|
Ky Big Brother ka prodhuar shumë debate, por në fund do të mbahet mend për dy figura, Ledion Liço dhe Rogert Sterkaj.
Njëri për mënyrën se si e drejton lojën me inteligjencë dhe ekuilibër, tjetri për mënyrën se si e trondit atë duke refuzuar të jetojë me maska. Ledion Liço po dëshmon se moderimi i një formati si Big Brother nuk është thjesht prezantim televiziv, por një ushtrim i vërtetë inteligjence dhe vetëkontrolli. Të menaxhosh njerëz të izoluar për muaj të tërë brenda një shtëpie, ku presioni psikologjik është ekstrem dhe ku 100 mijë dollarë janë në lojë, kërkon më shumë se profesionalizëm edhe karakter. Ledioni e peshon çdo fjalë. Edhe kur tensionet shpërthejnë dhe banorët kalojnë kufijtë e arsyes, ai nuk e humbet qetësinë dhe nuk bie në nivelin e konfliktit. Ky është dallimi mes një moderatori të zakonshëm dhe një moderatori që e kupton se Big Brother nuk është vetëm spektakël, por edhe një eksperiment social. Edhe me banorin më problematik, ai di të komunikojë dhe ta orientojë drejt lojës. Sepse për drejtuesin e Big Brother, çdo banor është i barabartë, madje edhe ai që krijon tension, sepse mban gjallë dinamikat e lojës. Sepse në atë shtëpi nuk shohim vetëm banorët. Shpesh shohim veten tonë si shoqëri. Dhe pikërisht aty hyn në lojë Rogert Sterkaj. Ai hyri si antihero. I ashpër, provokues, pa diplomacinë që shumë të tjerë e përdorin si maskë. Por në një shtëpi ku shpesh dominon hipokrizia, ndodh diçka interesante, se ai që nuk fsheh asgjë fillon të duket më i sinqerti. Në jetën reale ne jemi mësuar me një fenomen të njohur, me njerëzit që në publik shfaqen si engjëj që derdhin lot krokodili, ndërsa në momentin e parë të provokimit tregojnë një fytyrë krejt tjetër. E njëjta gjë ndodh edhe në Big Brother Albania 5. Ka banorë që ndërtojnë me kujdes imazhin e viktimës, me buzëqeshje të buta dhe me lot që dalin në momentin e duhur. Por mjafton një përplasje me Rogertin dhe maska bie. Në atë moment publiku sheh diçka tjetër, atë nervin, arrogancën, agresivitetin e fshehur pas moralit të rremë. Rogerti, edhe sikur të shkojë në një milion nominime, ka gjasa që publiku ta shpëtojë përsëri. Dhe kjo është arsyeja pse publiku shpesh zgjedh të mbajë në lojë pikërisht atë që duket më i rrepti. Jo sepse njerëzit duan konflikt, por sepse duan autenticitet. Ironia është se shpesh ne si shoqëri jemi shumë më të ashpër me një reality show sesa me realitetin tonë të përditshëm . Nuk revoltohemi gjithmonë kur shohim hipokrizi në politikë apo në jetën publike, por reagojmë fort kur ajo shfaqet në një shtëpi televizive. Big Brother nuk është një universitet morali, por është një pasqyrë. Dhe ndonjëherë pasqyra nuk na tregon atë që duam të shohim. Në këtë pasqyrë, Ledion Liço përfaqëson ekuilibrin dhe arsyen që mban lojën në binarë. Ndërsa Rogert Sterkaj përfaqëson atë impuls brutal që shpesh e detyron të vërtetën të dalë në sipërfaqe. Dhe ndoshta ky është mësimi më i mirë i këtij sezoni, se në një botë ku maskat janë bërë normale, ndonjëherë edhe një antihero shërben për të rikujtuar vlerën e sinqeritetit. Sepse në fund të ditës , publiku nuk voton gjithmonë për më të qetin apo më të bukurin, por shpesh për atë që, edhe me ashpërsinë e tij, na detyron të shohim të vërtetën dhe na tregon se ku fshihet e keqja
0 Comments
Leave a Reply. |
AuthorWelcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema. Archives
March 2026
Categories |
RSS Feed