Marko Caka
  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact

Të luash i vetëm me Leo DiCaprion në filmin e Skorceze — një mundësi që vjen ndoshta vetëm një herë në jetë.

6/28/2026

0 Comments

 
“Congratulations, you’re booked.” (Urime, je pranuar). Mund të ketë një përkthim më të saktë por ky është kuptimi për këtë rast.

Janë tre fjalët që prisja me padurim për filmin e ri të Martin Skorceze, ku do të luaja rolin e një punëtori mirëmbajtjeje hoteli, në anglisht një handyman. Edhe pse më parë kisha bërë provat e kostumeve dhe ishin marrë përmasat e mia, asgjë nuk ishte e sigurt pa atë konfirmim final. Në industrinë amerikane të filmit, pa ato tre fjalë, asgjë nuk quhet e mbaruar. Janë fjalët që ëndërron çdo aktor karriere.

Në projektet hollivudiane nuk funksionon favori apo miku. Askush nuk rrezikon të dëmtojë një projekt që kushton miliona, madje qindra miliona dollarë. Talentit dhe profesionalizmit i jepet pesha e vërtetë.

Në e-mailin e casting-ut ishin të detajuara të gjitha, si lokacioni, ora e paraqitjes, “holding”-u, rregullat dhe privatësia absolute që kërkon produksioni. Çdo informacion ruhet me përpikmëri dhe çdo marrëveshje firmoset për të mbrojtur besueshmërinë e kësaj industrie marramendëse.

Mezi prisja ditën e xhirimeve. Jo sepse ishte hera e parë në sheshxhirim, por sepse kësaj here bëhej fjalë për Martin Skorceze dhe Leonardo DiCaprio. Vetëm t’i shohësh bashkë është ëndërr për çdo filmdashës, jo më të luash pranë tyre.

Dita ime e xhirimit përkoi me 1 Majin, Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve dhe ironikisht me rolin tim si mirëmbajtës hoteli.

Ora e paraqitjes ishte 5 e mëngjesit, kështu që më duhej të vija celularin në zile për të mos humbur zgjimin e shumë pritur. Sheshxhirimi zhvillohej në një nga studiot më të mëdha të industrisë hollivudiane në New York, pranë East River në Brooklyn. Për të hyrë duhej ID-ja dhe numri i autorizimit që produksioni ia kishte dhënë sigurisë. Pa to, askush nuk hynte.

Tek hyrja më priti Ellie, asistente produksioni, me bllokun në dorë. Bashkë me kolegen tjetër, ajo do të kujdesej për ne gjatë gjithë ditës.

Atë ditë ishim vetëm dy aktorë suportues në skenë, pra unë dhe një vajzë që luante pastruesen e hotelit. Pjesa tjetër e kastit ishin vetë yjet, me Leonardo DiCaprio, Jennifer Lawrence, Patricia Clarkson dhe Louis Cancelmi.

Skena zhvillohej rreth orës 3 të mëngjesit në hollin e një hoteli, në momentin kur gjithçka është gati të fiket dhe bari po mbyllej.

Fillimisht na çuan në grim. Flokët nuk kishin shumë rëndësi sepse do të mbaja kapele, por detajet anësore u rregulluan për t’iu përshtatur periudhës së filmit. Pastaj vazhduam tek breakfast-i. Në filmat hollivudiane nuk fillon puna pa ngrënë. Është pjesë e kulturës së produksionit ku kushtet e aktorëve dhe ekipit të xhirimit janë prioritet absolut. Më pas erdhi “line-up”-i, një kontroll final përpara hyrjes në sheshxhirim. Çdo detaj i pamjes kontrollohej nga departamentet përkatëse, në rastin konkret nga veshja, grimi dhe flokët.

Në sheshxhirim çdo gjë funksiononte me disiplinë ushtarake. Asistentët e regjisorëve komunikonin në zinxhir të vazhdueshëm. Asistenti i parë fliste drejtpërdrejt me Skorceze, ndërsa të tjerët raportonin për çdo detaj. Atë ditë të gjithë kishin ardhur shumë herët. Çdo gjë duhej të ishte perfekte për syrin e Skorcezes. Kishte specialistë që matnin këndet e tavolinave, distancat e qirinjve, pozicionet më të vogla të dekorit. Detaje që ndoshta pak regjisorë në botë i vënë re me aq këmbëngulje sa ai. Pas rreth tre orësh përgatitjeje, në sheshxhirim mbërriti Skorceze me ekipin e tij. Menjëherë pas tij erdhi Leonardo DiCaprio me asistentët personalë. Me atë ecjen e tij karakteristike, hijerëndë, ai përshëndeste me kokë këdo që i kapte syri. Pastaj nisi diskutimin me Skorceze për karakterin dhe lëvizjet në skenë, ndërsa stand-i i tij kishte bërë më parë pozicionimet teknike.

Unë ndërkohë kisha mbi një orë që bëja prova. Emocionet ishin ndryshe këtë herë. Kur Skorceze të thoshte “Action”, DiCaprio do të zbriste shkallët drejt hollit ndërsa unë duhej të tërhiqja një karrige dhe ta vendosja në pozicionin e duhur. Vetëm kjo lëvizje mori mbi 20 dubla dhe rreth 70 minuta xhirim. Duart më ishin lodhur, por nuk e ndjeja fare. Entuziazmi ishte më i fortë se lodhja, sepse po luaja pranë Leonardo DiCaprios. Madje kishte momente kur ai priste komandën “Action” dhe sytë i mbante të ngulitur drejt pozicionimit tim. E ndjeja veten si njeriu më i privilegjuar në botë në ato sekonda.

DiCaprio nuk lodhej kurrë nga dublat. Merrte çdo udhëzim me qetësi absolute. Mes përgatitjeve të skenës, ai shtrihej mbi divan dhe relaksohej totalisht derisa të rifillonte xhirimi. Ku e ku gjeja edhe unë një skutë për tu shplodhur sadopak, por fshehurazi pa më parë të tjerët. Jo se të ndalon kush, por nga respekti që kam ndaj hirarkisë, për të mos u ekspozuar përpara tyre.

Por momenti më i bukur për mua erdhi më vonë. DiCaprio ishte ulur në një cep të barit, ndërsa unë duhej të kaloja pranë tij me një pjesë të instrumenteve të jazz-it dhe t’i vendosja mbi podiumin e orkestrës së piano-barit. Në atë moment duhej të improvizoja një zhurmë të vogël aksidentale me fletët e instrumentit që krijon tingullin për të krijuar shqetësim tek personazhi i tij.

Papritur më afrohet vetë Scorsese.

Më sheh dhe më thotë qetësisht:-

“ Më pelqeu shumë, por e dua pak më të fortë atë zhurmën aksidentale.”

U shtanga. Në mendjen time në të qindtat e sekondit më kaluan fjalët: - "Vërtet Martin Skorceze, mi tha këto fjalë, dhe erdhi të flasë direkt me mua.” Sepse zakonisht regjizorët e atij niveli komunikojnë vetëm me protagonistët. Çdo udhëzim tjetër ndaj të tjerëve vjen përmes asistentëve.

Por atë moment ishim vetëm unë dhe DiCaprio në skenë. Dhe ndoshta ky ishte privilegji më i madh në jetë, të isha pjesë e një momenti konfidencial krijues mes regjisorit më legjendar të Hollywood-it dhe një prej aktorëve më të mëdhenj të historisë së kinemasë.
​
Gjithësesi tek kjo skenë mësova se ka momente në jetë që nuk maten me para, as me famë, por vetëm me emocion.
0 Comments

Dinjiteti nuk ka kombësi

6/15/2026

0 Comments

 
Autoritetet britanike po kërkojnë rreth 42 mijë ish-studentë që morën kredi për studimet e tyre dhe nuk kanë kthyer asnjë qindarkë. Shumica vijnë nga vende të zhvilluara si shtetet e Bashkimit Europian, SHBA, Australia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Bëhet fjalë për rreth 893 milionë paund borxhe studentore që kanë mbetur të papaguara.

Duke lexuar këtë lajm, m'u kujtuan dy episode nga vitet e mia të para në Greqi, të cilat më kanë mbetur në mendje si shembuj se si shpesh paragjykojmë njerëzit bazuar në origjinën ose gjendjen e tyre ekonomike.

Në verën e vitit 1993 punoja si banakier në një lokal në sheshin Omonia të Athinës. Një kamarier grek, Kristo, nuk i pëlqente emigrantët shqiptarë. Arsyeja e tij ishte e thjeshtë, se shqiptarët i kujtonin vitet kur emigrantët grekë largoheshin të varfër e në nevojë jashtë vendit.

Çdo të dielë në lokal vinin shqiptarë, kryesisht nga zonat e Delvinës. Takoheshin, hanin, pinin dhe në fund paguanin me korrektësi, duke lënë shpesh edhe bakshish të mirë. Një ditë erdhi një çift gjerman. Pasi hëngrën ushqimin e mirëseardhjes, nuk porositën asgjë tjetër dhe kërkuan vetëm të pushonin pak minuta. Kristo u zemërua dhe u kërkoi të largoheshin. Më pas erdhi tek unë dhe më tha:- “Nga sot e tutje nuk do t’i urrej më shqiptarët. Mund të jenë të varfër, por kanë zemër të madhe, edukatë dhe respekt.”

Një vit më vonë, kur po regjistrohesha në konvikt, pashë një studente greke që debatonte me administratën për të mos paguar tarifën. Kur erdhi radha ime, lashë paratë në sportel pa bërë asnjë diskutim. Punonjësja pa dokumentet dhe më tha se, si fëmijë i adaptuar nga pensionistë grek, kualifikohesha për përjashtim nga pagesa. I shpjegova se punoja dhe nuk doja të krijoja probleme. Ajo buzëqeshi dhe më tha:- “Jo, ti nuk do të paguash asgjë. Më sill vetëm dokumentin përkatës nga komuna.”

Kur e falënderova, ajo më la një fjali që nuk e kam harruar kurrë:- “Unë vlerësoj më shumë sinqeritetin dhe dinjitetin e njeriut sesa vendin nga vjen.”

Këto dy episode më kanë mësuar diçka që shpesh harrohet. Nuk janë të varfrit ata që mungojnë në dinjitet, as të pasurit ata që janë gjithmonë korrektë. Ndershmëria, përgjegjshmëria dhe karakteri nuk varen nga pasaporta, kombësia apo llogaria bankare. Ato varen nga njeriu.
​
Sot, kur lexoj se mijëra ish-studentë nga vendet më të zhvilluara të botës kanë marrë kredi dhe nuk kanë kthyer asnjë qindarkë, më rikthehen në mendje ato dy ngjarje të Athinës së viteve ’90. Ato më mësuan se varfëria nuk është ves, as pasuria virtyt. Ka njerëz me xhepa bosh që ecin me kokën lart dhe ka të tjerë me diploma, karrierë e mirëqenie që nuk ndjejnë asnjë detyrim moral ndaj fjalës së dhënë. Në fund të fundit, dinjiteti nuk ka kombësi, nuk ka fe dhe nuk ka status shoqëror. Ai është pasuria më e madhe që mund të ketë një njeri.
0 Comments

Tre qytete, një jetë dhe një dashuri për Nju Jorkun

6/11/2026

0 Comments

 
Nëse ka një njeri me fat për mënyrën se si i ka kaluar etapat e jetës, ai jam unë. Jeta ime është ndarë mes tre prej qyteteve më të bekuara që kam njohur.

Kam lindur në Shkodër, qytetin e kulturës dhe të Rozafës legjendare, ku natyra ka dhuruar atë që pak vende në botë e gëzojnë, me dy lumenj madhështorë, Drinin dhe Bunën, liqenin që mban emrin e qytetit dhe afërsinë me Detin Adriatik.

Jam burrëruar në Athinë, djepin e demokracisë së lashtë, në tokën ku historia ruan ende gjurmët e heronjve shqiptarë arvanitas.

Ndërsa stacioni i tretë dhe më i rëndësishëm i jetës sime është Nju Jorku, qyteti që më dha mundësinë t’i kthej ëndrrat në realitet. Edhe pse jetoj këtu prej gati dy dekadash, nuk ndihem thjesht banor i këtij metropoli, por ndihem njujorkez. Madje kam përshtypjen sikur rrënjët e mia të largëta lidhen disi me këtë vend. Besoj se këtë ndjesi e përjeton kushdo që jeton magjinë e Nju Jorkut dhe mënyrën sesi ky qytet multietnik të afron, të përqafon dhe të bën pjesë të tij. Përtej shakasë, sa herë që dikush më pyet nga jam dhe dëgjon anglishten time jo të mirë, u them me humor se vij nga Teksasi, për shkak të aksentit tim. Zakonisht qeshin, por e vërteta është se pas kaq shumë vitesh në këtë qytet, ndihem më shumë njujorkez sesa i huaj, sado që ndonjëherë gjuha vazhdon të më tradhtojë.

Kur kisha vetëm nëntë vite në Nju Jork, pata një bisedë me një zotëri 97-vjeçar me origjinë holandeze (Dutch), familja e të cilit ishte ndër të parat që kishte mbërritur në këtë qytet shekuj më parë. Pasi më pyeti sa kohë kisha që jetoja këtu, më tha- “Ti tashmë je zyrtarisht një njujorkez.”

E falënderova për mirësjelljen, por i kërkova të ma shpjegonte pse mendonte kështu.

“Kjo është tradita e familjes sonë,”- më tha. “Ata që vijnë këtu, jetojnë, kontribuojnë dhe bashkëjetojnë me ne, duhet ta ndiejnë Nju Jorkun si shtëpinë e tyre.”

Ai ishte tifoz fanatik i Yankees në bejsboll dhe i Knicks në basketboll. “Nëse jeton në Bronx,” më tha duke qeshur, “nuk ka si të mos jesh me këto dy skuadra legjendare.”

Prandaj sot po ia dedikoj këtë shkrim New York Knicks, skuadrës që po i dhuron qytetit një nga sezonet më emocionuese të viteve të fundit.

Djemtë e Knicks po luajnë basketboll spektakolar. Në shumë momente të kujtojnë skuadrat legjendare të epokës së Michael Jordan, por në versionin e gjeneratës Z. Entuziazmi është aq i madh sa edhe Presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është shfaqur si një mbështetës i zjarrtë i skuadrës. Edhe pse prania e tij shpesh shoqërohet me reagime të ndryshme, askush nuk mund të mohojë peshën simbolike të një presidenti amerikan në një finale NBA dhe lidhjen e tij me qytetin që nuk fle kurrë.

Knicks janë shumë pranë titullit dhe gjithë qyteti jeton me ethet e suksesit. Vetëm një natë më parë përshkova me makinë Times Square dhe më deshën afro dy orë për të bërë rrugën nga 51st Street deri në 42nd Street përgjatë Seventh Avenue. Të gjitha rrugët që të çojnë drejt Madison Square Garden ishin të mbushura me tifozë.

Kishte vite që Nju Jorku nuk përjetonte një atmosferë të tillë sportive. Turmat janë të zakonshme në këtë qytet, sidomos gjatë Krishtlindjeve dhe ndërrimit të viteve, por festa sportive ka një magji tjetër. Asaj i bashkohen jo vetëm vendasit, por edhe turistët nga e gjithë bota, të cilët për disa ditë ndihen sikur janë vetë njujorkezë.

Kjo festë i kishte munguar qytetit dhe tani po bëhet realitet falë djelmoshave të Knicks, të udhëhequr nga Jalen Brunson. Ai është motori i skuadrës, lojtari që me depërtimet, pasimet dhe gjuajtjet nga distanca sjell energjinë që ndez ekipin.

Ajo që e bën këtë skuadër të veçantë është fakti se pothuajse çdo lojtar mund të godasë nga vija e trepikëshit. Kur vjen momenti për të vulosur fitoren, Knicks bombardojnë kundërshtarët me saktësi dhe vetëbesim.

Kështu ndodhi edhe në ndeshjen e katërt të finales, ku skuadra përmbysi rezultatin në minutat e fundit falë talentit, karakterit dhe qetësisë psikologjike në momentet vendimtare. Një fitore që e ktheu jo vetëm arenën në festë, por gjithë qytetin në një oqean emocionesh.

Sepse kur fiton New York Knicks, duket sikur fiton vetë Nju Jorku bashkë me vizitorët e saj e ardhur nga gjithë bota.
0 Comments

Nga Sazani te Trump: Si Shqipëria e vogël tërhoqi vëmendjen e botës

6/10/2026

0 Comments

 
Për herë të parë në jetën time, pothuajse çdo person i rëndësishëm që takoj në industrinë hollivudiane më pyet për Shqipërinë dhe për ishullin e Sazanit. Nuk flasim për njerëz të zakonshëm, por për personazhë që janë pjesë e industrisë më të madhe të argëtimit në botë.

Më parë ndodhte rrallë që dikush të dinte diçka për Shqipërinë. Sot është krejt ndryshe. Pasi bukuritë e vendit tonë janë promovuar nga mediat më të mëdha amerikane dhe ndërkombëtare, njerëzit afrohen për të mësuar më shumë rreth vendlindjes sime dhe zhvillimeve që po ndodhin atje.

Një nga temat që ka zgjuar më shumë interes është përfshirja e familjes së Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në projektet e lidhura me Sazanin. Pavarësisht debateve pro dhe kundër, fakti mbetet se kjo e ka kthyer Shqipërinë në një temë diskutimi ndërkombëtar.

Nëse duhet t’i vendoset një emër këtij transformimi të imazhit të Shqipërisë, ai është Edi Rama. Ai ka arritur që një vend i vogël, që shpesh krahasohet me një pikë në oqean përballë fuqive të mëdha, të tërheqë vëmendjen e botës. Shumë liderë do ta kishin zili aftësinë e tij për ta bërë Shqipërinë pjesë të diskutimeve globale.

Megjithatë, ekziston edhe ana tjetër e medaljes. Ndërsa jashtë vendit Shqipëria shihet gjithnjë e më shumë si një histori suksesi, brenda vendit shumë qytetarë vazhdojnë të jenë të zhgënjyer. Arsyeja kryesore është korrupsioni.

Korrupsioni ka qenë gangrena që për dekada ka dëmtuar zhvillimin e vendit dhe ka gërryer besimin e qytetarëve te politika. Shqiptarët nuk e shohin më atë si një problem të izoluar, por si një nga shkaqet kryesore që ka penguar përparimin e vendit.

Edi Rama erdhi në pushtet si simbol i shpresës për ndryshim dhe në shumë drejtime ndërtoi institucione më funksionale sesa ato që gjeti. Por sfida më e madhe mbeti lufta kundër korrupsionit, veçanërisht kur ai shfaqej brenda vetë qeverisë së tij. Nga Saimir Tahiri, Erion Veliaj deri tek Belinda Balluku, figura që dikur konsideroheshin reformatorë përfunduan të përballeshin me akuza dhe hetime që dëmtuan rëndë besimin publik.

Problemi nuk është vetëm puna e palodhur dhe ndërtimi i projekteve. Në një shtet demokratik kërkohet edhe integritet moral dhe pastërti figure. Kur këto mungojnë, çdo sukses tjetër vihet në pikëpyetje. Kjo është arsyeja pse shumë shqiptarë nuk e pranojnë argumentin se kryeministri nuk kishte dijeni për veprimet e vartësve të tij. Për ta, përgjegjësia politike nuk mund të shmanget kaq lehtë. Pikërisht këtu qëndron ndarja më e madhe mes perceptimit ndërkombëtar dhe atij vendas.

Debati mbi Sazanin dhe Zvërnecin ka bashkuar shumë prej kundërshtarëve të Ramës, jo vetëm për çështjet e pronësisë apo procedurave, por sepse për herë të parë në histori tema lidhet drejtpërdrejt me familjen e Presidentit të Shteteve të Bashkuara. Kur në histori përfshihet emri Trump, ngjarja fiton menjëherë jehonë globale.

CNN, ABC, CBS, FOX dhe shumë media të tjera e kanë kthyer Shqipërinë në një temë diskutimi. Dhe kjo, pavarësisht polemikave, ka sjellë një efekt të pamohueshëm, ku miliona njerëz kanë dëgjuar për Shqipërinë dhe kanë parë bukuritë e saj natyrore.

Nuk ka shumë rëndësi nëse vëmendja vjen nga lajme pozitive apo polemika. Ajo që ka rëndësi është se Shqipëria po njihet në çdo cep të botës. Sazani, dikur një ishull i harruar, sot diskutohet si një destinacion potencial i elitës ndërkombëtare.

Historia njeh raste të ngjashme. Greqia përfitoi jashtëzakonisht nga vëmendja ndërkombëtare që solli Aristotel Onassis nga martesa me vejushën e Shtëpisë së Bardhë, Zhaklin Kënedi dekada më parë. Sot, shumë shpresojnë se projekte të ngjashme mund të sjellin përfitime afatgjata edhe për Shqipërinë.

Sigurisht, çështjet ligjore dhe pronësore duhet të trajtohen nga drejtësia dhe institucionet shqiptare. Por përtej debateve politike, mbetet fakti se Shqipëria po fiton një vend gjithnjë e më të rëndësishëm në hartën turistike të botës.

Dhe nëse një ditë brigjet e Jugut shqiptar do të përmenden krah destinacioneve më të njohura mesdhetare, atëherë brezat e ardhshëm do të kujtojnë se ky ishte momenti kur Shqipëria doli përfundimisht nga hija dhe u bë pjesë e vëmendjes globale.
​
Ndoshta jo rastësisht, gjithnjë e më shpesh ajo po quhet “Maldivet e Europës”.
0 Comments

Emigrantët, shteti dhe Shqipëria që kemi humbur

6/7/2026

0 Comments

 
Në karrierën time 10-vjeçare në Greqi, kam qenë i rrethuar nga shumë miq dhe bashkëpunëtorë nga fusha të ndryshme të jetës. Sot, fatkeqësisht, kjo nuk qëndron më.

Ndër njerëzit me të cilët kam pasur komunikimin dhe bashkëpunimin më të ngushtë kanë qenë ambasadorët shqiptarë në Greqi të asaj kohe, Kristo Robo, Bashkim Zeneli dhe Vili Minarolli. Me secilin prej tyre ruaj kujtime të bukura, jo vetëm si gazetar, por edhe si emigrant shqiptar. Ata gjendeshin pranë komunitetit në çdo problem dhe e kuptonin peshën e përgjegjësisë që mbartte përfaqësimi i një vendi, një e treta e popullsisë së të cilit jetonte në shtetin fqinj.

Më kujtohet kur ambasadori Bashkim Zeneli mori detyrën. Ai na mblodhi të gjithëve dhe na tha:- “Kjo ambasadë është edhe zyra juaj. Dyert do t’i keni gjithmonë të hapura, sepse misioni juaj është fisnik, pena juaj sjell zërin dhe problemet e emigrantëve.” Këto nuk mbetën thjesht fjalë. Ai u gjend pranë emigrantëve shqiptarë sa herë që u shkeleshin të drejtat, por edhe në momentet e suksesit të tyre.

E njëjta frymë vazhdoi edhe me ambasadorin Vili Minarolli, prania e të cilit ndihej kudo ku kishte nevojë komuniteti shqiptar. Dua të veçoj një rast që tregon humanizmin e tij të jashtëzakonshëm.

Një bashkëmoshatare e tim eti u përball me një tragjedi familjare. Djali i saj, pas një aksidenti me motor, kishte qëndruar mbi një vit në koma në një spital të Athinës. Kur mjekët humbën çdo shpresë dhe vendosën të ndërprisnin aparaturat, e vetmja zgjidhje ishte transportimi i tij në Shqipëri me mjete të specializuara mjekësore.

Në mesnatë telefonova ambasadorin Minarolli. Që nga ai moment ai nuk reshti së ndjekuri çështjen. Ndërsa procedurat burokratike zakonisht zgjasin me javë, në këtë rast gjithçka u realizua brenda vetëm 12 orësh. Trupi i të riut u transportua në Shkodër dhe familja e tij mundi ta kishte pranë në momentet më të vështira. Humanizëm i tillë tek njerëzit e pushtetit është shumë i rrallë në ditët e sotme.

Sot, ambasadorët dhe shumë funksionarë të tjerë nuk i njeh pothuajse askush. Ata janë mbyllur në zyrat e tyre dhe kanë humbur kontaktin jo vetëm me qytetarët e thjeshtë, por edhe me median. Duket sikur nuk kanë asnjë agjendë përveç ruajtjes së pozicioneve të tyre, të siguruara nga mbështetja politike.

Një pjesë e madhe e pushtetit mbrohet nga oligarkët. Ata janë kthyer në një nga problemet më të mëdha të vendit, sepse ndikojnë në emërime dhe sigurojnë mbrojtje për abuzimet e pushtetit. Edhe kur institucionet e drejtësisë paraqiten si të pavarura dhe profesionale në luftën kundër korrupsionit, shumë qytetarë ndiejnë se kur bëhet fjalë për interesat e mëdha ekonomike, rezultatet janë të pakta.

Këtu qëndron edhe thelbi i problemit. Përmes lidhjeve me politikën, oligarkët jo vetëm mbrojnë interesat e tyre, por sigurojnë pasuri dhe privilegje që zgjasin për breza të tërë. Përfitimet janë të jashtëzakonshme dhe ndikimi i tyre në jetën publike bëhet gjithnjë e më i madh.
​
Ky është sistemi që është ngritur në Shqipëri sot. Dhe shumë njerëz besojnë se vetëm një reagim i fuqishëm qytetar mund të sjellë ndryshim, atëherë kur durimi i popullit të ketë arritur kufijtë e tij.
0 Comments

    Author

    ​Welcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema.
    Happy reading! 

    Archives

    August 2026
    July 2026
    June 2026
    May 2026
    April 2026
    March 2026
    February 2026
    January 2026
    December 2025
    November 2025
    October 2025
    September 2025
    August 2025
    July 2025
    June 2025
    May 2025
    March 2025
    February 2025
    January 2025
    December 2024
    November 2024
    October 2024
    September 2024
    August 2024
    July 2024
    May 2024
    January 2024

    Categories

    All

    RSS Feed


  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact