|
Kur isha student në Athinë dhe punoja delivery natën, xhaxhai im, Viktori një intelektual i shumë lexuar, u thoshte kushërinjve që jetonin në një banesë në një lagje të Athinës - “Marko po u përplas me bosat e punës, u thotë, ik pirdhu.”
Ishte një metaforë që e përsëriste shpesh në atë kohë ku diskriminimi ishte i dukshëm sidomos tek afendikoit. Sepse për mua, në çdo vend pune ka një rregull të thjeshtë se respekti dhe dinjiteti vlejnë më shumë se çdo rrogë apo favor. Nuk kam besuar kurrë te servilizmi. Nuk kam besuar kurrë që duhet të bëhesh “lepe-peqe” i pronarit për të mbijetuar. Dhe këtë, me kohë, edhe xhaxhai im e kuptoi dhe e përdorte në çdo tavolinë. Por sot sapo lamë pas një reality show që theu të gjitha tabutë. Prandaj më pëlqeu shumë ajo që pamë te post Big Brother VIP Albania 5, sepse nxori në pah një të vërtetë që e kemi të gjithë, por rrallë e themi, të vërtetën në sy. Rogert Sterkaj tha atë që shumë e mendojnë, por nuk e thonë kurrë kur përballë kanë dikë “me pushtet”. Ndërsa Ledion Liço, si moderator dhe figurë kyçe e ekranit, pranoi përballjen publikisht, ashtu pa u fshehur pas rolit apo pozitës, edhe pse këtë të fundit nuk e pranon kurrë, ndoshta nga modestia. Dhe kjo është e rrallë, sepse zakonisht ndodh e kundërta ku shumë “bosa” nuk e kanë kapacitetin të përballen me një realitet LIVE, aq më tepër me një Rogert Sterkaj të paparashikueshëm, që ta thotë troç në sy, pa filtra. Kur dikush ka diçka në dorë si punën, ekranin, mundësinë, atëherë njerëzit nuk flasin. Përkundrazi, bëhen edhe më servilë. E shohim çdo ditë, si në politikë, në administratë, në televizione. Lajka për të mbijetuar, por edhe heshtje për të mos humbur vendin e punës. Fjalë pas shpine, por jo në sy, dhe kur vjen momenti i debatit si në këtë rast televiziv, ata lëshohen si hienat, jo për të vërtetën, por për t’i bërë lajka eprorit dhe për të shqyer kolegun. Por ajo përplasje në BBVIP 5 theu një model, se një që flet troç, dhe një tjetër që e përballon publikisht bëhen më të pëlqyeshëm për publikun sepse sinqeriteti është mbi gjithçka. Në fund të ditës më i sinqertë është ai që ta thotë në sy, dhe jo ai që të buzëqesh përpara dhe të godet pas shpine. Prandaj, ky është një test karakteri që jo të gjithë e kalojnë, por që nga ekrani i madh i Top Channel, jo vetëm na kujton të reflektojmë mbi veten, por edhe na detyron sesi të reflektojmë.
0 Comments
Mblidhen në Tiranë për të kujtuar diasporën. Një iniciativë për t’u vlerësuar dhe kaq. Sepse thelbi nuk është tek ceremonitë, por tek përgjigjja e një pyetjeje themelore, se cili ka qenë realisht roli i diasporës shqiptare në këto 35 vite tranzicion dhe çfarë ka bërë shteti për të?
Krahasimet me shekullin e kaluar janë të gabuara. Sot nuk jemi më në fazën e mbijetesës kombëtare si dikur. Shqipëria dhe Kosova kanë kaluar etapa historike të vështira dhe kanë zgjidhur çështje ekzistenciale. Por në këto dekada të fundit, diaspora ka marrë një rol tjetër në atë të mbijetesës ekonomike të vetë popullsisë. Le ta themi troq, pa retorikë se nëse Shqipëria ka marrë frymë ekonomikisht, kjo ka ardhur falë diasporës. Miliarda euro remitanca kanë mbajtur familje të tëra, kanë ushqyer ekonomi lokale dhe kanë zëvendësuar mungesën e një shteti funksional social. Në shumë raste, familjet në Shqipëri nuk janë mbështetur nga politikat publike, por nga djemtë dhe vajzat e tyre që sakrifikuan jetën jashtë vendit. Ky është një kontribut i pallogaritshëm. Një borxh moral që shteti shqiptar nuk mund ta shlyejë kurrë plotësisht. Por pyetja sot është tjetër se - çfarë ka bërë shteti për këtë diasporë? Përgjigjja është e dhimbshme dhe e dukshme. Mjafton të hedhësh një sy në gjykatat shqiptare. Pasuritë e emigrantëve si shtëpi, toka, investime janë bërë objekt grabitjeje përmes falsifikimeve, abuzimeve dhe një sistemi që shpesh ka dështuar të mbrojë pronën. Nga zyrat noteriale deri tek vendimet gjyqësore, një pjesë e madhe e diasporës është përballur me një realitet që nuk ka asgjë të përbashkët me drejtësinë. Mjafton të ndjekësh emisionet si ajo e Eni Çobanit për të parë histori konkrete, sesi jetë të tëra sakrifice që përfundojnë në zhgënjim dhe humbje. Kjo është çështja që duhej të ishte në qendër të çdo takimi për diasporën, pra sa emigrantë janë dëmtuar? Kush janë përgjegjësit? Pse vazhdojnë të operojnë struktura që kanë abuzuar për dekada? Pse nuk ka masa konkrete deri në heqje licence dhe ndjekje penale? Vetëm pasi të përballesh me këtë realitet, mund të flasësh për integrim, për kulturë, për arsim apo për rolin politik të diasporës. Deklaratat e bukura të kryeministrit shqiptar se “diaspora nuk është më histori ikjeje” janë të vërteta vetëm pjesërisht. Po, ajo nuk është më ikje. Sepse e ka përmbushur misionin e saj. Sot, diaspora është histori kthimi. Por një kthim i hidhur dhe i braktisur nga të tëra anët. Kthehet me shpresë, por shpesh gjen zhgënjim. Kthehet për të pushuar, por përballet me beteja ligjore për atë që i takon. Kthehet pasi i është marrë djersa e një jete të tërë në emigracion, pa harruar atë që ka dhënë dhe që nuk kërkon mirënjohje. Dhe për këtë, shteti shqiptar ka dështuar të japë përgjigje. Premtimet për qendra kulturore, për përfaqësim politik, për përfshirje të diasporës në vendimmarrje kanë mbetur në letër. Edhe në komunitetet më të mëdha shqiptare, si ai në Greqi, mungon përfaqësimi real në strukturat politike shqiptare. Diaspora nuk kërkon më fjalë të mëdha, por ajo kërkon drejtësi. Kërkon mbrojtje. Kërkon dinjitet. Dhe mbi të gjitha, kërkon që shteti të mos jetë spektator, por garant i asaj që ajo ka ndërtuar me sakrificë. Sepse pa diasporën, Shqipëria do të kishte qenë shumë më e dobët. Por pa drejtësi për diasporën, Shqipëria rrezikon të humbasë besimin e saj më të madh. Chicago nuk ka qenë kurrë një qytet neutral në hartën e komuniteteve ballkanike në Amerikë. Për dekada me radhë, ai është konsideruar si bastioni më i fortë i komunitetit serb në SHBA, si një komunitet që jo vetëm është rritur në numër, por ka ditur të organizohet, të lobojë dhe të mbrojë versionin e vet, edhe në momentet më të errëta të historisë së tij gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë.
Por këtë herë, skena nuk i përkiste atyre, sado që janë përpjekur ta shfaqin nacionalizmin e tyre nëpërmjet evenimenteve sportive. Në një ndeshje të NBA, përballë Phoenix Suns, ajo që ndodhi brenda United Center ishte më shumë se një performancë artistike, ishte një sfidë simbolike në zemër të një territori të konsideruar “i pushtuar” prej vitesh. Kostumet tradicionale shqiptare, ritmi i këngës dhe vallja me simbolikën e shqiponjës nuk ishin thjesht folklor. Ishin identitet që përmbante mesazh dhe prezencën e shqiptarëve për të dominuar kudo nëpërmjet vlerave. Dhe jo kudo, por në arenën ku Michael Jordan ndërtoi mitin e tij me gjashtë tituj kampionë, në një tempull që përfaqëson madhështinë e sportit amerikan. Pikërisht aty, ku miliona sy ndjekin çdo detaj, ngjyrat kuqezi nuk kërkuan leje për të qenë faktor, por ata dominuan. Për komunitetin serb në Çikago, kjo nuk ishte një pamje e lehtë për t’u përtypur. Jo sepse ishte provokim, por sepse ishte një kujtesë e fortë, për të treguar se hapësirat publike nuk janë më monopol i askujt. Shqiptarët nuk janë më thjesht një komunitet në hije. Ata janë të organizuar, të dukshëm dhe të gatshëm të tregojnë kush janë, jo vetëm në periferi, por në skenat më të mëdha ku bota ka hedhur miliona sy Dhe kur kjo ndodh në “shtëpinë” e dikujt tjetër, mesazhi bëhet edhe më i qartë. Pra mjafton vetëm një valle… për të ndryshuar balancat dhe për ti bërë të dukshme vlerat ndaj antivlerave. |
AuthorWelcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema. Archives
April 2026
Categories |
RSS Feed