|
Investigimi i Le Lene nuk është thjesht një reportazh televiziv. Është aktakuzë publike ndaj një shteti që ka zgjedhur të mos shohë, të mos dëgjojë dhe të mos veprojë. Është prova se në Shqipëri krimi nuk fshihet më në bodrume apo periferi, por operon hapur, në kulla, në qendër të kryeqytetit.
Faktet janë të ftohta dhe tronditëse, një Call Center, me rreth 100 operatorë, funksiononte si organizatë kriminale e strukturuar, duke mashtruar mijëra qytetarë italianë dhe europianë, me një xhiro fitimi rreth 30 milionë euro. Jo në ndonjë fshat të humbur, por në mes të Tiranës. Le t’i bëjmë pyetjet një nga një, sepse këtu nuk ka më vend për naivitet: Si është e mundur që 100 persona hyjnë çdo ditë në të njëjtin ambient për të kryer vepra penale dhe askush nuk e vëren? Si është e mundur që një biznes me fluks financiar dhjetëra miliona euro të mos bjerë në radarët e tatimeve, bankave dhe strukturave antikrim? Si është e mundur që një kullë moderne të mos ketë kamera sigurie funksionale ose që këto pamje të mos jenë parë kurrë nga autoritetet? Përgjigjja më e thjeshtë dhe më e dhimbshme është kjo, se nuk është se nuk u pa, është se u tolerua. Ky nuk është krim i fshehtë. Ky është krim industrial, që kërkon logjistikë, drejtues, financim, mbrojtje dhe heshtje institucionale. Pa këto, nuk mbijeton asnjë ditë, jo më vite. Dhe tani le të flasim për përgjegjësinë individuale. Njëqind operatorë. Njëqind bashkëpunëtorë në krim. Njëqind njerëz që e dinin shumë mirë se po zhvatnin llogaritë bankare të qytetarëve të huaj. Asnjë pendesë. Asnjë denoncim. Asnjë frikë. Sepse në Shqipëri krimi nuk të stigmatizon, por të punëson. Dhe kur të paguan mirë, shumëkush është gati të shesë edhe ndërgjegjen, madje të tradhtojë edhe më të afërmin. Dhe kur një shoqëri sheh 100 mashtrues që hyjnë e dalin çdo ditë nga një kullë dhe nuk pyet asgjë, problemi nuk është vetëm shteti. Problemi është normalizimi i pisllëkut. Ku ishte policia ekonomike? Ku ishte SHISH? Ku ishin prokurorët që sot flasin për luftë ndaj korrupsionit? Ku ishte SPAK se ky nuk është krim i rëndomtë, por krim i organizuar dhe i mirë strukturuar ? Ku ishin bankat që duhej të raportonin transaksione të dyshimta? Ku ishin tatimet që duhej të pyesnin se nga vinin këto para? Të gjithë këta institucione ose kanë qenë të paafta, ose bashkëpunëtore, ose të frikësuara. Nuk ka alternativë të katërt. Dhe fakti që u deshën gazetarë italianë për ta zbuluar këtë skemë është poshtërimi më i madh për shtetin shqiptar. Sepse kjo do të thotë se krimi i huaj hetohet më seriozisht se krimi që ndodh në oborrin tonë. Ky nuk është episod. Ky është model. Sot Call Center. Nesër pastrim parash. Pasnesër trafik ndikimi. Dhe gjithçka ndodh sepse Tirana është bërë një qytet ku era e keqe nuk ndihet më. Jo sepse nuk ekziston, por sepse të gjithë janë mësuar me të. Në këtë realitet, pyetja nuk është më, - “Si ndodhi kjo?” Pyetja e vërtetë është,- Sa të tjera funksionojnë ende sot, pa u zbuluar? Sepse nëse 100 mashtrues nuk u panë, atëherë problemi nuk është se nuk shohim dot. Problemi është se kemi zgjedhur të mos shohim.
0 Comments
Leave a Reply. |
AuthorWelcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema. Archives
January 2026
Categories |
RSS Feed