|
Erdha, pashë dhe ika. Siç vijnë zakonisht ata që ende kanë sy për të parë dhe nerva për të mos u mashtruar. Pashë atë që kisha lënë, sepse realiteti nuk ka lëvizur askund. Por nuk pashë atë që kisha ëndërruar, sepse në Shqipërinë e sotme ëndrrat përdoren kryesisht si dekor fushatash. Ato janë pjesë e skenografisë politike, jo e jetës së përditshme.
Shqipëria që më doli përpara nuk ishte një vend në transformim, por një skenë e lodhur, e mbuluar me drita festive, sikur të ishte marrë përkohësisht me qira për xhirime propagandistike. Sikur varfëria të ishte thjesht problem ndriçimi. Sikur mjaftonin dritat për të zhdukur errësirën sociale. Ky iluzion u rrëzua brutalisht me përmbytjet që përfshinë pothuajse gjithë vendin. Ato treguan edhe një herë se fatkeqësitë në Shqipëri rrallëherë janë thjesht natyrore. Shtëpi të përmbytura, rrugë të shkatërruara, lagje të tëra nën ujë, jo sepse reshjet ishin të jashtëzakonshme, por sepse kanalizimet nuk janë ndërtuar kurrë siç duhet, lumenjtë nuk janë mirëmbajtur dhe planifikimi urban është sakrifikuar për përfitime afatshkurtra dhe imazh politik. Përmbytjet nuk zbuluan një përjashtim, por zbuluan realitetin. Ato ekspozuan një shtet që investon më shumë në fasadë sesa në infrastrukturë, më shumë në propagandë sesa në parandalim. Kur uji ngrihet, ngrihen edhe pasojat e dekadave të neglizhencës. Shqipëria flet vazhdimisht për “madhështi” dhe “zhvillim”, ndërkohë që jeton me një kompleks inferioriteti kronik. Pra, mjafton vetëm një fatkeqësi natyrore dhe gjithçka del në sipërfaqe, sepse bonifikimi dhe menaxhimi i ujërave ose nuk janë bërë kurrë, ose ekzistojnë vetëm në letra. Do të doja, ta doja Shqipërinë si SHBA-në ku jetoj. Por atje madhështia nuk fillon me zbukurime dhe nuk mbaron me slogane. Realiteti nuk ka nevojë për grimin e festave për të fshehur rrudhat e pabarazisë. Këtu dëshira është luks, ndërsa realiteti është borxh, por një borxh që trashëgohet brez pas brezi. Shqipëria ime është ende shumë larg asaj që shitet në vitrinën politike. Jo gjeografikisht, por moralisht. Mediat e mëdha janë shndërruar në kronikanë oborri. Jo për të mbajtur pushtetin përgjegjës, por për t’i shërbyer atij. Ato transmetojnë jetën e politikanëve me një devotshmëri që do ta kishin zili edhe regjimet autoritare klasike. Asnjë pyetje e pakëndshme, asnjë bezdi. Vetëm reportazhe të lëmuara për “vizion”, “sukses” dhe “transformim”. Ndërkohë, qytetarët e zakonshëm, janë ata që dhanë votën dhe besimin, shpesh nën kushte varfërie dhe verbërie, por mbeten figurantë në fund të kronikës, nëse përmenden fare. Qendra e Tiranës i ngjan gjithnjë e më shumë një Times Square-i të keqkopjuar. Drita që verbojnë për të mos lejuar shikimin përtej tyre. Një qendër e shkëlqyer për turistët dhe kamerat, ndërsa periferitë mbeten po aq të harruara sa dekada më parë. Sot ato nuk janë më thjesht të varfra, por janë bërë të padukshme. Një elitë e re e mban këtë prapaskenë të mbyllur me vetëdije. Sepse luksi në Rolling Hills, Kodrat e Diellit apo Gjirin e Lalëzit humbet çdo kuptim po t’u hapet perdja. Kjo elitë, e prodhuar nga një sistem i korruptuar, sot shitet si imazh suksesi dhe jep leksione për “sipërmarrje” dhe “rrugë drejt pasurisë”, gjithmonë kundrejt një pagese, gjithmonë pa shpjeguar pikën e nisjes.Një elitë që mat zhvillimin me restorante luksoze dhe kulla, ndërsa qytetarët matin muajin me ditë. Si mund të flasësh për “boom ekonomik” kur komunitete të tëra mbijetojnë me borxhe, kredi informale dhe dërgesa nga diaspora? Si mund të flasësh për zhvillim kur përmbytjet shkatërrojnë shtëpi dhe biznese që nuk kanë asnjë rrjet sigurie? Si mund të flasësh për mirëqenjë kur përmbytjet shkatërrojnë jetën e atyre që tashmë janë në kufijtë e mbijetesës? Pashë edhe një kryeministër që ka zbuluar formatin më të sigurt të pushtetit, monologun e paketuar si dialog. Në podcastin e tij ftohen vetëm ata që e admirojnë, ata që i shërbejnë narrativës. Kritika nuk hyn në studio, sepse do t’i prishte akustikën e lavdërimeve. Kur pushteti flet vetëm me veten, demokracia kthehet në podcast, ndërsa realiteti mbetet jashtë mikrofonit. E gjithë kjo Shqipëri e ndriçuar, e kuruar, e filtruar, më ngjan me një shtëpi të bukur nga jashtë, por me themele të krisura. Një vend që investon më shumë në fasadë sesa në dinjitet, më shumë në propagandë sesa në drejtësi, më shumë në imazh sesa në njeriun. Prandaj erdha, pashë dhe ika. Jo nga mungesa e dashurisë, por sepse dashuria kërkon sinqeritet. Dhe aty ku realiteti mbytet nga dritat, apo nga ujërat, sinqeriteti është viktima e parë. Erdha, pashë… dhe ika sërish. Jo si akt braktisjeje, por si akt mbijetese morale.
0 Comments
Nuk jam ekspert i politikës, por si gazetar karriere në Greqi, kam një avantazh që shpesh mungon në debatin shqiptar në krahasimin empirik. Shqipëria e sotme ngjan në mënyrë shqetësuese me Greqinë e viteve ’90 deri në 2010, jo thjesht në nivel retorike, por në strukturën e pushtetit, marrëdhënien politikë–biznes dhe në normalizimin e korrupsionit si mjet qeverisjeje.
Për shkak se jeta dhe aktiviteti im profesional janë zhvilluar në Greqi, studimi i fenomenit të korrupsionit më ka ardhur natyrshëm. Jo vetëm sepse Greqia u cilësua për dekada si “kampione” e abuzimit me fondet publike, por sepse aty mësova si ndërtohet korrupsioni si sistem, si përhapet, si normalizohet dhe si, herë pas here, has rezistencë nga shoqëria civile apo grupime politike që zakonisht humbasin betejën. Modeli është i thjeshtë dhe i rrezikshëm me dy parti sunduese, politikanë që ndryshojnë ngjyrat por jo zakonet, dhe një elektorat i lodhur që votohet më shumë nga frika sesa nga shpresa. Madje, në qarqet politike qarkullonin prej vitesh edhe informacione për “trajnimet” e politikanëve të rinj shqiptarë në forume rinore greko-shqiptare, si rasti i Kamena Vurlës në Greqi, një Jale politike, ku mësohej jo shërbimi publik, por teknika e kapjes së pushtetit dhe shfrytëzimit të tij. Ku pionierët e këtij kampingu trajnues të asokohë, ishin Monika Kryemadhi me shokët e shoqet e saj të partisë. Por kjo i përket së shkuarës. Dhe drejtësisë së re. Në Greqi, për dekada me radhë, dy partitë e mëdha, PASOK dhe Nea Demokratia e alternuan pushtetin duke ndërtuar një shtet klientelist. Rezultati dihet, falimentimi i vitit 2010, kolapsi i besimit publik dhe shkatërrimi i klasës së mesme. Sipas të dhënave të Transparency International, Greqia renditej për vite me radhë ndër vendet më të korruptuara të BE-së, ndërsa borxhi publik arriti mbi 180% të PBB-së. Shqipëria sot ndodhet në një stad të ngjashëm, por pa luksin e një ekonomie të madhe. Edhe këtu kemi një bipartizëm të ngrirë, ku rotacioni nuk ka prodhuar ndryshim sistemi, por vetëm ndërrim aktorësh. Edhe këtu korrupsioni nuk është devijim, por mekanizëm funksional i pushtetit. Sipas raporteve të fundit ndërkombëtare, Shqipëria vazhdon të ketë probleme serioze si me kapjen e institucioneve, lidhjen e politikës me interesat oligarkike, dhe përdorimin e fondeve publike si instrument elektoral. SPAK ka prodhuar hetime dhe arrestime të nivelit të lartë, një zhvillim i rëndësishëm historik, por kjo nuk ka krijuar ende frymë politike, sepse drejtësia vepron mbi individë, ndërsa problemi është strukturor. Pra këtu qëndron thelbi se skandalet nuk rrëzojnë qeveri nëse nuk ka FRYMË. Çështja sot nuk është si u bënë politikanët e tranzicionit kaq të korruptuar, por si mposhtet binomi politik që e ka mbajtur peng Shqipërinë për dekada. Dhe kjo nuk ndodh brenda një dite. Nuk ndodh as me skandale, as me dosje, as me konferenca shtypi. Ndodh vetëm kur krijohet ajo që unë e quaj FRYMA. Pa frymë, nuk ka pushtet. Në këtë vakuum shfaqen figura të reja politike. Adriatik Llapaj është një prej tyre. Protesta e tij e vazhdueshme, simbolike, e vetmuar shpeshherë, tregon një gjë të rëndësishme që do të thotë se ekziston një nerv i pashuar në shoqëri, por ai ende nuk është organizuar në masë kritike. Nëse kërkojmë analogji historike, ajo nuk është romantike, por brutale se Aleksis Çipras nuk erdhi në pushtet sepse ishte i ri apo i pastër. Ai erdhi sepse dy partitë tradicionale kishin humbur çdo legjitimitet moral, shoqëria greke kishte prekur fundin, dhe ishte krijuar një aleancë e gjerë e të zhgënjyerve, jo thjesht e militantëve. SIRIZA nuk fitoi vetëm votuesit e majtë. Ajo fitoi të pavendosurit, ish-votuesit e PASOK-ut, partitë e vogla, dhe qytetarët që kishin frikë nga dalja e Greqisë nga eurozona. Nga 3% në 36.34% nuk të çon idealizmi, por kriza + fryma + besueshmëria morale. Morali është i thjeshtë, se pushteti nuk vjen nga mllefi, por nga FRYMA. Dhe ironikisht, ajo qeveri “radikale” rezultoi një nga më të suksesshmet e Greqisë moderne, që shpëtoi vendin nga dalja nga eurozona dhe zgjidhi një konflikt 30-vjeçar me Maqedoninë e Veriut në çeshtjen e emrit të saj. Në Shqipëri, problemi është se FRYMA pengohet nga një faktor kyç, opozita e vjetër e diskredituar. Një opozitë që ka qeverisur keq, është përfshirë në afera madhore, nuk ka bërë kurrë autokritikë dhe që sot shfaqet si luftëtare e korrupsionit pa kërkuar asnjëherë falje. Kjo opozitë është paradoksi shqiptar që sa herë del në rrugë, forcon qeverinë. Sepse shoqëria nuk mobilizohet për t’u rikthyer në të shkuarën. Dhe sepse memoria kolektive nuk ka harruar as korrupsionin, as arrogancën, as dhunën politike të asaj periudhe. Pa pendesë, pa distancim, pa ndryshim real, ajo nuk mund të jetë instrument rrëzimi i askujt. Këtu qëndron prova më e madhe për çdo lëvizje të re, përfshirë Llapajn. Pra hapi i parë, distancimi publik, i qartë dhe pa ekuivoke nga opozita e vjetër. Jo heshtje. Jo neutralitet. Por ndarje politike dhe morale. Nëse Llapaj dëshiron vërtet të ndërtojë FRYMËN, ai duhet të protestojë edhe kundër kësaj opozite, jo të marshojë pranë saj. Duhet t’ua heqë maskën atyre që e përdorën pushtetin për përfitim personal dhe që sot sillen si shpëtimtarë. Hapi tjetër është rinia. Jo si dekor, por si motor përçarës brenda familjeve politike. Sepse brezi i ri shqiptar nuk ka nostalgji për partitë, nuk ka borxhe ideologjike dhe nuk pranon më autoritetin politik si dogmë. Sepse rinia është brezi më pak i infektuar nga klientelizmi, më pak i shantazhuar emocionalisht nga partitë dhe më pak i verbuar nga nostalgjitë e rreme. Ky brez ka një fuqi që prindërit e tij nuk e patën, dyshimin. Dhe pikërisht ky dyshim është lënda e parë e FRYMËS. Në Greqi, FRYMA u ndërtua mbi frikën e humbjes së gjithçkaje. Në Shqipëri, ajo duhet të ndërtohet mbi refuzimin e përjetësimit të dështimit. Nëse kjo frymë nuk ndërtohet, Shqipëria nuk do të ndryshojë edhe nëse arrestohen dhjetëra politikanë, hapen qindra dosje, ose shpallen dhjetëra “reforma”. Sepse pa frymë, pushteti vetëm riciklohet. Dhe historia na e ka mësuar tashmë, në Athinë dhe jo vetëm se kur shoqëria nuk beson më askënd, fiton ai që arrin t’i japë shpresës formë politike. Dhe FRYMA në Shqipëri nuk ndërtohet me fytyrat e vjetra, por me guximin për t’u ndarë prej tyre. Nëse kjo ndodh, atëherë po, themi se lëvizja Llapaj mund të jetë në rrugën e duhur. Në të kundërt, pra po e ritheksoj, pa ndarje nga e vjetra, pa guxim moral dhe pa FRYMË, çdo lëvizje e re rrezikon të mbetet thjesht episodi i radhës- "Një zhurmë e re në një sistem të vjetër". “Unë nuk jam Slobodan Millosheviç. Nuk jam as budalla dhe as naiv t’ju besoj.” Kështu flet Aleksandër Vuçiç, ish-nxënësi model i kasapit të Ballkanit, njeriu që sot përpiqet të na shesë idenë se ka dalë nga e njëjta stallë politike, por pa erën e gjakut.
Qetësohuni. Askush nuk tha që Aleksandër Vuçiç është Millosheviç. Thjesht se vjen nga e njëjta recetë, i njëjti laborator politik, me të njëjtët përbërës, vetëm se sot prodhimi është për eksport europian dhe jo për konsum të brendshëm ballkanik.Pra një lloj Millosheviçi “bio”, i paketuar vetëm për Brukselin. Millosheviçi ishte versioni analog, i zhurmshëm, brutal, i pakompromis. Vuçiçi është versioni digjital, më i heshtur, më i lëmuar, me përditësime periodike për t’iu përshtatur Brukselit. Krimet? Të arkivuara. Ideologjia? Ende aktive në sfond. Deklarata e tij vjen pas dy dekadash, kur Millosheviçi tashmë është i sigurt, i vdekur, i gjykuar dhe i padëmshëm për karrierën politike të askujt. Është gjithmonë e lehtë të jesh trim me kufoma. Problemi është se Serbia nuk u shkatërrua nga naiviteti i Millosheviçit, por nga bindja e plotë e njerëzve si Vuçiç, se po bënin gjënë e duhur. Çështja Millosheviç, na thuhet, është mbyllur. Po, juridikisht. Moralisht? Ajo mbetet vula e turpit që e ka shndërruar Serbinë në shembullin më të errët të Europës moderne, si një shtet që foli për komb, por prodhoi varre masive. Sipas Vuçiçit, ai është thjesht më i zgjuar. Jo më i drejtë, jo më njerëzor, por thjesht më pak naiv. Me fjalë të tjera, Vuçiç nuk gabon si Millosheviçi, ai mëson nga gabimet e tij. Jo për të mos i përsëritur krimet, por për të mos u kapur. Sipas logjikës së re të Vuçiçit, problemi nuk ishte ideja e Serbisë së Madhe, por menaxhimi i saj. Jo krimi, por mënyra si u bë krimi. Jo urrejtja, por fakti që ishte shumë e dukshme.E thënë troç, Millosheviçi humbi sepse nuk dinte të shtirej si demokrat. Nëse Vuçiç e dinte se Millosheviçi ishte naiv, pse nuk ia tha atëherë? Pse nuk ia tha në sy, kur propaganda serbe ndizte Ballkanin dhe kufomat ende ishin të ngrohta? Përgjigjja është ofenduese për inteligjencën, sepse Vuçiç nuk ishte viktimë e regjimit, por ishte produkt i tij. Një ingranazh i bindur i makinerisë së megalomanisë serbe, ku heshtja nuk ishte frikë, por bashkëfajësi. Të gjithë ata që sot shtiren si “reformatorë” ishin dje ushtarë ideologjikë të një projekti kriminal. Nacionalizmi i tyre nuk ishte aksidental, por ishte doktrinë. Ishte aq i injektuar në tru, sa edhe kur realiteti i tregonte humbjen, ata vazhdonin të flisnin për fitore historike. Një skizofreni politike që Serbia e pagoi me izolim, sanksione dhe gjenerata të humbura, si dhe turpin historik që nuk do i ndahet kurrë. Nacionalizmi serb nuk ka vdekur, thjesht ka mësuar gjuhë të huaja. Nuk ulëret më në sheshe, por pëshpërit në zyrat e pushtetit. Nuk vishet më me uniformë ushtarake, por me kostum të errët dhe kravatë serioze. Është bërë i edukuar. Dhe, si çdo gjë e edukuar, është edhe më i rrezikshëm. Helmi është i njëjti, vetëm se injektohet në doza të vogla, që të mos vdesë pacienti… por as të mos shërohet. Sot jemi në vitin 2026 dhe Vuçiç përpiqet të na bindë se është pastruar. Sigurisht që po, njësoj siç lyhet fasada e një godine të kalbur. Dhe sigurisht tani, Vuçiç na siguron se ai nuk është naiv. Gjë e vërtetë. Ai e di shumë mirë se sot nuk fiton pushtet me tanke, por me konferenca shtypi. Jo me paramilitarë, por me fraza të gatshme për “stabilitet rajonal”. Jo me ultimatume, por me buzëqeshje diplomatike që zgjasin aq sa duhet për të kaluar radhën në Bruksel. Ironia më e madhe është se Vuçiç sot flet për Perëndimin si destinacion, ndërkohë që mendon për fqinjët si pronë. Flet për paqe, por ushqehet nga frika. Flet për të ardhmen, por mban peng të shkuarën. Një akrobat politik që ecën mbi litarin e historisë, duke u shtirur se poshtë nuk ka kufoma. Shpresa, për fat të keq për Vuçiçin, nuk vjen nga fjalimet e tij, por nga studentët që nuk e duartrokasin më. Nga rinia e Serbisë që në "vizionin" e Vuçiçit është rreziku më i madh sesa Perëndimi. Nga një brez që nuk e ka nostalgjinë e humbjeve të mëdha dhe as mitologjinë e viktimizimit të përhershëm. Një brez që e ka kuptuar se nacionalizmi është një justifikim për dështim, që nuk të jep identitet, por certifikatë izolimi. Vetëm kjo gjeneratë, e cila nuk mban gjakun e së shkuarës në duar, mund ta çlirojë Serbinë nga hijet e Millosheviçit duke përfshirë versionin e tij “të moderuar”. Vetëm kjo gjeneratë mund ta bëjë atë që Vuçiç nuk e bëri kurrë, ta pranojë realitetin e Kosovës si shtet fqinj, jo si fantazmë kolektive për konsum elektoral. Vetëm ajo mund ta shohë Kosovën si dy fqinj ku marrëdhëniet bazohen në parimet e reciprocitetit dhe harmonisë. Dhe vetëm kur Serbia të kërkojë falje, jo si taktikë diplomatike, por si akt moral, atëherë mund të flasë seriozisht për Europën. Sepse Europa nuk është strehë për cinikë të reformuar vonë. Europa është pasqyrë. Dhe në atë pasqyrë, Aleksandër Vuçiç ende sheh fytyrën e Millosheviçit, vetëm pak më të plakur, pak më të kujdesshme dhe shumë më hipokrite. Sepse historia ka një sens humori të zi, se ajo gjithmonë rikthehet. Dhe kur rikthehet, zakonisht nuk qesh me ata që mendojnë se janë “më pak naivë” se paraardhësit e tyre. Nuk është thjesht një lajm vdekjeje. Është një boshllëk që për shqiptarët e Greqisë nuk mbushet lehtë. Në moshën 74-vjeçare u nda nga jeta Jiorgos (George) Papadhakis, për mediat greke një ikonë, për mua personalisht mësuesi që më hapi derën e parë të gazetarisë.
Prezantuesi legjendar i emisionit “Kalimera Elladha” (Mirëmëngjes Greqi) në ANT1 ndërroi jetë pas një infarkti akut të miokardit, duke mbyllur një kapitull 35-vjeçar që nuk ishte vetëm histori televizive, por histori shoqërore. Ndoshta për shumë shqiptarë në Shqipëri emri i tij nuk thotë asgjë. Por për ne që u rritëm, punuam dhe u formuam në Greqi, Papadhakis ishte njeriu që nuk e uli kurrë zërin kur flitej për ne shqiptarët. Ai nuk ishte thjesht një prezantues i famshëm televiziv. Ai ishte njeriu që, që nga eksodi masiv i fillimit të viteve ’90, nuk e anashkaloi çështjen e emigrantëve shqiptarë, por e mbajti në qendër të debatit publik grek, çdo mëngjes, për dekada me radhë. Ishte zëri që nuk u mbyll, në një kohë kur shqiptarët në Greqi trajtoheshin si problem, si statistikë, si kërcënim. Pra atëherë kur frika, racizmi dhe propaganda dominonin ekranet, dhe shqiptarët përmendeshin vetëm në kronika të errëta, Papadhakis bëri diçka që pak guxuan, na solli në ekran si njerëz, si punëtorë, si prindër, si shtylla të padukshme të Greqisë moderne. Për mua personalisht, ai nuk ishte vetëm një figurë publike. Ishte mësues, udhërrëfyes dhe mbështetës. E njoha si student, në studiot e ANT1, në lëndën e gazetarisë informative. Ishte i rreptë, kërkues, por i drejtë. Bashkë me Jorgos Aftias, profesorin e gazetarisë ekonomike ishin njerëzit që më treguan se gazetaria nuk është zhurmë, por përgjegjësi. Kur mësuan se origjina ime ishte shqiptare, nuk më pyetën pse. Më pyetën vetëm- “A e di historinë tënde?” Dhe më thanë - “Atëherë tregoje.” Për vite me radhë, çështjet e shqiptarëve, ato me dhimbje, padrejtësi dhe sakrificë, gjetën vend në “Mirëmëngjes Greqi”. Jo si spektakël, por si detyrim moral. Papadhakis na quajti heronj të ndërtimit të Greqisë moderne në një kohë kur pak guxonin ta thoshin këtë publikisht. Dhe publiku reagoi. Ndihmoi. U solidarizua. Nëse për diasporën shqiptare Top Channel ishte ekrani i përditshëm, për shqiptarët në Greqi emisioni i tij ishte mëngjesi ynë i përbashkët. Aty gjenim diçka që na mungonte kudo tjetër, dinjiteti. Jorgos Papadhakis ishte ANT1 për 35 vjet. I ofruan para, kontrata, largime “të arta”. I refuzoi. Jo sepse nuk mundej, por sepse ishte i lidhur emocionalisht me atë që ndërtoi. Me kanalin. Me njerëzit. Me publikun. Me të vërtetën. Thuhet se “kuajt që plaken, vriten”, një metaforë kjo e shoqërive që hedhin tutje ata që kanë dhënë gjithçka. E thënë troç shoqëritë i harrojnë ata që plaken. Por ai nuk u harrua. Sepse nuk u shit. Nuk u përkul. Nuk u largua kurrë nga ajo që besonte. Qëndroi besnik, i lidhur emocionalisht me kanalin dhe me presidentin historik të tij, Minos Kyriakou Sot, për shumëkënd, ai është një figurë televizive që u fik. Për mua, ai mbetet profesori që më mësoi të mos kem frikë nga e vërteta, edhe kur ajo flet me theks. Për shqiptarët e Greqisë, ti nuk ishe thjesht gazetar grek. Ishe zë. Ishe urë. Ishe dinjitet. Ishe për të mbetur legjendë e fjalës së lirë. Lamtumirë profesor, Jorgos Papadhakis. Arrestimi i Nicolás Maduro-s nga trupat amerikane nuk është thjesht ngjarja e fundjavës apo e fillimit të vitit. Është një akt brutal i realitetit që i rrëzon të gjitha mitet e vogla politike me të cilat ushqehen vendet periferike dhe klasat e tyre politike mediokre. Një operacion që deri dje e shihnim vetëm në filma dhe e përqeshnim si fantazi hollivudiane, sot u shfaq si fakt i thatë, kur SHBA vendos të të marrë, nuk të shpëton as pallati presidencial, as ushtria, as propaganda, as “sovraniteti”.
Kapja e kreut të një shteti, brenda territorit të tij, nga trupa të huaja, nuk është diçka për të cilën bota është mësuar. Pikërisht për këtë arsye, 3 Janari shërbeu si shuplakë e ftohtë, atëherë kur amerikanët vendosin të veprojnë, nuk ka mur, bunker, gardh ideologjik apo deklaratë sovraniteti që i ndalon. As opinioni ndërkombëtar, i cili në raste të tilla ulërin shumë dhe ndikon pak. 3 janari tregoi qartë diçka që shumë bëjnë sikur nuk e kuptojnë, por bota nuk funksionon me moral, por me interes. Dhe interesat amerikane nuk negociohen me deklarata, por ekzekutohen me operacione. Maduro u kap sepse për amerikanët ai nuk është president, por një kriminel në kërkim dhe Pikë. Po, pati reagime. Po, pati deklarata. Po, pati edhe politikanë amerikanë që e kundërshtuan veprimin. Madje edhe kryebashkiaku i Nju Jorkut i tha Trump-it se ishte gabim. Dhe çfarë ndodhi? Asgjë. Sepse kush e njeh Trump-in e di mirë se për të, zërat kundërshtues janë thjesht zhurmë ambienti. Vendimet që i ka marrë prej muajsh nuk i ndryshon dot as retorika morale, as lotët diplomatikë. Sepse Donald Trump nuk qeveris për t’u pëlqyer, por për të imponuar. Kush ende nuk e ka kuptuar këtë, nuk ka kuptuar asgjë nga politika amerikane e viteve të fundit. Trump e kishte paralajmëruar Maduro-n prej muajsh se arrestimi ishte vetëm çështje kohe. Dhe nuk po flasim për kapriço personale apo impuls presidencial, por për një dosje penale të ngritur prej vitesh nga Distrikti Jugor i Nju Jorkut, për trafik droge, narko-terrorizëm, krime që kanë prodhuar viktima reale në rrugët amerikane. Këtu mbaron romantizmi dhe fillon ligji i ftohtë penal. Për SHBA-në, kjo nuk është ideologji, por vetëmbrojtje. Reagimet ndërkombëtare u ndanë sipas një vije të qartë, nga ato vende që jetojnë nga rendi ndërkombëtar e përshëndetën, ndërsa regjimet autoritare dhe aleatët e tyre ulëritën për sovranitet. Një debat i njohur, i konsumuar dhe në thelb hipokrit. Sepse sovraniteti mbrohet me ligj, jo me karta droge dhe terror. Pra, një sovranitet që, rastësisht, e kujtojnë vetëm kur u rrezikohet pushteti personal, jo kur përdorin shtetin si kartel kriminal. Por kulmi i turpit nuk erdhi nga Moska apo Pekini. Erdhi nga Tirana. Politikanë shqiptarë, me seriozitetin e një barcalete të keqe, dolën të sugjerojnë se arrestimi i Maduro-s qenka paralajmërim se “radhën” e ka Edi Rama. Kjo nuk është thjesht qesharake, por është dëshmi e një provincializmi politik të pashërueshëm. Kjo nuk është analizë politike. Kjo është idiotësi funksionale, e dobishme vetëm për konsum elektoral të brendshëm. Shqipëria nuk është Venezuela. Shqipëria nuk është nyje e trafikut global të drogës që furnizon tregun amerikan. Nuk është kërcënim strategjik për SHBA-në. Nuk është regjim që vret amerikanë përmes narko-terrorizmit. Shqipëria nuk ka peshë strategjike. Nuk ka ndikim global. Nuk ka asnjë relevancë për sigurinë kombëtare amerikane. Shqipëria është një vend periferik me problemet e veta, por absolutisht jashtë radarit të operacioneve të tilla. Ndërsa, për disa politikan shqiptare mendojnë se bota sillet rreth halleve të saj, atëherë kur ata e duan për qëllimet e tyre. Dhe ky kompleks inferioriteti i veshur si “analizë gjeopolitike” është qesharak. Nëse Amerika do të arrestonte liderë sipas retorikës së opozitës shqiptare, lista do të ishte aq e gjatë sa Tirana nuk do të ishte as në fund të faqes së bllokut të shënimeve. Edhe sikur Edi Rama të ishte gjithçka që e akuzojnë kundërshtarët e tij, dhe kjo është një “edhe sikur” i madh, problemet e tij janë probleme shqiptare, për t’u zgjidhur nga drejtësia shqiptare. SHBA-ja nuk ndërhyn për korrupsion provincial. Nuk dërgon trupa speciale për pazare tenderësh. Nuk rrëzon qeveri sepse opozita nuk fiton dot zgjedhje. Rasti i Maduro-s është tjetër ligë. Ai akuzohet se ka ndërtuar një sistem kriminal që ka helmuar tregun amerikan me drogë dhe ka prodhuar viktima amerikane. Pra, rasti i Venezuelës është tjetër gjë. Kur një regjim dhe kreu i tij shndërrohen në hallkë të drejtpërdrejtë të krimit që vret qytetarë amerikanë, atëherë ndërhyrja nuk është çështje dëshire, por e drejtë e shpallur e vetëmbrojtjes sipas ligjit amerikan. E thënë troç, kur krimi yt kalon oqeanin dhe vret qytetarë amerikanë, atëherë nuk fshihesh më pas flamurit dhe himnit. Atëherë bëhesh objekt ndjekjeje penale globale. Prandaj, arrestimi i Maduro-s nuk ka asgjë romantike, asgjë simbolike dhe asgjë për t’u keqinterpretuar. Është një mesazh i ftohtë se pushteti nuk të mbron kur bëhesh kriminel ndërkombëtar. Dhe kush përpiqet ta përdorë këtë ngjarje për teatër politik shqiptar, ose është injorant, ose e konsideron publikun po aq injorant sa veten. Prandaj, kush përpiqet ta përdorë arrestimin e Maduro-s për konsum politik shqiptar, ose nuk e kupton botën, ose e përdor keqkuptimin si strategji. Të dyja rastet janë njësoj të rrezikshme dhe njësoj qesharake, se problemi nuk është Amerika. Problemi është provincializmi ynë kronik. Në Ballkan ka shumë mite, por pak janë kaq këmbëngulëse sa ajo e “dashurisë vëllazërore” mes grekëve dhe serbëve. Një lidhje që, sipas politikës, qenka e përjetshme, e shenjtë dhe e vulosur nga ikonat, historia dhe "lotët" e përbashkët. Problemi i vetëm është se kjo dashuri ekziston vetëm në fjalime, deklarata zyrtare dhe ndonjë pankartë folklorike.
Pra, narrativa e “dashurisë vëllazërore” mes grekëve dhe serbëve është një nga mitet më të përdorura të politikës ballkanike moderne. Ajo shitet si lidhje historike, fetare dhe kulturore, e ndërtuar mbi ortodoksinë dhe “vuajtjet e përbashkëta”. Me pak fjalë, vëllazëria” greko-serbe nuk është një ndjenjë popullore spontane. Ajo është një narrativë e ndërtuar politikisht, e ushqyer nga interesa gjeopolitike, nga kisha ortodokse dhe, në dekadat e fundit, veçanërisht nga e djathta ekstreme greke, e cila kërkon aleatë simbolikë në Ballkan për të justifikuar axhendën e saj nacionaliste dhe shpesh antishqiptare. Por sa herë kjo marrëdhënie testohet jashtë salloneve diplomatike, veçanërisht në sport , aty ku emocionet nuk kontrollohen nga protokolli dhe realiteti del krejt ndryshe. Sapo hyn në lojë realiteti, “vëllazëria” kthehet në grushta, karrige dhe gjak. Sporti, ky armik i madh i hipokrizisë, e ka demaskuar vazhdimisht këtë mit. Rasti emblemë mbetet finalja e turneut “Akropolis” në gusht 2010, një ndeshje e quajtur “miqësore” mes Greqisë dhe Serbisë, që u shndërrua në një skenë dhune të paprecedentë. Fjala miqësore zgjati saktësisht deri te momenti kur Milos Teodosiç i hodhi grusht kapitenit grek Antonis Fotsis. Që aty, parketi u shndërrua në ring boksi, ndërsa Nenad Krstiç vendosi të kontribuojë në “miqësi” duke goditur Giannis Bourousis në kokë me një karrige. Një gjest vëllazëror, pa dyshim. Por pamjet e kamerave zbuluan se "vëllazëria" u shndërrua në një skenë dhune të paprecedentë. Tifozët, të frymëzuar nga kjo atmosferë dashurie, iu bashkuan spektaklit duke hedhur sende drejt lojtarëve serbë. Rezultati? Ndeshja u ndërpre, turneu “Akropolis” u varros përgjithmonë dhe të gjithë u betuan se bëhej fjalë për “incidente të pabesueshme”. Jo për urrejtje, jo për tension të akumuluar, por thjesht keqkuptime mes vëllezërish sado që finalja e turneut “Akropolis”, një simbol i basketbollit europian, nuk u zhvillua më kurrë për të patur një fund "miqësor". Ky episod nuk ishte thjesht një “incident i izoluar”, siç u përpoqën ta paraqisnin mediat e dy vendeve. Ishte një moment zbulesë ku sapo u hoq etiketa e miqësisë formale, doli në pah mungesa totale e respektit dhe prania e një agresiviteti të akumuluar. Nëse do të ekzistonte vërtet një marrëdhënie “vëllazërore”, ai episod do të ishte kapërcyer. Por nuk u kapërcye kurrë, sepse problemi ishte më i thellë. Kaluan vitet, por vëllazëria nuk u pjek. Përkundraxi fundviti i 2025-ës në Novi Pazar, gjatë një ndeshjeje kickbox-i, sportisti grek Giannis Tsoukalas bëri gabimin fatal, fitoi ndeshjen. Si çdo fitues që respekton traditën e vëllazërisë greko-serbe, u shpërblye me rreth 100 persona që hynë në ring për ta rrahur barbarisht me grushte, shkelma dhe karrige, ndërsa policia vendosi të respektojë parimin e mosndërhyrjes në çështjet familjare. Madje, sipas dëshmive, në turmë qarkullonte edhe një thikë, sepse asgjë nuk thotë “dashuri vëllazërore” më shumë se armët e ftohta. E megjithatë, politika këmbëngul. Sidomos e djathta ekstreme greke, e cila vazhdon ta shesë këtë marrëdhënie si aleancë historike ortodokse, duke e përdorur Serbinë si simbol kundër “armiqve të përbashkët”, zakonisht shqiptarëve. Të njëjtën gjë bëjnë edhe serbët nacionalistë. Një narrativë e thjeshtë, komode dhe e dobishme për konsum të brendshëm, pavarësisht se realiteti e përgënjeshtron në çdo përballje reale. Ajo që ekziston realisht është një aleancë interesash politike, e ushqyer kryesisht nga elitat, e cila e lidh Serbinë me Greqinë përmes kishës ortodokse dhe një historie të përbashkët që shpesh përdoret në mënyrë selektive dhe me ngarkesë të theksuar antishqiptare. Në fund të fundit, kjo “dashuri” funksionon vetëm kur nuk ka konkurrencë, nuk ka fitues e humbës, dhe askush nuk prek krenarinë e tjetrit. Sapo ndizet loja, miti shembet si karrigia në kokën e Burusisit. Dhe sporti, edhe një herë, bën atë që politika urren më shumë, pra tregon të vërtetën. Popujt, ndryshe nga politika, nuk funksionojnë mbi deklarata dhe simbole. Ata reagojnë mbi emocione reale, rivalitete dhe komplekse të pashëruara. Dhe sa herë grekët dhe serbët përballen në kushte reale konkurruese, “vëllazëria” zhduket, duke lënë vend për konflikt, arrogancë dhe dhunë. Në fund, ajo që quhet sot “dashuri greko-serbe” është më shumë një konstrukt propagandistik sesa një realitet shoqëror. Sporti e ka demaskuar vazhdimisht këtë mit, duke treguar se pas retorikës fetare dhe historike fshihet një marrëdhënie e brishtë, e mbajtur gjallë vetëm për interesa politike dhe ideologjike. Sa herë maska bie, e vërteta shfaqet pa filtra dhe ajo nuk ka asgjë vëllazërore. Dhe pikërisht për këtë arsye, sa herë politika e shet këtë marrëdhënie si “historike dhe të shenjtë”, faktet në fushë, në ring dhe në tribuna e demaskojnë si një gënjeshtër të madhe, por të dobishme për disa. Pra, po, grekët dhe serbët janë “vëllezër”. Por si ata vëllezërit ballkanikë që buzëqeshin për foto familjare dhe rrihen sapo është mbyllur shkrepja e aparatit fotografik. Më në fund Kryeministri reagoi, jo për t’u distancuar, por për t’i dalë në mbrojtje një nëpunëseje të administratës së tij, drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, e akuzuar dhe nën arrest shtëpie nga GJKKO. Një reagim që u ndal më shumë te “puna kolosale” e saj sesa te akuza penale që rëndon mbi të, një akuzë që nuk dëmton vetëm individin, por edhe imazhin e qeverisjes që kryeministri pretendon të përfaqësojë. Logjika e mbrojtjes është e vjetër dhe e konsumuar se ka punuar shumë, ka transformuar institucionin, ka prodhuar rezultate. Por kjo logjikë bie ndesh me një parim themelor të politikës dhe shtetit se çdo vepër shumëzohet me zero nëse morali vihet në pikëpyetje. Reagimi i Kryeministrit ishte politikisht i turpshëm. Jo sepse ai shprehu një mendim, por sepse zgjodhi të heshtë për akuzën dhe të flasë gjatë për “punën e shkëlqyer”, sikur morali dhe ligji të jenë detaje dytësore përballë performancës. Ky është thelbi i deformimit të pushtetit në Shqipëri me idenë se nëse dikush “punon shumë”, i falet gjithçka. Nuk ka reformë, digjitalizim apo “punë kolosale” që ta shpëtojë figurën publike nga dyshimi i prekjes së arkës publike. Morali është më i shtrenjtë se çdo arritje teknike. Morali nuk është aksesor, është themel. Kur themeli çahet, ndërtesa rrënohet, sado e bukur të duket fasada. Se nëse prodhon rezultate, mund edhe të vërë dorë në arkën publike, dhe kjo të konsiderohet një devijim i vogël personal. Një logjikë që nuk i përket as demokracisë, as shtetit të së drejtës, por mentalitetit të pronarit që e sheh institucionin si pronë private. Në momentin që morali përligjet, pra bëhet pis, ai zhvleftëson jo vetëm individin, por edhe institucionin që ajo drejton. Politika është e qartë në këtë pikë se figura e pastër është kriteri parësor. Kur ajo cënohet, dorëheqja nuk është dramë, por akt dinjiteti. Më mirë të largohesh vetë sesa të të largojë indinjata publike. Në çdo vend normal, një zyrtar nën akuzë nuk mbrohet nga eprori i tij me deklarata politike, por largohet derisa drejtësia të flasë. Fatkeqësisht, këtë parim Shqipëria ende nuk e ka kuptuar, pra ndodh e kundërta, drejtësia shihet si bezdi, ndërsa mbrojtja publike bëhet akt besnikërie politike. Sepse nuk mbrohet individi, por zinxhiri. Prej vitesh, vjedhjet e parasë publike kanë gjetur paqe pothuajse në çdo institucion. Dhe sa herë një zyrtar akuzohet, drejtuesit e tij vrapojnë ta mbrojnë, jo nga bindja për pafajësi, por nga frika se çdo gur që lëviz, rrezikon karrigen e radhës. I vetmi që duket se del gjithmonë i paprekur nga ky zinxhir përgjegjësish është kryeministri. Ai justifikohet, me formulën tashmë standarde: “Secili përgjigjet vetë për shkeljet e tij”, ndërsa qeverisja vazhdon sikur asgjë të mos ketë ndodhur. Madje, shpërndahen edhe certifikata morale publike për “punë shembullore”, edhe kur drejtësia ka trokitur fort në derë. Sipas kësaj logjike, mjafton të jesh i palodhur dhe efikas, dhe krimi organizuar bëhet një devijim i vogël teknik, për të cilin “le të flasë drejtësia”. Por paligjshmeria nuk është aksident individual, ai është aromë që përhapet. Dhe këtu vlen shprehja e vjetër e popullit- se ku ka tym, ka zjarr. Nëse era e tymit ka mbërritur deri në kafene dhe në biseda publike, imagjino sa fort duhet t’i ketë ardhur atij që i ka nën hundë. Ai vazhdon punën, bën propagandë për arritje dhe na kërkon të besojmë se aktet e nëndheshme ndodhin rastësisht, pa dijeninë e tij, nën hundën e tij, dhe gjithmonë vetëm nga të tjerët. Të pretendosh se nuk ke ndier asgjë, nuk është pafajësi. Është ose tallje me inteligjencën publike, ose pranim i heshtur i realitetit. Pa thënë se është ose verbëri politike, ose bashkëjetesë e qëllimshme me problemin. Dhe të dyja këto janë njësoj të rrezikshme për një shtet që pretendon të jetë modern, i ndershëm dhe me vizion evropian. Drejtuesit nuk distancohen sepse “do presim drejtësinë”. Dhe përgjegjësia politike është shndërruar në fjalë boshe për konferenca shtypi. Shqipëria nuk ka problem mungesën e reformave, por mungesën e turpit politik. Sepse në fund, nuk është drejtësia ajo që rrëzon qeverisjet. Është morali i kalbur që i bën ato të bien nga brenda. Kur pushteti fillon të mbrojë dyshimin, dhe jo integritetin, atëherë problemi nuk është një drejtoreshë. Problemi është modeli. Ka momente kur media nuk gabon. rastësisht. Gabon me vetëdije. Dhe pikërisht këtu fillon problemi.
Në Shqipëri, një pjesë e mediave kombëtare duket se ka hequr dorë nga ideja e standardit dhe ka zgjedhur rrugën më të lehtë, normalizimin e figurave të kontestuara, duke i shndërruar ato në autoritete morale në ekran. Jo si lapsus editorial, por si strategji. Një televizion kombëtar, me licencë publike dhe me pretendimin për të qenë “ekran vlerash”, vendos t’i japë rol opinionisti një figure politike të lidhur me një nga kapitujt më të errët të tranzicionit. Kjo nuk është çështje ligji. Është një sfidë e hapur ndaj inteligjencës së publikut. Është një zgjedhje brilante televizive. Sepse në Shqipëri, për të folur për drejtësi nuk ke nevojë për pastërti, mjafton përvojë personale. Për të gjykuar të tjerët, nuk kërkohet integritet, por famë. Dhe për të qenë model shoqëror, mjafton të jesh pjesë e problemit. Në fund të fundit, përvoja është e rëndësishme. Dhe këtu përvoja nuk mungon. Një karrierë e ndërtuar mbi pushtet, pasuri dhe imunitet moral, sot riciklohet në rol opinionisteje në shtëpinë më të famshme të Shqipërisë. Nga sallat e politikës në sallonin e reality show-t, një tranzicion më i sinqertë se çdo reformë.Në atë shtëpi pretendohet se përfaqësohet shoqëria shqiptare në miniaturë. Dhe për ta kuptuar më mirë këtë shoqëri, producentët kanë zgjedhur një nga arketipet e saj më autentike, politikanin që pasurohet, akuzohet, por kurrë nuk largohet nga skena. Thjesht ndërron dekorin. Kur një personazh publik, i cili ndodhet nën vëmendjen e institucioneve të drejtësisë dhe ka lidhje të drejtpërdrejta familjare me çështje penale të hapura, shfaqet për të gjykuar etikën, sjelljen dhe karakterin e të tjerëve, lind një konflikt i dukshëm moral. Jo juridik. Po e përsëris, është vetëm MORAL. Në Shqipëri problemi moral nuk shihet si arsye për distancim, por shpesh si mundësi për ekspozim. Konflikti i interesit nuk shihet si kufi, por si narrativë. Këtu qëndron dallimi thelbësor që shpesh neglizhohet në Shqipëri, por që në vende me traditë mediatike trajtohet si parim bazë. Dhe për të kuptuar sa larg kemi shkuar, mjafton një shëtitje e shkurtër jashtë kufijve. Në vende me standarde reale mediatike, ky do të ishte një skandal më vete. Në Shtetet e Bashkuara ku unë jetoj, CNN shkarkoi Chris Cuomo-n jo sepse kishte kryer ndonjë krim, por sepse u konsiderua se kishte shkelur kufirin moral dhe profesional duke mbrojtur vëllain e tij, ish- governator të shtetit të Nju Jorkut. Televizioni pranoi humbje financiare për të mbrojtur besueshmërinë. Sepse besueshmëria është kapital. Në kontekste të tilla, një produksion televiziv që promovon figura problematike rrezikon jo vetëm humbjen e audiencës, por edhe distancimin e kompanive të mëdha sponsorizuese, të cilat zakonisht janë tepër të ndjeshme ndaj reputacionit, etikës dhe perceptimit publik. Reputacioni nuk negociohet. Në Shqipëri, ky parim duket se nuk vlen. Këtu, sa më i kontestuar personazhi, aq më i dëshiruar bëhet për ekranin. Sa më i rëndë debati rreth tij, aq më i fortë mikrofoni. Dhe sa më problematik profili, aq më e madhe justifikimi, “audienca”. Por audienca nuk është alibi për mungesën e moralit. Është thjesht tregues i një zgjedhjeje të qëllimshme. Pra, në Shqipëri, perceptimi publik është tjetër. Ekziston bindja se mungesa e sponsorizimit të pastër mund të zëvendësohet nga burime të tjera mbështetjeje, të cilat nuk ndjekin standardet klasike të transparencës dhe etikës. Edhe nëse kjo mbetet vetëm perceptim, ai perceptim është helmues për besimin publik. Sepse media nuk gjykohet vetëm për atë që transmeton, por për atë që toleron, justifikon dhe normalizon. Dhe kur ekrani shndërrohet në podium për figura të kontestuara, mesazhi është i qartë, integriteti nuk është kusht, por është opsional. Dhe kjo është ndoshta forma më e rrezikshme e banalizimit, jo ajo që thyen ligjin, por ajo që e bën të parëndësishëm. Ky nuk është debat mbi fajësi apo pafajësi. Ky është debat mbi kufijtë. Dhe një media serioze matet pikërisht nga kufijtë që nuk pranon t’i shkelë, edhe kur ka audiencë për t’i shkelur. Kur media zgjedh të sfidojë moralin publik, nuk dëmton vetëm veten. Dëmton besimin, relativizon drejtësinë dhe i mëson publikut një mësim të rrezikshëm, se gjithçka mund të riciklohet, mjafton të ketë dritë, kamera dhe zë. Në vend që televizioni të distancohet nga drejtësia, i del përballë asaj, si në një duel mes kamerave dhe prokurorëve. Kemi kaluar nga “presumption of innocence” te “presumption of rating”. Nga etika profesionale te audienca agresive. Nga gazetaria te varieteja morale. Në këtë Shqipëri të re, nuk ka më rëndësi çfarë ke bërë, por sa mirë dukesh në ekran. Nuk ka rëndësi dosja, por profili. Dhe nëse ke një proces me SPAK-un? Aq më mirë. Publiku e do realizmin. Dhe kjo, për një shoqëri që pretendon të ecë drejt normalitetit, është një zgjedhje editoriale që duhet diskutuar seriozisht. Ky është një diskutim mbi standardin publik që vendos media, pra, çfarë përfaqëson, çfarë normalizon dhe çfarë edukon? Sepse ekrani nuk është thjesht pasqyrë e shoqërisë, por edhe mjet formësimi i saj. Në fund, pyetja nuk është pse një figurë e caktuar shfaqet në ekran. Pyetja është pse ekrani zgjedh ta vendosë pikërisht aty, në rolin e autoritetit moral. Dhe ky është momenti kur problemi nuk është më figura në ekran. Problemi është ekrani vetë. Të ndjekësh politikën shqiptare nga jashtë vendit nuk të jep thjesht distancë gjeografike, por qartësi politike. Dhe me këtë qartësi, bëhet e pamundur të mos shohësh absurditetin e një opozite të konsumuar, e cila nuk ka më asgjë për t’i ofruar as politikës, as shoqërisë shqiptare.
Opozita shqiptare sot nuk është alternativë, por pjesë e problemit. Ajo sillet në rreth vicioz rreth të njëjtëve emra, të njëjtave fytyra dhe të njëjtit mekanizma të dështuar, duke e shitur stagnimin si rezistencë politike. Takimet, protestat dhe fjalimet e zhurmshme nuk prodhojnë as frymë, as shpresë, as besim. Ato janë thjesht zhurmë për të fshehur boshllëkun politik. Çdo ditë mediat transmetojnë vetëm fjalimet dhe përpjekjet e dështuara të kësaj opozite, e cila ka harruar se ndryshimi nuk vjen nga politikanë të konsumuar, por nga prurje të reja, të papërlyera, të distancuara qartë nga politika e vjetër dhe me ide të reja, të mbështetura në bindje të qarta të djathta dhe në mbrojtje reale të elektoratit të djathtë. Në krye të saj qëndron një lider i konsumuar, rënia e të cilit politikisht ka mbi një dekadë. Pavarësisht përpjekjeve për t’u rikthyer si figurë qendrore, ai nuk arrin të rikthejë as besimin e elektoratit, as autoritetin moral të një opozite që pretendon të luftojë korrupsionin. Përkundrazi, prania e tij e bën çdo akuzë ndaj qeverisë të duket hipokrite dhe të pabesueshme. Paradoksi është i qartë, kur anëtarë të qeverisë hetohen apo akuzohen nga SPAK për korrupsion, në skenë dalin po ata opozitarë që rëndohen nga akuza të ngjashme. Kjo e shndërron denoncimin në farsë politike. Është sikur hajduti të bërtasë “kapeni hajdutin”. Në këtë klimë, nuk dëmtohet vetëm opozita, por edhe besueshmëria e institucioneve të drejtësisë dhe serioziteti i hetimeve ndaj pushtetit. Me pak fjalë, kemi një opozitë të shteruar, që jo vetëm nuk prodhon alternativë, por shpeshherë edhe prish punë, duke humbur thelbin dhe legjitimitetin e akuzave. Si pasojë, dëmtohet serioziteti i hetimeve të SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit. Opozita shqiptare ka dështuar historikisht të ndërtojë një frymë të djathtë të vërtetë. Ajo ka braktisur elektoratin e saj natyror, përfshirë të përndjekurit politikë dhe shtresat tradicionale të së djathtës, duke i zëvendësuar me klientelizëm dhe interesa personale. Kjo shpjegon edhe boshatisjen e shesheve, në protestat e sotme nuk shkon populli, por vetëm rrethi i ngushtë i atyre që kanë përfituar nga pushteti i djeshëm i opozitës. Me këtë opozitë, çdo skandal qeveritar shndërrohet në oksigjen për qeverinë, jo në kërcënim për të. Sepse mungon autoriteti moral për të kërkuar dorëheqje, për të folur për përgjegjësi dhe për të ndërtuar një alternativë qeverisëse serioze. Një opozitë e shëndoshë, pa mëkate korrupsioni, do të ishte në gjendje të ndërtonte një frymë të re, e cila bashkon simpatizantët dhe të zhgënjyerit, ashtu siç ka ndodhur në shumë vende europiane ku opozitat kanë përmbysur sondazhet dhe kanë fituar zgjedhjet. Me këtë opozitë dhe me këta politikanë, kjo duket e pamundur. Ka tentativa individuale për ndryshim, përfshirë edhe përpjekjet e Ervin Salianjit, por ato mbeten të pamjaftueshme dhe të brishta përballë mëkateve politike, luhatjeve dhe mungesës së një ndarje të qartë nga politika e vjetër. Nëse pretendohet se aty qëndron shpresa e fundit e demokratëve, atëherë kërkohet më shumë se retorikë, kërkohet katarzis politik, i nisur nga vetja dhe i shtrirë te e gjithë struktura. Shqipëria nuk ka nevojë për riciklim figurash të konsumuara, por për një opozitë të re, të pastër, të pakomprometuar, me njerëz të arsimuar, të formuar jashtë, me vizion të qartë dhe me parime të forta të së djathtës europiane. Pa këtë ndarje radikale, opozita shqiptare do të vazhdojë të jetë jo vetëm e pafuqishme, por edhe aleati më i madh i pushtetit që pretendon të rrëzojë. |
AuthorWelcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema. Archives
January 2026
Categories |
RSS Feed