Marko Caka
  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact

Ndarja me të shkuarën e hidhur që mban peng opozitën

3/23/2025

0 Comments

 
Pasi zgjodhëm Presidentin Donald Tramp me shpresën që ta bëjë "Amerikën e Madhe Përsëri", tani vëmendja e shqiptarëve të Amerikës me të drejtën e votimit dhe të zgjedhjes është kthyer në  mëmëdheun  e tyre  të dashur. Aty ku kanë ngelur më pak se dy muaj dhe partitë e mëdha kanë "mprehur shpatat" në betejën e tyre elektorale për të bindur shqiptarët se lufta në mes partive sapo ka filluar por fitoren e zgjidh vota e juaj .

Këto janë zgjedhjet më interesante që kanë ndodhur ndonjëherë sepse brenda  kësaj dinamikë ka hyrë edhe SPAK, i cili po tregohet e pamëshirshëm ndaj politikanëve, të cilët sado me influencë në elektorat sot janë më të pa mbrojtur se kurrë nga mëkatet e tyre.

Nga të gjithë  liderët politikë më i sigurti për fitoren është lideri i Partisë Socialiste, Edi Rama. E di se të gjithë toksikët nuk e pranojnë këtë mendim, madje do ha edhe të sharat e tyre, por unë dua të flas me realitetin dhe jo atë që dua unë. E kam thënë me kohë se kur në kabinetin qeveritar një anëtar dënohet për korrupsion, të paktën për moral lideri duhet të japë dorëheqjen.  Kjo është ana morale që e kërkon një shtet demokratik. Përderisa në Shqipëri kjo nuk ka ndodhur, tregon se shqiptarët janë më të përshtatur me mënyrën e qeverisjes sesi e drejton kryeministri, pra gjithësecili merr përgjegjitë e veta. Ndërsa në anën juridike nëse ndaj kryeministrit deri tani nuk ka asnjë akuzë për shkelje ligjore atëherë nuk mund ta bëjmë fajtor medoemos për shkeljet e kolegëve të tij sado edhe miq apo të afërm të tij të jenë. Se ndryshe do kthehemi në diktaturë ku dëmin e vuante gjithë farefisi.

Kështu ka funksionuar përherë me shqiptarët, mbajnë qendrim vetëm atëherë kur shkojnë drejt qelive me akuzat ndaj tyre, sesa ndaj përgjegjësive morale.

Ajo që kuptoj unë deri tani është se korrupsioni në politikë paska vepruar në mes të afërmeve dhe miqvë të tyre shumë të besuar duke ju afruar poste dhe tendera. Pra brenda një cikli të shumë mirë besuarve,  dhe aspak nëpërmjet kolegëve politikanë, drejtore, ministra apo  deputetë. Këtë arrita ta besoj edhe nga një intervistë e fundit e Ilir Metës e dhënë nga qelitë e burgut për emisionin Opinion ku thotë "Në korridoret e burgjeve kam takuar njerëz shumë më me vlera dhe karakter se në “korridoret” e politikës.

Me këtë frazë arrij të kuptoj se punët e pista është shumë më lehtë t’i kryesh me njerëzit e zanatit, pra të krimit  sesa me besnikët e partisë, të cilit një herë e një kohë, njërit që donte ti besonte, i ndjeri e denoncoi dhe  demaskoi me bllokun në dorë me zë e me figurë.

Ajo që po rezulton deri tani është se të gjithë ish-kolegët e kryeministrit që nga ministri Tahiri e deri tek i fundit ish kryebashkiaku i Tiranës, Veliaj, Edi Rama nuk ka asnjë lidhje si direkte dhe indirekte me ta. Se po të kishte të gjithë këta për të shpëtuar do ta kishin varrosur 7 herë nën dhe. Pra deri tani unë nuk mund të flas asgjë për kryeminstrin e sotëm, përderisa drejtësia nuk e akuzon, sadoqë zërat duan ta bëjnë si më të korruptuarin.

