Marko Caka
  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact

Babai im, Zadrima dhe dinjiteti që nuk e mposhti dot as regjimi

2/10/2026

0 Comments

 
U linda në zemër të Zadrimës, në një fshat të vogël që quhet Hajmel. Nga ajo që më kanë treguar, lindja ime u prit si bekim, jo për mua, por për tim atë. Fshatarët e donin aq shumë, sa thoshin se në fshatin e tyre kishte lindur djali i kryetarit. Babai im, Prend Caka, ishte kryetar kooperative, një njeri që pushtetin e kuptonte si shërbim dhe jo si privilegj.

Zadrima është një fushë e bekuar nga natyra, e përshkuar nga Drini dhe e rrethuar nga male e kodra, por historinë e saj e kanë bërë njerëzit. Aty kishte të mirët, kishte edhe nga ata që “të qajnë ditën e të vrasin natën”. Dy krahina bashkëjetonin në heshtje, me  zadrimorët vendas  e mirditorë të ardhur, me virtytet dhe mëkatet e tyre.

Babai im kishte gjetur çelësin e komunikimit me të gjithë, në sajë të intelektit dhe karakterit të tij. Për këtë arsye, periudha kur drejtoi kooperativën e Hajmelit ishte më e lumtura e jetës së tij. Fshatarët e donin për shpirtin e madh. Aq shumë, sa edhe vite më vonë, kur kaloja andej dhe thosha se isha i biri i tij, ndihesha krenar dhe i turpëruar njëkohësisht.  Krenar për emrin që mbaja, i turpëruar sepse e dija sa e vështirë ishte t’i ngjaje atij.

Gjithçka ndryshoi rrufeshëm. Me një shkarkim të menjëhershëm, babai im u shpall armik i partisë. Dhe kur partia nuk të do, bëhesh automatikisht edhe armik i popullit. Nisi kalvari. Falë respektit që kishte krijuar tek njerëzit, nuk përfundoi në qelitë e errëta ku shumë të tjerë u shuan, por trauma mbeti.

U rrita duke e ndjerë dhimbjen e tij, edhe pse ai mundohej të më mbronte. Nuk donte të më ngarkonte me frikën e vet. Përkundrazi, më mësonte se jeta përballohet me punë, dinjitet dhe bashkëjetesë. Ai e dinte se në monizëm, po të të marrë lumi, nuk shpëton. Fitorja e vetme është mbijetesa.

Në familjen tonë bashkëjetonin dy histori, gjyshi im, ish-partizan i Brigadës 27, një njeri i thjeshtë dhe i ndershëm, dhe gjyshja ime,  një tipike mirditore e mençur e fisnike, që mbante në heshtje dhimbjen e vrasjes së vëllait të saj 14-vjeçar nga njësitet ndëshkuese ndaj antikomunistëve. Ajo dhimbje u kthye në biografi dhe u pagua nga babai im.

Mes frikës, bullizmit dhe hipokrizisë, shpëtimi im i vetëm ishte futbolli. Në fushë harroheshin ndasitë dhe mllefet. Edhe Vllaznia që e kam për zemër, po të vinte në Naraç, e kishte të vështirë.

Babai im nuk mburrej kurrë me të mirat që bënte, por fshatarët i mbanin mend. Një natë, një burrë me shumë fëmijë vodhi një thes misri për të ushqyer familjen. Në vend ta dërgonte në burg, babai im e dëgjoi, e kuptoi dhe jo vetëm që e fali, por urdhëroi t’i dërgonin thasë misri në shtëpi. Për të, pushteti ishte ndihmë, jo dënim.

Edhe arrestimin e babait të ish-Prokurores së Përgjithshme, Arta Marku, e kishte penguar dikur. Këtë e mësova shumë vonë, pas vdekjes së tij, atëherë kur emërimi e kryeprokurores bëri bujë.

Në fund, babanë tim e shpëtoi kujtesa e njerëzve, jo regjimi. U larguam nga Zadrima dhe unë vazhdova jetën studimore në Shkodër, qytetin që na formoi të dy. Një qytet që të imponon njerëzillëk dhe qytetari.
Dhe sot, shpesh  ia them vetes gjatë karrierës sime të larmishme, si një amanet i pashkruar i shkodranëve.
​
“Po të jesh shkodran, tana i ban.”
0 Comments



Leave a Reply.

    Author

    ​Welcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema.
    Happy reading! 

    Archives

    February 2026
    January 2026
    December 2025
    November 2025
    October 2025
    September 2025
    August 2025
    July 2025
    June 2025
    May 2025
    March 2025
    February 2025
    January 2025
    December 2024
    November 2024
    October 2024
    September 2024
    August 2024
    July 2024
    May 2024
    January 2024

    Categories

    All

    RSS Feed


  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact