|
Më në fund Kryeministri reagoi, jo për t’u distancuar, por për t’i dalë në mbrojtje një nëpunëseje të administratës së tij, drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, e akuzuar dhe nën arrest shtëpie nga GJKKO. Një reagim që u ndal më shumë te “puna kolosale” e saj sesa te akuza penale që rëndon mbi të, një akuzë që nuk dëmton vetëm individin, por edhe imazhin e qeverisjes që kryeministri pretendon të përfaqësojë. Logjika e mbrojtjes është e vjetër dhe e konsumuar se ka punuar shumë, ka transformuar institucionin, ka prodhuar rezultate. Por kjo logjikë bie ndesh me një parim themelor të politikës dhe shtetit se çdo vepër shumëzohet me zero nëse morali vihet në pikëpyetje. Reagimi i Kryeministrit ishte politikisht i turpshëm. Jo sepse ai shprehu një mendim, por sepse zgjodhi të heshtë për akuzën dhe të flasë gjatë për “punën e shkëlqyer”, sikur morali dhe ligji të jenë detaje dytësore përballë performancës. Ky është thelbi i deformimit të pushtetit në Shqipëri me idenë se nëse dikush “punon shumë”, i falet gjithçka. Nuk ka reformë, digjitalizim apo “punë kolosale” që ta shpëtojë figurën publike nga dyshimi i prekjes së arkës publike. Morali është më i shtrenjtë se çdo arritje teknike. Morali nuk është aksesor, është themel. Kur themeli çahet, ndërtesa rrënohet, sado e bukur të duket fasada. Se nëse prodhon rezultate, mund edhe të vërë dorë në arkën publike, dhe kjo të konsiderohet një devijim i vogël personal. Një logjikë që nuk i përket as demokracisë, as shtetit të së drejtës, por mentalitetit të pronarit që e sheh institucionin si pronë private. Në momentin që morali përligjet, pra bëhet pis, ai zhvleftëson jo vetëm individin, por edhe institucionin që ajo drejton. Politika është e qartë në këtë pikë se figura e pastër është kriteri parësor. Kur ajo cënohet, dorëheqja nuk është dramë, por akt dinjiteti. Më mirë të largohesh vetë sesa të të largojë indinjata publike. Në çdo vend normal, një zyrtar nën akuzë nuk mbrohet nga eprori i tij me deklarata politike, por largohet derisa drejtësia të flasë. Fatkeqësisht, këtë parim Shqipëria ende nuk e ka kuptuar, pra ndodh e kundërta, drejtësia shihet si bezdi, ndërsa mbrojtja publike bëhet akt besnikërie politike. Sepse nuk mbrohet individi, por zinxhiri. Prej vitesh, vjedhjet e parasë publike kanë gjetur paqe pothuajse në çdo institucion. Dhe sa herë një zyrtar akuzohet, drejtuesit e tij vrapojnë ta mbrojnë, jo nga bindja për pafajësi, por nga frika se çdo gur që lëviz, rrezikon karrigen e radhës. I vetmi që duket se del gjithmonë i paprekur nga ky zinxhir përgjegjësish është kryeministri. Ai justifikohet, me formulën tashmë standarde: “Secili përgjigjet vetë për shkeljet e tij”, ndërsa qeverisja vazhdon sikur asgjë të mos ketë ndodhur. Madje, shpërndahen edhe certifikata morale publike për “punë shembullore”, edhe kur drejtësia ka trokitur fort në derë. Sipas kësaj logjike, mjafton të jesh i palodhur dhe efikas, dhe krimi organizuar bëhet një devijim i vogël teknik, për të cilin “le të flasë drejtësia”. Por paligjshmeria nuk është aksident individual, ai është aromë që përhapet. Dhe këtu vlen shprehja e vjetër e popullit- se ku ka tym, ka zjarr. Nëse era e tymit ka mbërritur deri në kafene dhe në biseda publike, imagjino sa fort duhet t’i ketë ardhur atij që i ka nën hundë. Ai vazhdon punën, bën propagandë për arritje dhe na kërkon të besojmë se aktet e nëndheshme ndodhin rastësisht, pa dijeninë e tij, nën hundën e tij, dhe gjithmonë vetëm nga të tjerët. Të pretendosh se nuk ke ndier asgjë, nuk është pafajësi. Është ose tallje me inteligjencën publike, ose pranim i heshtur i realitetit. Pa thënë se është ose verbëri politike, ose bashkëjetesë e qëllimshme me problemin. Dhe të dyja këto janë njësoj të rrezikshme për një shtet që pretendon të jetë modern, i ndershëm dhe me vizion evropian. Drejtuesit nuk distancohen sepse “do presim drejtësinë”. Dhe përgjegjësia politike është shndërruar në fjalë boshe për konferenca shtypi. Shqipëria nuk ka problem mungesën e reformave, por mungesën e turpit politik. Sepse në fund, nuk është drejtësia ajo që rrëzon qeverisjet. Është morali i kalbur që i bën ato të bien nga brenda. Kur pushteti fillon të mbrojë dyshimin, dhe jo integritetin, atëherë problemi nuk është një drejtoreshë. Problemi është modeli.
0 Comments
Ka momente kur media nuk gabon. rastësisht. Gabon me vetëdije. Dhe pikërisht këtu fillon problemi.
Në Shqipëri, një pjesë e mediave kombëtare duket se ka hequr dorë nga ideja e standardit dhe ka zgjedhur rrugën më të lehtë, normalizimin e figurave të kontestuara, duke i shndërruar ato në autoritete morale në ekran. Jo si lapsus editorial, por si strategji. Një televizion kombëtar, me licencë publike dhe me pretendimin për të qenë “ekran vlerash”, vendos t’i japë rol opinionisti një figure politike të lidhur me një nga kapitujt më të errët të tranzicionit. Kjo nuk është çështje ligji. Është një sfidë e hapur ndaj inteligjencës së publikut. Është një zgjedhje brilante televizive. Sepse në Shqipëri, për të folur për drejtësi nuk ke nevojë për pastërti, mjafton përvojë personale. Për të gjykuar të tjerët, nuk kërkohet integritet, por famë. Dhe për të qenë model shoqëror, mjafton të jesh pjesë e problemit. Në fund të fundit, përvoja është e rëndësishme. Dhe këtu përvoja nuk mungon. Një karrierë e ndërtuar mbi pushtet, pasuri dhe imunitet moral, sot riciklohet në rol opinionisteje në shtëpinë më të famshme të Shqipërisë. Nga sallat e politikës në sallonin e reality show-t, një tranzicion më i sinqertë se çdo reformë.Në atë shtëpi pretendohet se përfaqësohet shoqëria shqiptare në miniaturë. Dhe për ta kuptuar më mirë këtë shoqëri, producentët kanë zgjedhur një nga arketipet e saj më autentike, politikanin që pasurohet, akuzohet, por kurrë nuk largohet nga skena. Thjesht ndërron dekorin. Kur një personazh publik, i cili ndodhet nën vëmendjen e institucioneve të drejtësisë dhe ka lidhje të drejtpërdrejta familjare me çështje penale të hapura, shfaqet për të gjykuar etikën, sjelljen dhe karakterin e të tjerëve, lind një konflikt i dukshëm moral. Jo juridik. Po e përsëris, është vetëm MORAL. Në Shqipëri problemi moral nuk shihet si arsye për distancim, por shpesh si mundësi për ekspozim. Konflikti i interesit nuk shihet si kufi, por si narrativë. Këtu qëndron dallimi thelbësor që shpesh neglizhohet në Shqipëri, por që në vende me traditë mediatike trajtohet si parim bazë. Dhe për të kuptuar sa larg kemi shkuar, mjafton një shëtitje e shkurtër jashtë kufijve. Në vende me standarde reale mediatike, ky do të ishte një skandal më vete. Në Shtetet e Bashkuara ku unë jetoj, CNN shkarkoi Chris Cuomo-n jo sepse kishte kryer ndonjë krim, por sepse u konsiderua se kishte shkelur kufirin moral dhe profesional duke mbrojtur vëllain e tij, ish- governator të shtetit të Nju Jorkut. Televizioni pranoi humbje financiare për të mbrojtur besueshmërinë. Sepse besueshmëria është kapital. Në kontekste të tilla, një produksion televiziv që promovon figura problematike rrezikon jo vetëm humbjen e audiencës, por edhe distancimin e kompanive të mëdha sponsorizuese, të cilat zakonisht janë tepër të ndjeshme ndaj reputacionit, etikës dhe perceptimit publik. Reputacioni nuk negociohet. Në Shqipëri, ky parim duket se nuk vlen. Këtu, sa më i kontestuar personazhi, aq më i dëshiruar bëhet për ekranin. Sa më i rëndë debati rreth tij, aq më i fortë mikrofoni. Dhe sa më problematik profili, aq më e madhe justifikimi, “audienca”. Por audienca nuk është alibi për mungesën e moralit. Është thjesht tregues i një zgjedhjeje të qëllimshme. Pra, në Shqipëri, perceptimi publik është tjetër. Ekziston bindja se mungesa e sponsorizimit të pastër mund të zëvendësohet nga burime të tjera mbështetjeje, të cilat nuk ndjekin standardet klasike të transparencës dhe etikës. Edhe nëse kjo mbetet vetëm perceptim, ai perceptim është helmues për besimin publik. Sepse media nuk gjykohet vetëm për atë që transmeton, por për atë që toleron, justifikon dhe normalizon. Dhe kur ekrani shndërrohet në podium për figura të kontestuara, mesazhi është i qartë, integriteti nuk është kusht, por është opsional. Dhe kjo është ndoshta forma më e rrezikshme e banalizimit, jo ajo që thyen ligjin, por ajo që e bën të parëndësishëm. Ky nuk është debat mbi fajësi apo pafajësi. Ky është debat mbi kufijtë. Dhe një media serioze matet pikërisht nga kufijtë që nuk pranon t’i shkelë, edhe kur ka audiencë për t’i shkelur. Kur media zgjedh të sfidojë moralin publik, nuk dëmton vetëm veten. Dëmton besimin, relativizon drejtësinë dhe i mëson publikut një mësim të rrezikshëm, se gjithçka mund të riciklohet, mjafton të ketë dritë, kamera dhe zë. Në vend që televizioni të distancohet nga drejtësia, i del përballë asaj, si në një duel mes kamerave dhe prokurorëve. Kemi kaluar nga “presumption of innocence” te “presumption of rating”. Nga etika profesionale te audienca agresive. Nga gazetaria te varieteja morale. Në këtë Shqipëri të re, nuk ka më rëndësi çfarë ke bërë, por sa mirë dukesh në ekran. Nuk ka rëndësi dosja, por profili. Dhe nëse ke një proces me SPAK-un? Aq më mirë. Publiku e do realizmin. Dhe kjo, për një shoqëri që pretendon të ecë drejt normalitetit, është një zgjedhje editoriale që duhet diskutuar seriozisht. Ky është një diskutim mbi standardin publik që vendos media, pra, çfarë përfaqëson, çfarë normalizon dhe çfarë edukon? Sepse ekrani nuk është thjesht pasqyrë e shoqërisë, por edhe mjet formësimi i saj. Në fund, pyetja nuk është pse një figurë e caktuar shfaqet në ekran. Pyetja është pse ekrani zgjedh ta vendosë pikërisht aty, në rolin e autoritetit moral. Dhe ky është momenti kur problemi nuk është më figura në ekran. Problemi është ekrani vetë. Të ndjekësh politikën shqiptare nga jashtë vendit nuk të jep thjesht distancë gjeografike, por qartësi politike. Dhe me këtë qartësi, bëhet e pamundur të mos shohësh absurditetin e një opozite të konsumuar, e cila nuk ka më asgjë për t’i ofruar as politikës, as shoqërisë shqiptare.
Opozita shqiptare sot nuk është alternativë, por pjesë e problemit. Ajo sillet në rreth vicioz rreth të njëjtëve emra, të njëjtave fytyra dhe të njëjtit mekanizma të dështuar, duke e shitur stagnimin si rezistencë politike. Takimet, protestat dhe fjalimet e zhurmshme nuk prodhojnë as frymë, as shpresë, as besim. Ato janë thjesht zhurmë për të fshehur boshllëkun politik. Çdo ditë mediat transmetojnë vetëm fjalimet dhe përpjekjet e dështuara të kësaj opozite, e cila ka harruar se ndryshimi nuk vjen nga politikanë të konsumuar, por nga prurje të reja, të papërlyera, të distancuara qartë nga politika e vjetër dhe me ide të reja, të mbështetura në bindje të qarta të djathta dhe në mbrojtje reale të elektoratit të djathtë. Në krye të saj qëndron një lider i konsumuar, rënia e të cilit politikisht ka mbi një dekadë. Pavarësisht përpjekjeve për t’u rikthyer si figurë qendrore, ai nuk arrin të rikthejë as besimin e elektoratit, as autoritetin moral të një opozite që pretendon të luftojë korrupsionin. Përkundrazi, prania e tij e bën çdo akuzë ndaj qeverisë të duket hipokrite dhe të pabesueshme. Paradoksi është i qartë, kur anëtarë të qeverisë hetohen apo akuzohen nga SPAK për korrupsion, në skenë dalin po ata opozitarë që rëndohen nga akuza të ngjashme. Kjo e shndërron denoncimin në farsë politike. Është sikur hajduti të bërtasë “kapeni hajdutin”. Në këtë klimë, nuk dëmtohet vetëm opozita, por edhe besueshmëria e institucioneve të drejtësisë dhe serioziteti i hetimeve ndaj pushtetit. Me pak fjalë, kemi një opozitë të shteruar, që jo vetëm nuk prodhon alternativë, por shpeshherë edhe prish punë, duke humbur thelbin dhe legjitimitetin e akuzave. Si pasojë, dëmtohet serioziteti i hetimeve të SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit. Opozita shqiptare ka dështuar historikisht të ndërtojë një frymë të djathtë të vërtetë. Ajo ka braktisur elektoratin e saj natyror, përfshirë të përndjekurit politikë dhe shtresat tradicionale të së djathtës, duke i zëvendësuar me klientelizëm dhe interesa personale. Kjo shpjegon edhe boshatisjen e shesheve, në protestat e sotme nuk shkon populli, por vetëm rrethi i ngushtë i atyre që kanë përfituar nga pushteti i djeshëm i opozitës. Me këtë opozitë, çdo skandal qeveritar shndërrohet në oksigjen për qeverinë, jo në kërcënim për të. Sepse mungon autoriteti moral për të kërkuar dorëheqje, për të folur për përgjegjësi dhe për të ndërtuar një alternativë qeverisëse serioze. Një opozitë e shëndoshë, pa mëkate korrupsioni, do të ishte në gjendje të ndërtonte një frymë të re, e cila bashkon simpatizantët dhe të zhgënjyerit, ashtu siç ka ndodhur në shumë vende europiane ku opozitat kanë përmbysur sondazhet dhe kanë fituar zgjedhjet. Me këtë opozitë dhe me këta politikanë, kjo duket e pamundur. Ka tentativa individuale për ndryshim, përfshirë edhe përpjekjet e Ervin Salianjit, por ato mbeten të pamjaftueshme dhe të brishta përballë mëkateve politike, luhatjeve dhe mungesës së një ndarje të qartë nga politika e vjetër. Nëse pretendohet se aty qëndron shpresa e fundit e demokratëve, atëherë kërkohet më shumë se retorikë, kërkohet katarzis politik, i nisur nga vetja dhe i shtrirë te e gjithë struktura. Shqipëria nuk ka nevojë për riciklim figurash të konsumuara, por për një opozitë të re, të pastër, të pakomprometuar, me njerëz të arsimuar, të formuar jashtë, me vizion të qartë dhe me parime të forta të së djathtës europiane. Pa këtë ndarje radikale, opozita shqiptare do të vazhdojë të jetë jo vetëm e pafuqishme, por edhe aleati më i madh i pushtetit që pretendon të rrëzojë. Nga metafora përçmuese te realiteti i ri. Si “ushtria shqiptare” u kthye në simbol të një transformimi global.
Në vitin 2010, kur industria e argëtimit ishte ende e dominuar nga gjigantët tradicionalë, CEO i atëhershëm i Time Warner Jeff Bewkes që përfshinte Warner Brothers dhe HBO)u pyet nëse Netflix, një kompani relativisht e vogël në atë kohë mund të arrinte ndonjëherë të konkurronte me kolosin Warner Brothers dhe madje ta blinte atë. Përgjigjja e tij ironike u bë e famshme asokohe: “Nuk ka gjasa. Është si të të blejë ushtria shqiptare.” Kjo metaforë përçmuese nuk kishte asnjë lidhje direkte me Shqipërinë por ajo thjesht u përdor si një imazh të perceptuar si të vogël e të parëndësishëm për të nënvlerësuar Netflix-in. Në thelb, CEO Jeff Bewkes donte të thoshte se kompania ishte shumë e vogël, pa ndikim dhe pa asnjë mundësi të kërcënonte status quo-në e industrisë. Por historia ka një mënyrë të veçantë për të përmbysur paragjykimet e sidomos kur në mes futet teknologjia. Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, metafora e tij është kthyer kokëposhtë. Netflix, dikur i krahasuar me “ushtrinë shqiptare”, sot është një nga gjigandët globalë të argëtimit dhe ndodhet në fazat finale të blerjes së Warner Brothers për 72 miliardë dollarë. Kompania që dikur injorohej si një aktor i vogël sot formëson shijet, zakonet dhe kulturën e miliarda njerëzve në mbarë botën. Paradoksalisht, edhe Shqipëria ka ndryshuar. Nga një simbol i vogëlsisë në metaforën e vitit 2010, sot vendi ka rritur rolin e vet si faktor stabiliteti në rajon dhe si një aleat aktiv në NATO. Ndryshimet në Forcat e Armatosura, zhvillimet politike, angazhimet ndërkombëtare dhe modernizimi gradual e kanë bërë Shqipërinë një aktor më të respektuar në skenën euroatlantike. Edhe pse transformimi i një vendi nuk është i njëjtë me revolucionin teknologjik të një platforme globale, të dyja tregojnë të njëjtën të vërtetë: "Asgjë nuk mbetet e vogël përgjithmonë". Ironia e deklaratës së CEO-s të Warner Brothers, Jeff Bewkes i vitit 2010 është e pamohueshme. Netflix, që u tall si i pafuqishëm, jo vetëm që sfidoi industrinë, por e rikonfiguroi atë nga themelet. Nga shpërndarja tradicionale e filmave te prodhimet origjinale, nga sala e kinemasë te ekrani i shtëpisë, kompania shndërroi të gjithë mënyrën se si njerëzit konsumojnë argëtim. Ky episod mbetet një mësim i qartë për biznesin, politikën dhe shoqëritë: kurrë mos nënvlerëson të voglin. Teknologjia, vizioni dhe koha kanë forcën të transformojnë edhe atë që dikur dukej i parëndësishëm në një faktor global. Dhe në këtë rast, si Netflix-i ashtu edhe Shqipëria e kanë treguar se rritja është gjithmonë e mundur dhe shpesh tejet e papritur. |
AuthorWelcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema. Archives
January 2026
Categories |
RSS Feed