|
Pas më shumë se tre vjetësh lufte të përgjakshme, Ukraina vazhdon të qëndrojë heroikisht përballë agresionit rus. Çdo ditë, populli ukrainas mbron jo vetëm tokën e vet, por edhe parimet e sovranitetit dhe lirisë që janë themel i rendit ndërkombëtar. Por pavarësisht sakrificave, fati i kësaj lufte nuk do të vendoset vetëm në fushën e betejës, por ai do të përcaktohet në zyrat e Uashingtonit.
Nëse Shtetet e Bashkuara, nën ndikimin ose drejtimin e Donald Trump, vendosin të mbështesin fuqishëm Ukrainën me armatim modern, si raketat me rreze të gjatë Tomahawk, balanca e fuqisë do të ndryshojë rrënjësisht. Rusia, e cila prej fillimit e justifikoi pushtimin si “operacion special”, e ka zbuluar tashmë fytyrën e vërtetë imperialiste me synimin për të marrë Donbasin dhe territore të tjera jugore. Tashmë nuk bëhet fjalë për sigurinë e popullsisë ruse, por për rindërtimin e ndikimit perandorak. Uashingtoni është sot pika më e rëndësishme e këtij ekuacioni. Trump, pavarësisht se shpesh është parë me skepticizëm për qëndrimet e tij ndaj Kremlinit, e ka kuptuar se Putini nuk është partner kompromisi, por një udhëheqës që nuk ndalon pa fitore. Një mbështetje e plotë amerikane do të sillte një kthesë historike, jo vetëm për Ukrainën, por për gjithë rendin e sigurisë europiane. Tre janë faktorët që mbajnë sot Rusinë e Putinit. Shitjet e energjisë, mbështetja e heshtur e Kinës dhe Indisë, dhe propaganda e brendshme që ushqen ndjenjën e “rrethimit” nga Perëndimi. Nëse SHBA-ja, me ndihmën e aleatëve, arrin të bindë Pekinin dhe Nju Delhin të kufizojnë importet e gazit dhe naftës ruse, goditja ekonomike ndaj Kremlinit do të ishte e menjëhershme. Sanksionet e ashpra dhe izolimi financiar do të minonin aftësinë e Rusisë për të financuar luftën, duke e çuar vendin drejt një krize të re të brendshme. Pra, një kombinim i sanksioneve të reja, në izolimin financiar dhe mungesës së tregjeve të mëdha do ta vërë Kremlinin përballë krizës më të thellë që nga rënia e Bashkimit Sovjetik. Ndërkohë, Europa është përpjekur të gjejë një zgjidhje diplomatike, por çdo përpjekje është përplasur me arrogancën e Kremlinit. Pra agresiviteti i Putinit ka shuar çdo iniciativë. Shtetet kufitare me Rusinë e Bjellorusinë janë detyruar të forcojnë armatimin dhe praninë ushtarake në kufi, duke reflektuar frikën e një ekspansioni të ri rus. Kjo situatë e vazhdueshme tensioni ka rritur ndjeshëm ndjenjën se vetëm një ndryshim i qëndrimit amerikan mund ta përshpejtojë përfundimin e luftës. Pra, Europa pret një sinjal të qartë nga Uashingtoni, dhe sidomos nga Presidenti Trump për të përcaktuar se në cilin drejtim do të ecë aleanca perëndimore. Trump e ka treguar se di të përdorë diplomacinë në mënyrë pragmatike, siç ndodhi me armëpushimin mes Izraelit dhe Hamasit. Ai arriti ta bindte Benjamin Netanjahun për ndaljen e operacioneve dhe të ulte palët në tryezë, duke treguar se një strategji e drejtpërdrejtë dhe e fortë mund të japë rezultat. Nëse Donald Trump e mban fjalën për ta mbështetur Zelenskyn me armë strategjike dhe presion ekonomik ndaj aleatëve të Rusisë, atëherë fundi i “Carit të Kremlinit” nuk do të jetë më një pyetje nëse, por kur. Kjo nuk është vetëm një betejë për Ukrainën, por për parimin e sovranitetit dhe të drejtës së popujve për të jetuar të lirë. Dhe në këtë betejë, historia do të mbajë mend se kush zgjodhi të qëndrojë në anën e lirisë.
0 Comments
Ka një arsye pse gjithmonë e them me krenari se jam me fat që punoj në industrinë më të famshme dhe më të veçantë të botës, në industrinë e filmit Amerikan. Një univers ku çdo ditë është ndryshe, ku realiteti shpesh përthyhet në skena të krijuara me mjeshtëri dhe ku paraja apo fama, ndonëse të pranishme, nuk janë asgjë përballë fuqisë së tregimit dhe vlerave që kjo industri mban mbi supe.
Prej 11 vitesh kam qenë pjesë e shumë projekteve filmike në vende të ndryshme të Shteteve të Bashkuara, por përjetimi që pata këtë javë ka qenë padyshim më i veçanti. Mora pjesë në xhirimet e një komedie epike ku luan Robert De Niro, një nga figurat më ikonike të kinemasë botërore, në një skenë që imitonte ditëlindjen e 80-të të personazhit të tij, Jack, ndonëse vetë De Niro në të vërtetë sapo kishte lënë pas 82 vite jetë dhe karrierë të lavdishme. Xhirimet u zhvilluan në një nga ambientet më piktoreske, përrallore të Long Island-it. I gjithë vendi ishte shndërruar në një festë të madhe ku dallohej një banket madhështor, muzikë live me këngët klasike të Frank Sinatrës, dekore të realizuara deri në detajin më të vogël. Pra ishte një atmosferë që nuk kishte asgjë për t’i pasur zili një feste të vërtetë. E gjithë ky organizim magjik i dedikohej “Jack-ut”, personazhit të De Niros, që në tre sagat e filmit sjell humor dhe batuta të paharrueshme. Unë dhe kolegë të tjerë luanim të ftuarit e Jack-ut, miq të afërt të familjes së tij që kishin ardhur për ta uruar në këtë përvjetor. Edhe pse festa zhvillohej vetëm në një ditë sipas skenarit, xhirimet zgjatën plot shtatë ditë intensive. Regjizori kërkonte këndvështrime të ndryshme, shumë dubla dhe një intensitet që zgjaste deri në 15 orë në ditë. Por lodhja zhdukej përballë asaj që përjetonim, një sheshxhirim me yje si De Niro, Ben Stiller, Owen Wilson, Ariana Grande, Blythe Danner dhe të tjerë. Pra të gjithë nën ombrellën e produksionit gjigant të Universal Pictures. Rreth 40 kamionë të mëdhenj transportonin çdo ditë pajisjet e nevojshme, duke e kthyer këtë projekt në një demonstrim të vërtetë të forcës dhe profesionalizmit që fshihet pas ekranit të madh. Skena ime ishte një nga hyrjet kryesore, momenti kur Jack përshëndet miqtë e tij dhe nisin vallëzimin në një pistë që nuk pushonte kurrë së lëvizuri, ndërsa ne me gota në dorë duhej të silleshim natyrshëm si pjesë e kësaj feste që në fakt ishte thjesht një film. Por përjetimi ishte më real se realiteti. Pranë këtyre ikonave, e ndjeje artin jo vetëm në performancë, por edhe në përulësinë e tyre, në mënyrën se si flisnin prapa skenave për jetën, familjen, kujtimet... si njerëz të zakonshëm. Ishte pikërisht kjo ndjesi që e bënte magjike atmosferën. Kush nuk do ta ëndërronte të ishte pjesë e një ditëlindjeje të tillë, qoftë edhe e trilluar, në nder të një prej legjendave të pakta të kinemasë epike si De Niro, Al Pacino, Joe Pesci, Dustin Hoffman e disa të tjerë? E gjithë kjo javë nën strehën e tendës , me tingujt e muzikës që nuk ndalej më kujtuan dasmat e fëmijërisë sime, ato që zgjasnin ditë të tëra me valle, këngë dhe festë të pandërprerë. Madje, më solli ndërmend edhe ato ngjarje të mëdha popullore të kohës së fëmijërisë sime, ku gjithë fshatrat me kooperativistët dhe qyteti me ndërmarrjet bashkë me studentët e shkollave të mesme e të larta bashkoheshin për përvjetorë të rëndësishëm si Lufta e Reçit apo e Vigut. Atëherë, entuziazmi popullor ishte i njëjtë, një përjetim kolektiv që lidhte njerëzit përmes kujtimeve, emocioneve dhe festës duke ua bërë më të lehtë vuatjen dhe skamjen që kishte prekur vendin për arsye të regjimit të totalitar. Java përfundoi me xhirimet e festës së “ditëlindjes” së De Niros, për t’i lënë vend një projekti tjetër në fundjave, të xhirimeve të një videoklipi të një prej këngëtarëve më të famshëm të Bachata dhe Latin pop, Romeo Santos. Këtë herë në xhirimete klipit, nuk do të isha më i ftuar në festë, por një polic i Nju Jorkut (NYPD) që arreston këngëtarin e njohur latin. Kjo është magjia e kinemasë, çdo ditë është një botë e re. Nëse më pyesni sot se çfarë është kinemaja për mua, do të thosha se është pikërisht kjo. Një festë që ngjan me jetën, por që e tejkalon atë. Një përjetim që fillon si skenar dhe përfundon si kujtim i paharrueshëm. Vendimi i fundit për konfiskimin e pasurive të një notereje të njohur në Tiranë na zbulon edhe një herë se krimi i organizuar nuk fshihet më pas perdeve të fshehta, por është ulur këmbëkryq në zemër të institucioneve të drejtësisë dhe shtetit. Jo vetëm që bota e krimit është bërë pjesë e përditshmërisë shqiptare, por tani ajo ekspozohet pa frikë, me arrogancë dhe luks të pakontrolluar në rrjete sociale, në rrugët e qyteteve, në klubet VIP dhe në sytë e të gjithëve, përfshirë edhe policinë.
Pyetja që shtrohet është e thjeshtë: Kur të gjithë i shohin, pse shteti nuk sheh? Luksi është flamur i krimit të organizuar. Nëse dikur krimi i organizuar në Europën Lindore si në rastin e Rumanisë ku bosët e krimit përdorin Lada të vjetra për të mos rënë në sy dhe me një profil të ulët, në Shqipëri ndodh e kundërta në luks të shfrenuar, makina 200 mijë euro, ora që kushtojnë sa një apartament, festa ekstravagante, vila që ngjajnë me pallate mbretërore. Dhe këta individë, me precedentë penalë apo edhe në kërkim, nuk fshihen por ekspozohen publikisht si të paprekshëm. Ky është një mesazh i qartë: Krimi nuk ka frikë nga shteti. Madje, krimi tallet me shtetin. Po institucionet speciale ku janë? Në letër, Shqipëria ka krijuar struktura të specializuara për të luftuar krimin si BKH, SPAK, anti-krimi, antidroga… por rezultatet janë të pakta krahasuar me shtrirjen reale të kësaj bote. Ndërsa kriminelët lëvizin të lirë në Bllok dhe në rrugët e qyteteve me makina që bëjnë “MUU” në fytyrën e shtetit, forcat e rendit shpesh mbajnë qëndrim pasiv, për të mos thënë bashkëpunues. Pyetja e dytë është po aq e rëndë: A ka shteti guxim të prekë të fortët e vërtetë, apo merret vetëm me shoferët pa patentë? Kur ndaloheshe për një “papaq” në Greqi, po në Shqipëri për një Bentley? Në Greqi, për një shkelje të vogël trafiku mund të përfundosh në komisariat për verifikim. Në Shqipëri, një person me të kaluar kriminale, që qarkullon me një Bentley apo Rolls Royce pa pasur kurrë një biznes të ligjshëm, nuk pyetet kurrë: “Nga i ke marrë këto para?”. E drejtë kjo që policia nuk e ushtron dot? Apo nuk lejohet ta ushtrojë? Policia shqiptare ka të drejtë dhe ka detyrimin të ndalojë për verifikim çdo mjet luksoz, sidomos nëse ka dyshime për pasuri të pajustifikuara. Por mungon një gjë, vullneti për të vepruar, sepse fijet e këtij luksit shpesh të çojnë në duart e politikës, të pushtetit, dhe të mbështetësve të fushatave. Krimi i kapur për veshi nga mediat, por jo nga shteti. Ka raste kur vetëm pas një raportimi në media, prokuroria dhe policia nisin lëvizjen. Kjo është një tjetër e dhimbshme kur drejtësia reagon vetëm kur ekspozohet në publik, por jo në mënyrë proaktive. Çfarë ndodh me qindra raste që nuk bëhen publike? Sa veta jetojnë sot të lirë me miliona euro të pista, vetëm sepse nuk kanë bërë ndonjë “gabim” për Instagram? A kemi kapje të shtetit apo frikë nga shteti? Po pse nuk ndalohen për kontroll? Policia e ka këtë të drejtë. Por mungon vullneti. Mungon shteti. Dhe mbretëron frika. Ndaj krimi ecën i qetë, jo i fshehur, por me altoparlant. Dikur thuhej që krimi kishte depërtuar në shtet. Sot, shumë besojnë se krimi ka zëvendësuar shtetin në disa zona. Ai mban peng policinë, politikën, gjyqësorin. Dhe për këtë arsye, askush nuk guxon të prekë “të fortët”, përveç nëse ata bëhen problem për vetë sistemin. A do veprojë shteti, apo do shohë si spektator? Zgjidhja ekziston nëpërmjet gjurmimit të pasurisë përmes luksit të ekspozuar, hetim financiar i burimeve të të ardhurave, kontrolle të rastësishme në rrugë për verifikim, vendosje e ligjit pa frikë dhe pa paragjykim. E gjitha kjo është e mundur, por kërkon një shtet që do të bëjë detyrën dhe jo të mbajë anën e atyre që e kanë kapur. Sepse në fund, kur krimi bën “MUU” në mes të qytetit, dhe askush nuk reagon, atëherë shteti nuk është më shtet. Është vetëm spektator. |
AuthorWelcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema. Archives
January 2026
Categories |
RSS Feed