Tani që më bleu armët unë do të jem "kumbara" e tij. Vetëm kështu mund të kuptohet reagimi i Presidentit Makron në takimin me Vuçiç pa i hyrë thellë qëllimit të vërtetë të këtij të fundit që mund të rezultojë më i rrezikshëm jo vetëm për Francën por edhe për situatën e brishtë të vetë Europës.
Shitja me 2.7 miliardë e avionëve luftarakë "Rafale" Serbisë më shumë se fërkim duarsh për francezët është një pikëpyetje e madhe që këtë e di vetëm Vuçiç me aleatët e tij strategjik kur bëhet fjalë për plane të fshehta ndaj Kosovës. Së pari aeroplanët franceze drejt Serbisë për çfarë nevojiten kur dihet se nuk ka asnjë rrezik serioz apo ndonjë kërcënim nga fqinjët përreth përveç se i duhen për të mbajtur gjallë shpresën e kotë se Kosova është pjesë e saj. Pra avionët e blera përveç se me sulmu Kosovën nuk kanë se i duhen Serbisë. Kjo është më e besueshmja dhe llogjika e vetme në lidhje me situatën që gjendet sot rajoni. Por nëse konflikti në Ukrainë shumë shpejt mund të shtrihet më gjerë duke prekur shtetet përreth dhe Rusia ka kërcënuar drejtpërdrejtë Europën atëherë ka shumë gjasa që këto armë të vihen në shërbim të saj për të sulmuar NATO-n që përkthehet si një bumerang për vetë Francën. Nuk e di saktësisht se çfarë përfshin marrëveshja e kësaj shitjeje, por jam i sigurt që një nga pikat është që këto aeroplanë të mos përfshihen kundra NATO apo brenda territoreve të saj për të sulmuar anëtarët e saj. E kuptoj shumë mirë flirtin që ka Makroni për Serbët që vjen nga një lidhje e hershme që me Bobapartët e Krajlicët, por në ditët e sotme politika globale ka ndryshuar dhe nuk i ruan më këto lidhje shpirtërore në mes kombeve. Të gjithë e dimë se nëse flasim për marrëveshje të rëndësishme për të mbrojtur paqen në rajon të parët ata që i thyen këto marrëveshje ishin Serbia e Millosheviçit me Marrëveshjen e Rambujes e cila solli genocidin në Kosovë. Një negocim me ndërmjetësimin e parardhësve të presidentit Makron por që nuk u zbatua nga anëtari i kabinetit të Millosheviç, Aleksandër Vuçiç por përkundrazi u sulën në mënyrën më shnjerëzore ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës ku pasojat tashmë dihen. Pra ky është një fakt për ti treguar Makronit se armët ja ke shitur një besëpremi, që një ditë nuk do të kursehet as ndaj teje dhe gjithë europës se bashkuar vetëm për realizuar megalomaninë e tyre të trashëguar nga babai i tij shpirtëror Millosheviç. Një anë tjetër për të bindur Makron sesa besëpremë që janë është marrëveshja e vitit 1994 ndërmjet Rusisë e Ukrainës për ç'aktivizimin e armëve bërthamore të cilën Ukrina e zbatoi me sukses e ndërsa Rusia e Putinit pas tre dekadave ja "shpërbleu" me gërmadha e varre duke sjellë një destabilizim të sigurise për gjithë Europën me kosto qindra miliarda dollarësh. Pra nëse shihet kjo e fundit 2.7 miliardët e tanishme për Francën mund ti kushtojnë sa dhjetëfishi i tyrë nëse përshkallëzohet situata e tanishme në një luftë më të gjerë globale.
0 Comments
Sot me 28 gusht mbushën plot 19 vjet që Mama Vangjeloja nuk jeton më. Ishte një nënë greke për nga etnia por në realitet kush e ka njohur ajo ishte nëna e shqiptarëve që falte gjithëmonë dashuri e respekt. E njoha në momentin më të vështirë të jetës sime, të atyre momentëve ku cdo shqiptar përplasej me dallgët e jetës për të fituar identitetin e tyrë të nëpërkëmbur për faj të një regjimi totalitar që përvecse na shtypi, na nxori në betejën e jetës pa asnjë gjë në trup. Ishte ai momenti ku qeveria greke nëpërmjet policisë së saj sapo kishte nisur "Operacionin Fshesa" me vendime hakmarrëse duke bërë diskriminimin më të madh çnjerëzor të historisë së saj moderne kundra shqiptarëve. Pikërisht në këtë moment më gjendet një super nënë që më mori dhe më strehoi duke më dhënë gjithcka nga shpirti i saj, për ti mbijetuar asaj farse të asaj kohë që qeveria kishte ndërmarrë në përzënjën pa dokumenta vetëm se ishim shqiptarë.. Mama,Evangjelo, nje nënë e paharrueshme qe me ngrohtësinë e saj më dha gjithcka, përtej birësimit. Pa atë jeta ime ne Greqi, do të ishte ndryshe, mund të kishte edhe rrjedhë tjetër, por falë afrimit të dorës së saj unë gjeta cdo gjë, ngrohtësinë e dashurinë e një nënë, të cilën megjithese e kisha lënë në vendin tim, ajo u gjend edhe në emigracion tek një nënë tjetër qe mbi të gjitha, mbarte dashurinë njerëzore, përtej kufinjve, pa dallim ngjyrë dhe identiteti. Në saj të kësaj nënë të mrekullueshme unë gjeta identitetin tim personal, një identitet i munguar tek të gjithë ne shqiptarët dhe që na kishte humbur për shumë vite në rrugëtimin e gjatë të emigrimit. Në sajë të investimit modest të kësaj nënë ,unë vazhdova studimet e larta, pra me pak fjalë, fitova formimin arsimor duke hyrë në rrugën e jetës profesionale, të karrierës në gazetari . Kane kaluar 19 vjet që e shtrenjta ime, mama Evangjelo nuk jeton më fizikisht, por jeton shpirtërisht gjithmonë në zemrën time. Jeton dashuria e saj, buzëqeshja e ëmbël e saj. Çdo fundjavë në fshatin e saj arkeologjik te Platees së Thives ajo ishte shumë mikpritëse dhe derën e mbante hapur për gjithë shoqërinë time, gjatë viteve studentore dhe të punës. Dhe kur merrte vesh se shoqëria ime kishte edhe shqiptarë ajo bëhej akoma më lumtur. I donte shumë shqiptarët por edhe i mbronte si një qytetarë e denjë grekë që u del për zot fqinjëve në kohët më të vështira të tyre. Ajo e kishte mësuar nga i ati i saj se në çdo kohë shqiptarët në momentet më të vështitëra ju hapën dyert grekëve dhe ua hoqën kafshatën e fëmijëve për tua dhënë fqinjëve . Madje një herë ajo u përplas në një rajon të policisë për të mbrojtur disa shqiptarë që ishin kapur nga operacioni famëkeq, dhe që keqtrajtoheshin në birucat e tyre. Sapo shefi i Rajonit mësoi së ishte e bija e një nga heronjve të forcës së vetme çlirimtare partizane greke, EKAM kundra Nazo-fashizmit ai u përul në shenjë respekti dhe e vlerësoj përpjekjen saj për të liruar shqiptarët klandestin. Në një moment shefi i policisë më mori në një anë e më tha: Më foli nëna për ty, por edhe ti je me shumë fat që të ka birësuar kjo nënë sepse soji i tyre japin shpirtin për njerëzit në nevojë dhe kurrë nuk i lënë në baltë. Prandaj kjo nënë e rrallë e meritonte vlerësimin më maksimal për tja shpërblyer gjithë sakrificën e saj deri në frymën e fundit. Ishte një nënë që vlente më shumë se pasuria. Atë pasuri që ajo ma la amanet qe s'duhet ta gëzojnë të afërmit e saj që së deshën kurrë vetëm e vetëm se dashuria e saj njerëzore kishte kaluar kufijtë, e kishte prekur një identitet tjetër...Që pas vdekjes së saj këta "të afërm" kerkojne me ngulmim të gjithë pasurinë që la kjo nënë e dashur. Por besoj se drejtesia greke një ditë do të dijë të vlerësojë të drejtën, dhe amanetin e nënë Evangjelose që pasurine e saj, të mos e gëzojnë ata që e urryen sa qe gjallë sado që shtiren me plot hipokrizi. Vajtja ime parë pas 15 vitesh në Greqi kishte si destinacion vendin ku prehet Mama Evangjeloja, për ta kujtuar gjithmonë si njeriun me shpirt të mirë që kam njohur në jetën time. Tani ajo prehet e qetë pas kaq vitesh, pasi shqiptarët kanë ndryshuar që atëherë, dhe jo vetëm kanë gjetur identitetin e tyre por falë ekzistencës së tyre Greqia dhe Europa e plakur po ripërtërihet. Mama Evangjeloja prehet e qetë se tani shqiptarët nuk janë më si ajo "delja e zezë" të përbuzur, por falë punës së tyre shumëvjeçare sot ata janë intelektuale, biznesmenë, mjekë, profesorë, akademikë, pra forca më kryesore integruese në zhvillimin e Europës. Ajo prehet e qetë edhe për Shqipërinë e pas demokracisë që e vizitoi disa herë dhe e gjeti më të lodhur se kurrë, por tani pas kaq vitesh ajo dita ditës po ndryshon falë politikave zhvilluese të vendit për të gjetur edhe ajo identitetin e saj që i takon pranë familjes së madhe europiane.
Ngjarjet e rënda të javës që lamë pas për çeshtje morali nuk kishte sesi të mos të ishin më tronditëset për opinionin publik sepse janë krime që vrasin jo vetëm jetë njerëzish por shkatërrojnë edhe e familjet e tyre. Një lexues më shkruan se çfarë mendimi ke për krimet për çeshtje morali meqenëse jeton në ShBA. I shkruajta se e kam studiuar lëndën e psikologjisë në Universitetin e Athinës por nuk e ushtrojë këtë profesion për të dhenë mendime psikologu. Por për të folur për ketë fenomen duhet gjithësecili të flasë e të protestojë sepse është një plagë e madhe e shoqërisë sidomos për Shqipërinë në tranzicion. Është një fenomen që fillon me karakterin e gjithësecilit por mbi të gjitha tek gjendja ekonomike në familje. Sa i përket krimit të fundit të qëllimit mbi gjashtë herë mbi të dyshuarin për të dashur të gruas, nuk besoj se kjo ishte për çeshtje ekonomike.
Sipas kronikës, si bashkëshortja që e kishte tradhtuar vetëm një herë(si një herë si shumë herë është tradhëti) si dhe bashkëshorti që të dy ishin të punësuar dhe madje me punë të mira. Por zanafilla e kësaj lidhje jashtëmartesore mund të jetë për shkaqe të tjera që ne nuk i dimë akoma. Por ajo që na shqetëson më shumë është fakti se kjo lidhje jashtëmartesore e ka zanafillën në ambientin e punës, dhe aq më e rëndë në sektorin e shërbimit publik (ERE). Meqenëse kjo lidhje ka nisur në vendin e punës, pikërisht për këtë dua ti përgjigjem lexuesit se çfarë pasojash ka kur ndodh një gjë e tillë në ambientet punës sime në industrinë e e filmit hollivudian. Me cdo casting dhe çdo projekt ne firmosim një kontratë me produksionet e studiove të mëdha ku gjëja me kryesore është zbatimi i rregullave kundra abuzimit seksual (sexual harassment). Kam 10 vjet në këtë industri dhe kur nisem në punë së pari unë vë moralin tim pastaj zbatoj rregullat strikte që ka vënë industria për të mbrojt cilindo aktor nga këto fenomene. Dhe falë Zotit me mendjen në kokë(pa ja dhënë komandën organeve) gjatë gjithë këtyre viteve kam qenë i përpiktë sado që filmi të tundon me lëmin bukurisë femërore që ka sheshxhirimi. Por asnjëherë nuk jam provokuar sepse siç thashë së pari duhet të jesh vetë njeri me moral pastaj është vendi i punës që na i ka imponuar këtë, se në karrierë është e vetmja rrugë ku morali duhet të i pastër. I pamoralshëm e i komanduar nga hormonet nuk ka vend në industrinë filmit dhe besoj edhe në çdo sektor tjetër pune. Edhe ato pak raste që u zbardhen gjatë lëvizjes "Me too" dhe që tronditën industrinë e filmit sado që ishin personalitete me peshë gjykata amerikanë i shpalli fajtorë duke ju dhënë dënimet e merituara dhe më ekstreme për ti bërë si shembull që të mos përsëritet. Pra çdo gjë është në dorën tonë për të zgjedhur në mes të mirës dhe të keqës që kjo e fundit dihet që ka shumë pasoja. Me pak fjalë në Shqipëri problemi më i madh është sektori i punës dhe akoma më i rëndë në sektorin publik që gjithë këto ditë nuk pashë asnjë reagim prej tyre, të paktën për të dënuar marrëdhenjën jashtëmartesore të dy kolegëve në vendin e punës e cila solli edhe këtë krim të rëndë. Nuk jam në dijeni nëse kanë ndonjë rregullore të punës, por ky fenomen duhet të ishte në pikën e parë të kodit të punës, dhe çdo shkelje duhet të jetë me vendim administrativ të largimit të menjëhershëm nga puna, pastaj për të tjerat merret drejtësia. Dhe në këtë rast asnjë reagim nga ERE që edhe ajo ka një pjesë të përgjegjësisë që ka mbajtur në punë një inxhinier që sipas policit e shantazhonte si dhe bashkëshorten që e tradhëtonte. Të dyja këto janë produkte të shkelje të rregullores së punës dhe drejtuesit e Entit Rregullator të Energjisë duhet të kishin marrë masat që herët që të mos vijonte pasoja të rënda si në jetë njeriu dhe në familje. Që të tre personazhet e ngjarjes janë pjesë e një krimi, sado që barra bie mbi policin që shkrepi armën dhe që mund ta menjanonte plagosjen me dëme trupore me forma të tjera së pari tek sektori i punës së bashkëshortes të denoncimit të marrëdhënies me viktimën e tij, si dhe në organet e policsë aty ku edhe ai vetë ishte pjesë e efektivit të tyre. Pra asnjë nga këto të dyja nuk kishin ndodhur që të shmangej e gjithë kjo histori vrasëse për moral. Këtu është ajo që në Shqipëri akoma ekziston vetëgjyqësia duke shpërfillur organet kompetente sepse shteti akoma nuk punon për ta edukuar shoqërinë tek çështja e moralit. Por ja ka lënë gjërat në dorë vetë shoqërisë që nuk dijnë të dallojnë se cilët janë më hamshorët, ku hormonet u kanë paralizuar edhe logjikën mendore. Dhe disa në mes nesh akoma nuk e kanë kuptuar se sado të biesh preh e provokimeve, familja është gjëja më e shtrenjtë për shqiptarët dhe nuk preket por vetëm respektohet. Duke parë dy video virale të dy sportistëve serb me famë botërore dhe një deklaratë e fundit Departamentit të shtetit që vlerëson Serbinë nuk ka sesi të mos ndjesh një shqetësim në vetvete . Se thua, cfarë dreqin po ndodh rreth nesh. Le ta kuptojmë së pari me dy videot e ndjekur me shume vemendje ,është sikur themi një foto sa njëmijë fjalë, kështu ka të ngjarë edhe me keto dy publikimet në rrjetet sociale serbe me dy yjet e saj, tenistin Xhokoviç e yllin e NBA Xhokiç. Në videot e publikuara shihen qarte dy sportistët serbe duke kënduar këngë që mallkojnë Amerikën( Prokleta je Amerika), dhe tjetra që flet për kufinjte e Serbisë së madhe pa u ndarë kurrë nga iluzionet se Kosova është zemra e tyre. Nuk është se më bëri shumë përshtypje se këndoi Xhokoviç se këtë e ka bërë që në fillim të karrierës së tij me deklaratat e famshme ndaj Kosovës, duke ngatërruar politikën me sportin ku edhe është penalizuar nga fedarata e Tenisit. Por tani duke shfrytëzuar edhe famën e tyre me plot suksese ky antishqiptaro-amerikanizëm tashmë eshtë kthyer në një frymë për Serbët.
Pra është rikthyer më fort se kurrë ndjenja nacionaliste se Kosova duhet kthyer aty ku ishte, pa marrë parasysh genocidin ndaj shqiptarëve . Dhe për këtë serbet kanë punuar kaq shumë vite në dy dekadat e fundit saqë shqiptarët i kanë gjetur në "gjumë" duke u "masakruar " me njëri-tjetrin, dhe vetë janë ringritur duke shfrytëzuar famën e dy yjeve të rangut botëror dhe politikën djallëzore të Vuçiçit e cili në thelb ka mbetur trashëgimtari më besnik i Millosheviçit. Madje anëtari i tij i kabinetit Vulin është i vetëshpallur si një antiamerikan dhe një filorus i thekur me vizita të herëpashershme . Nëse flasim për fillimet e pasluftës ku çdo gjë ishte në favor të shqiptarëve të Kosovës dhe serbët përpiqeshin të ndaheshin me regjimin Millosheviçian duke ja faturuar turpin parardhësit, tani pas 20 viteve e gjithë kjo histori është kthyer në favor të serbëve. Pra po të vini re serbët po na dalin viktima dhe kosovarët e UÇK që luftuan për të mbrojtur popullin e atdheun e tyre pa na dalin si vrasës. Ndërkohë që në gjygjin e Hagës duhet të ishte nën akuza më bindëse anëtari i kabinetit të Millosheviç për vendimet e urdhrave të shefit të tyre, sesa liderët e UÇK që udhëhoqën një luftë çlirimtare nga një zgjedhë shekullore . E gjithë kjo maskaradë i dedikohet aftësisë së palës serbe që me diplomacinë e tyre të djallëzuar kanë arritur deri diku të kompromentojnë ndërkombëtarët se shqiptarët janë fajtorët në këtë histori dhe se vetë po luftojnë drejt aspiratave europiane. Dhe po ta marrësh nga njëra anë ata po bëjnë lojën e tyrë duke shfrytëzuar të gjitha mjetet e propagandës aq më tepër me anë të dy sportistët yje të rangut botëror, që kanë influencë të madhe jo vetëm në sport por edhe në politikë. Tani pyetja është se cfarë bëjmë ne shqiptarët që më sa duket më shumë po "luftojmë" ndaj njëri-tjetrit, në mes vedit për çeshtje të brendshme sesa po jemi vigjilent ndaj asaj se cfarë po bëjnë serbët kundra nesh në propagandën ndërkombëtare. Ne nuk e kemi kuptuar akoma që nga momenti që serbët nuk kanë kërkuar akoma falje për cfarë kanë bërë ndaj shqiptarëve, kauza e jonë për ta mbrojtur Kosovën është gjithmonë në rrezik dhe vetëm sa vjen e zbehet tek brezat. Nuk mund të ketë paqe me gjaksin nëse ai nuk vjen vetë me ta shtri dorën. Edhe me kanunet tona nuk ka ndodhur kurrë që viktima kërkon me ja shtri dorën gjaksit më përpara. Por është këmbngulja e gjaksit që me ndërmjetësimin e negociatorëve kerkojnë për tu ulur dhe gjetur pajtimin, por gjithnjë si fajtor. Këtë Serbia nuk e ka bërë kurrë sepse nuk e njeh vetën fajtor sado që përpiqen të fshehin historinë, atë histori të turpit të larë me gjakun e mijëra shqiptarëve. Që atëherë kanë kaluar mbi dy dekada dhe një brez i ri që nuk e ka përjetuar luftën nën ndikimin e vazhdueshëm të propagandës serbe po ju mësohet se në atë histori të shëmtuar të larë me gjak nga baballarëve e tyre e drejta e historisë ishte në kahun e tyrë, pra po ju interpretohet një shtrembërim i të vertetës historike. Shqiptarët nuk kanë bërë asnjë gjë për këtë që brezat të jenë vazhdimisht në dijeni ndaj asaj se cfarë ka ndodhur nga dora vrastare e regjimit Millosheviçian dhe pasardhësve të tij që vazhdojnë të jenë në pushtet. Kemi shpenzuar miliona dollarë për evente e koncerte të ndryshme, ndërsa për të mbajtur gjallë në memorie luftën historike të Kosovës shumë pak është bërë. Ku janë organizmet e përvitshme me sfond ndërkombëtare që nisin me pelegrinazhet që nga masakrat e Reshakut dhe Drenicës dhe me festivale, simpoziume, kumtesa të historianëve dhe dëshmitarëve për të kujtuar historinë dhe mbajtur vazhdimisht të gjallë tek brezat se përndryshe cdo gjë harrohet. Si do ta dijnë të vertetën brezat po nuk jua kujtuam historinë. Ndërsa serbët po e shfrytëzojnë nëpërmjet sportit me ambasadorët e tyre edhe ne duhet ta bëjmë nëpërmjet këngëtarëve tona ambasadore, yje të muzikës botërorë me gjithë influencën që kanë në rang botëror. Të gjithë e dinë se historia është në kahun e shqiptarëve falë Amerikës e cila gjithmonë ka mbrojtur interesat tona. Por tani në momentet më delikate ashtu si rrjedhin ngjarjet Amerika më shumë duhet dëgjuar se sa refuzuar siç po bën tani qeveria e Kosovës. Në deklaratën e fundit të DASH për Serbinë thotë- “forcimin e partneritetit strategjik mes dy shteteve tona, teksa Serbia ndërton të ardhme të sigurt dhe prosperuese në Evropë që është e paprekshme nga shantazhi politik dhe ekonomik i Rusisë”. Tani në cilat prova bazohet SHBA për të ardhmen e sigurt dhe prosperuese të serbëve drejt Evropës nuk e dimë, por ajo që dijmë është se serbët nuk janë ndarë akoma nga megalomania e tyre kundrejt fqinjëve. Nëse e kishte fjalën për strategjitë e tyre ekonomike me serbët ketu do shumë kujdes. Duke ditur se Serbia po luan në shumë tablo sidomos në marrëdhëniet ekonomike ku disa shtete të mëdha kanë interesa të mëdha në shfrytëzimin e resurseve minerale të saj, siq janë aleatët historikë Rusia e Kina, por edhe shtetet perëndimore kanë të njëjtin qëllim por me shumë rezerva. Duke e pësuar me luftën e Ukrainës ku gazi rus i dha një mësim të mirë si Britanisë dhe Gjermanisë, tani ata janë më të rezervuar për të mbyllur marrëveshje afatgjatë strategjike me Serbinë, përderisa nuk ndahet një e herë e përgjithmonë nga mëma e saj Rusia. Përndryshe çdo marrëveshje fitimprurëse të tanishme nëse në një të ardhme do të ketë përshkallëzim të situatës me anë të luftës atëherë mund të rezultojë si një sahat me bombë. Përendimi nuk don ta pësojë më ashtu siç e pësoi me Rusinë që të gjithë marrëveshjet strategjike në ekonomi të kryera nën bashkëpunimin e dinakerisë së Putinit me luftën e Ukrainës rezultuan si një bombë me sahat, që ju kushtoi me dhjetëra miliarda dollarë. Tani u duhet vetëm shprehja e famshme se "Ujku qimen e ndërron por zakonin nuk e harron". Dhe këtë zakon duhet ta dinë mirë që Serbia nuk ka për ta harruar edhe për disa breza. Këtë po e tregon qartë fryma e re e urrejtjes ndaj amerikano-shqiptareve në këngët virale nën shoqërimin e yjeve serb të sportit. Prandaj duhet KUJDES! |
AuthorWelcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema. Archives
November 2024
Categories |