamborginit. Këtë elitë ndërtoi tranzicioni shqiptar, ku si normë bazë ishte pasuria materiale sesa trashëgimia intelektuale. Rasti tjetër që shkëlqeu jubileun e 34-ërt të FRESH-it ishte Dasho Ivizaj, një version i ri i Monikës së viteve ’90. Nëse Monika e “voli” partinë, për studentin nga Lushnja politika është ende perspektivë. Në intervistën dhënë Qafokut, madje duke e habitur atë, ai deklaron se ka refuzuar bursa të shtrenjta në universitete prestigjioze jashtë vendit për t’i dhënë Shqipërisë mundësinë të mbajë studentët e saj. Sa qesharake, a thua se Shqipëria po pret studentin Dasho që t’i hyjë politikës, sepse nga ajo, treni i saj drejt Europës nuk po ecën përpara. Një deklaratë që tingëllon fisnike, por që publiku e lexon me dyshim. Jo për ta gjykuar Dashon, as për ta sakatuar siç u bë me deklaratat e tij naive një vit më parë, por sepse shoqëria shqiptare ka parë mjaft breza që i janë rreshtuar partive jo për ta ndërtuar vendin, por për ta mjelë atë. U mblodhën rreth partisë me libra në dorë si “të rinj idealistë”, por në fund dolën me prona deri në emër edhe të të afërmve të tyre. Prandaj shqiptarët nuk besojnë më askënd që flet bukur për sakrificë. Koha do të tregojë nëse Dasho Ivizaj është përjashtim apo thjesht një flluskë tjetër që do të plasaritet sapo të prekë realitetin. Dhe pyetja nuk është më kush do të hyjë në politikë. Por se kush do t’i mbijetojë pa u bërë “Monika” e radhës? Një mik i imi më telefonoi në mesnatë, në një orë kur zakonisht telefoni bie vetëm për dy arsye, ose ka ndodhur diçka serioze, ose dikujt i ka rënë gabim numri. Nuk e hapa. Mendova se ndoshta ishte në kamion, si gjithmonë, duke udhëtuar nga një shtet në tjetrin, pa orar dhe kërkonte thjesht muhabet për të vrarë kohën. Por kur më shkroi dhe më kërkoi ta telefonoja patjetër, e kuptova menjëherë se diçka nuk shkonte.
E mora. Dhe vërtet nuk shkonte. Administrata Trump sapo kishte anuluar vizat për shqiptarët dhe ky vendim e kishte kapur drejtpërdrejt në hallin e tij personal. Pyetja e tij ishte e thjeshtë, por e rëndë, a ndikon ky vendim te çështja ime? A rrezikon viza e bashkëshortes, procesi i bashkimit familjar? Unë, pa qenë ekspert emigracioni, bëra atë që bëjnë zakonisht njerëzit kur sistemi nuk jep përgjigje. U përpoqa ta qetësoj, t’i them se ndoshta ky vendim nuk prek të gjitha kategoritë, se ka shumë gjasa që rastet e bashkimit familjar të mos preken, sidomos kur flasim për bashkëshorte të një shtetasi amerikan. Fjalë të buta për një realitet të fortë. Mjaftonte për atë orë të vonë. Ai u qetësua disi, por unë jo, sepse nuk i thashë edhe një të vërtetë. Por ajo që nuk ia thashë, dhe ndoshta nuk kishte as kuptim t’ia thosha atë natë, ishte se gjithë këtë pasiguri ai e kishte marrë dhuratë nga administrata të cilës vetë i kishte dhënë votën. Ironia është se ai i përket atij grupi mbështetësish që çdo vendim të Trump e justifikojnë pa asnjë rezervë. Pra e përtypin pa pyetje, pa dyshim, pa mendim kritik, madje edhe atëherë kur vendimi u troket në derë në mesnatë. Por ky është një hesap tjetër. Pas këtij vendimi, Shqipëria u fut zyrtarisht në zonën gri, atë që ne e quajmë “listë e zezë”. Një vendim i pazakontë që në Shqipëri hapi një debat të fortë. Opozita, si gjithmonë, gjeti fajtorin e gatshëm, qeverinë. Sipas kësaj logjike, gjithçka lidhet me korrupsionin dhe me faktin se Shqipëria qenka “në lupën” e administratës Trump. Pra, Trump paska hapur dosjet e Tiranës dhe qenka tmerruar nga ryshfetet shqiptare. Një përrallë e bukur për konsum të brendshëm. Sa qëndron kjo logjikë, mbetet për t’u parë. Por nëse do t’i qëndrojmë hamendjes, e cila, për fat të keq, shpesh ka më shumë sens se analizat zyrtare, atëherë një faktor tjetër nuk mund të anashkalohet, propaganda masive që qarkullon në rrjetet sociale. Portale dhe faqe anonime, sidomos në TikTok, në gjuhën shqipe, që ndërtojnë një narrativë absurde kundër vetë realitetit amerikan. Të krahasosh Amerikën me Shqipërinë është t’i biesh kokës me grushta, por kjo nuk i pengon. Njëra thotë se në SHBA nuk jetohet, se ka varfëri ekstreme dhe se mbijeton vetëm me sakrifica çnjerëzore. Një tjetër e përshkruan Nju Jorkun si një kosh plehrash me të pastrehë. Të tjera flasin për pasiguri totale. Të tjerë ankohen se Amerika “nuk është shtet social”, sepse janë mësuar të jetojnë me ndihma, me përkrahje dhe me shtet-babë. Të gjitha këto nuk kalojnë pa u vënë re. Nëse më bien mua në sy, që nuk jam as aktiv në rrjete sociale, imagjinoni sa qartë i shohin ata që paguhen për të analizuar opinionin publik, për të mbledhur të dhëna dhe për t’i kthyer ato në statistika dhe raporte. Në këtë pikë, gjithçka ndikon te vendimmarrja. Sepse në fund të ditës, askush nuk ka arsye të ketë prioritet për qytetarë apo vende që shfaqen publikisht si mosmirënjohës ndaj ftesës për të jetuar, punuar apo qoftë edhe për ta vizituar atë vend. Në politikë, perceptimi shpesh vlen më shumë se realiteti. Dhe Shqipëria, fatkeqësisht, nuk po penalizohet për atë që është, por për atë që vetë ka zgjedhur të duket. Ishte janari i vitit 1999. Interneti sapo kishte filluar të hynte në jetën tonë, ku disa faqe pioniere, chat-i i famshëm i Hotmail-it dhe një botë që për herë të parë po komunikonte në kohë reale mbi ngjarjet më të fundit.
Ngjarja kryesore e asaj kohe ishte lufta në ish-Jugosllavi, një luftë që nga Bosnja kishte kaluar tashmë në Kosovë. Një nga ato ditë, te kompjuteri i bibliotekës së fakultetit, më afrohet një mik i vjetër student, Rudenc Ruka. Një tepelenas, patriot i thekur, me gjak shqiptari që i rridhte në vena, studiues i pasionuar i historisë botërore dhe veçanërisht i çështjeve shqiptare. Ishte e pamundur që në hulumtimet e tij të mos ndalej te masakra e Reçakut, pamjet e së cilës po shpërndaheshin në mënyrë virale në çdo rrugë komunikimi që ofronte interneti i asaj kohe. Ai erdhi i tronditur dhe më tregoi pamjet më ç'njerëzore të kryera nga forcat serbe ndaj popullsisë civile të Reçakut. Një masakër që Europa, pak a shumë, besonte se i kishte lënë pas që nga Lufta e Dytë Botërore, që nga koha kur Hitleri ushtroi barbarinë e tij mbi hebrenjtë me Holokaustin në thertoret e Aushvicit. E megjithatë, pothuajse pamje të një thertoreje të ngjashme u shfaqën sërish në fund të mijëvjeçarit, më 15 janar 1999, në Reçak. Para kësaj ngjarjeje makabre, në Greqi kishte nisur të përhapej një propagandë e fortë anti-UÇK, ku Ushtria Çlirimtare e Kosovës etiketohej si “organizatë terroriste” nga disa media që mbronin haptazi teza antishqiptare dhe proserbe. Një nga të paktat hapësira ku ruhej pluralizmi i mendimit ishte emisioni i Makis Triandafyllopoulos, “Zougla” (“Xhungël”), ku i ftuar i përhershëm për temat shqiptare ishte patrioti i madh i shqiptarëve në Greqi, i ndjeri, Aristidh Kola, përballë mbrojtësve të tezës se Kosova ishte pjesë e Serbisë. Debatet ishin të ashpra. Në çdo episod, përplasjet mes publicistit Kola dhe apologjetëve të politikës serbe ishin të pashmangshme. Por ishte pikërisht masakra e Reçakut ajo që ndryshoi gjithçka. Fotot e viktimave, të mbajtura në duart e Aristidh Kolias, u shndërruan në një akuzë të drejtpërdrejtë dhe të pamëshirshme, që iu “plaste në fytyrë” të ftuarve të emisionit, për t’u treguar se kush ishin realisht “vëllezërit” serbë që ata mbronin, një vëllazëri shpirtërore burimin e së cilës as vetë nuk dinin ta shpjegonin. Sado që Kola argumentonte se lidhja historike dhe njerëzore e grekëve ishte shumë më e afërt me shqiptarët sesa me serbët, se shqiptarët kishin qenë fqinjët që u gjendeshin pranë në kohët më të vështira, propaganda kishte bërë punën e saj. Por Reçaku e theu këtë narrativë. Pas masakrës, për opinionin publik grek u bë e qartë se serbët e Millosheviçit ishin autorë të krimeve më çnjerëzore. Filloi jo vetëm sensibilizimi, por edhe distancimi i hapur prej tyre. Ndër të parët që e bëri këtë ishte vetë Makis Triandafyllopoulos, i cili jo vetëm e dënoi masakrën, por vlerësoi publikisht Aristidh Kolian si një dëshmitar të gjallë dhe të pakompromis të mbrojtjes së kauzës së UÇK-së për liri dhe pavarësi të Kosovës. Masakra e Reçakut nuk ishte thjesht një krim lufte. Ajo ishte pika e kthesës. Një moment që u tregoi jo vetëm grekëve, por mbarë njerëzimit, se kush ishin serbët e Millosheviçit, një makineri kasaphane që duhej shporrur njëherë e mirë nga tokat shqiptare të Kosovës. Dhe pikërisht pas Reçakut, akti vetmohues i heronjve të UÇK-së nisi të legjitimohej ndërkombëtarisht, jo më si veprimtari e një grupi “terrorist”, por si qëndresa e një ushtrie që u ngrit për të mbrojtur popullin e vet, dinjitetin dhe atdheun nga zgjedha serbe. Sot, me Kosovën shtet të pavarur, realiteti flet vetë. Greqia dëshmon se është ndër partnerët më të afërt dhe më bashkëpunues me qeverinë e Kosovës, pavarësisht nuancave formale diplomatike. Marrëdhëniet mes dy vendeve nuk kanë qenë kurrë më të ngushta, më funksionale dhe më pragmatike, duke vërtetuar se Kosova dhe UÇK-ja përkundër propagandës serbe, nuk kanë qenë dhe nuk janë një kërcënim për Greqinë. Përkundrazi, Kosova është shndërruar në një aleat paqësor dhe strategjik, jo vetëm për helenët, por për stabilitetin dhe sigurinë e gjithë rajonit. Ky zhvillim rrëzon përfundimisht narrativën e rreme që u ushqye për vite me radhë nga qarqe proserbe, duke provuar se lufta e UÇK-së nuk ishte një projekt destabilizimi, por një domosdoshmëri historike për liri, dinjitet dhe paqe të qëndrueshme në rajon. |
AuthorWelcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema. Archives
January 2026
Categories |
RSS Feed