|
Jemi në prag të finales së madhe të 19 Korrikut. Vetëm pak kilometra më ndajnë nga stadiumi ku do të shkruhet historia, por në të njëjtën kohë ndihem më larg se kurrë nga brendësia e atij tempulli të futbollit. Tempuj që kam ndjekur dhe kam rrëfyer për më shumë se 25 vjet në karrierën time si gazetar sportiv. Ironia është e hidhur, fizikisht jam kaq pranë, por profesionalisht më larg se kurrë nga spektakli që ka qenë një pjesë e pandashme e jetës sime.
Ky Botëror do të mbahet mend si një nga më të debatueshmit në histori. Ky Botëror ka të gjitha gjasat të mbahet mend si një nga më të shëmtuarit dhe më të debatueshmit që është zhvilluar ndonjëherë. Jo vetëm për atë që po ndodh në fushë, por sidomos për atë që po ndodh jashtë saj. Sot vëmendja duket se është zhvendosur nga futbolli te komercializmi. Fitimet marramendëse të organizatorëve, sponsorëve dhe markave globale kanë marrë përparësi ndaj vetë lojës. Në tribunat VIP dhe në çdo cep të stadiumeve shohim influencerë me miliona ndjekës, shumë prej të cilëve nuk kanë asnjë lidhje me futbollin. Ata janë aty për të krijuar përmbajtje për rrjetet sociale, për të bërë fotografi me yjet e futbollit dhe për të promovuar markat, ndërsa tifozët e vërtetë shpesh mbeten jashtë. Edhe më shqetësues është fakti se gazetarë me dekada përvojë, që ia kanë kushtuar jetën raportimit të futbollit, po e humbasin vendin e tyre përballë figurave të rrjeteve sociale. E kam përjetuar edhe vetë këtë realitet. Pas më shumë se 25 vitesh në gazetarinë sportive, me raportime nga kampionate evropiane dhe botërore, e pashë se eksperienca dhe profesionalizmi vlejnë më pak se numri i ndjekësve në rrjetet sociale. Kjo nuk është thjesht padrejtësi ndaj gazetarëve, por është një sinjal se futbolli po i jep përparësi marketingut mbi meritën dhe se spektakli po zëvendëson përmbajtjen. Një tjetër zhgënjim është Brazili. Për herë të parë, si admirues i Seleçaos që nga fëmijëria, e gjeta veten duke mos ditur as emrin e sulmuesit me numrin 9. Më duhej të prisja kamerën televizive që të lexoja emrin në fanellë. Kjo tregon shumë për mungesën e figurave që dikur e bënin Brazilin sinonim të spektaklit dhe magjisë së futbollit. Për një komb me pesë tituj botërorë, kjo është një varfëri yjesh që nuk mund të kalojë pa u vënë re. Po aq debatues ka qenë edhe rrugëtimi i Argjentinës. Për shumë tifozë është krijuar përshtypja se disa vendime arbitrale kanë shkuar në favor të saj. Episodi i kartonit të padhënë ndaj Lionel Mesit në ndeshjen e parë dhe vendime të tjera gjatë turneut kanë ushqyer bindjen se standardi nuk ka qenë i njëjtë për të gjithë. Nëse ato vendime do të ishin marrë ndryshe, ndoshta edhe historia e këtij Botërori do të kishte marrë një tjetër drejtim. Nuk është e mundur të provohet se ekziston një plan i organizuar për të favorizuar Argjentinën apo Mesin. Megjithatë, është e kuptueshme që shumë tifozë krijojnë këtë perceptim kur shohin vendime të diskutueshme që përsëriten. Në një epokë ku marketingu dhe imazhi kanë një peshë të jashtëzakonshme, çdo episod i tillë ushqen dyshimet dhe dëmton besimin te drejtësia sportive. Për mua, problemi më i madh nuk është Lionel Mesi. Ai është një nga futbollistët më të mëdhenj të historisë dhe këtë nuk e vë askush në diskutim. Problemi është se futbolli po humbet shpirtin e tij. Diego Maradona e paralajmëronte prej vitesh se komercializmi i tepruar do ta vriste magjinë e lojës dhe do ta kthente futbollin në një produkt marketingu. Sot, shumë prej atyre paralajmërimeve profetike duken më aktuale se kurrë. Futbolli i madh është ndërtuar mbi emocionin, meritën dhe surprizat. Kur tifozët fillojnë të besojnë se interesat ekonomike kanë më shumë peshë se ajo që ndodh në fushë, humbet elementi më i shenjtë i sportit, pra besimi se rezultati vendoset vetëm nga loja. Dhe pikërisht kjo është arsyeja pse ky Botëror rrezikon të mbahet mend jo për spektaklin që prodhoi, por për debatet që la pas.
0 Comments
Leave a Reply. |
AuthorWelcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema. Archives
August 2026
Categories |
RSS Feed