Marko Caka
  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact

Kësaj opozitë i mungon fryma për të mundur socialistët

12/16/2025

0 Comments

 
Të ndjekësh politikën shqiptare nga jashtë vendit nuk të jep thjesht distancë gjeografike, por qartësi politike. Dhe me këtë qartësi, bëhet e pamundur të mos shohësh absurditetin e një opozite të konsumuar, e cila nuk ka më asgjë për t’i ofruar as politikës, as shoqërisë shqiptare.

Opozita shqiptare sot nuk është alternativë, por pjesë e problemit. Ajo sillet në rreth vicioz rreth të njëjtëve emra, të njëjtave fytyra dhe të njëjtit mekanizma të dështuar, duke e shitur stagnimin si rezistencë politike. Takimet, protestat dhe fjalimet e zhurmshme nuk prodhojnë as frymë, as shpresë, as besim. Ato janë thjesht zhurmë për të fshehur boshllëkun politik.

Çdo ditë mediat transmetojnë vetëm fjalimet dhe përpjekjet e dështuara të kësaj opozite, e cila ka harruar se ndryshimi nuk vjen nga politikanë të konsumuar, por nga prurje të reja, të papërlyera, të distancuara qartë nga politika e vjetër dhe me ide të reja, të mbështetura në bindje të qarta të djathta dhe në mbrojtje reale të elektoratit të djathtë.

Në krye të saj qëndron një lider i konsumuar, rënia e të cilit politikisht ka mbi një dekadë. Pavarësisht përpjekjeve për t’u rikthyer si figurë qendrore, ai nuk arrin të rikthejë as besimin e elektoratit, as autoritetin moral të një opozite që pretendon të luftojë korrupsionin. Përkundrazi, prania e tij e bën çdo akuzë ndaj qeverisë të duket hipokrite dhe të pabesueshme.

Paradoksi është i qartë, kur anëtarë të qeverisë hetohen apo akuzohen nga SPAK për korrupsion, në skenë dalin po ata opozitarë që rëndohen nga akuza të ngjashme. Kjo e shndërron denoncimin në farsë politike. Është sikur hajduti të bërtasë “kapeni hajdutin”. Në këtë klimë, nuk dëmtohet vetëm opozita, por edhe besueshmëria e institucioneve të drejtësisë dhe serioziteti i hetimeve ndaj pushtetit.

Me pak fjalë, kemi një opozitë të shteruar, që jo vetëm nuk prodhon alternativë, por shpeshherë edhe prish punë,  duke humbur thelbin dhe legjitimitetin e akuzave. Si pasojë, dëmtohet serioziteti i hetimeve të SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Opozita shqiptare ka dështuar historikisht të ndërtojë një frymë të djathtë të vërtetë. Ajo ka braktisur elektoratin e saj natyror, përfshirë të përndjekurit politikë dhe shtresat tradicionale të së djathtës, duke i zëvendësuar me klientelizëm dhe interesa personale. Kjo shpjegon edhe boshatisjen e shesheve, në protestat e sotme nuk shkon populli, por vetëm rrethi i ngushtë i atyre që kanë përfituar nga pushteti i djeshëm i opozitës.

Me këtë opozitë, çdo skandal qeveritar shndërrohet në oksigjen për qeverinë, jo në kërcënim për të. Sepse mungon autoriteti moral për të kërkuar dorëheqje, për të folur për përgjegjësi dhe për të ndërtuar një alternativë qeverisëse serioze.

Një opozitë e shëndoshë, pa mëkate korrupsioni, do të ishte në gjendje të ndërtonte një frymë të re, e cila bashkon simpatizantët dhe të zhgënjyerit, ashtu siç ka ndodhur në shumë vende europiane ku opozitat kanë përmbysur sondazhet dhe kanë fituar zgjedhjet. Me këtë opozitë dhe me këta politikanë, kjo duket e pamundur.

Ka tentativa individuale për ndryshim, përfshirë edhe përpjekjet e Ervin Salianjit, por ato mbeten të pamjaftueshme dhe të brishta përballë mëkateve politike, luhatjeve dhe mungesës së një ndarje të qartë nga politika e vjetër. Nëse pretendohet se aty qëndron shpresa e fundit e demokratëve, atëherë kërkohet më shumë se retorikë, kërkohet katarzis politik, i nisur nga vetja dhe i shtrirë te e gjithë struktura.
​
Shqipëria nuk ka nevojë për riciklim figurash të konsumuara, por për një opozitë të re, të pastër, të pakomprometuar, me njerëz të arsimuar, të formuar jashtë, me vizion të qartë dhe me parime të forta të së djathtës europiane. Pa këtë ndarje radikale, opozita shqiptare do të vazhdojë të jetë jo vetëm e pafuqishme, por edhe aleati më i madh i pushtetit që pretendon të rrëzojë.
0 Comments



Leave a Reply.

    Author

    ​Welcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema.
    Happy reading! 

    Archives

    January 2026
    December 2025
    November 2025
    October 2025
    September 2025
    August 2025
    July 2025
    June 2025
    May 2025
    March 2025
    February 2025
    January 2025
    December 2024
    November 2024
    October 2024
    September 2024
    August 2024
    July 2024
    May 2024
    January 2024

    Categories

    All

    RSS Feed


  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact