Marko Caka
  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact

Ëndrra që nuk ishte vetëm për Edi Ramën

7/30/2026

0 Comments

 
Mbrëmë pashë Edi Ramën në ëndërr. Nuk është se më ndodh shpesh ta shoh, por këtë herë ishte krejt ndryshe.

Brenda ëndrrës ia tregova edhe tim eti, ndonëse ai ka 21 vjet që nuk jeton më. Kur i thashë se do ta shkruaja dhe do ta publikoja, pashë sytë e tij të shkëlqenin. Ai kishte besuar gjithmonë te shkrimet e mia. Jeta e tij u ndërpre pikërisht në vitin kur socialistët humbën pushtetin, ndërsa Edi Rama vazhdonte të ndërtonte profilin e tij si kryebashkiak i Tiranës.

Im atë nuk e jetoi rrugëtimin e Edi Ramës nga kryebashkiak në kryetar të Partisë Socialiste e më pas në kryeministër. Ndoshta, po ta kishte jetuar, sytë nuk do t'i shkëlqenin njësoj. Për të, Edi Rama mbeti ai kryebashkiak që po transformonte Tiranën, një sukses i rrallë i një pushtetari lokal në një Shqipëri të zhytur në kaosin e tranzicionit. Ai nuk pati mundësi të shihte pjesën tjetër të historisë.

Ndoshta pikërisht për këtë arsye, në atë ëndërr, m'u desh ta vazhdoja unë rrëfimin. Të flisja për Edi Ramën e viteve në pushtet, për Shqipërinë që ai premtoi se do ta transformonte dhe për zhgënjimet që, sipas meje, u grumbulluan gjatë rrugës, për një administratë që shpesh është shoqëruar me akuza, skandale dhe humbje të besimit të qytetarëve.

Kështu u gjenda në një takim të madh të kryeministrit me elektoratin e tij. Në jetën reale nuk kam qenë kurrë nga ata gazetarë që ndjekin politikanët pas. Nuk më ka pëlqyer kurrë. Por ëndrrat nuk të pyesin. Ato të vendosin përballë njerëzve dhe fjalëve që ndoshta i ke mbajtur brenda për vite me radhë.

Mora mikrofonin për të folur. Fillimisht nuk donte të ma jepte fjalën, sepse isha gazetar. Kur i thashë se isha biri i një socialisti të orëve të para, u qetësua dhe më lejoi.

Në jetën reale nuk jam orator. Ndihem shumë më i fortë me penën sesa me fjalën. Por ëndrrat kanë ligjet e tyre. Sapo mora mikrofonin, fjalët nisën të më rridhnin si një lumë që kishte vite i bllokuar. Nuk kërkoja duartrokitje dhe as miratim. Thosha gjithçka që kisha mbajtur brenda, pa u ndalur, pa u lëkundur dhe pa lënë asnjë mendim përgjysmë. Ishte një nga ato çaste të rralla kur njeriu arrin të thotë pikërisht atë që mendon, ashtu siç do të donte ta kishte thënë gjithmonë.

"Po," i thashë, "jam biri i një socialisti që shumë veta e braktisën, ashtu siç u braktis ai brez idealistësh që e mbajtën gjallë Partinë Socialiste në ditët e saj më të vështira. Im atë pranoi gjithçka. Pranoi edhe përbuzjen dhe bullizmin e kohës, vetëm sepse mbante mbi supe një damkë që nuk ishte vetëm e tij, por e qindra mijëra shqiptarëve të tjerë që kishin pasur tesera partie dhe që, pas ndryshimit të sistemit, u gjykuan jo për atë që ishin si njerëz, por vetëm nga e kaluara e tyre politike. Shumë prej tyre ishin njerëz të thjeshtë, idealistë, punëtorë e familjarë që besonin në atë që kishin zgjedhur. Por në vitet e para të tranzicionit, kjo shpesh u kthye në një barrë që duhej ta mbanin në heshtje."

Kur nisa të flisja për tim atë, për njeriun që nuk jeton më dhe që sakrifikoi gjithçka për ta mbajtur në këmbë partinë, edhe njerëzit që pak çaste më parë brohorisnin, heshtën. Më dëgjonin me vëmendje.

I vetmi që nuk e mbante vendi ishte Edi Rama. Përpiqej vazhdimisht të më ndërpriste. Atëherë e pashë në sy dhe ia thashë troç.

"E di çfarë më dhemb më shumë? Se unë nuk lashë gur pa lëvizur për të të mbështetur në fillimet e tua. Me miqtë e mi, gazetarë të elitës greke, bëra ç'ishte e mundur që të shkruheshin artikuj pozitivë për ty. U mundësuan edhe intervista ekskluzive, sepse besoja se Shqipërisë i duhej një brez i ri drejtuesish. Atëherë beteja jote më e madhe ishte brenda Partisë Socialiste. Përballë kishe Fatos Nanon, një figurë që dukej e pathyeshme. Besova se ndryshimi do të vinte vetëm nëse ti do ta fitoje atë betejë. Më pas erdhi përballja me Sali Berishën, i cili e kishte blinduar pushtetin dhe dukej pothuajse i pamundur për t'u mundur. Edhe atëherë besova se ti mund ta ndryshoje Shqipërinë. Nuk e bëra sepse isha adhuruesi yt. E bëra sepse besoja se njeriu që po transformonte Tiranën mund të transformonte edhe Shqipërinë."

Pastaj vazhdova të flisja. Mikrofonin e mbaja fort, por e ndjeja dorën të më dridhej. Nuk ishte frikë. Ishte pesha e fjalëve që kisha mbajtur brenda për vite.

Pashë se i shqetësuar nuk ishte vetëm Edi Rama. Po aq të trazuar ishin edhe mbështetësit e tij më të zjarrtë. Nuk donin që, qoftë edhe për një çast, të vihej në diskutim lideri i tyre. Për ta, Edi Rama është garancia e vetme e pushtetit. I mirë apo i keq, ata besojnë se Partia Socialiste nuk ka sot një figurë tjetër që mund të përballet me të djathtën, aq më tepër kur ajo vazhdon të mbetet e përçarë dhe e lidhur me hijen e liderit të saj historik.

Por unë vazhdoja t'ia thosha të gjitha në sy. Ishte një mundësi që ma kishte dhënë vetëm ëndrra dhe nuk kisha ndërmend ta humbisja. Ndoshta në jetën reale nuk do ta kisha kurrë atë rast. Prandaj çdo fjalë që dilte nga goja ime ishte një borxh ndaj vetes, ndaj tim eti dhe ndaj të gjithë atyre që dikur besuan se politika mund të ndërtohej mbi idealin e jo vetëm mbi pushtetin.

Nuk të kam njohur kurrë nga afër, megjithëse një herë në Athinë Blendi Klosi ta përmendi emrin tim. Por siç duket, një gazetar nuk ishte aq interesant për ty. Po të isha një kampion bote apo një emër me famë ndërkombëtare, jam i bindur se do të më kërkoje vetë, sepse politika gjithmonë kërkon të jetë pranë suksesit. Dhe më pas i thashë atë që kisha mbajtur brenda prej vitesh. "Shqipëria që unë besoja se do të ndërtoje nuk është kjo që shoh sot. Besova se do të ndërtoje një shtet ku do të mbizotëronte meritokracia, drejtësia dhe përgjegjësia. Në vend të kësaj, shumë institucione janë bërë simbol i keqmenaxhimit. Shpesh janë ngritur akuza dhe dyshime për korrupsion ndaj drejtuesve të ndryshëm, ndërsa qytetarët kanë humbur besimin te shteti. Edhe kur përgjegjësia është individuale, përgjegjësia politike mbetet e atij që ndërton dhe drejton sistemin."

Më pas iu ktheva sërish bisedës për tim atë dhe për ata socialistë të vërtetë që e ndërtuan partinë me sakrifica, jo me privilegje. Shumë prej tyre nuk jetojnë më. Megjithatë, rrallëherë gjejnë një vend në kujtesën e drejtuesve të sotëm. Në përvjetorë e kremtime, shpesh duket sikur ka më shumë vend për ceremoni, përshëndetje dhe bankete sesa për të nderuar ata që paguan çmimin më të lartë për idealin e tyre.

"E di pse po ta them këtë?" – iu drejtova me një mllef liderit pasues të Fatos Nanos. "Sepse Fatos Nano e dinte se isha biri i Prend Cakës, një idealisti të ndershëm, themelues dhe drejtues i socialistëve të Vaudejësit, një njeri që nuk u përkul kurrë përballë presioneve politike. Në ato vite, të deklaroheshe socialist ishte pothuajse një damkë. Megjithatë, ai nuk u tërhoq asnjëherë.

Nano e dinte, edhe nga qelia, se im atë, bashkë me Namik Doklen dhe kandidatët e tjerë socialistë, pasi iu vodhën votat, hynë në grevën e urisë duke rrezikuar edhe jetën për të mbrojtur votën dhe dinjitetin e socialistëve. Ata nuk luftuan për poste, privilegje apo karriera. Luftuan për një ideal.

Prandaj dhemb kur sheh se shumë prej atyre njerëzve janë lënë në harresë. Ata që hodhën themelet e partisë nuk kërkuan asgjë për vete, ndërsa sot emrat e tyre mezi përmenden. Një parti që nuk respekton kujtesën e njerëzve që e ngritën në këmbë, rrezikon të humbasë edhe kujtesën e vet.

Por njerëz si im atë u harruan. U harruan nga kundërshtarët dhe, fatkeqësisht, u harruan edhe nga të vetët."

Kur mbarova së foluri, mbi atë shesh kishte rënë një heshtje e plotë. Për herë të parë, askush nuk brohoriste. Askush nuk duartrokiste. Ishte ajo heshtje që lind kur përballesh me të vërteta që nuk do t'i dëgjosh.

Edhe Edi Rama heshti. Në atë çast m'u duk se nuk ishte zhveshur nga veshjet e tij plot ngjyra, por nga maska politike me të cilën, sipas meje, për vite me radhë u është paraqitur socialistëve të vërtetë.

Sepse ata që sakrifikuan, që u përballën me përndjekje, me përbuzje, me greva urie dhe me vite të tëra opozite, mbetën në harresë. Ndërsa përfituan shumë të tjerë, njerëz që nuk ndanë as vuajtjet, as idealet dhe as historinë e asaj partie, por që sot gëzojnë privilegjet e pushtetit.

Në atë heshtje nuk pashë vetëm fytyrën e një kryeministri. Pashë fytyrën e një brezi idealistësh që prisnin të mos harroheshin kurrë. Dhe pikërisht atëherë kuptova se ëndrra ime nuk ishte një gjyq ndaj një njeriu të vetëm. Ishte një thirrje që historia të mos shkruhet vetëm nga fitimtarët e pushtetit, por edhe nga ata që e ndërtuan atë me sakrifica dhe që më pas u lanë në harresë.
​
Atëherë u zgjova dhe kuptova se ajo nuk ishte thjesht një ëndërr për Edi Ramën. Ishte një ëndërr për një brez njerëzish që besuan se politika mund të ndërtohej mbi sakrificën, ndershmërinë dhe idealin. Ishte një bisedë e pambyllur me tim atë dhe një kujtesë se pushteti kalon, por sakrificat e njerëzve të ndershëm nuk duhet të harrohen kurrë.
0 Comments



Leave a Reply.

    Author

    ​Welcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema.
    Happy reading! 

    Archives

    August 2026
    July 2026
    June 2026
    May 2026
    April 2026
    March 2026
    February 2026
    January 2026
    December 2025
    November 2025
    October 2025
    September 2025
    August 2025
    July 2025
    June 2025
    May 2025
    March 2025
    February 2025
    January 2025
    December 2024
    November 2024
    October 2024
    September 2024
    August 2024
    July 2024
    May 2024
    January 2024

    Categories

    All

    RSS Feed


  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact