|
Në një kohë kur arti shpesh përdoret si dekor i pushtetit, ky opinion i imi ngre një pyetje të domosdoshme: A kemi më artistë që mbrojnë dinjitetin, apo vetëm emra që ndjekin financimet?
Të jesh artist është diçka që shumë e pretendojnë, por të jesh artist i madh është privilegj që e arrijnë vetëm pak. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rikthimin e Erion Veliajt në drejtimin e Bashkisë së Tiranës, rrjetet sociale u mbushën me urime dhe dedikime nga disa artistë e figura publike. Ata u shfaqën si kërpudhat pas shiut, për të treguar se “janë këtu”, ndoshta për t’u rikujtuar në ndarjen e fondeve bashkiake që shpesh maskohen si “mbështetje për artin dhe kulturën”. Fonde që, në realitet, përfundojnë në duar të një grupi të vogël që e masin artin me para, jo me shpirt. Në këtë vend, artin e kemi kthyer në instrument të pushtetit. Sa herë një politikan gjendet në telashe, disa “artistë” vrapojnë t’i qëndrojnë pranë, jo për të mbrojtur parime, por për të ruajtur privilegje. Dhe kjo nuk është art, por është pazar. Nëse Veliaj merr një shans të dytë, ndoshta ka ardhur koha të kuptojë se afërsia me influencerë që matin vlerën me ndjekës e klikime nuk sjell as art, as qytetari, e as respekt të vërtetë. Sepse artisti i madh nuk matet me ndjekës, por me ndikim. Të mbjellësh pemë me repistë rrugaqë të TikTok-ut nuk është gjelbërim, por fasadë. Do të kishte qenë më fisnike të mbilleshin ato pemë me të pastrehët, me punëtorët e qytetit, me njerëzit e zakonshëm, me ata që do ta kujtonin atë gjest për gjithë jetën. Gabimi i Veliajt nuk qëndron vetëm në politikat e tij, por në mënyrën se si përdori artistët. Ai afroi materialistët që i këndojnë parasë, jo ata që i këndojnë dhimbjes, vuajtjes dhe shpresës. Në vend që të ndante “picën e korrupsionit”, mund të kishte ndarë dinjitetin me ata që ende e mbajnë të paprekur. Artistët e mëdhenj janë ata që sakrifikojnë për artin e tyre, që na bëjnë krenarë në botë pa kërkuar shpërblim politik. Nëse duam një Tiranë më të ndershme e më të bukur, edhe arti duhet të jetë i ndershëm. Nuk ndërtohet kulturë me selfie, por me sakrificë. Nuk krijohet qytetari me pagesa, por me shembull. Në fund të fundit, arti është pasqyra e shpirtit të shoqërisë. Dhe nëse pasqyra është e shtrembër, nuk fajësohet pasqyra, por ata që e përdorin për t’u zbukuruar.
0 Comments
Leave a Reply. |
AuthorWelcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema. Archives
November 2025
Categories |
RSS Feed