Marko Caka
  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact

Antireklama e hidhur e Florentino Perez për futbollin shqiptar

11/25/2024

0 Comments

 

Deklarata e presidentit madrilenas, Florentino  Perez mbi sistemin votave per  mënyrën sesi përzgjidhet fituesi i "Topit të Artë" ka bërë xhiron e botës. Ajo që e bën më qesharake  është sesi deklarata e tij na rreshton edhe ne me vendet më të vogëla  e më të varfra si ekonomikisht por edhe në nivel sportiv, por që fuqia e votës është e njëjtë me gjigantët e botës në të gjitha dimensionet por më tepër në atë sportiv. Nga njëra anë u ndjeva i ofenduar për gazetarin e madh sportiv Besnik Dizdari për intelektualitetin e tij të lartë, si një akademik I gazetarisë sportive shqiptare, i cili na ka ushqyer  dhe informuar me penën e tij të madhe edhe atëherë kur informacioni ishte i mbyllur brenda një botë izoluese ku çdo gjë vinte e filtruar dhe lëshohej  me pikatore tek lexuesit e etur shqiptarë sportdashës.  Dhe këtë meritë të madhe e ka Besnik Dizdari me editorialet e tij dhe me librat e tij që sot janë një pasuri  e madhe për gazetarinë sportive shqiptare. Deri këtu jemi shumë mirë për sa i përket njohurive dhe vlerave  të akademikut të  gazetarisë sportive shqiptare Besnik Dizdari. Por deklarata e presidentit të klubit më historik dhe më triumfues në arenat botërore Real Madrid është më shqetësuese se në batutën e tij përfshin edhe figurën e gazetarit tonë të madh sportiv ku vota e tij bëhet aq  qesharake sa provokon  kapacitetin e tij për të zgjedhur njëshin e futbollit botëror, të cilit ja veçoi  "fati i tij mjeran" se  jeton në një vend si Shqipëria që në këto dekadat e fundit nuk ka bërë asgjë as për vendin e tij por as  në nivel botëror si në klube ashtu dhe në kombëtare dhe në fund kanë të njëjtën fuqi vote me vendet më me histori në futbollin botëror. Pra për sa i përket vendit tim se nuk ka bërë asgjë vitet e fundit i jap shumë të drejtë presidentit  Perez  por që nuk e lejoj të ofendoj  personalitetin e gazetarit Besnik Dizdari i cili ka lidhur jetën e tij me historinë e futbollit shqiptar. Një penë e rrallë e gazetarit tonë që përcillte sukseset brenda izolimit më të egër komunist ku futbollistët megjithëse në kushte mizore por me talentin e tyrë të rrallë ata sfiduan kohën, sfiduan regjimin, sfiduan edhe botën tjetër të lirë ku Perez jetonte dhe si një promotor i lëvizjes së lirë të futbollistëve as   që do ta imagjinonte. Kam mendimin që Perez  nuk e njeh fare as si njeri, por as si akademik gazetarin tonë  se ndryshe për respekt të shpirtit të sakrificës kurrë nuk do ta veçonte në deklaratën e tij. Pa thënë se sot jemi në  demokraci gazetari  ka lirinë e plotë të mendimit e të veprimit. Që të përqeshet Shqipëria në gojën e presidentit Perez, këtu nuk është faji i gazetarit shqiptar se përse vendi i shqiponjave nuk ka arritje si brenda vendit ashtu dhe në arenat botërore në nivel klubesh dhe të  kombëtares që të rreshtohet me vendet e dobëta në të drejtën e votimit. Këtu është faji i drejtpërdrejt i Federatës së futbollit me presidentin e saj dhe gjithë mekanizmit sesi funksionojnë klubet shqiptare me gjendjen e tyre mjerane në nivel vendi dhe atë ndërkombëtar. Nuk dua të flas se kush e ka fajin që futbollit shqiptar në klube është në nivelet më e të ulëta, pa thënë skandaloze dhe për këtë nuk do shumë fakte mjafton vetëm të hedhësh një sy stadiumeve ku transmetohen ndeshjet ku në shkallët e saj bosh vëren vetëm pastrueset me fshesë në dorë(ndoshta duhen  më tepër për të kthyer topat që bien tek shkallët sesa mbeturinat). Ndërsa për nivelin e gazetarisë, në  stadiumet bosh  më shumë bie në sy "gazetaret" sportive të terrenit me veshje provokuese  që vërdallisen me mikrofon në dorë sesa vetë futbollistët sepse  panelet televizive duan të kapin lajmin  se kush e "xhuajti" gazetaren apo  cili lojtar e ftoi për darkë, mundësish pa e marr vesh partnerja e tij. Deri në këtë nivel ka vajtur gazetaria sportive dhe që  futbolli me futbollistët shqiptarë nuk bëjnë asnjë hap para. Ne mburremi me njëri tjetrin brenda  një "fshati të vogël" që nuk ka këllqe të konkurrojë me vendet përreth pa le me vende  të mëdha me histori në futboll as që diskutohet. Para pak ditësh lexova në statusin e futbollistit Armando Broja që ja dedikonte postimin  ish kolegut të tij të Kombëtares, Odise Roshi duke e vlerësuar me legjendë. Për çfarë legjendë bëhet fjalë, cila është karriera e tij futbollistike që ka lënë gjurmë me aftësitë e tij, cilat janë trofetë e marra që ta shënojmë në librin e historisë si legjendë ?!?. E kuptoni pra deri ku ka shkuar vetëkënaqësia e futbollistëve tanë të kombëtares sonë që pa derdhur djersë akoma dhe pa lënë gjurmë duan edhe titullin "legjendë". Pa patur asnjë trofe  ne kemi një President që mburret me arritjet e tij në nivel ndërkombëtar duke marrë një post të rëndësishëm në organin më të lartë të futbollit europian. Ne si popull mburremi për postin e  Dukës  si zv president i UEFA sepse kombëtarja duke qenë pronë e tij, është në plan të dytë, pas tij. E marrim arritje të tij, aftësinë e tij për ti shërbyer klaneve të brendshme të organit drejtues  të UEFA-s dhe  interesave të tyre kur ata e shohin se fuqinë e votës e ka të njëjtë me presidentët e federatave të mëdha si Spanjës, Italisë, Gjermanisë, Anglisë etj. Kjo skemë ka funksionuar në vite ku drejtuesit e UEFA mbanin nga afër dhe favorizonin vendet e vogla sepse me anë të tyre rizgjidheshin presidentë të përjetshëm duke e kthyer Shtëpinë e madhe të futbollit europian si çifllig të tyre për interesa të tyre por jo për të rimëkëmbur futbolliin shqiptar të  grupmoshave që lë për të dëshiruar. Përshembull ish futbollisti i madh Mishel Platini gjatë kohës që ishte president i UEFA-s favorizonte ish Presidentin e futbollit grek Vasilis  Gagacis, deri sa  të dy më vonë  u  dënuan për korrupsion dhe u larguan me turp nga drejtimi i futbollit evropian. Duke bërë avokatin e djallit,i mirë apo i keq,  të paktën Presidenti grek Gagacis e nxori Greqinë kampione të Europës dhe klubet e saj për dy dekada ishin ndër  më konkurrueset në Champions League me stadiumet e tyre të mbushura plot e për plot ,pa folur për investimet në terrene sportive dhe akademi futbolli.  Duke ja bërë gjithë këto të mira  futbollit grek, klubet e tyre vazhdojnë ta vlerësojnë edhe sot  e kësaj dite  ish presidentin e tyre të dënuar për përvetësimin e donacioneve,madje si "peshqesh"  në drejtim të federatës Greke kanë zgjedhur djalin  e tij, Krisostomos Gagacis.
​
Ky është shqetësimi që ka Perez se fuqia e votës është e njëjtë edhe me  vendet ku jo vetëm  nuk bëhet asgjë për futbollin por janë të zhytura në korrupsion. Pra llogjika e Perez shkon tek ajo-  kur ju nuk bëni asgjë për futbollistët e tu dhe për futbollin e vendit tuaj, me çfarë kriteri ju zhvlerësoni arritjet e futbollistëve të klubit tim që kanë qenë më të suksesshmit gjatë gjithë vitit duke fituar të dyja trofetë, Champions League e Kampionatin Europian dhe ata vendosin Rodrin me vetëm një trofe në nivel europian, atë të Kamiponit të Europës. Dhe këtu këmbana bie tek gazetari jonë sportiv Besnik Dizdari ku  vota e tij lirë duke u hedhur  bashkë  me votën e presidentit për të tjera qëllime, por  që shkon larg llogjikës dhe kritereve ku përcaktohet fituesi na bëjnë gazi i botës a thua se ne sportdashësit e thjeshtë ua kemi për borxh që të na cilësojnë Shqipërinë vendin e xhunglës dhe shqiptarët si njerëz  "të hypyr majë pemëve". Pra  në vend që të ishim korrekt në përgjegjësitë tona dhe të pa  fjalë, se fundja fundit kur atje shkoni për të na përfaqësuar  me të drejtën e votës së gazetarit dhe të  presidentit , ju nuk jeni më as Besnik Dizdari dhe as Armando Duka, por jeni vetëm një emër me peshë të randë, që quhet  SHQIPTARIA.
0 Comments

Martin Cani na ulëret të gjithëve "Act now"

11/20/2024

0 Comments

 
Fundjavën që kaloi Kryeministri Rama në podkastin e tij  theksoi se qeveria po përgatitet të hapë një dritare për ata që janë në emigracion në fushën e ndërtimit dhe turizmit. Madje shkon më tej duke thënë-" se është çmenduri të rrish në Greqi dhe të mos kthehesh në Shqipëri" - pra të vish e të punosh se pagat janë më të mira këmbëngulte  nga mikrofoni i podkastit të tij,  kryeminstri i vendit. Deri ketu shumë mirë se motivon shqiptarët të kthehen e të kontribojnë për vendin e  tyre, se  "guri i randë peshon në vend të vet"- thonë edhe këngët e kurbetit, ndërsa të tjerat janë bla,bla.

Pra, gjitha këto tingëlluan  shumë bukur në fundjavën me diell sadoqë për  komentuesit më kritikë të Ramës tek  Tema janë gjithmonë të pakënaqur e skeptikë, ku sipas tyre kryeminstri o nuk jeton në Shqipëri të njoh  realitetin,  o i thotë nën efektin e "pijes". Unë besoj tek e para me realitetin, sepse nuk kaluan as 48 orë dhe të Hënën  vrasja e 14 vjeçarit Martin Cani që ishte ndoshta ngjarja më tronditëse, dhe  më e rënda e gjithë vitit, ishte  shembulli më i mirë për ti treguar kryeministrit se jo shumë larg zyrave të  tij  ne kemi një Shqipëri tjetër që rënkon brenda pellgut të pa sigurisë dhe në indiferencën e gjithë shoqërisë e më e kryesorja në inekzistencën e  shtetit që ti drejton  dhe paguhet nga taksat tona. Vrasja e 14 vjeçarit nga dora kriminale e bashkëmoshatarit të tij dëshmoi edhe një herë  se edukimi dhe siguria në vend është në nivelet më të ulëta,  si asnjëherë.  Në ambjentet e shkollës nxënësi me armë të ftohtë sfidoi  të gjithë, që nga prindërit e tij, mësuesit, shoqërinë ku rrethohemi dhe shtetin që duhet të na mbrojë bashkë me gardianët përreth shkollës. Të gjitha këto që lartpërmenda të hënën në orën 13:10 , në shkollën "Fan Noli"  rezultuan që  nuk funksionojnë aspak, pa thënë se janë inekzestentë përballë këtij brezit të ri që po e rrisim, se po e edukojmë as që bëhet fjalë. Madje vrasësi edhe pas ngjarjes si pa i hyrë ferrë në këmbë dhe me "trimëri" të madhe na bënte karshi me armën e ftohtë të krimit duke e publikur në rrjetin e tij social e duke na  treguar se krimin e kishte bërë me vetëdije, pa asnjë shenjë pendesë sepse shoqëria përreth është "e vdekur" dhe krenarinë e gjen tek "të fortët" që kanë pushtuar gjithë TIK-TOK-un . Ky është një akt kriminal alarmant për shtetin  sepse ka goditur në pikën më të dobët të shoqërisë sonë ,tek ardhmja e vendit, aty ku fëmijët ndjehen të pa sigurtë,  të pa mbrojtur nga bashkëmoshatarët e tyre të prirur për tu bërë kriminelë, të cilët për moshën që kanë mund të dalin të pa lagur nga lehtësirat që ua krijon ligji. Kështu brezi ka lindur Shqipëria e pas tranzicionit sepse shembulli i tyre fillon që nga familjet e tyre të shthurura, shoqëria që na rrethon(në injorancë të plotë), nga "të fortët" e lagjes dhe të politikës dhe deri tek aktet  e dhunshme të  ligjvënësve  brenda mureve të  parlamentit shqiptar nga ku dalin edhe ligjet që ne duhet ti zbatojmë.

Pra, zoti Kryeministër përpara se ti ftosh bashkatdhetarët që të mbajnë ekonominë e Shqipërisë në këmbë, atyre duhet tu garantosh sigurinë e fëmijëve të tyre të cilët janë rritur dhe edukuar jashtë me një frymë tjetër ku vlera e njeriut është aq e shenjtë saqë  askush tjetër në këtë botë nuk ua ka fatin e tyre në dorë përveç Zotit ku ata besojnë.

Para pak kohësh takoj në Athinë Sandër Palokën ,një mik i vjetër shkodran, i cili punon mjeshtër ndërtimi për 30 vite në shtetin helen. Por, para se ta takoja për kafe  pas kaq shumë vitesh, më thotë - Marko po nxitoj se kam për të shku tek shkolla e djalit, se çdo dy  javë e kamë lënë të bisedoj me mësuesit e tij për ecurinë e tij në mësime, sepse tek sjellja nuk e kam merak se e kam  shumë të  dashur si me bashkëmoshatarët ashtu edhe me mësuesit. Një herë e kisha pyetur- pse Sandër, me zanatin që ke ti shumë mirë  mund ta ushtrosh në Shqipëri, ngaqë kanë nevojë për ju dhe mund të paguhesh më mirë. Ai mu përgjigj menjeherë a thua se e kishte në majë të gjuhës -  "Jo, se unë sot jetoj për fëmijët dhe kam investuar gjithçka për  edukimin e tyre, për të cilët në Shqipëri ndjehem i pa sigurtë se si do të jetë e ardhmja e tyre". Ndoshta Sandri kishte të drejtë se shkolla e djalit të tij, Shtjefnit, në Shën Elefteri të Athinës ishte  e rrethuar, me një portiere të sigurisë që hapte e mbyllte derën dhe sillej  me shumë  edukatë si dhe mësuesit që e  pritshin vetëm për anën e mësimdhënies për arritjet e Shtjefnit, sepse edukimin ja jepnin prindërit dhe ishin shumë të kënaqur nga sjellja e tij me të gjithë.

Edhe babai i Martin Canit  kamarier punonte në një lokal të Tiranës dhe sakrifikonte për të ardhmen e djalit, i cili ishte edhe futbollist i të rinjve të Dinamos, por nuk kishte llogaritur se jeta e tij nuk është vetëm brenda familjes së tij por është edhe jashtë ku djali jeton e luan me shokët e tij ku  "i forti"  sfidon shoqërinë dhe që  është i instaluar kudo në çdo hallkë të shoqërisë duke na e bërë   jetën tonë akoma  më të pa sigurtë nën hundën e shtetit. 

Ky është realiteti i Shqipërisë sot, ku  tragjedia e 14 vjecarit Martin Cani mos të përsëritet më por të jetë një këmbanë për të gjithë ne që më përpara se ta luftojmë të keqen rreth nesh, prindërit të edukojnë fëmijët e tyre, mësuesit të arsimojnë nxënësit e tyre dhe shoqëria në harmoni  të bashkëjetojë për sfidat e reja zhvilluese, dhe shteti të garantojë të ardhmen e tyre të sigurtë. Kur këto të jenë arritur, atëherë  kryeministri i sotëm i Shqipërisë së tranzicionit të gjatë  ka të drejtën e Zotit të na ftojë të gjithëve, të kthehemi  për ta ndërtuar Shqipërinë tonë e për ta bërë akoma më të bukur ashtu siç na do Europa e Bashkuar. Por  përpara se të shkojmë deri atje shoqëria jonë ka nevojë të lëvizë që tani  "Act now" ..
0 Comments

Lamtumirë gjyqtari i ndershëm, Darjel Sina!

11/17/2024

0 Comments

 
Ne humbëm Darjelin, drejtësia shqiptare humbi akademikun dhe gjyqtarin më të ndershëm dhe më të pastër në historinë e saj.

U nda nga jeta Darjel Sina. U nda nga jeta njeriu më shpresëdhënës i gjithë shqiptarëve. Një nga të paktët njerëz që jetojnë sot në Shqipëri dhe që vendi kishte me shumë nevojë se kurrë për atë, që pas  ardhjes përfundimisht të drejtësisë së vertetë për çdo shqiptarë. Darjel Sina ishte ndër ato pak gjygjtarë që nuk e lidhte asgjë me të kaluarën. Ai  ishte prurja më e veçantë me studime per exelent  e tituj  akademik nga Universitetet me prestigjioze jashtë vendit, dhe që erdhi në Shqipëri me dritën e shpresës për të gjithë shqiptarët që ishin shkatërruar dhe lodhur nga drejtësia e vjetër.

Si një akademik i shkencave juridike Darjeli gjatë vetingut kreu me sukses të plotë detyrën e Komisionerit Publik. Dhe falë profesionalizmit e ndershmërisë së larte të tij , drejtësia  e re shqiptare i besoj atij, një nga 9 vendet e  anëtarëve të  Gjykatës së Lartë për ti shërbyer deri në fund të jetës së tij me ndershmërinë më të lartë e  fisnike që e karakterizonte.

Asnjëherë nuk e kisha menduar të  shkruaj për atë, pas vdekjes (in memorial), një vdekje që e mori në  moshën më të re, me plot energji, por mbi të gjitha me plot ëndrra për ta sjellë drejtësinë tonë aty ku e donte ai,  të pastër dhe të drejtë për të gjithë. Ai kishte ardhur nga jashtë si një mrekulli, për  një drejtësi të vertetë ku çdo shqiptarë është i barabartë para ligjit. Humbja e parakohshme e anëtarit të gjykatës së Lartë të Shqipërisë, Darjel Sina është mungesa më madhe për drejtësinë tonë të re, e  krijuar për të sjellë shpresën tek të gjithë shqiptarët. Një shpresë e humbur për 3 dekada dhe sapo kishte nisur të ringjallej nëpërmjet profesionalizmit  dhe ndershmërisë absolute të gjyqtarit  të ri të Gjykatës së Lartë, Darjel Sina.

E njoha  në vitet e gazetarisë sime në kryeqytetin grek të Athinës, atëherë kur grekët kishin nisur të flisnin me pozitivitet për arritjet e shqiptarëve dhe kur bëhej fjalë për Darjel Sinën ai ishte maja e ekselencës së studentëve në Universitetet greke. Ishte nga të vetmit student shqiptar që pas studimeve u zgjodh asistent i profesorit akademik të fakultetit Juridik të Athinës,  Andreas Dhimitropulos.

Ishte një shembull i veçantë e krenari që sa herë më kërkohej nga kolegët gazetarë grekë një shqiptar i suksesshëm në Greqi, gjithmonë emri i parë më vinte Darjel Sina i cili shkëlqente me prezencën e tij nëpër panelet e studiove televizive greke duke treguar vlerën e një intelektuali të madh me njohuri të gjithanshme. Darjeli ishte nga të paktët shqiptarë ekselent që rrëzoi mitin se shqiptarët nuk janë vetëm njerëz të punës së krahut që dinë vetëm të ndërtojnë Greqinë,  por janë edhe njerëz të mendjes që dijnë të drejtojnë podiume , që dijnë të  artikulojnë,  argumentojnë  e  bindin të gjithë të ftuarit, madje  duke lënë gojë hapur edhe më skeptikët. Më kujtohet një herë  drejtuesja e njohur e një kanali të madh grek, Tatiana Stefanidhu me telefonon e më thotë- Të falenderoj që më solle Darjelin në studio se ishte alfa dhe omega e një intelektuali të rrallë, shumë i përgatitur dhe shumë i edukuar që na suprizoi të gjithëve në studio. 

Vlerësimi i grekëve për personalitetin e Darjelit ishte një terapi për të gjithë ne shqiptarët e Greqisë ku emigracioni i egër na kishte  lodhur dhe diskriminuar në të gjitha format e saj duke na vënë gishtin e "delës së zezë". Darjel Sina përveç se një akademik i rrallë ai kishte mbi të gjitha vlerën njërëzore me një shpirt të madh, i cili jetën e tij e vuri gjithmonë në mbrojtje të të drejtave të emigrantëve, në shërbim të njerëzve të thjeshtë që ndjeheshin tëdhe  të pambrojtur dhe të pa fuqishëm ekonomikisht duke ju dhënë  shërbime falas. Misioni i tij i madh për të ndihmuar këdo nuk mungonte  edhe atëherë kur shendeti i tij nisi ta "tradhtonte", dhe sëmundja e rëndë filloi të përparonte duke shuar edhe ato energjitë e fundit që kishte për të na dhënë. Por ai na la një vepër, një mision të shenjtë  që do jetë gjithmonë një  burim  frymëzimi për të gjithë brezat e  juristëve të rinj që duan për ti  shërbyer me devotshmëri atdheut të tyre. Atë bëri Darjel Sina dhe atë do bëjë gjithmonë si një engjëll në qiell që do  lutet gjithmonë  për një drejtësi të pastër e të ndershme për të gjithë shqiptarët.
​
Lamtumirë miku im i shtrenjtë dhe gjyqtari i ndershëm, Darjel Sina!
0 Comments

Braktisja e ndeshjes nga Kosova, akt i detyrueshëm

11/16/2024

0 Comments

 
E pashë ndeshjen e mbrëmshme Rumani-Kosovë në TV  që nga fillimi por që fundi nuk erdhi kurrë. E doja fundin me një fitore të madhe të Kosovës sepse e meritonte në të gjitha anët. Kush e ka parë këtë Kosovë mbrëmë  sinqerisht ka qenë me fat. Një paraqitje e rrallë e saj që të kujton vetëm ekipet e mëdha legjendare të futbollit botëror që nuk e njohin asnjëherë fushën kundërshtare ku bashkë me formën e shkëlqyer të skuadrës luan edhe historia e fanellës. Ndërsa për Kosovën vërtetë  luajti me fanellën e re të shtetit më të ri të këtij kompeticioni, por   talenti dhe shpirti i shqiptarëve të Kosovës u tregoj edhe njëherë romunëve se historia e kombit të saj në trojet dardanë është më e vjetër dhe më historike sesa vetë emri i  Serbisë që ata thërrisnin si provokim në stadiumin e Arenës Kombëtare të Bukureshtit.  Prandaj duke patur këtë histori të shkurtër  vetëm të fanellës djemt dardanë të Kosovës vunë shpirtin, dinjitetin dhe krenarinë në fushën e lojës duke treguar paraqitjen e tyre të shkëlqyer që  e bënë Rumaninë e legjendës Hagi shumë më të vogël.

Me një mbrojtje të pathyeshme me kapiten Rrahmanin dhe me një mesfushë të mirë organizuar shkatërruese dhe që bëhej akoma  më e rrezikshme duke sulmuar me talentin e Zhegrovës por që mungonte vetëm finalizimi me anë të Muriqit e Jasharit duke  gjetur rezistencën e portierit Nita , lojtarit  më të mirë të ndeshjes për rumunët. Kjo ndeshje e bukur dhe e paharrueshme për Kosovën që luftoi për golin  deri në  fund, një fund që nuk erdhi kurrë sepse shkëlqimi i kosovarëve me mbiemrin e legjendës Adem Jashari në fushë acaroi aq shumë   filoserbët tifozë ultra  të rumunëve saqë nuk e kapërdinin dot madhështinë e djaloshëve dardanë, të cilët sfiduan jo vetëm ata por të  gjithë stadiumin e mbushur të Arenës Kombëtare të Bukureshtit.
​
Ashtu si serbët ndaj shqiptarëve dhjetë vjetë më parë, pothuajse të njëjtën gjë bënë mbrëmë edhe rumunët duke provokuar me sulme fyese dhe racistë, që detyruan futbollistët e Kosovës të braktisnin fushën e lojës drejt dhomave të zhveshjes për tu mos u kthyer më. Ky veprim i drejtë dhe me krenari i kapitenit Rrahmani me shokë u  tregoi jo vetëm Rumunëve skeptikë por gjithë atyre që e vënë në dyshim, se për Kosovën nuk ka kthim prapa, por është vetëm  Kosovë dhe pikë.  Nuk e di deri kur vetë Serbia dhe aleatët e saj do të zgjohen nga gjumi i tyre letargjik me  iluzionet e tyre, por realiteti tregon se Kosova është e pakthyeshme drejt rrugës së saj, dhe që nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë e sportit botëror që një shtet të  njihet dhe të pranohet në organizmat më të mëdha të sportit botëror duke konkurruar në të gjitha kompeticionet e mëdha dhe pastaj në një ditë të bukur ta largojnë apo ta fshijnë në organizmat e saj sepse  kështu e  duan "armiqtë" e saj. Kjo nuk ka për të ndodhur kurrë jashtë vullnetit të popullit heroik të Kosovës, dhe nëse ndodh një herë, vetëm atëherë kur me vullnetin e tyre se shpirti i saj kërkon ti bashkohet  mëmës së saj, që është Shqipëri por asnjëherë Serbi.
0 Comments

Pse amerikanët votuan Trump?!

11/8/2024

0 Comments

 
Duke parë që të gjithë dolëm bllof me anë të sondazheve të ofruara, kjo mbase edhe kompanitë e operimit me mediat pro Kamala Harris  i kanë  zhvilluar sondazhet emocionalisht bëri që realiteti të  ishte ndryshe me një epërsi të dukshme të Donald Tramp. Është e njëjta gjë si në futboll në Europianin e Gjermanisë ku tifozët e zjarrtë kuqezi  vunë  baste në ndeshjen kundra Spanjës me shpresën për fitore por që dështuan sepse e parashikuan emocionalisht ngaqë asnjëherë nuk duan humbjen e kombëtares së tyre, ndërsa tek bastaxhinjtë profesionist  vepron  indicia drejt realitetit(me këmbë në tokë)që do të thotë fitore të sigurt të Spanjës, e cila doli edhe kampione e Evropës. Shpesh ndodh që sondazhet e sakta dalin edhe në   rrethin e afërt të shoqërisë deri dhe me pjesëtarë të familjes. Bashkëshortja ime duke e parë situatën me shumë gjakftohtësi dhe me opinionet e kolegëve të saj ku ajo punon ishte e bindur se fitorja këtë radhë shkonte në rizgjedhjen e Trump. Të njëjtën gjë më thoshte edhe një shok i imi shkodran Gjon Destanishta,nga një familje e persekutuar dhe dhe e nderuar me bindje të djathta, i cili do të votonte për herë të parë pas marrjes së nënshtetësisë amerikanë, dhe ëndrra e tij ishte  për tja dhënë votën  ish presidentit Trump dhe për ta parë edhe një herë në Shtëpinë e Bardhë. Për fitoren e Trump votoi   edhe  miku tjetër ekuadorian,Poli, i cili bashkë me familjen e tij tradicionalisht kishin votuar për demokratët,  por që tani ishin të zhgënjyer, duke besuar se tani rivali i tyre do të bëjë më shumë për    komunitetin më të madh në SHBA, të latinoamerikanëve të cilët janë suporti më i madh i rritjes ekonomike për ta bërë Amerikën akoma më të fuqishme .

Pra dhashë një shembull se  nganjëherë nuk është nevoja tu besojmë sondazheve të servirura nga kompanitë operuese që bashkëpunojnë me mediat duke  mbajtur anën e kandidatëve,  por shumë lehtë mund të dalë nga larmiteti i besimeve dhe mbështetjes politike të njerëzve ku ne rrethohemi, mjafton një gjakftohtësi dhe  mos të ndikohesh nga emocionet e ideve tona.

Këtë treguan edhe zgjedhjet amerikane të 5 Nëntorit ku realiteti fundosi dëshirën atyre që e donin fitoren e demokratëve me çdo kusht.

Prandaj duke parë këtë dukuri vendosa të jap një opinion rreth  fitores së Trump në këndvështrimin  tim  ashtu si i njoh unë gjërat në 15 vjetët e mia në SHBA ku erdha si i huaj dhe tani si një qytetarë me të drejtë të plotë  vote dhe mendimi të barabartë me ata ku të parët e tyre kanë ardhur që në krijimin e Shteteve të Bashkuara. Pëlqehet  apo nuk pëlqehet  ky është mendimi im i bazuar në eksperiencën time sesi i njoh unë amerikanët dhe nuk është e thënë që tek unë qëndron e drejta.  E them këtë për shkak të diversitetit që më ka krijuar puna ime sidomos në këto dhjetë  vitet e fundit në industrinë e filmit ku për shkak të sheshxhirimeve më është dashur të ndryshoj pothuajse tre-katër lokacione të punës në javë në disa shtete të ndryshme të SHBA-së.  Janë të paktë ata amerikanë  që e kanë fatin si të  aktorëve të filmave ku puna ua krijon  diversitetin e lokacioneve që  të njohësh jetën e njerëzve më me detaje, si kulturën ashtu dhe mentalitetin e tyre  në ambjentin ku ata rrethohen. Pra është krejtësisht ndryshe tek shumica e popullsisë që kanë një punë të përhershme, në të njëjtën vend dhe me të njëjtit njerëz, një rutinë që ta bën  jetën monotone duke mos njohur realitetin e jetës amerikane në përgjithësi, por vetëm duke e mësuar me anë të mjeteve të informacionit. Me zgjedhjen e Presidentit Tramp këto mjete informacioni rezultuan të dështuara sepse janë të ndikuara nga dëshira për të fituar kandidati i tyre i preferuar që vihet në shërbim të interesave të tyre.

Në opinionin tim dua të radhis katër nga disa faktorë që sollën zgjedhjen e Donald Trump në Presidentin e 47-të të SHBA-së.

E para - Amerikanët nuk janë gati per tja besuar fatin e vendit të tyre një gruaje.  Kjo nuk ka të bëjë me ngjyrën se të njëjtën gjë pësoi edhe Hillary Clinton në zgjedhjet e 2016-tës. Por në mentalitetin e amerikanëve duke parë natyrën e egër që ka politika globale, vetëm një personalitet i fuqishëm si Trump që merr  vendime të guximshme mund të ruajë ekuilibrin  e këtij rendi botëror që është më i përshtatshmi për kohën e sotme.

E dyta - Mungesa e një lidershipi të ri që sjell një ndryshim  rrënjësor nga politika e vjetër e establishmentit që kishte kohë që nuk prodhonte diçka të re që solli një zhgënjim total nga ana e votuesve demokratë. Amerikanët ishin lodhur me demokratët, sepse  nuk kishin një hap të dukshëm, por ishte shumë  i ngadaltë dhe ku e ku në vendnumëro. Këtë  nuk e duan amerikanët. Në anën tjetër edhe konservatorët kanë një mungesë të një lidershipi të ri alla Trump por ja besuan edhe një herë moshës së tij atij sepse ka akoma energji  për ta shndërruar Amerikën në një kolos të madh të ekonomisë botërore.  Edhe thënia "Amerika e para" kishte kuptimin e  jo një  Amerikë për ti shërbyer të gjithëve dhe vetë qëndron si një rrotë e pa levizur.  Amerikanët më tepër pëlqejnë një njeri "të çmendur" që rrezikon por që e luan rrotën e ekonomisë së tij përpara, dhe jo të lejojë shtete të fuqishme ekonomike si Kina që   përfitojnë nga taksat e importit në kurriz të amerikanëve , njëkohësisht duke e sfiduar në politikën e jashtme me  strategji antiamerikane që vë në rrezik sigurinë e partnerëve të saj dhe asaj globale. Amerikanët e dinin shumë mirë  se Donald Trump me agresivitetin dhe retorikat e tij të famshme  që ai  shfaqte  në media përballë gazetarëve  nuk i bën në realitet, aq më tepër ai  njihej  me dekada si një showman televiziv që dinte të argëtonte teleshikuesit amerikanë. Prandaj amerikanët besojnë se Trump si një artist i showbizit është shumë larg luftrave të cilët e argumentojnë me mandatin e tij të parë si njëri që shtrin i dorën "armiqve" për hir të paqes. Gjithashtu edhe  narrative  se Trump është i paparashikueshëm dhe një rrezik për globin për amerikanët nuk qëndron aq më tepër që ata e donin një njëri të fuqishëm dhe të guximshëm për të marrë vendime vetë mbi fatin e Amerikës duke i dhënë  përparësi zhvillimit dhe mirëqenjës së amerikanëve. Amerikanëve u interreson ekonomia e saj e fuqishme që përballon të gjitha nevojat jetike të tyre pastaj kujdesi për partnerët strategjikë ku gjithmonë kishin përfituar në emër të tregut të përbashkët dhe sigurisë globale.

Ç'ështe e verteta Trump kishte nisur ta bënte që në vitin e dytë të mandatit të parë me rritjen e ekonomisë dhe uljen e papunësisë,  por që e dëmtoi pandemia në fillimin e 2020 pa thënë e penalizoi në zgjedhjet e Nëntorit të po atij viti,  duke mos arritur të realizonte premtimet e tij drejt  objektivit të tij "Amerika e para dhe e madhërishme".

E treta - Amerikanët si natyrë janë më ndryshe se europianët. Dhe krahasimi bëhet me europianët veriorë, me të njëjtën origjinë por edhe në shkallën  e larte e të  barabartë të demokracisë. Ndryshimi është se amerikanët janë më të prirur drejt aventurës. Ju pëlqen të  ndryshojnë  ambjent dhe të  vihen në kërkim të shanseve më të mëdha në jetën e tyrë. Po të vëresh shumica e amerikanëve ndryshojnë vendbanime brenda vendit sa në një shtet në  tjetrin në kërkim të një jetë më të mirë por edhe diçka më  ndryshe. Pra nuk qëndrojnë si europianët autoktonë që jetojnë deri sa të vdesin në vendlindjen e tyre duke mbajtur të gjallë ksenofobinë dhe deri diku diskriminin ndaj emigrantëve që vijnë për një jetë më të mirë por edhe për ti ripërtërirë popullsinë e tyre të plakur që ka nevojë për zhvillimin e vendit. Këtu përfshihet popullsia e vendeve më të zhvilluara europiane ku niveli i emigrimit të popullsisë së tyrë është në pothuajse zero. Prandaj amerikanët janë më të hapur ndaj një presidenti që shfaqet për një ndryshim radikal që nuk "fle nën dafina", por që kërkon ta ndryshojë botën pozitivisht pa marrë parasysh rreziqet dhe pasojat. Amerikanëve ju pëlqen Trump sesi ai kërkon ta menaxhojë një luftë me vendime të drejtpërdrejta dhe transparente, për të vënë palët drejt një marrëveshje që i jep fund luftës deri edhe brenda 24 orëve por që duhet të sakrifikojë  për të arritur një marrëveshje që kënaq të gjitha palët. Kjo strategji e Trump lëndon vendet që duan të mbrojnë territoret e tyre nga agresori por ndalon luftën e gjatë që kushton më shumë në jetë njerëzish dhe me kosto katastrofike për ekonominë.

Lufta e  Ukrainës është testi më i madh i Trump nëse do arrijë të ulë në bisedime Putin me Zelenskin për ti dhënë fund luftës dhe pretendimeve të tyre. Ai do ta menaxhojë luftën edhe me përvojën e një biznesmeni  duke ditur që nga arka e shtetit amerikan janë nxjerr mbi 60 miliardë dollarë për të ndihmuar Ukrainën. Gjithësesi pritet sesi Trump do ta ndërtojë marrëdhënjen me NATO-n por që do të jetë më i butë, dhe më afrues  sesa në mandatin e parë sepse kërcënimi i sigurisë globale është më i dukshëm dhe ka nevojë për një aleancë të përbashkët, por që tani i duhet të nxisë çdo anëtar të aleancës për të kontribuar në buxhetin për mbrojtjen e sigurisë por pa dëmtuar taksapaguesit amerikanë. Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte është shprehur optimist për një bashkëpunim të ngushtë me Presidentin e sapo zgjedhur, Donald Trump.

E katërta - Emigracioni është një nga sfidat e Donald Trump gjatë mandatit të tij  të dytë , për të përfunduar ndërtimin e  murit që pengon kalimin e paligjshëm, gjithashtu për të ndaluar trafikun narkotik dhe klandestinë ku kriminelët të infiltruar kishin shtuar kriminalitetin brenda territorit ku për miliona emigrantë është endrra amerikane. Në këto zgjedhje me 45% të votave ka qenë e dukshme si asnjëherë tjetër që votat e hispanikëve mbështetën Trump me shpresën sse kontributi i tyre në zhvillimin e vendit, do të përkthehej në mirëqenie për familjet e tyre që kanë integruar në Amerikë. Edhe ata si amerikanët e hershëm që nuk kanë  asnjë dallim për ta bërë Amerikën të madhe përsëri sepse e ardhmja e fëmijëve të tyre ështe në këtë vend, prandaj duhet të mendonin më shumë për dikë që mendon më shumë për shpërblimin ndaj kontributeve të tyre. Gjatë mandatit të parë Trump nuk mori asnjë masë të ashpër ndaj emigrantëve që jetojnë prej shumë vitesh pa dokumenta, ndërkohë që në këtë mandat ai ka premtuar se do ta kontrollojë këtë numër dhe nëse kanë dëshmi penale ata do të dëbohen menjëherë nga SHBA-ja. Tramp si një menaxher i mirë në biznes e di shumë mirë sesa i rëndësishëm është emgracioni në ripërtëritjen e popullsisë  që ndihmon në rritjen e  ekonomisë amerikane sidomos në sektorin e ndërtimit dhe të shërbimeve.
​
0 Comments

    Author

    ​Welcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema.
    Happy reading! 

    Archives

    May 2025
    March 2025
    February 2025
    January 2025
    December 2024
    November 2024
    October 2024
    September 2024
    August 2024
    July 2024
    May 2024
    January 2024

    Categories

    All

    RSS Feed


  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact