|
Këto fotografi janë shkrepur në orën 22:14 të mbrëmjes së 24 tetorit 2024, në Stadiumin Olimpik të Athinës. Për shumëkënd është thjesht një stadium, por për mua ishte një zyrë pune. Për dhjetë vite me radhë raportova prej aty çdo ndeshje të Panathinaikosit, një klubi historik që renditet mes më të mëdhenjve të futbollit grek dhe që kujtohet ende si finalist i Kupës së Kampioneve të Europës në vitin 1971, përballë Ajaksit legjendar të Johan Krujfit.
Gjatë vizitës sime në Greqi, pas 15 vitesh, nuk mund të mungonte një rikthim në atë stadium. Rastësia deshi që atë mbrëmje Panathinaikosi të përballej me gjigantët londinezë të Çelsit në Europa League. Në tribunën e shtypit kisha pranë edhe bashkëshorten time, Ediolën. Doja t'i tregoja nga afër se si punoja dikur, sesi raportoja ndeshjet, sesi prisja me orë të tëra në zonën mikse për të marrë një deklaratë ekskluzive, me një kasetofon në dorë, apo së bashku me kameramanët pas sfidave më të rëndësishme. Shpesh duhej të prisje në shi, në të ftohtë dhe deri natën vonë vetëm për të marrë atë që në gjuhën e gazetarisë quhet "lajmi". Çdo intervistë dhe çdo informacion dërgohej menjëherë te kolegët e mi të Panorama Sport, me në krye gazetarin e talentuar Jetmir Halili, të cilët e ngritën gazetën në nivelet më të larta të gazetarisë sportive shqiptare me intervista ekskluzive të yjeve më të mëdhenj të futbollit botëror. Por atë mbrëmje nuk isha më aty për të raportuar ndeshjen. Jetoja tashmë në Shtetet e Bashkuara dhe mendja ime ishte te Botërori 2026. Prandaj vendosa t'i bëja një pyetje krejt ndryshe mbrojtësit të Çelsit dhe kampionit të saposhpallur të Europës me Spanjën, Marc Cucurella. Në zonën ku dalin futbollistët kishte gazetarë grekë dhe britanikë që e pyesnin për ndeshjen dhe për Çelsin. Kur erdhi radha ime, e pyeta krejt papritur për Kombëtaren e Spanjës dhe objektivin për të fituar Botërorin 2026. Për një çast ai mbeti i surprizuar. Edhe gazetarët përreth u habitën, aq sa dëgjova madje dikë të pëshpëriste: "Për çfarë po flet ky?", ndërkohë që të gjithë ishin mbledhur për Panathinaikos–Çelsi. Cucurella buzëqeshi dhe, me shumë respekt, u përgjigj: "Oh... për Botërorin është ende herët të flasim. Por mos harroni se jemi kampionët në fuqi të Europës. Pse të mos fitojmë edhe Kupën e Botës? Kemi një skuadër shumë të fortë dhe plot talente." Për mua kjo mjaftonte. Ishte një deklaratë me vlerë nga një prej futbollistëve më të mirë në botë në pozicionin e tij dhe një nga protagonistët e Spanjës. Sapo mbaroi përgjigjen, Cucurella u nis me vrap drejt autobusit ku e prisnin shokët e skuadrës, duke mbajtur në njërën dorë edhe vaktin e tij të ushqimit. Ishte me nxitim, por kjo nuk e pengoi të ndalonte pak çaste më vonë për të bërë fotografinë që Ediola i kërkoi me shumë mirësjellje. Unë nuk e kisha menduar fare, sepse isha përqendruar vetëm tek deklarata e tij . Ai u kthye menjëherë dhe iu përgjigj: "Sigurisht, me shumë kënaqësi." Dhe kështu u realizua kjo fotografi. Kur ai u largua, Ediola më tha diçka shumë të rëndësishme: "Ti more një lajm shumë të mirë, por lajmi ka nevojë edhe për një fotografi që ta dëshmojë dhe ta ilustrojë." Kishte plotësisht të drejtë. Sot, kur e shoh këtë fotografi, më kujton jo vetëm një deklaratë të veçantë, por edhe një parashikim që doli i saktë. Atë mbrëmje të 24 tetorit 2024, Marc Cucurella besonte se Spanja kishte potencialin për të fituar Botërorin 2026. Ndoshta Spanja nuk ishte skuadra më spektakolare e këtij Botërori, por ishte padyshim më e qeta, më e pjekura dhe më e sigurta gjatë gjithë rrugëtimit të saj. Kur në skuadër ke futbollistë si Rodri, Lamine Yamal, Marc Cucurella dhe shumë talente të tjera të jashtëzakonshme, suksesi nuk është rastësi, por rezultat i cilësisë, organizimit dhe mentalitetit fitues.
0 Comments
Leave a Reply. |
AuthorWelcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema. Archives
August 2026
Categories |
RSS Feed