|
Edhe nëse nuk e kishe njohur nga afër, Namir Lapardhjaja ishte një prani e vazhdueshme në jetën publike përmes shkrimeve të tij. Ai ishte nga ata autorë që nuk kalojnë pa u vënë re, sepse nuk shkruajnë për të mbushur hapësirë, por për të trazuar ndërgjegje.
Vdekja e tij e parakohshme nuk është vetëm një humbje familjare. Është një humbje për gazetarinë, për publicistikën dhe mbi të gjitha për një kulturë debati që sot ka më shumë nevojë se kurrë për zëra të sinqertë dhe të pakompromis. Lapardhjaja ishte një publicist i mprehtë dhe një analist i realitetit shqiptar, që nuk e shihte vendin e tij me cinizëm, por me një dashuri të vështirë, me atë lloj dashurie që të detyron të flasësh, të kritikosh dhe të mos heshtësh përballë asaj që nuk shkon. Ai e njihte Shqipërinë e tranzicionit në thelb, me gjithë kontradiktat, zhgënjimet dhe shpresat e saj të papërmbushura. Në një kohë kur shumëkush zgjedh kompromisin, ai zgjodhi koston. Të ndjekësh pasionin dhe të mbrosh bindjet në një realitet të brishtë institucionalisht dhe moralisht ka çmim, dhe ai e pagoi këtë çmim pa hezitim. Jeta e tij ishte e lidhur ngushtë me letrat, me kërkimin dhe me përpjekjen për t’i rikthyer shoqërisë një sens reflektimi që shpesh mungon. Një nga dimensionet më të forta të mendimit të tij ishte raporti kritik me të djathtën shqiptare. Si një i përndjekur nga sistemi i kaluar, ai iu bashkua asaj me besimin se do të përfaqësonte vlerat e lirisë dhe dinjitetit. Por zhgënjimi që pasoi ishte i thellë. Për të, kjo nuk ishte thjesht një zhgënjim politik, por një plagë personale, një ndjenjë braktisjeje që rëndonte mbi një histori tashmë të mbushur me dhimbje. Pikërisht ky dimension e bënte zërin e tij të veçantë, sepse ai nuk fliste nga distanca, por nga përvoja. Nuk kritikonte për efekt retorik, por sepse kishte besuar. Dhe kur një zë që ka besuar flet për zhgënjimin, ai meriton të dëgjohet më shumë se kushdo tjetër. Sot, përballë largimit të tij, tundimi është të rikthehemi te temat që ai vetë ngrinte me aq këmbëngulje. Por ndoshta sot nuk është dita për këtë. Sot është dita për të kuptuar boshllëkun që lë pas një njeri që jetoi me integritet intelektual dhe pasion të rrallë për fjalën. Sepse në fund, humbja e Namir Lapardhjasë nuk është vetëm një penë më pak. Është një zë më pak , dhe zërat si i tij nuk zëvendësohen lehtë.
0 Comments
Nesër filmi "One Battle After Another" do të jetë në garë për Oscar. Por njeriu që i dha shpirt këtij projekti nuk do të jetë fizikisht aty për ta përjetuar këtë moment. Ai do ta ndjekë nga lart, nga qielli i engjëjve të kinemasë. Nëse Hollivudi ka pasur ndonjëherë një engjëll që i dha gjithçka artit të filmit në pak vite jetë, ai ishte Adam Somner.
Ky ishte filmi i tij i fundit si Executive Producer, por historia e tij në kinema ishte shkruar shumë kohë më parë. Adam Somner ishte një nga ndihmës-regjisorët më të mëdhenj që ka njohur industria e filmit. Një profesionist që qëndroi pranë dhe punoi krah për krah me disa nga regjisorët më të mëdhenj të planetit si Steven Spielberg, Martin Scorsese, Alejandro González Iñárritu, Paul Thomas Anderson dhe Ridley Scott. Ai ka qenë pjesë e disa prej filmave që kanë formësuar kinemanë moderne, si Saving Private Ryan, Munich, War Horse, Bridge of Spies, The Post, Licorice Pizza, Roma, The Irishman, etjerë. Filma që sot janë pjesë e historisë së artit të shtatë. Unë pata fatin ta njoh nga afër më 7 shtator 2014 gjatë xhirimeve të filmit Bridge of Spies të Steven Spielberg. Ishte një e diel e bukur shtatori, por skenat i kishim brenda. Aty pashë nga afër një ndihmës-regjisor të palodhur, të kudondodhur dhe mbi të gjitha jashtëzakonisht profesional. Ishte nga ata njerëz që e kuptonin vizionin e regjisorëve të mëdhenj pa pasur nevojë për shumë fjalë. Dhe kjo vinte nga një aftësi e rrallë për komunikim me aktorët dhe gjithë trupën e filmit. Unë isha vetëm pesë muaj në botën e filmit dhe emocionet ishin të papërshkrueshme. Por Adam Somner ishte nga ata njerëz që të ndihmojnë të kapërcesh frikën dhe të japësh më të mirën nga vetja. Më udhëzoi, më orientoi dhe mbi të gjitha më bëri të kuptoj se në sheshxhirim gjithçka fitohet me durim, disiplinë dhe shumë dublime. Në atë film luaja një reporter të Luftës së Ftohtë të vitit 1961 dhe duhej t’i thosha vetëm dy fjalë personazhit të Tom Hanks- “Flash back”. Ishte bërë pothuajse një garë se kush do ta thoshte atë fjali nga radhët e reporterëve. Por ishte Adam Somner ai që i propozoi Spielberg emrin tim, për shkak të ngjashmërisë që kisha me reporterët e vendeve sovjetike që kishin ardhur të mbulonin gjyqin e “spiunit” Rudolf Abel, të luajtur nga Mark Rylance, i cili më pas fitoi edhe Oscar për rolin dytësor. Nuk do ta harroj kurrë momentin kur më vendosi duart mbi supe për të më dhënë sinjalin e nisjes sapo dera e sallës së gjyqit do të hapej. Ishte një gjest i vogël në vetëm një skenë, por për një aktor të ri ishte një botë e tërë besimi. Dhe fati më trokiti sërish disa vite më vonë në filmin The Post, përsëri me Steven Spielberg dhe Tom Hanks, kësaj radhe bashkë me legjendën e kinemasë Meryl Streep. Në atë film unë luaja policin njujorkez të viteve 70-të që mbronte personazhin e saj nga protestuesit e Watergate në Hotel Plaza. Edhe një herë tjetër një eksperiencë e paharrueshme nën drejtimin dhe udhëzimet e Adam Somner. Por ndoshta kjo është madhështia e njerëzve si ai. Ata nuk kërkojnë të jenë në qendër të kamerës. Ata janë ata që bëjnë që kamera të tregojë historinë në mënyrën më të përsosur. Sot Hollivudi ka humbur një nga arkitektët e heshtur të filmave të mëdhenj. Një njeri që nuk kërkoi kurrë dritat e skenës, por që i dha dritë qindra skenave që do të mbeten përjetë në historinë e kinemasë. Dhe për mua, ai do të mbetet gjithmonë ai njeri që më vendosi duart mbi supe në një sheshxhirim dhe më tha vetëm një fjalë: “Go.” Por në të vërtetë, pa e thënë me zë, ai po më thoshte shumë më tepër se ajo, se “Tani është momenti yt.” Dhe ndoshta ai moment ishte pikërisht ajo pikënisje nga ku mori rrjedhë edhe rrugëtimi im shumëvjeçar në botën e filmit. Sot një ditë para Oscar-it të 98-të, Adam Somner prehet në paqe por Hollivudi do të vazhdojë të bëjë filma të mëdhenj… por një pjesë e shpirtit të tyre do të mbajnë gjithmonë emrin e tij. Duke u kthyer nga xhirimet në Long Island, rastësisht veshi më zuri një bisedë në greqisht nga një radio lokale. Nuk ishte aspak çudi. Komuniteti grek në shtetin e Nju Jorkut është ndër më të mëdhenjtë dhe më të organizuarit, falë edhe gjeneratave të hershme të emigrimit.
Por ajo që më tërhoqi vërtet vëmendjen ishte tema e emisionit. Në prag të festës së pavarësisë së tyre, moderatorët kishin ngritur një ide që po trajtohej si një kauzë kombëtare: që muaji mars të njihet në Shtetet e Bashkuara si Muaji i Trashëgimisë Greke (Greek Heritage Month). Në SHBA, marsi tashmë njihet si Muaji i Historisë së Grave (Women’s History Month) dhe njëkohësisht si Muaji i Trashëgimisë Irlandezo-Amerikane (Irish-American Heritage Month). Megjithatë, drejtuesit e emisionit argumentonin se edhe komuniteti grek meriton një hapësirë të tillë institucionale për shkak të historisë dhe kontributit të tij në shoqërinë amerikane. Dhe për ta arritur këtë, sipas tyre, duhet vetëm një gjë, një iniciativë e organizuar e komunitetit dhe një lobim serioz në Kongresin amerikan. Ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte reagimi i menjëhershëm i dëgjuesve. Që nga momenti kur ideja u hodh në ajër, shumë anëtarë të komunitetit grek e mbështetën publikisht, madje duke u shprehur të gatshëm ta mbështesin financiarisht këtë nismë. Për ta, nuk ishte thjesht një ide mediatike, por një projekt identitar për kombin e tyre. Idetë që lidhen me identitetin dhe historinë kombëtare gjithmonë të ndezin mendimin. Dhe pikërisht në atë moment më erdhi një pyetje e natyrshme- pse të mos ketë edhe komuniteti shqiptar një nismë të tillë? Shqiptarët në Shtetet e Bashkuara kanë një histori të gjatë, një komunitet aktiv dhe mbi të gjitha një raport të veçantë me Amerikën. Shqipëria dhe shqiptarët njihen gjerësisht si ndër miqtë më besnikë të Shteteve të Bashkuara. Një partneritet që është dëshmuar në histori, në politikë dhe në qëndrime strategjike ndër dekada. Nëse një komunitet shqiptar do të organizohej seriozisht për një nismë të tillë, lobimi në Kongres nuk do të ishte aspak një mision i pamundur. Pyetja që lind natyrshëm është- se cili muaj do të ishte më i përshtatshmi? Shumëkush mund të mendojë menjëherë për nëntorin, për shkak të pavarësisë së Shqipërisë. Por në SHBA nëntori është tashmë Muaji i Trashëgimisë së Amerikanëve Vendas, një muaj me peshë të madhe historike dhe simbolike. Pikërisht për këtë arsye, personalisht nuk do ta zgjidhja nëntorin për një iniciativë të tillë. Për mua, zgjedhja më e natyrshme do të ishte muaji janar. Një muaj që lidhet drejtpërdrejt me datëlindjen e figurës më emblematike të historisë shqiptare, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Figura e Skënderbeut nuk është vetëm simbol i identitetit kombëtar shqiptar. Ai është një figurë historike që lidhet edhe me historinë e Evropës dhe të Perëndimit, si një nga mbrojtësit më të njohur të qytetërimit evropian në shekullin XV. Historia e tij nuk është thjesht histori shqiptare, por është pjesë e narrativës së rezistencës dhe mbrojtjes së vlerave perëndimore. Dhe ka edhe një fakt interesant se muaji janar nuk figuron aktualisht në listën zyrtare të muajve të trashëgimisë në Shtetet e Bashkuara. Kjo do të thotë se ekziston një hapësirë reale që një komunitet i organizuar mund ta propozojë dhe ta mbrojë një iniciativë të tillë. Sigurisht, një ide e tillë nuk bëhet realitet vetëm me entuziazëm. Ajo kërkon organizim komunitar, mbështetje institucionale, angazhim të shoqatave shqiptaro-amerikane dhe mbi të gjitha një strategji serioze lobimi në Kongres. Por nëse komunitete të tjera arrijnë ta bëjnë, pse jo edhe shqiptarët? Ndoshta ka ardhur koha që edhe komuniteti shqiptar në Amerikë të mendojë më ambiciozisht për mënyrën se si përfaqëson historinë dhe identitetin e vet në hapësirën publike amerikane. Sepse do të ishte një moment historik për çdo shqiptaro-amerikan si dhe për kombin shqiptar në tërësi, që një ditë muaji janar të njihej zyrtarisht në Shtetet e Bashkuara si Muaji i Trashëgimisë Shqiptaro-Amerikane. Dhe ndoshta është koha që kjo ide të mos mbetet vetëm një mendim i lindur rastësisht nga një radio në Long Island, por të kthehet në një nismë reale të komunitetit shqiptaro-amerikan. Ky Big Brother ka prodhuar shumë debate, por në fund do të mbahet mend për dy figura, Ledion Liço dhe Rogert Sterkaj.
Njëri për mënyrën se si e drejton lojën me inteligjencë dhe ekuilibër, tjetri për mënyrën se si e trondit atë duke refuzuar të jetojë me maska. Ledion Liço po dëshmon se moderimi i një formati si Big Brother nuk është thjesht prezantim televiziv, por një ushtrim i vërtetë inteligjence dhe vetëkontrolli. Të menaxhosh njerëz të izoluar për muaj të tërë brenda një shtëpie, ku presioni psikologjik është ekstrem dhe ku 100 mijë dollarë janë në lojë, kërkon më shumë se profesionalizëm edhe karakter. Ledioni e peshon çdo fjalë. Edhe kur tensionet shpërthejnë dhe banorët kalojnë kufijtë e arsyes, ai nuk e humbet qetësinë dhe nuk bie në nivelin e konfliktit. Ky është dallimi mes një moderatori të zakonshëm dhe një moderatori që e kupton se Big Brother nuk është vetëm spektakël, por edhe një eksperiment social. Edhe me banorin më problematik, ai di të komunikojë dhe ta orientojë drejt lojës. Sepse për drejtuesin e Big Brother, çdo banor është i barabartë, madje edhe ai që krijon tension, sepse mban gjallë dinamikat e lojës. Sepse në atë shtëpi nuk shohim vetëm banorët. Shpesh shohim veten tonë si shoqëri. Dhe pikërisht aty hyn në lojë Rogert Sterkaj. Ai hyri si antihero. I ashpër, provokues, pa diplomacinë që shumë të tjerë e përdorin si maskë. Por në një shtëpi ku shpesh dominon hipokrizia, ndodh diçka interesante, se ai që nuk fsheh asgjë fillon të duket më i sinqerti. Në jetën reale ne jemi mësuar me një fenomen të njohur, me njerëzit që në publik shfaqen si engjëj që derdhin lot krokodili, ndërsa në momentin e parë të provokimit tregojnë një fytyrë krejt tjetër. E njëjta gjë ndodh edhe në Big Brother Albania 5. Ka banorë që ndërtojnë me kujdes imazhin e viktimës, me buzëqeshje të buta dhe me lot që dalin në momentin e duhur. Por mjafton një përplasje me Rogertin dhe maska bie. Në atë moment publiku sheh diçka tjetër, atë nervin, arrogancën, agresivitetin e fshehur pas moralit të rremë. Rogerti, edhe sikur të shkojë në një milion nominime, ka gjasa që publiku ta shpëtojë përsëri. Dhe kjo është arsyeja pse publiku shpesh zgjedh të mbajë në lojë pikërisht atë që duket më i rrepti. Jo sepse njerëzit duan konflikt, por sepse duan autenticitet. Ironia është se shpesh ne si shoqëri jemi shumë më të ashpër me një reality show sesa me realitetin tonë të përditshëm . Nuk revoltohemi gjithmonë kur shohim hipokrizi në politikë apo në jetën publike, por reagojmë fort kur ajo shfaqet në një shtëpi televizive. Big Brother nuk është një universitet morali, por është një pasqyrë. Dhe ndonjëherë pasqyra nuk na tregon atë që duam të shohim. Në këtë pasqyrë, Ledion Liço përfaqëson ekuilibrin dhe arsyen që mban lojën në binarë. Ndërsa Rogert Sterkaj përfaqëson atë impuls brutal që shpesh e detyron të vërtetën të dalë në sipërfaqe. Dhe ndoshta ky është mësimi më i mirë i këtij sezoni, se në një botë ku maskat janë bërë normale, ndonjëherë edhe një antihero shërben për të rikujtuar vlerën e sinqeritetit. Sepse në fund të ditës , publiku nuk voton gjithmonë për më të qetin apo më të bukurin, por shpesh për atë që, edhe me ashpërsinë e tij, na detyron të shohim të vërtetën dhe na tregon se ku fshihet e keqja Thuhet shpesh se fati vjen vetëm një herë në jetë. Nëse fati i kombeve dhe i shteteve lidhet me vendimmarrjen e presidentëve të Shteteve të Bashkuara, atëherë Kosova pa dyshim përfaqëson një nga rastet më domethënëse të historisë moderne. Ndërhyrja vendimtare e administratës së Bill Klinton solli atë që sot Kosova e gëzon si realitet politik, pavarësinë nga regjimi shtypës i Sllobodan Millosheviç.
Ky është një fakt historik i pakontestueshëm, i pamundur për t’u fshirë nga memoria e një kombi që pagoi lirinë e tij me gjak. Vendimi u mor pa hezitim, në një moment kur bota po vëzhgonte, por vetëm një qendër reale pushteti veproi. Duke parë zhvillimet e fundit në Iran, paralelet historike bëhen të pashmangshme. Prej më shumë se katër dekadash, ky shtet është mbajtur nën kontrollin e një regjimi teokratik autoritar, që e ka izoluar shoqërinë iraniane dhe e ka kthyer jetën e qytetarëve të saj pas në kohë. Goditjet dhe presioni i shtuar ndaj strukturave të pushtetit kanë tronditur seriozisht themelet e regjimit të udhëhequr nga Ali Khamenei, duke krijuar ndoshta krizën më të madhe të legjitimitetit që ai ka përjetuar ndonjëherë. Në këtë kontekst, roli i Donald Trump shihet nga shumëkush si faktor vendimtar, si një president që nuk heziton të marrë vendime të forta, edhe kur ato shoqërohen me kosto politike dhe rreziqe strategjike. Për herë të parë pas shumë vitesh, fati i një populli të shtypur u vendos në tryezën e vendimmarrjes globale pa kalkulime të gjata diplomatike dhe pa frikën e prishjes së një “ekuilibri” artificial. Ashtu si në rastin e Kosovës, historia tregon se regjimet më të ngurta nuk rrëzohen domosdoshmërisht nga proceset e gjata, por nga momentet kur pushteti përballet me vendime të guximshme. Nëse koha do ta konfirmojë këtë kthesë edhe për Iranin, mbetet për t’u parë. Por një gjë është e sigurt, ndonjëherë, fati i popujve ndryshon vetëm sepse dikush, në momentin e duhur, vendos të mos mendohet dy herë. Një element që e veçon qasjen e Trump nga paraardhësit e tij është mënyra se si ai e koncepton fuqinë amerikane, jo si instrument të pafund negociatash, por si mjet presioni të drejtpërdrejtë. Ai nuk ndërtoi politikë mbi iluzionin e reformimit të regjimeve autoritare nga brenda, por mbi bindjen se disa sisteme pushteti kuptojnë vetëm gjuhën e forcës dhe të kostos reale. Kjo filozofi, e zhveshur nga romantizmi diplomatik, e ka bërë Trump një figurë të debatueshme në Perëndim, por njëkohësisht një faktor real destabilizues për regjime të ngrira prej dekadash. Në rastin e Iranit, ky stil veprimi ka thyer një tabu të vjetër ndërkombëtare, idenë se status quo-ja, sado represive, është më e sigurt se përballja. Trump zgjodhi përballjen, duke e vënë regjimin për herë të parë përballë rrezikut ekzistencial, jo thjesht izolimit ekonomik apo retorikës simbolike. Pikërisht këtu qëndron pesha historike e vendimmarrjes së tij, jo në premtimin e një demokracie të menjëhershme, por në krijimin e një çarjeje reale në një sistem pushteti që deri dje dukej i pathyeshëm. Historia nuk lëviz nga fjalimet, por nga vendimet. Dhe historia është brutalisht selektive, kur ajo mban mend vetëm ata që, në momentin kritik, nuk u fshehën pas procedurave. Ashtu siç Kosova u bë realitet politik sepse dikush mori përgjegjësinë e plotë të veprimit, edhe sot fati i popullit iranian po vihet në provë nga e njëjta logjikë, se se tiranitë nuk bien nga lodhja e kohës, por nga tronditja e forcës. Roli i Trump nuk qëndron te simpatia apo antipatia që ngjall, por te fakti se ai prishi një ekuilibër të rremë që për dekada ushqeu regjime represive në emër të “stabilitetit”. Ky është momenti kur historia ndalon së qenë neutrale. Ose mbron status quo-në e dhunës, ose hap një çarje ku popujt e shtypur shohin për herë të parë mundësinë reale të ndryshimit. Në fund, fati i kombeve nuk vjen shpesh. Por kur vjen, ai nuk troket dy herë. Dhe ata që hezitojnë ta kuptojnë këtë, zakonisht mbeten vetëm si fusnota në librat e historisë. |
AuthorWelcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema. Archives
March 2026
Categories |
RSS Feed