|
Dikur, para njëzet vjetësh, në Athinë pashë një Ema Andrea që mund të ringjallte edhe hijet e teatrit antik. Publiku grek, që ka shije mbi artin skenik u ngrit më këmbë në standing ovations. Ajo e meritonte. Kanë kaluar gati njëzet vjet nga ajo natë në Athinë, kur Ema Andrea ndriçoi skenën e Teatrit Grek si një supernovë e artit shqiptar. Aty ku lindi vetë teatri, atje ku duartrokitjet nuk falen, ajo triumfoi. Për një gazetar shqiptar që atëherë ndiqte kulturën, ishte një moment historik, një aktore jonë që fitonte zemrat e një publiku aq kërkues. Dhe pas skenës, më priti një Ema e thjeshtë, e qetë, e përulur, një kontrast me madhështinë e talentit të saj.
Por le të kalojmë te tragjedia e sotme. Jo ajo e Sofokliut, ajo e televizionit shqiptar. Pas dy dekadash, në vend që ta shihja Emën në skenë me tekst të Euripidit, e gjeta të ulur në një studio televizive rrethuar nga qeshje që nuk dinin pse qeshnin dhe një “trajner suksesi” i cili me shumë mundim arrinte të thoshte një fjali që s’kishte lidhje me atë të mëparshmen. Thua sikur fjalët i zgjidhte duke i hedhur me short. Ja pra ku vjen ironia e jetës, pas dy dekadash, e ritakoj Emën jo në një skenë antike, por në një studio televizive shqiptare, të rrethuar nga një tjetër lloj publiku, ai që mban shënime sesi “të bëhet i pasur shpejt”. Dhe jo, nuk është kurs për matematikanë, ekonomistë apo filozofë. Është thjesht një lloj predikimi modern ku fjala e shenjtë është “lekë të shpejta”, ndërsa mëkat vlerësohet leximi i romaneve. Ky “trajner” na tregoi se varfëria ishte e neveritshme. E tmerrshme. E tmerrshme saqë nëse do të ishte ngjitur në skenën e teatrit grek, do kishte dalë me tabelë: “Ju lutem, mos më shikoni në sy, dikur kam qenë i varfër”. Ndoshta e neverit edhe kur e sheh në pasqyrë, ngaqë ia kujton të kaluarën para se të zbulonte formulën magjike të pasurimit me shpejtësinë e dritës. Formulë që për çudi nuk e shpjegon kurrë , veç nëse pagesa paraprake e kursit quhet “shpjegim”. Karriera e tij e re frymëzuese? Të mbledhë shqiptarë që paguajnë bileta për të mësuar si të bëhen të pasur më shpejt se mikrovala e kuzhinës. Dhe ndoshta edhe më shpejt se logjika njerëzore. Ndërkohë, koleget e Emës qeshnin aq shumë, sa dukej sikur i kishte kapur ndonjë gaz helum i padukshëm në studio. Ndoshta mendonin se qeshja e tepërt zëvendëson të menduarit. Ndoshta ishin duke praktikur seminarin e radhës: “Si të qeshim pa arsye, dhe pse kjo është sukses!” Ndërsa koleget e Emës qeshnin si kushdo që nuk e di pse qesh, i ftuari fliste e fliste… pa thënë asgjë. Një performancë e gjatë boshllëku, si ato filxhanët e kafesë që duken plot, por janë kthyer me kokë poshtë. Por Ema jo. Ema qëndronte aty si një shtyllë e arsyes, përpiqej t’i jepte debatit kuptim, të nxirrte një mendim, një ide, një atom substancë nga goja e “trajnerit”. Mision i pamundur. Ema ishte aty, serioze, elegante, e mençur. Dhe përballë saj… ai. Njeriu që i shmangej pyetjes si një nxënës i dobët që nuk e ka lexuar as titullin e librit. Dhe erdhi momenti kulmor. Ema Andrea, me zërin e një profesoreje që do t’i nxjerrë mendjen në shesh dikujt, pyet: “Ku e sheh veten pas 10 vjetësh?” Ja ku fillon komedia. Ai ngrin. Fytyra e tij bëhet si ekran telefoni kur ngel pa internet. Kaq shumë flet për të ardhmen, pasurinë dhe suksesin, por s’ka idenë më të vogël se ku do jetë nesër, lëre më, pas 10 vjetësh. Sepse ka një detaj të vogël. Nuk mund t’u mësosh të tjerëve si të trajnohen për sukses, nëse e vetmja gjë që ke trajnuar është memorizimi i disa frazave motivuese nga librat që as vetë autori i tyre nuk i ka lexuar. Pamja që na shfaqte ekrani i televizionit ishte epike. Ema Andrea, një mal me mend, përballë saj, një banak motivimi. Dhe kjo, miq, nuk është vetëm satirë. Kjo është fotografia e shoqërisë sonë. Artistët që dinë dhe mendojnë, përballë predikuesve të pasurisë së shpejtë që flasin pa thënë asgjë, dhe megjithatë mbushin salla. Në fund të fundit, Ema ka luajtur shumë role në karrierën e saj. Por të përballesh me trajnerë që nuk dinë as kë po trajnojnë, ky është roli më tragjikomik i saj. Dhe pikërisht aty të mbetet buzëqeshja ironike, në një vend ku arti shpesh anashkalohet, ja ku qëndron në artiste e vërtetë, duke u përballur me një fenomen që ka më shumë famë sesa thelb. Ironia nuk është tek Ema. Ironia është tek koha jonë.
0 Comments
Leave a Reply. |
AuthorWelcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema. Archives
November 2025
Categories |
RSS Feed