|
E ndjekur së fundmi nga historia tronditëse e Mishel Prelës, që tregoi në një emision investigativ rrugëtimin e tij të dhimbshëm drejt humbjes së ëndrrave, më riktheu pas në kohë te një përvojë personale, një histori që nuk e kisha ndarë kurrë më parë.
Ishte periudha kur studioja në Fakultetin e Filozofisë në Athinë dhe jetoja në konviktin studentor në rrugën Olof Palme, brenda kampusit universitar. Aty njoha një student shqiptar, emrin e të cilit nuk dua ta përmend. Ishte një djalë me kulturë të admirueshme, i rritur në një familje intelektuale tiranase, me sjellje shembullore dhe zemër të butë. Në një kohë kur shumë të rinj shqiptarë përjetonin trazira pas viteve të para të post-komunizmit, ai dukej se i kishte ruajtur vlerat e tij. Mes nesh lindi një shoqëri natyrale. Ne të dy, të ardhur nga i njëjti realitet, gjenim te njëri-tjetri atë afërsi që të mungon kur je jashtë vendit. Takoheshim shpesh në holl, në mensë, apo në oborrin e konviktit. Por kjo njohje e qetë kishte një hije të rëndë, ai ishte prej vitesh i varur nga droga, një gjë që në fillim nuk e kisha vënë re. Rinte i izoluar në dhomë kur donte “mallin”, ndërsa para të tjerëve shfaqej i qetë dhe i ekuilibruar. Vetëm kur nisi të më kërkonte para borxh, realiteti u bë i dukshëm. Netëve trokiste në derën time, shpesh i rrënuar, duke më lutur që t’i jepja para. Dhe ishte e pamundur t’i thoja “jo”. Kishte një mirësjellje të natyrshme, një edukatë që e mbante të gjallë edhe kur droga ia griste karakterin. Si mik, e shikoja me dhembje dhe nuk kisha forcë t’i mbyllja derën. Një ditë, ai më kërkoi ta çoja me motor në një periferi të Omonias, zonë e njohur për kriminalitet, prostitucion dhe tregti droge. Mua nuk më shkoi mendja se mund të ishte e rrezikshme se kisha ende besim tek ai njeri i mirë që e njihja. Pasi arritëm, më kërkoi të prisja. Kaloi gjysmë ore dhe ankthi nisi të më rritet. Kur ai u kthye, ishte i gjakosur dhe vraponte. “Ikim, po na ndjekin!” – më tha. U larguam me shpejtësinë që papaqi i lodhur na lejonte. Vetëm pasi u gjendëm në zonën e sigurt të Leoforos Alexandras, ma tregoi të vërtetën. Trafikantët e kishin kërcënuar që të paguante borxhin ose të punonte për ta në aktivitete të pista. Kur kishte refuzuar, e kishin sulmuar. Ai, në vetëmbrojtje, kishte rrëmbyer një hekur nga duart e tyre dhe e kishte goditur njërin në kokë, duke e lënë pa ndjenja. Isha i shokuar. Ajo histori mund të më kishte ndryshuar jetën edhe mua. Nëse ai njeri do të kishte humbur jetën, ne të dy do të ishim futur në një labirint nga i cili nuk do të dilnim kurrë më. Atë natë qëndrova para televizorit, me frikën se mos shfaqej ndonjë lajm për plagosjen apo vdekjen e dikujt. Për fat, trafikantët nuk e denoncuan ngjarjen, jo për humanizëm, por sepse vetë vepronin në paligjshmëri dhe ishin mbrojtur nga statusi i azilkërkuesve dhe nuk donin të ekspozoheshin për aktivitetin e tyre kriminal. Pas asaj dite, nuk u takuam më. As borxhin nuk e kërkova. Ia falja, sepse brenda tij ishte ende një djalë i mirë, por që droga e kishte kthyer në dikë tjetër, duke e tërhequr drejt një rruge pa kthim.Ai ishte një djalë me vlera, por droga kishte folur më fort se edukata, familja apo ëndrrat. Dhe e kishte zhytur në një botë nga e cila rrallë kthehesh i njëjti. Historia e Mishel Prelës na kujton pikërisht këtë, shpesh nuk janë njerëzit e këqij, por rrethanat e këqija, shoqëritë e gabuara, vendi i gabuar dhe çasti i gabuar që shkatërrojnë një jetë. E tillë ishte historia e mikut tim. Dhe të tilla janë shumë histori që nuk i dëgjojmë kurrë. Njeriu mund të nisë me ëndrra të mëdha, për t’u bërë aktor, profesionist, artist, njeri me kontribute, por një kthesë e vetme, një shoqëri e gabuar, një varësi, mund ta zhdukë brenda natës atë ëndërr. Ashtu si ndodhi me mikun tim. Ashtu si ndodhi me Mishel Prelën. Ashtu si ndodh me qindra të rinj që nuk i dëgjon askush. Dhe ndoshta, duke treguar histori të tilla, i japim një zë asaj pjese të shoqërisë që shpesh mbetet e padukshme si pjesa që kërkon ndihmë, por nuk arrin asnjëherë ta kërkojë me zë të lartë.
0 Comments
Largimi i papritur nga jeta i këngëtarit të dashur Shpat Kasapi ka lënë një boshllëk të thellë në zemrat e publikut shqiptar. Muzika e tij, energjia në skenë dhe mënyra se si bashkonte brezat në valle dhe festa, do të mbeten përherë pjesë e identitetit tonë kulturor. Në këtë ditë zie për artin shqiptar, sjellim një histori që rrallë është treguar, një moment kyç i karrierës së tij që e prezantoi para publikut grek për herë të parë.
E kam njohur Shpat Kasapin në kulmin e karrierës së tij. Ishte një djalosh i talentuar, i edukuar dhe jashtëzakonisht i sjellshëm, nga ata njerëz që i fiton me një herë zemrat e të gjithëve. Megjithatë, në atë kohë, karriera e tij në Shqipëri po kalonte një periudhë sfiduese, sidomos pas pjesëmarrjes në “Top Fest”. Por ndërkohë që në Shqipëri dhe trojet shqiptare fama e tij po pësonte ngritje, këngët e tij kishin nisur të dëgjoheshin gjithnjë e më shumë në Greqi, jo vetëm nga shqiptarët emigrantë, por edhe nga vetë grekët, të cilët e pëlqenin ritmin dhe stilin e tij modern folk-pop. Megjithatë, Shpati kurrë nuk ishte prezantuar në një studio televizive greke. Kur mësova se Shpati do të mbante koncertin e tij të parë në Athinë, një nga organizatorët më kërkoi ndihmë për ta promovuar. Duke njohur mirë median greke dhe drejtueset e emisioneve të mëdha, e dija se platforma ideale do të ishte Televizioni ANT1, me programin e famshëm të mëngjesit “Proino Kafe”. Emisioni drejtohej nga Eleonora Meleti, një mike e imja dhe një figurë e njohur në Greqi, sot deputete në Parlamentin Europian. E telefonova, i propozova idenë, dhe ajo jo vetëm e pranoi, por u entuziazmua menjëherë që për herë të parë do të prezantonte një këngëtar shqiptar në një prej programeve më të shikuara të vendit. Kur mora konfirmimin, telefonova Shpatin. Nuk e besonte. Ishte një ëndërr e vjetër për të, të dilte në një televizion grek, dhe më në fund do të bëhej realitet. Mbërritëm herët në studiot e ANT1. Që në hyrje, paraqitja e Shpatit, i gjatë, karizmatik dhe me një buzëqeshje imponuese, e la Eleonorën të befasuar. Nuk ngurroi ta quante menjëherë: “Saki Rouvas i Shqipërisë.” Edhe vetë titrat e emisionit atë ditë shënonin: “Sakis Ruvas tis Alvanias.” Pjesa e intervistës solli një pengesë të vogël ku Eleonora donte të fliste greqisht, por Shpati nuk e njihte gjuhën. Më propozoi mua të përkthesha drejtpërdrejt në studio. Hezitova, se nuk jam përkthyes profesionist i thashë,— por ajo më siguroi: “Mos u shqetëso, nuk do bëjmë filozofi. Thjesht pak bisedë për karrierën, pastaj ai do të këndojë.” Intervista shkoi shkëlqyeshëm. Përkthimi im i mjaftoi, ndërsa komplimentet që Eleonora i bëri Shpatit para miliona teleshikuesve ngritën edhe më lart imazhin e tij por edhe të shqiptarëve. Më pas, interpretimi i Shpatit i la grekët pa fjalë. Pas atij emisioni, për shumë ditë mediat dhe publiku grek flisnin për zërin, stilin dhe bukurinë e tij. E tregoj këtë histori sot për herë të parë, sepse ajo pasqyron më së miri rëndësinë e imazhit të Shpat Kasapit, jo vetëm si artist, por si një ambasador i kulturës sonë. Në një vend ku shpesh shqiptarët njiheshin vetëm si punëtorë të palodhur, Shpati tregoi se kombi ynë ka edhe artistë të mëdhenj, të talentuar, të bukur në skenë dhe të jashtëzakonshëm në shpirt. Ajo ditë në Greqi ishte një kulm i padiskutueshëm i karrierës së tij ndërkombëtare, dhe një kujtim i çmuar që sot merr një tjetër peshë, të hidhur, por fisnike. Shpat Kasapi do të mbetet përherë zëri që bashkoi shqiptarët dhe i dha muzikës sonë një shkëlqim që nuk shuhet kurrë bashkë me vallen e tij të preferuar. Rikthimi i Alexis Cipras në qendër të zhvillimeve politike greke po duket çdo ditë e më i pashmangshëm. Për shumë analistë dhe vëzhgues të brendshëm, pyetja nuk është më nëse ish-kryeministri do të rikthehet, por kur. Ky rikthim po ushqehet si nga situata e brishtë e qeverisë aktuale, ashtu edhe nga kapitali personal politik që Cipras ka ruajtur ndër vite.
E kam njohur Cipras në periudhat më të vështira politike, në fund të viteve 2000, kur ai sapo kishte marrë drejtimin e partisë së vogël Sinaspizmos, të cilën e transformoi në SYRIZA, një forcë që nuk kalonte 5%. Me energji, karizëm dhe aftësi të rralla për të lexuar momentin, ai e shndërroi këtë parti të vogël në alternativën e vetme të majtë dhe e solli në pushtet për një kohë rekord. Takimi ynë i parë në vitin 2007, gjatë konferencës së tij vjetore me korrespondentët e huaj, e dëshmonte vendosmërinë e tij për t’u bërë faktor i rëndësishëm politik në Greqi. Cipras mbetet një figurë e pazakontë në realitetin politik grek, i papërlyer me korrupsionin që ka shoqëruar shumë nga paraardhësit e tij, i sinqertë në qëndrime dhe i aftë të ndërmarrë vendime të vështira. Premtimi i tij për të nxjerrë Greqinë nga kriza ekonomike, megjithë masat tepër të ashpra që u aplikuan, rezultoi vendimtar për të mbajtur vendin brenda eurozonës dhe për të shmangur kthimin te dhrahmia, gjë që do të kishte pasur pasoja katastrofike. Largimi i tij nga qeveria në vitin 2019 nuk ishte rezultat skandalesh apo abuzimesh, por pasoja e guximit për të zgjidhur çështjen historike të emrit me Maqedoninë e Veriut, një çështje tejet e ndjeshme për opinionin grek. Marrëveshja e Prespës, e cilësuar sot si një prej akteve më të rëndësishme politike të dekadës në Ballkan, i kushtoi atij politikisht në atë moment, por po i kthehet në meritë ndërsa koha kalon. Ajo që e diferencon Cipras nga shumë politikanë të tjerë është ndershmëria politike në momentin e humbjes. Ai u largua vullnetarisht nga drejtimi i SYRIZA-s pas përplasjeve të brendshme, duke i hapur rrugën krijimit të një partie të re, të cilën e paraqet si projektin politik të së ardhmes së Greqisë. Pas largimit të tij, është e qartë se SYRIZA mbeti pa busull, ndërsa figura e Cipras u zhvendos nga niveli partiak në atë të liderit popullor. Ndërkohë, qeveria e Kyriakos Mitsotakis po lëkundet nga një seri skandalesh dhe tragjedish që kanë goditur rëndë besimin e publikut. Tragjedia e trenit në Tempi, me 58 viktima, mes tyre edhe shqiptarë, u kthye në simbol të dështimit institucional dhe të mungesës së përgjegjësisë politike. Skandali i fondeve të BE-së në Ministrinë e Bujqësisë, ku miliona euro u përvetësuan për blegtori fiktive, ka rënduar edhe më shumë imazhin e qeverisë, e cila nuk ka ndërmarrë masa të dukshme ndëshkuese ndaj ministrave të përfshirë. Në këtë klimë të rënduar, sondazhet tregojnë rënie të partisë në pushtet dhe rritje të forcës së re politike të Cipras. Publikimi i librit të tij “Itaka” ka shtuar edhe më shumë interesin ndaj figurës së tij. Libri, i cili rrëfen prapaskenat e krizës greke dhe vendimet e vështira të qeverisjes së tij, ka trazuar politikën greke në nivelet më të larta. Ky botim nuk është vetëm një rrëfim personal, por një panoramë e brendshme e krizës greke dhe një shpjegim i betejave të tij politike. Débatet që libri ka hapur janë të fuqishme dhe përfshijnë reagime nga figura kryesore të politikës greke. Dora Bakoyannis, ish ministre e jashtme dhe motra e kryeministrit aktual, ka dhënë një vlerësim të papritur për të: “Partia e ardhshme e Cipras do të jetë partia më e mirë-drejtuar nga një lider që Greqia ka parë ndonjëherë. Ai është njeriu që vendos ritmin, dhe kjo nuk ka për të ndryshuar.” Një deklaratë e tillë, që vjen nga një prej kundërshtareve të tij më të vjetra, nuk është vetëm analizë politike, por edhe pranim i realitetit të ri që po formohet në Greqi. Rritja e mbështetjes për Cipras është e dukshme edhe tek komuniteti shqiptar në Greqi, i cili historikisht ka parë te ai një figurë që ka mbrojtur të drejtat e emigrantëve dhe ka lehtësuar integrimin e tyre social. Ky komunitet, i cili përbën një forcë të rëndësishme elektorale, mund të bëhet vendimtar në rikthimin e tij. Në politikë, momenti është vendimtar. Sot, momenti i Cipras duket se po afron. Skandalet, pakënaqësia shoqërore, dobësimi i qeverisë dhe prezenca e një lideri karizmatik me përvojë qeverisëse po përplasen në një pikë që mund ta rikthejë atë në pushtet. Dhe kur edhe kundërshtarët e tij të hapur pranojnë rikthimin e mundshëm, duket se në horizont po shfaqet një kapitull i ri për politikën greke, një kapitull ku Alexis Cipras ka çdo arsye të besojë se do të luajë sërish rolin kryesor. Për ta përbledhur, 5 janë pikat kyçe që e bëjnë rikthimin e Cipras në realitetin e afërt: 1. Karizma: Ai mbetet figura më magnetike e së majtës greke dhe një nga të paktët politikanë që ngjall entuziazëm, jo thjesht vota pasive. 2. Kredibiliteti personal: Nuk ka lidhje me korrupsionin, një element i rrallë në politikën greke dhe faktor vendimtar në kohë skandalesh të mëdha. 3. Trashëgimia politike: Marrëveshja e Prespës sot shihet si sukses historik, jo gabim politik. Kjo po i rikthën pikë. 4. Dobësimi i qeverisë Mitsotakis: Skandalet, tragjeditë dhe mungesa e reformave reale kanë krijuar një valë pakënaqësie që kërkon kanalizim. 5. Mobilizimi i emigrantëve: Komuniteti shqiptar në Greqi, një faktor elektoral i rëndësishëm, e sheh Cipras si liderin më të afërt me ta në aspektin social dhe ligjor. Vonesat në procesin e shtetësisë amerikane nxisin pasiguri dhe dyshime për praktika paralele11/21/2025 Në muajt e fundit, një numër gjithnjë e më i madh aplikantësh për shtetësinë amerikane dhe kartat e qëndrimit raportojnë vonesa të pazakonta në ecurinë e proceseve të tyre, sidomos pas përfundimit të intervistës. Situata ka ngritur shqetësim në komunitetet e emigrantëve, të cilët deri pak vite më parë gëzonin një procedurë të parashikueshme dhe relativisht të shpejtë pas kalimit të testimeve të nevojshme.
Tradicionalisht, ceremonia e betimit zhvillohej brenda pak ditësh ose javësh pas intervistës. Sot shumë aplikantë thonë se presin me muaj pa asnjë njoftim, ndërsa kanalet zyrtare të komunikimit janë kthyer pothuajse të paarritshme. Telefonatat mbeten pa përgjigje, e-mail-et nuk marrin përgjigje adekuate dhe informacioni i dhënë në sportele është i pjesshëm ose i paqartë. Kjo mungesë transparence po krijon ankth dhe pasiguri për qytetarë që kanë paguar tarifa të larta për një shërbim që më parë funksiononte me efikasitet. Disa aplikantë thonë se janë ndeshur me sugjerime të tërthorta për të marrë avokatë që kërkojnë tarifa të larta me arsyetimin se kështu procesi “mund të lëvizë më shpejt”. Edhe pse ligjërisht asnjë avokat nuk mund të ndikojë në ritmin e punës së USCIS, presioni psikologjik që krijon pasiguria po i shtyn shumë njerëz drejt zgjidhjeve të shtrenjta të cilat nuk garantojnë asgjë. Në disa raste, aplikantët thonë se u është sugjeruar se vetëm përmes rrugës gjyqësore mund të detyrojnë institucionet të përshpejtojnë procedurën, një proces i njohur ligjërisht si “writ of mandamus”, por që duhet të jetë përjashtim, jo normë. Këto zhvillime po sjellin kujtime për shumë emigrantë shqiptarë që përjetuan vite më parë praktika të ngjashme në Greqi, ku vonesat e qëllimshme, mungesa e komunikimit dhe mbingarkesa burokratike krijuan terren për sekserë dhe zgjidhje të shtrenjta të ndërmjetme. Për ta, rikthimi i një modeli të tillë në SHBA është alarmues, sidomos në një sistem të njohur për transparencë dhe rregull. Ndërkohë që administrata aktuale federale ka ndërmarrë disa reforma kundër korrupsionit në departamente të ndryshme, perceptimi i emigrantëve është se sektori i emigracionit nuk po përfiton nga këto ndryshime. Edhe pse nuk ka prova konkrete për korrupsion sistemik brenda USCIS, mungesa e llogaridhënies dhe komunikimit po krijon një boshllëk të rrezikshëm që ushqen dyshime dhe keqinterpretime, duke dëmtuar besimin tek institucionet. Pasojat janë të dukshme, aplikantët humbasin mundësi pune, shtyjnë planet e tyre familjare dhe përballen me tensione të brendshme në komunitet. Madje në shumë raste, ata që ngrejnë zërin për problemet sulmohen publikisht, fenomen që e thellon edhe më shumë heshtjen dhe ndjenjën e pasigurisë. Ajo që kërkohet sot nga komunitetet emigrante është më shumë transparencë nga USCIS, njoftime më të rregullta mbi afatet e trajtimit, shtim i stafit dhe burimeve në qendrat me ngarkesë të lartë, si dhe hetime të brendshme për të verifikuar çdo pretendim për praktika paralele. Po ashtu, kërkohen fushata informuese për të paralajmëruar aplikantët kundër ndërmjetësve dhe individëve që përfitojnë nga situata. Sistemi amerikan i emigracionit mbetet ndër më funksionalët në botë, por tensionet aktuale tregojnë se edhe ai është i cenueshëm kur komunikimi dhe transparenca mungojnë. Vonesat e zgjatura po prekin jetën e mijëra njerëzve dhe po krijojnë një klimë mosbesimi që kërkon vëmendje urgjente. Emigrantët presin që proceset të rikthehen në standardet e dikurshme, ku efikasiteti dhe qartësia ishin garanci e një shërbimi korrekt dhe të drejtë. Dikur, para njëzet vjetësh, në Athinë pashë një Ema Andrea që mund të ringjallte edhe hijet e teatrit antik. Publiku grek, që ka shije mbi artin skenik u ngrit më këmbë në standing ovations. Ajo e meritonte. Kanë kaluar gati njëzet vjet nga ajo natë në Athinë, kur Ema Andrea ndriçoi skenën e Teatrit Grek si një supernovë e artit shqiptar. Aty ku lindi vetë teatri, atje ku duartrokitjet nuk falen, ajo triumfoi. Për një gazetar shqiptar që atëherë ndiqte kulturën, ishte një moment historik, një aktore jonë që fitonte zemrat e një publiku aq kërkues. Dhe pas skenës, më priti një Ema e thjeshtë, e qetë, e përulur, një kontrast me madhështinë e talentit të saj.
Por le të kalojmë te tragjedia e sotme. Jo ajo e Sofokliut, ajo e televizionit shqiptar. Pas dy dekadash, në vend që ta shihja Emën në skenë me tekst të Euripidit, e gjeta të ulur në një studio televizive rrethuar nga qeshje që nuk dinin pse qeshnin dhe një “trajner suksesi” i cili me shumë mundim arrinte të thoshte një fjali që s’kishte lidhje me atë të mëparshmen. Thua sikur fjalët i zgjidhte duke i hedhur me short. Ja pra ku vjen ironia e jetës, pas dy dekadash, e ritakoj Emën jo në një skenë antike, por në një studio televizive shqiptare, të rrethuar nga një tjetër lloj publiku, ai që mban shënime sesi “të bëhet i pasur shpejt”. Dhe jo, nuk është kurs për matematikanë, ekonomistë apo filozofë. Është thjesht një lloj predikimi modern ku fjala e shenjtë është “lekë të shpejta”, ndërsa mëkat vlerësohet leximi i romaneve. Ky “trajner” na tregoi se varfëria ishte e neveritshme. E tmerrshme. E tmerrshme saqë nëse do të ishte ngjitur në skenën e teatrit grek, do kishte dalë me tabelë: “Ju lutem, mos më shikoni në sy, dikur kam qenë i varfër”. Ndoshta e neverit edhe kur e sheh në pasqyrë, ngaqë ia kujton të kaluarën para se të zbulonte formulën magjike të pasurimit me shpejtësinë e dritës. Formulë që për çudi nuk e shpjegon kurrë , veç nëse pagesa paraprake e kursit quhet “shpjegim”. Karriera e tij e re frymëzuese? Të mbledhë shqiptarë që paguajnë bileta për të mësuar si të bëhen të pasur më shpejt se mikrovala e kuzhinës. Dhe ndoshta edhe më shpejt se logjika njerëzore. Ndërkohë, koleget e Emës qeshnin aq shumë, sa dukej sikur i kishte kapur ndonjë gaz helum i padukshëm në studio. Ndoshta mendonin se qeshja e tepërt zëvendëson të menduarit. Ndoshta ishin duke praktikur seminarin e radhës: “Si të qeshim pa arsye, dhe pse kjo është sukses!” Ndërsa koleget e Emës qeshnin si kushdo që nuk e di pse qesh, i ftuari fliste e fliste… pa thënë asgjë. Një performancë e gjatë boshllëku, si ato filxhanët e kafesë që duken plot, por janë kthyer me kokë poshtë. Por Ema jo. Ema qëndronte aty si një shtyllë e arsyes, përpiqej t’i jepte debatit kuptim, të nxirrte një mendim, një ide, një atom substancë nga goja e “trajnerit”. Mision i pamundur. Ema ishte aty, serioze, elegante, e mençur. Dhe përballë saj… ai. Njeriu që i shmangej pyetjes si një nxënës i dobët që nuk e ka lexuar as titullin e librit. Dhe erdhi momenti kulmor. Ema Andrea, me zërin e një profesoreje që do t’i nxjerrë mendjen në shesh dikujt, pyet: “Ku e sheh veten pas 10 vjetësh?” Ja ku fillon komedia. Ai ngrin. Fytyra e tij bëhet si ekran telefoni kur ngel pa internet. Kaq shumë flet për të ardhmen, pasurinë dhe suksesin, por s’ka idenë më të vogël se ku do jetë nesër, lëre më, pas 10 vjetësh. Sepse ka një detaj të vogël. Nuk mund t’u mësosh të tjerëve si të trajnohen për sukses, nëse e vetmja gjë që ke trajnuar është memorizimi i disa frazave motivuese nga librat që as vetë autori i tyre nuk i ka lexuar. Pamja që na shfaqte ekrani i televizionit ishte epike. Ema Andrea, një mal me mend, përballë saj, një banak motivimi. Dhe kjo, miq, nuk është vetëm satirë. Kjo është fotografia e shoqërisë sonë. Artistët që dinë dhe mendojnë, përballë predikuesve të pasurisë së shpejtë që flasin pa thënë asgjë, dhe megjithatë mbushin salla. Në fund të fundit, Ema ka luajtur shumë role në karrierën e saj. Por të përballesh me trajnerë që nuk dinë as kë po trajnojnë, ky është roli më tragjikomik i saj. Dhe pikërisht aty të mbetet buzëqeshja ironike, në një vend ku arti shpesh anashkalohet, ja ku qëndron në artiste e vërtetë, duke u përballur me një fenomen që ka më shumë famë sesa thelb. Ironia nuk është tek Ema. Ironia është tek koha jonë. Në një kohë kur arti shpesh përdoret si dekor i pushtetit, ky opinion i imi ngre një pyetje të domosdoshme: A kemi më artistë që mbrojnë dinjitetin, apo vetëm emra që ndjekin financimet?
Të jesh artist është diçka që shumë e pretendojnë, por të jesh artist i madh është privilegj që e arrijnë vetëm pak. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rikthimin e Erion Veliajt në drejtimin e Bashkisë së Tiranës, rrjetet sociale u mbushën me urime dhe dedikime nga disa artistë e figura publike. Ata u shfaqën si kërpudhat pas shiut, për të treguar se “janë këtu”, ndoshta për t’u rikujtuar në ndarjen e fondeve bashkiake që shpesh maskohen si “mbështetje për artin dhe kulturën”. Fonde që, në realitet, përfundojnë në duar të një grupi të vogël që e masin artin me para, jo me shpirt. Në këtë vend, artin e kemi kthyer në instrument të pushtetit. Sa herë një politikan gjendet në telashe, disa “artistë” vrapojnë t’i qëndrojnë pranë, jo për të mbrojtur parime, por për të ruajtur privilegje. Dhe kjo nuk është art, por është pazar. Nëse Veliaj merr një shans të dytë, ndoshta ka ardhur koha të kuptojë se afërsia me influencerë që matin vlerën me ndjekës e klikime nuk sjell as art, as qytetari, e as respekt të vërtetë. Sepse artisti i madh nuk matet me ndjekës, por me ndikim. Të mbjellësh pemë me repistë rrugaqë të TikTok-ut nuk është gjelbërim, por fasadë. Do të kishte qenë më fisnike të mbilleshin ato pemë me të pastrehët, me punëtorët e qytetit, me njerëzit e zakonshëm, me ata që do ta kujtonin atë gjest për gjithë jetën. Gabimi i Veliajt nuk qëndron vetëm në politikat e tij, por në mënyrën se si përdori artistët. Ai afroi materialistët që i këndojnë parasë, jo ata që i këndojnë dhimbjes, vuajtjes dhe shpresës. Në vend që të ndante “picën e korrupsionit”, mund të kishte ndarë dinjitetin me ata që ende e mbajnë të paprekur. Artistët e mëdhenj janë ata që sakrifikojnë për artin e tyre, që na bëjnë krenarë në botë pa kërkuar shpërblim politik. Nëse duam një Tiranë më të ndershme e më të bukur, edhe arti duhet të jetë i ndershëm. Nuk ndërtohet kulturë me selfie, por me sakrificë. Nuk krijohet qytetari me pagesa, por me shembull. Në fund të fundit, arti është pasqyra e shpirtit të shoqërisë. Dhe nëse pasqyra është e shtrembër, nuk fajësohet pasqyra, por ata që e përdorin për t’u zbukuruar. Një fitore që hyn në histori. Nju Jorku ka folur majtas. Për herë të parë në historinë e tij, qyteti më i rëndësishëm i Shteteve të Bashkuara do të drejtohet nga një mysliman dhe demokrat socialist. Emri i tij Zohran Mamdani, 34 vjeç, me origjinë nga Uganda, ka fituar zgjedhjet për kryebashkiak me 56% të votave, duke mposhtur ish-guvernatorin e fuqishëm Andrew Cuomo.
Në fjalimin e tij të parë si fitues, Mamdani u shpreh: “Kjo nuk është fitorja ime, por e çdo njujorkezi që beson se qyteti duhet të jetë i drejtë për të gjithë dhe jo vetëm për të pasurit.” Rezultati shënon një ndryshim epokal në politikën amerikane ku për herë të parë, qyteti i Wall Street-it, i pasurisë dhe elitave, zgjedh një përfaqësues të krahut të majtë që flet hapur për taksa progresive, transport publik falas dhe qira të përballueshme për të gjithë. Nga periferia e politikës Zohran Mamdani ngjitet në majën e qytetit të ëndrrave. Vetëm një vit më parë, pak kush e njihte emrin e tij. Sot Zohran Mamdani është bërë simbol i një brezi të ri progresist që sfidon establishmentin politik amerikan. Me mbi 90 mijë vullnetarë të angazhuar në fushatë dhe pjesëmarrje rekord prej mbi 3 milionë votuesish, ai arriti të mobilizojë qytetin si rrallë ndonjëherë më parë. Mamdani, që dikur merrej me hip-hop dhe punonte si konsulent për strehimin social, ka ditur ta përkthejë energjinë e rrugës në një program politik që i flet qytetarëve të zakonshëm. Ai është shndërruar në zërin e atyre që ndihen të lënë pas. Shumë shpejt u bë zëri më i fuqishëm i studentëve, punëtorëve, emigrantëve dhe i familjeve me të ardhura të ulëta. Pas fitores së tij ka shpërthyer Donald Trump duke e cilësuar: “Një komunist që do ta shkatërrojë qytetin”. Reagimi nga kampi republikan ishte menjëhershëm. Pesidenti Trump e quajti Mamdanin “një komunist të çmendur që do të rrënojë Nju Jorkun”, duke e akuzuar se “po i hap derën socializmit ekstrem në zemër të Amerikës”. Megjithatë nuk ka asnjë njoftim zyrtar për “sanksione federale” ndaj qytetit, siç përflitej gjatë fushatës. Komentet e Trump mbeten pjesë e strategjisë së tij për të forcuar bazën konservatore në prag të zgjedhjeve të ardhshme presidenciale. Në anën tjetër, mbështetësit e Mamdanit e shohin këtë reagim si provë se fitorja e tij ka kapërcyer kufijtë lokalë dhe është bërë simbol kombëtar i ndryshimit të brezave dhe ideve në SHBA. Një qytet që kërkon barazi është shprehur gjatë fushatës Zohran Mamdani. Programi i Mamdanit përfshin disa nga premtimet më ambicioze që ka parë ndonjëherë Nju Jorku, si ngrirje të qirave për banesat e stabilizuara, transport publik falas për studentët dhe punëtorët me të ardhura të ulëta, taksim të pasurisë për miliarderët dhe korporatat, si dhe investime masive në strehimin publik dhe energjinë e gjelbër. Ai ka premtuar se do të financojë këto nisma duke “taksuar pasurinë, jo punën”, një filozofi që përplaset direkt me interesat e elitave të biznesit të qytetit. Komuniteti shqiptar: mes kujtesës dhe brezit të ri Fitorja e Mamdanit ka hapur edhe një debat të gjallë brenda komunitetit shqiptar në Nju Jork, një nga më të mëdhenjtë në diasporën shqiptare. Kryebashkiaku në largim, Eric Adams, ishte një mik i hapur i shqiptarëve dhe shpesh merrte pjesë në aktivitetet e tyre. Me largimin e tij, komuniteti u gjend përballë një zgjedhjeje të vështirë. Nga njëra anë, Mamdani me vizionin e tij social dhe pro-emigrant dhe nga ana tjetër, Andrew Cuomo, i lidhur me kujtesën e stabilitetit dhe mbështetjes institucionale. Shumë shqiptarë më të moshuar kanë ruajtur qëndrime të afërta me komunitetin hebre, për shkak të marrëdhënieve historike mes dy popujve dhe qëndrimit pro-izraelit të Tiranës. Kjo e bëri fitoren e Mamdanit si një përkrahës i hapur i Palestinës, por që pritet me rezervë nga një pjesë e tyre. Edhe ish asamblisti shqiptar i shtetit të Nju Jorkut, Mark Gjonaj vazhdimisht në postimet e tij ka kërkuar mbështetjen ndaj Cuomos, i cili u pa si alternativa e vetme për ta mposhtur atë ,pas dështimit të kryebashkiakut të tanishëm Erik Adams që në zgjedhjet brenda partisë Demokratike. Gjithësesi Zohran Mamdani gjeti një mbështetje më të gjerë si një shpresëdhënës për ata që janë lënë në harresë. Dhe më shumë si asnjëherë është brezi i ri, i rritur me realitetin social të Nju Jorkut, e shikoi atë si një lider të afërt me vlerat e tyre i cili ju ofron barazi, përfshirje dhe drejtësi sociale. Për shqiptarët e këtij qyteti, kjo fitore është edhe një thirrje për reflektim, nëse duam të jemi pjesë e ndryshimit, duhet të njohim frymën e kohës dhe ta përqafojmë atë me guxim. Ardhja e një socialisti në krye të metropolit më të madh të botës shënon një epokë të re jo vetëm për Nju Jorkun por edhe një sinjal për kryeqendrat e tjera të mëdha ku pakënaqësia ndaj establishmentit vazhdimisht ka kërkuar për ndryshim. Fitorja e Zohran Mamdanit nuk është thjesht një rotacion politik por është një ndryshim epokal në mënyrën si qyteti më i madh i Amerikës e koncepton vetveten. Në një kohë kur 62% e të rinjve nën 30 vjeç e shohin socializmin si një ide pozitive, Nju Jorku i Mamdanit mund të bëhet laboratori i ri i politikës progresiste amerikane, është një ndryshim epokal në mënyrën si qyteti më i madh i Amerikës e koncepton vetveten. |
AuthorWelcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema. Archives
January 2026
Categories |
RSS Feed