Marko Caka
  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact

Dinjiteti nuk ka kombësi

6/15/2026

0 Comments

 
Autoritetet britanike po kërkojnë rreth 42 mijë ish-studentë që morën kredi për studimet e tyre dhe nuk kanë kthyer asnjë qindarkë. Shumica vijnë nga vende të zhvilluara si shtetet e Bashkimit Europian, SHBA, Australia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Bëhet fjalë për rreth 893 milionë paund borxhe studentore që kanë mbetur të papaguara.

Duke lexuar këtë lajm, m'u kujtuan dy episode nga vitet e mia të para në Greqi, të cilat më kanë mbetur në mendje si shembuj se si shpesh paragjykojmë njerëzit bazuar në origjinën ose gjendjen e tyre ekonomike.

Në verën e vitit 1993 punoja si banakier në një lokal në sheshin Omonia të Athinës. Një kamarier grek, Kristo, nuk i pëlqente emigrantët shqiptarë. Arsyeja e tij ishte e thjeshtë, se shqiptarët i kujtonin vitet kur emigrantët grekë largoheshin të varfër e në nevojë jashtë vendit.

Çdo të dielë në lokal vinin shqiptarë, kryesisht nga zonat e Delvinës. Takoheshin, hanin, pinin dhe në fund paguanin me korrektësi, duke lënë shpesh edhe bakshish të mirë. Një ditë erdhi një çift gjerman. Pasi hëngrën ushqimin e mirëseardhjes, nuk porositën asgjë tjetër dhe kërkuan vetëm të pushonin pak minuta. Kristo u zemërua dhe u kërkoi të largoheshin. Më pas erdhi tek unë dhe më tha:- “Nga sot e tutje nuk do t’i urrej më shqiptarët. Mund të jenë të varfër, por kanë zemër të madhe, edukatë dhe respekt.”

Një vit më vonë, kur po regjistrohesha në konvikt, pashë një studente greke që debatonte me administratën për të mos paguar tarifën. Kur erdhi radha ime, lashë paratë në sportel pa bërë asnjë diskutim. Punonjësja pa dokumentet dhe më tha se, si fëmijë i adaptuar nga pensionistë grek, kualifikohesha për përjashtim nga pagesa. I shpjegova se punoja dhe nuk doja të krijoja probleme. Ajo buzëqeshi dhe më tha:- “Jo, ti nuk do të paguash asgjë. Më sill vetëm dokumentin përkatës nga komuna.”

Kur e falënderova, ajo më la një fjali që nuk e kam harruar kurrë:- “Unë vlerësoj më shumë sinqeritetin dhe dinjitetin e njeriut sesa vendin nga vjen.”

Këto dy episode më kanë mësuar diçka që shpesh harrohet. Nuk janë të varfrit ata që mungojnë në dinjitet, as të pasurit ata që janë gjithmonë korrektë. Ndershmëria, përgjegjshmëria dhe karakteri nuk varen nga pasaporta, kombësia apo llogaria bankare. Ato varen nga njeriu.
​
Sot, kur lexoj se mijëra ish-studentë nga vendet më të zhvilluara të botës kanë marrë kredi dhe nuk kanë kthyer asnjë qindarkë, më rikthehen në mendje ato dy ngjarje të Athinës së viteve ’90. Ato më mësuan se varfëria nuk është ves, as pasuria virtyt. Ka njerëz me xhepa bosh që ecin me kokën lart dhe ka të tjerë me diploma, karrierë e mirëqenie që nuk ndjejnë asnjë detyrim moral ndaj fjalës së dhënë. Në fund të fundit, dinjiteti nuk ka kombësi, nuk ka fe dhe nuk ka status shoqëror. Ai është pasuria më e madhe që mund të ketë një njeri.
0 Comments



Leave a Reply.

    Author

    ​Welcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema.
    Happy reading! 

    Archives

    July 2026
    June 2026
    May 2026
    April 2026
    March 2026
    February 2026
    January 2026
    December 2025
    November 2025
    October 2025
    September 2025
    August 2025
    July 2025
    June 2025
    May 2025
    March 2025
    February 2025
    January 2025
    December 2024
    November 2024
    October 2024
    September 2024
    August 2024
    July 2024
    May 2024
    January 2024

    Categories

    All

    RSS Feed


  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact