|
Mblidhen në Tiranë për të kujtuar diasporën. Një iniciativë për t’u vlerësuar dhe kaq. Sepse thelbi nuk është tek ceremonitë, por tek përgjigjja e një pyetjeje themelore, se cili ka qenë realisht roli i diasporës shqiptare në këto 35 vite tranzicion dhe çfarë ka bërë shteti për të?
Krahasimet me shekullin e kaluar janë të gabuara. Sot nuk jemi më në fazën e mbijetesës kombëtare si dikur. Shqipëria dhe Kosova kanë kaluar etapa historike të vështira dhe kanë zgjidhur çështje ekzistenciale. Por në këto dekada të fundit, diaspora ka marrë një rol tjetër në atë të mbijetesës ekonomike të vetë popullsisë. Le ta themi troq, pa retorikë se nëse Shqipëria ka marrë frymë ekonomikisht, kjo ka ardhur falë diasporës. Miliarda euro remitanca kanë mbajtur familje të tëra, kanë ushqyer ekonomi lokale dhe kanë zëvendësuar mungesën e një shteti funksional social. Në shumë raste, familjet në Shqipëri nuk janë mbështetur nga politikat publike, por nga djemtë dhe vajzat e tyre që sakrifikuan jetën jashtë vendit. Ky është një kontribut i pallogaritshëm. Një borxh moral që shteti shqiptar nuk mund ta shlyejë kurrë plotësisht. Por pyetja sot është tjetër se - çfarë ka bërë shteti për këtë diasporë? Përgjigjja është e dhimbshme dhe e dukshme. Mjafton të hedhësh një sy në gjykatat shqiptare. Pasuritë e emigrantëve si shtëpi, toka, investime janë bërë objekt grabitjeje përmes falsifikimeve, abuzimeve dhe një sistemi që shpesh ka dështuar të mbrojë pronën. Nga zyrat noteriale deri tek vendimet gjyqësore, një pjesë e madhe e diasporës është përballur me një realitet që nuk ka asgjë të përbashkët me drejtësinë. Mjafton të ndjekësh emisionet si ajo e Eni Çobanit për të parë histori konkrete, sesi jetë të tëra sakrifice që përfundojnë në zhgënjim dhe humbje. Kjo është çështja që duhej të ishte në qendër të çdo takimi për diasporën, pra sa emigrantë janë dëmtuar? Kush janë përgjegjësit? Pse vazhdojnë të operojnë struktura që kanë abuzuar për dekada? Pse nuk ka masa konkrete deri në heqje licence dhe ndjekje penale? Vetëm pasi të përballesh me këtë realitet, mund të flasësh për integrim, për kulturë, për arsim apo për rolin politik të diasporës. Deklaratat e bukura të kryeministrit shqiptar se “diaspora nuk është më histori ikjeje” janë të vërteta vetëm pjesërisht. Po, ajo nuk është më ikje. Sepse e ka përmbushur misionin e saj. Sot, diaspora është histori kthimi. Por një kthim i hidhur dhe i braktisur nga të tëra anët. Kthehet me shpresë, por shpesh gjen zhgënjim. Kthehet për të pushuar, por përballet me beteja ligjore për atë që i takon. Kthehet pasi i është marrë djersa e një jete të tërë në emigracion, pa harruar atë që ka dhënë dhe që nuk kërkon mirënjohje. Dhe për këtë, shteti shqiptar ka dështuar të japë përgjigje. Premtimet për qendra kulturore, për përfaqësim politik, për përfshirje të diasporës në vendimmarrje kanë mbetur në letër. Edhe në komunitetet më të mëdha shqiptare, si ai në Greqi, mungon përfaqësimi real në strukturat politike shqiptare. Diaspora nuk kërkon më fjalë të mëdha, por ajo kërkon drejtësi. Kërkon mbrojtje. Kërkon dinjitet. Dhe mbi të gjitha, kërkon që shteti të mos jetë spektator, por garant i asaj që ajo ka ndërtuar me sakrificë. Sepse pa diasporën, Shqipëria do të kishte qenë shumë më e dobët. Por pa drejtësi për diasporën, Shqipëria rrezikon të humbasë besimin e saj më të madh.
0 Comments
Leave a Reply. |
AuthorWelcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema. Archives
April 2026
Categories |
RSS Feed