|
Dy realitete që, për koincidencë, u zbuluan kur FRESH-i po festonte jubileun e 34-rt të saj, nga një forum që dikur frymëzoi shumë të rinj për t’u futur në politikë, por që gjatë rrugës devijuan nga ideali fillestar i tyre.
Dy pamje, dy fytyra, një e vërtetë e vetme. Të dy produkte të së njëjtës linjë. Njëra e konsumuar, tjetri ende në ambalazh. Por përmbajtja është e njëjtë. Realiteti i parë është opinionistja e Big Brother VIP 5, Monika Kryemadhi. I dyti është anëtari i ri i FRESH-it, studenti Dasho Ivizaj, i cili dha një intervistë për emisionin “Dekalog”, të drejtuar nga kolegu im i vjetër, Roland Qafoku. Dashoja e sheh politikën si trampolinë për ngjitje, por deklaratat e tij të parakohshme, me tone epike – “si një petal fluture e partisë” – u perceptuan ndryshe nga opinioni publik dhe përfunduan duke u shndërruar në meme në rrjetet sociale. Pra sipas memeve Dasho ende flet për politikën me patosin e një studenti që s’e ka provuar pushtetin, por e ëndërron si bankomat moral. Dy personazhe në kohë të ndryshme, të bashkuar nga e njëjta “dashuri” për politikën, por që në thelb ngjajnë si dy flluska uji. Le ta nisim me të parën me pionierën e FRESH-it, Monika Kryemadhi. Big Brother-i i Monikës na zbuloi një talent që nuk ia kishim vënë re më parë, atë të opinionistes. Dhe aty, për herë të parë, duket në vendin e vet. Pra, Big Brother-i bëri atë që politika nuk e bëri dot, e zhveshi nga miti. Na tregoi se kjo grua nuk ka pasur kurrë profil politik. Ka pasur profil social, intrige dhe komenti trash, elemente që në Shqipëri ngatërrohen shpesh me politikën. Një rol që i shkon për shtat më shumë se çdo post politik. Në zhargonin e rrugës së qytetit tim, një personazh i tillë që nuk i shpëton asnjë thashethem dhe që ngatërron lagjen, quhet dallavergjeshe. Dhe këtë rol, zonja Kryemadhi po e bën për mrekulli. Ajo që po zbulojmë tani është pyetja thelbësore, - çfarë e shtyu të hynte në politikë, kur dukshëm kjo nuk ishte fusha e saj? Big Brother na tregoi se Monika Kryemadhi nuk e ka në shtat supstraktin politik. Ajo u shty nga iluzioni se politika ishte rruga më e shpejtë drejt suksesit. Dhe për një kohë, ashtu ndodhi. Por nuk llogariti pasojat. Nuk mësoi as nga fraza e famshme e filmit të viteve 80-të të Kinostudios “Shqipëria e Re”- “Po të gëlltisësh një çorbë të prishur, do të vjellësh gjithë jetën.” Dhe për këtë nuk është e vetme. Shumë të tjerë e gëlltitën atë çorbë, duke menduar se ishin zot në këtë tokë dhe se asnjë sistem nuk do t’i kapte, lëre më t’i poshtëronte para ligjit. Për Monika Kryemadhin, sot kjo është një pendesë që me shumë gjasë do ta shoqërojë gjithë jetën. Roli i opinionistes po i tregon se politika nuk ishte për të. Shumë njerës si opinionistja jonë nuk hyri në politikë për Shqipërinë. Hyri për veten. Sepse ëndrra e shumë të rinjve pas diktaturës nuk ishte ta bënin Shqipërinë si Europa, por të rreshtonin veten në aristokracinë e Europës, një elitë fallco, pa trashëgimi, e ndërtuar mbi kriterin e pasurisë por që duhen vjedhur paratë e popullit për tu shfaqur në këto sallone me botokset e klinikave dhe të orave zviceriane, me kostumet e Pradës, çantën e Hermesit, dhe me takat e Gucci-t për të zbritur nga hija e rëndë e Lamborginit. Këtë elitë ndërtoi tranzicioni shqiptar, ku si normë bazë ishte pasuria materiale sesa trashëgimia intelektuale. Rasti tjetër që shkëlqeu jubileun e 34-ërt të FRESH-it ishte Dasho Ivizaj, një version i ri i Monikës së viteve ’90. Nëse Monika e “voli” partinë, për studentin nga Lushnja politika është ende perspektivë. Në intervistën dhënë Qafokut, madje duke e habitur atë, ai deklaron se ka refuzuar bursa të shtrenjta në universitete prestigjioze jashtë vendit për t’i dhënë Shqipërisë mundësinë të mbajë studentët e saj. Sa qesharake, a thua se Shqipëria po pret studentin Dasho që t’i hyjë politikës, sepse nga ajo, treni i saj drejt Europës nuk po ecën përpara. Një deklaratë që tingëllon fisnike, por që publiku e lexon me dyshim. Jo për ta gjykuar Dashon, as për ta sakatuar siç u bë me deklaratat e tij naive një vit më parë, por sepse shoqëria shqiptare ka parë mjaft breza që i janë rreshtuar partive jo për ta ndërtuar vendin, por për ta mjelë atë. U mblodhën rreth partisë me libra në dorë si “të rinj idealistë”, por në fund dolën me prona deri në emër edhe të të afërmve të tyre. Prandaj shqiptarët nuk besojnë më askënd që flet bukur për sakrificë. Koha do të tregojë nëse Dasho Ivizaj është përjashtim apo thjesht një flluskë tjetër që do të plasaritet sapo të prekë realitetin. Dhe pyetja nuk është më kush do të hyjë në politikë. Por se kush do t’i mbijetojë pa u bërë “Monika” e radhës?
0 Comments
Leave a Reply. |
AuthorWelcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema. Archives
January 2026
Categories |
RSS Feed