Unë flas me gjuhën e fakteve ku SPAK nuk ka asnjë gjë deri tani, derisa nuk e ka bërë publike sado që të jetë edhe nën hetim. Pra po ta marrim garën e sapo nisur se kush ka më shumë shanse për të fituar zgjedhjet e 11 majit, llogjika vetvetiu  na çon tek socialistët me Edi Ramën. Po opozita ku gjendet?
​
Partia Demokratike që është më e madhja në mes të opozitës, por më e rrënuara dhe më damkosura ka pak shanse për të dominuar mbi vetë opozitën e vogël e të ndershme, se sa i përket daj socialistëve të konsoiliduar, nuk behet fjalë.

Ajo që po i dëmton më shumë demokratët është ndarja e tyre me të kaluarën, ku lideri i tyre me plot akuza ku me shpatën e demokleut më tepër po lufton aleatët e tij sesa kundërshtarin më të madh të  opozitës, Edi Rama. Të gjithë ish aleatët e tij nuk e duan sepse ata dijnë shumë mirë se sa e vështirë është të bindësh shqiptarët me  një nongrata në krye.  Me të akuzuarit e  SPAK-ut nuk mundet Edi Rama, i cili ka ditur sesi të mbajë afër partinë e aleatët e saj.

​Të djathtëve u duhet më tepër t’i besojnë asaj opozite që japin më shpresë partitë e reja, me liderë e tyre të rinj e të  pa inkriminuar, sesa të një partie  pak më të madhe por të rrënuar.  Një parti e drejtuar nga një  lider "i vdekur" që u duhet së pari të zgjidhin hallin e tyre e të familjes me drejtësinë jo më të zgjidhin problemet e shqiptarëve.
0 Comments

Kurthi i Trump ndaj shqiptarëve të SHBA

3/18/2025

0 Comments

 
Unë nuk votova Trump se e para isha në Greqi dhe dyta edhe sikur të isha në USA prap nuk do votoja se është çeshtje bindjesh. Pra kjo është demokracia kur ti voton i lirë sado që humbjen e sheh përpara por duhet të mësojmë te jetojmë edhe si të humbur sepse të gjithë e duam larmitetin e bindjeve dikush i humbur e dikush i fituar. Sepse po të mendojmë ndryshe se humbjen nuk e duam kurrë atëherë kemi rënë në grackën e autoritarizmit.

Në këtë analizë të shkurtër dua të sqaroj se kur votoj në SHBA së pari mendoj si shqiptar që vë interesat e kombit tim mbi gjithçka. Pyetja lind, po bashkombësit e mi a e bëjnë, apo janë interesa të tjera që duhet të shohin më përpara. Për shembull të gjithë e duam rritjen e ekonomisë amerikane sepse rrit mirëqenjën tonë, pra të familjeve tona shqiptare që jetojnë në SHBA. Me qenë i sinqertë në gjithë këto vite që jam në SHBA kam përjetuar ndërrimin e tre presidentëve, Obama, Trump e Baiden, por nuk kam parë asnjë dallim se njëri nga këta rriti dukshëm mirëqenjën tonë. E them këtë tek popullata e thjeshtë ku bëj pjesë edhe unë. Ndoshta biznesmenët shqiptarë në SHBA kanë qendrime të tjera dhe e shohin ndryshe interesin e tyre kur vjen një i President i ri. Ajo që dua të them është se interesat tona të brendshme nuk janë shumë të dukshme dhe nuk luajnë aspak në kandarin tonë të mirëqenjës. Por ajo  që më shqetëson është çfarë linjë do ndjek admanistrata e re amerikanë  në politikën e jashtme sidomos  me kombin tim që jeton në tre shtete të rajonit më të nxehtë,  e cila akoma nuk i ka shuar problemet që fqinjët tanë  gjithmonë na kanë lënduar, duke na vra identitetin tonë autokton.

Shikoj që Trump nuk e ka akoma në axhendë Ballkanin por më përpara dërgon njerëzit e tij të afërt për ta studiuar dhe pastaj për të vepruar. Njeri më të afërt se djali tij Donald Tramp Jr , presidenti i tanishëm amerikan  nuk ka. Që do të thotë, se  askush nuk mund ta hedhë poshtë se ai nuk e dëgjon atë. Kush mendon ndryshe ose është naiv ose është një inatqar që ka vënë interesat e tij të ngushta të lidhur pas partisë para kombit. Për të kujtuar se sa afër është Trump ndaj djalit të tij, vizita e këtij të fundit në Groenland të lë të kuptosh se familja Trump, pra babë e birë janë një. Donald Trump Jr mbërriti në Grenlandë, disa javë pasi babai i tij tha se dëshironte që SHBA të merrte kontrollin e territorit autonom danez. Pra që këtu ne shohim se djali i tij është shumë më aktiv tek çeshtjet e quditshme që  presidenti Tramp i theksoi gjatë fushatës elektorale dhe sot disa po i bën realitet.  Mjafton të hedhësh një sy instagramit Donald Tramp Jr që të kuptosh se publikimet  e tij prekin temat më të nxehta që kanë qëllime territoriale, si ajo me Kanadanë si shtet i 52 i SHBA-së, kanali i Panamasë, ish Gjiri i Meksikës,tani i Amerikës. Pra të gjitha këto Presidenti Trump i ka hedhur në diskutim që në disa është vënë në veprim siq është emërtimi i Gjirit të Amerikës. Kush thotë se zëri i Donald Tramp Jr nuk është zyrtare e ka gabim, madje ai është më zyrtare se anëtarët e kabinetit, sepse ai është prapavija e babait të tij. Çfarë ka thënë Presidenti Trump djali i tij është vënë në veprim ose për ta studiar ose për ta diskutuar me faktorët në mënyrë që babai i tij të ketë një panoramë të plotë mbi atë që ka në mendje për ta bërë. Prandaj edhe  me politikën e marrëdhënieve me Kosovën nuk e dimë se çfarë plani ka në mendjen e tij për ti afruar në një tavolinë me serbët. Ajo që dimë është se i biri i tij vizitoj Presidentin serb Vuçiç dhe bëri deklaratat e tij të quditshme antishqiptare.

​Nuk është e pa qëllimshme vizita e tij e fundit në Serbi, të cilëve "ju shet" armiqve politikën e paraardhësve të babait të tij për interesa shumë të ngushta pse jo edhe si nip i sllavëve të cilët akoma mendojnë se janë më superiorë se kombet e tjera. Nuk është qudi se të gjithë gazetarët ekstremistë që mbajnë linjën  e Trump dolën me të njëjtat konkluzione se SHBA i ka rënë në hak Serbisë me bombardimet e saj, ndërkohë që realiteti është se Serbia i ka rënë hak popujve autoktonë të shqiptarëve në Kosovë me politikën e saj të shfarosjes masive genocidiale. Asnjë nga këta si djali i Trump apo gazetarët fanatikë nuk foli për kasapin e ballkanit,Millosheviç si shkaktari i vetëm i luftrave në ish Jugosllavi, por që duan ta harrojnë duke bërë  serbët viktimë të bombardimeve amerikane për qëllimet e tyre të brendshme, për të shmangur problemet e tyre të brendshme. Prandaj është koha që ne duhet të zgjohemi se armiku po vepron dhe kur të nisë të bëjë realitet ëndrrën e tij antishqiptare, atëherë do të jetë  vonë për kombin tonë.

​Ndoshta atëherë do ta kuptojmë  edhe ne  shqiptarët e Amerikës se nëse vota  për Trump ka shkuar në drejtimin e duhur.
0 Comments

Filmi i pavarur (indipendent) "Anora", një eksperiment për kienastët shqiptarë, sesi fitohen çmimet Oscar

3/5/2025

0 Comments

 
Po të mos kishin fituar çmimet Oskar ndoshta nuk do ti hidhja këto rreshta sepse në lëmin e eksperiencës sime në filmat e industrisë amerikane gjatë këtyre 11 vjetëve të karrierës sime të gjithë e kanë rëndësinë e vet, që nga short film ,student film  e deri tek filmat me metrazh të gjatë që kanë konkurruar për Oscar, në të cilët kam marrë pjesë në skenat e tyre të vogla.

Por, filmi me metrazh të gjatë dhe me buxhet të ulët me 6 milion dollarë( shumë pak në krahasim me projektet e studiove hollivudiane që konkurojnë për Oscar), "Anora"  ishte filmi më dominues në Akademi Awards 2025, me 5 çmime Oscar.

Ka disa arsye përse dua t'ja dedikoj këtë shkrim këtij filmi kaq të suksesshëm dhe të paparashikuar nga artdashësit e filmit të ekranit të madh, I cili u zgjodh unanimisht nga juria e këtij kompeticioni.

E para dhe e veçanta e këtij filmi ështe se janë të rrallë, jo vetëm  të fitojnë por të dominojnë akademi Awards filma të pavarur, me buxhet të ulët dhe me aktorë jo të famshëm, pra jo të këstit të  kategorisë A (A list) e që nuk janë as prodhim i studiove hollivudiane( AMPTP) të cilët janë gjithmonë favoritë në saj të kapaciteteve të mëdha realizuese. Por filmi i pavarur Anora ja arriti qëllimit pa u mbështetur aspak nga studiot hollivudiane.

E gjitha kjo  falë një regjizori shumë talent që ishte edhe skenaristi, edhe producenti i këtij filmi, që bëri që të përzgjidhte një kast aktorësh pothusjse të panjohur, por me talentin e tyre  arritën ta bënin filmin më të mirin e vitit duke marrë të gjitha  çmimet e mëdha të vitit, që nga Festivali i Kanës, Golden Globe, Sag Awards e deri tek Oscars.

​E dyta përse po e cilësoj këtë, se jam një dëshmitar që kam përjetuar shumë skena të këtij filmi të pavarur e të suksesshëm. Pra u bëra pjesë e  këtij filmi pasi kisha fituar një audicion me anë të një videoje (video tape) që tani aktorët e përgatisin vetë me anë të kushteve të tyre ku ndodhen dhe jo duke u prezantuar përpara drejtuesve të  audicionit. Regjizori i filmit ishte marrë me të gjitha detajet ku të gjithë aktorët duhet të përzgjidhen me anë të audicionit. Prandaj,kastingu i filmit më kishte sjellë pjesën e vogël skenike ku unë duhej ta përformoja me fshesën në dorë  në kushtet shtëpiake por që më duhej edhe  ndihma e bashkëshortës sime e cila bëri  edhe kameramanin edhe aktorën suportuese në dialogun e skenarit të vogël improvizues. Pas disa dublave më në fund zgjodhem me të mirën video duke marrë aprovimin e bashkëshortës e cila përtej shakasë bënte edhe regjizoren por edhe audiencën.  Kjo ishte faza paraprake e audicionit duke marrë më të mirën e performancës time dhe duke  edituar ja dërguam videotape-in produksionit për të pritur përgjigjen. Si gjithmonë pritja për një përgjigje pozitive (call back) të mban në ankth por isha optimist sepse mendoja se me të dhënat karakteristike të një ruso-amerikani  që kërkonte regjizori fitues Sean Baker do ta aprovonin. Dhe pas disa muajsh vjen një e-mail i drejtores së këstit, i cila shkruante se regjizori Sean Baker ju ka përzgjedhur në një nga tre të përzgjedhurit e këtij roli të vogël por me shumë skena ,pothuajse tre javë xhirime brenda një vile luksoze ku sipas skenarit ishte e djalit të një oligarku rus buzë oqeanit me pamje fantastike brenda një gjiri në periferi të Nju Jorkut. Pra në  film kisha rolin e një pastruesi i cili bashkë me dy pastruese  të tjera për llogarinë e kompanisë së pastrimit pastronin vilat e të pasurve dhe në rastin konkret vilën luksoze të një oligarku rus në periferi të Brooklyn-it, buzë Oqeanit. Pra roli im ishte që bëja edhe shoferin e makinës së pastrimit, edhe pastruesin bashkë me dy kolegët e tjera  në brendësinë e vilës ku predispozohej se bëhej  jeta e shthurur e djalit të oligarkut rus, Ivan i cili lidhet me vajzën eskortë nga Brooklyn-i ,Ani dhe që u luajt në një nivel shumë të lartë nga fituesja e Oscar, Mikey Madison. Pra për tre javë isha pjesë e xhirimeve brenda një shtëpie luksoze ku duhet ta pastronin pas festave(after party) të tyre shfrenuese të ndikuar edhe nga droga. Ishin tre javë xhirime të stërzgjatura sepse me anë të dublave të shpeshhershme regjizori Sean Baker kërkonte më të mirën nga të gjithë aktorët. Dhe gjithë këtë punë kolosale regjizori e arriti sepse mbi të gjitha ishte një njëri këmbëngulës, i komunikueshëm dhe shumë i dashur me të gjithë ekipin realizues. Ishin ditët acarta të janarit 2023, në temperaturat -10°, por për fat të mirë të shumtat e  skenave i kishim brenda, përjashtuar ditën e fundit ku do bëja shoferin e kompanisë së pastrimit me levizjet para-mbrapa në oborrin e vilës pas shumë dublave (reset) që kërkohej nga regjizori. Nga brenda  vilës luksoze dukej pamja magjepse e Oqeanit që lidh Brooklynin me Long Island por brenda kësaj vile askush nuk e dinte se xhiroheshin skenat përvëluese të Ani e Ivan nga  Mikey Madison e Mark Eydelshteyn të një çifti të sapo të lidhur me një jetë shthurur me plot Romance,Komedi e Drama me plot dinamika në lidhjen e tyre të komplikuar. Por gjithësesi "Anora" arriti të nxjerrë aktoren edhe  filmin  më të mirë të vitit. Dhe e gjitha kjo falë një grupi fantastik me producenta, kenastë e aktorë të ndryshëm që vinin edhe  nga  ish shtetet Sovjetike por me  plot ëndrra që një ditë do të kapnin tempullin e çmimit më të madh, siç është Akademi Awards (Oscar).  
​
E treta dhe e fundit përse mora të shkruaj për këtë film është për bashkëatdhetarët e mi kineastë  si në Shqipëri dhe kudo që janë, të përkushtuar  dhe që punojnë me  shumë pasion në filmat e tyre. Prandaj filmi "Anora" duhet të jetë një eksperiment për ata, për të kuptuar se edhe ata mund ta realizojnë  një film të tillë pa ndihmën e Studiove të mëdha, për të fituar një çmim Oskar dhe pse jo për të promovuar vlerat tona kombëtare por me shijet e amerikanëve, sepse duam apo nuk duam, ata e dominojnë sot kinematografinë botërore. Pra të gjendet një skenar që e lidh  vendin tonë duke ju  përshtatur realitetit amerikan ku ata e përjetojnë në jetën e tyre të përditshme.  Nëse ruset gjetën të birin e një oligarku rus që jeton jetën amerikane në rastin konkret në Brooklyn e Nju Jorkut, edhe shqiptarët kanë shumë shembuj historie, me romanca dhe drama  që i lidhin me jetën amerikane, sepse në fund të fundit këdo që takoj shqiptarin e njohin si njeri të dashur, punëtor, mashkullor të fortë e të guximshëm dhe mbi të gjitha të besës që nuk thyhet nga e keqja. Dhe për të mbyllur me këtë të fundit e kush nuk do ta donte një film ku shihet besa e shqiptarëve  në luftën e Dytë Botërore që shpëtojnë hebrenjtë për të mos rënë në duart e nazistëve, madje një familje muslimane për të mos dorëzuar djaloshin e fshehur hebre e shkëmbyen me djalin e tyre drejt  thertoreve dhe furrave   të tmerrshme, çnjerëzore  të Auschwitz. Ku ka sakrificë më të madhe të njerëzimit se sa kjo dhe që realiteti amerikan do ta adhuronte atë në një film shqiptaro-amerikan.
0 Comments

    Author

    ​Welcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema.
    Happy reading! 

    Archives

    July 2025
    June 2025
    May 2025
    March 2025
    February 2025
    January 2025
    December 2024
    November 2024
    October 2024
    September 2024
    August 2024
    July 2024
    May 2024
    January 2024

    Categories

    All

    RSS Feed


  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact