Marko Caka
  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact

Legjenda kroate e basketbollit që ndezi zemrat edhe në Shqipëri

10/24/2024

0 Comments

 
60 vjet më parë lindi basketbollisti  më i madh europian i të gjitha kohërave, Drazen Petroviç.

31 vjet  pa Mozartin e basketbollit dhe  në përvjetorin e lindjes së tij, Kroacia po i bën nderimin më të  veçantë sportistit të saj më të madh që ka kaluar në historinë e tapetit të basketbollit.

Kur flet për këtë emblemë të rrallë të basketbollit botëror,  nuk kishte si të mos  ngacmonte atë  rininë time  të asokohë në mesin e viteve 80-të, ku bashkë me bashkëmoshatarët e tjerë argëtoheshim  me anë të këtij sporti, i cili ishte bërë akoma më i dashur vetëm në saj të  djaloshit kroat, Drazen Petroviç, i cili e bënte topin si të donte vetë, si një magjistar  i arenave të basketbollit.

Nuk i kisha mbushur akoma 15 vjeç dhe "vjedhurazi" tek kanali 2 televiziv i fqinjëve verior të Titogradit (sot Podgoricë) shikoja ikonën e basketbollit jugosllav Drazen Petroviç,  i cili pasi kapte topin, e fshihte, driblonte me magji dhe e dorëzonte tek kundërshtarët  vetëm atëherë pasi kishte hyrë në koshin e tyre të artë. Ndeshjet e mëdha të tij me fanellën e Cibonës së Zagrebit në Euroligën e Kampionëve  i  shikoja tek shtëpia kushëririt tim të  ndjerë, Nikës, duke qenë se edhe ai e adhuronte shumë basketbollin dhe gjatë studimeve të mesme luante si kundërshtar i basketbollistit të madh Sokol Kalaj. Nika në televizorin e tij kishte instaluar një aparaturë  përforcuese të kundraligjshme për kohën që vetëm ajo e  kapte këtë  të kanal dhe gjithë stacionet e tjera të huaja televizive. E gjitha kjo falë "grupit të sekondave", kështu quhej nga shkodranët kjo aparaturë e rrallë artizanale e ndaluar, ndërsa për tiransit "kanoçja" e famshme, që asokohë për rregjimin ishte kthyer në  një tmerr i propagandës së huaj me ideologji"mikroborgjeze" ngaqë përforconte  valet e huaja në ato pak televizorë që kishin shqiptarët në shtëpitë e tyrë. Shpeshherë përdoruesit e pa mbrojtur përfundonin të spiunuar  në qelitë e degës së Brendshmë të Shkodrës dhe dikush dënohej, por kushëriri im një djalë kollos e karizmatik i kishte shpëtuar përndjekjes për mrekulli, vetëm  falë  shpirtit të madh dhe respektit që gëzonte  në shoqëri që nuk ua bënte zemra ta tradhëtonin sado që presionet e  përgjimet e regjimit vinin nga të tëra anët edhe aty ku nuk ta priste mendja, ngaqë spiunimi shpërblehej nga regjimi i kohës.

Atëherë, dashurinë e shkodranëve  për basketbollin jugosllav nuk e pengonte asnjë lloj barrierë me sado kosto të kishte për jetën e tyre. Kjo për vetë faktin se në brigjet e dalmacisë,  basketbollit i kishte lindur një figurë emblematike me emrin, Drazen Petroviç, i cili për një  dekadë  do të dominonte basketbollin europian dhe  bashkë me legjendën  Majkëll Xhordan e transformuan atë  duke e ngritur në një tjetër nivel, e për tu kthyer në mite të basketbollit  botëror. Ishte ai kaçurrelsi i veçantë, portreti më i dashur i këtij sporti që kisha njohur ndonjëherë.   Prania e tij në ndeshje basketbollit e kishte rritur interesimin e shqiptarëve përballë  ekranit të vogël që na  bënte ta adhuronim  sado që  propaganda e atij  regjimi të egër  të impononte që  ti urrenim fqinjët verior pa asnjë  dallim vetëm e vetëm se na ndante  një luftë e egër ideologjike dhjetra vjecare. Ç'është  e verteta tek shkodranët  e mi  të asaj kohe  regjimi ua mbante të ndrydhur atë  botën e tyre të lirë, të izoluar  për mbi katër dekada. Prandaj për rininë e kohës dhe natyrën rebele që kishin, për ata jeta në Jugosllavinë e Titos  ishte si  një ëndërr. Për ata muzika skllave me këngët e boshnjakëve të Lepa Brenës, Halid Beshliç, dhe basketbolli i kroatit Drazen Petroviç ishin një terapi qetësuese, ishin të vetmet  fusha që sfidonin regjimin totalitar  sepse dashuria për sportin e muzikën  nuk njeh kufinj sadoqë problemet me fqinjin ishin gjeopolitike e  historike. Ishin vite ku "dashuria" për veriorët jugosllav ishte aq shumë  e ndërlikuar sa na duhej ta veçonim me aq shumë kujdes me ata që e kishin  lënduar kombin tonë historikish dhe që vazhdonin ti diskriminonin si vëllezërit  tanë kosovarë ashtu  dhe ata shqiptarë  të tjerë përtej kufirit duke ua mohuar të drejtat themelore të njeriut, lirinë e fjalës dhe të gjuhës, pra atë të ekzistencës së tyrë në trojet e tyre  autoktone. Për fat të mirë ishte po ky sport basketbolli dhe po ky basketbollist Drazen Petroviç që na bëri që ta duam fqinjin atëherë kur bashkësia e tyrë federale jugosllave  nisi të përçahej dhe më vonë të shkatërrohej nëpërmjet luftës 10 vjeçare genocide të kasapit më të egër të Ballkanit, Sllobodan Millosheviç. Ishin vitet ku Shkodra e persekutuar përveç futbollit mbahej gjallë edhe me anë të basketbollit. Në këtë qytet ku kishin lënë gjurmë legjendat Radoja, Shatku,Kotrri etj, mesi i 80-ës i gjeti fushat e basketbollit të  mbushura plot e për plot me skuadrën e madhe të qytetit të  drejtuar nga i paharruari Petrit Osmani, e basketbollistët e mëdhenj Agustin Miculi, Sokol Kalaj, Marin  Shestani, Korab Llazani etj, që ishin kthyer në ikona të dashura për shkodranët dhe në një tmerr për ekipet dominuese të kryeqytetit. E  kujtoj si tani, fillimin e pranverës së 87-tës ku  për një javë  zhvillohej Kupa e Republikës tek pallati i Sportit ku sot është Kisha e Madhe, pasi isha shkëput nga orët e mësimit për të parë një nga ndeshjet interesante të Vllaznisë  me Dinamon e kryeqytetit.  Loja e shkëlqyer e shkodranëve e bënte "të vogël" shtatlartin dinamovit  Edi Rama(sot Kryeministër) që arriti të shënonte shumë pak dhe shpeshherë bëhej nervoz nga ambicia që kishte për të fituar.

Gjithë këta basketbollist të mëdhenj të asaj kohë u rritën me frymën e basketbollit të bukur jugosllav. Atëherë ku basketbollistët fqinj verior të ardhur nga shkolla jugosllave kishin arritur të sfidonin basketbollin botëror me titujt e tyre. Ishin vitet ku dashamirësit e basketbollit, disa nga shkodranët më rebele të regjimit mblidheshin në piacë përballë Kafës  së Madhe dhe vinin baste për ndeshjet, me një siguri kaq të madhe për rezultatin  e Cibonës së famshme vetëm e vetëm se çelësin e fitores e kishte numri 10 i skuadrës së tyre,  Drazen Petroviç . Një djalosh kaçurrelas që pasi niste e organizonte lojën, driblonte kundërshtarët e thyente mbrojtjen me anë të lejapeve spektakolare, ose kur e kishte të sigurtë ndalonte dhe lëshonte nga larg  trepikëshat si breshëri duke thyer të gjitha rekordet europiane të kohës.

Për shkak se një lojtar është i ndryshëm nga të tjerët, veçanërisht jashtë fushës, Petrovic duhej të ndryshonte edhe rregulloret e Jugosllavisë.  Deri atëherë, një sportisti i ndalohej të largohej nga vendi derisa të mbushte 28 vjeç.  Megjithatë, Petroviç nuk ishte si të tjerët dhe në moshën 25-vjeçare ai bëri kërcimin në NBA, ku Blazers e donin jugosllavin më shumë se çdo gjë.

Ishte i pari basketbollist që theu rekordin e 60 pikëve në një ndeshje në një ligë europiane të klubeve me bluzën e Real Madridit. Me të drejtë mori nofkën Mozarti i basketbollit europian sepse çdo gjë e niste me një dirigjim virtioz dhe e mbaronte me perfekshmerinë më të lartë duke dhuruar tek sportdashësit një spektakël të paparë ndonjëherë në tapetin e arenave të  basketbollit europian. E nisi me numra të ndryshëm në fanellë, tek Shibenka, Cibona, Real Madrid me kombëtaret Jugosllavia e Kroacia  dhe në NBA me Portland e Netz por asnjëherë nuk kishin vlerë numrat përpara fantazisë që jepte në arenat botërore të basketbollit.

Legjenda e basketbollit botëror Michael Jordan do të thoshte për Petroviç fjalët më të mira- " Ishte emocionuese të luash kundër Drazen.  Ne bëmë disa beteja të mëdha në të kaluarën dhe për fat të keq ato ishin beteja të shkurtra.  Është i vetmi që më shikon në sy”, tha i madhi MJ.

“Kam respektin maksimal për të, sepse ka punuar shumë.  Çdo ditë ai ishte i pari që hynte dhe i fundit dilte nga qendra e stervitjes,” tha Clyde Drexler.

 “Unë konsiderohem si gjuajtësi më i madh, por Drazen i madh ishte armiku im.  Ai ishte gjuajtësi më i mirë që kam parë ndonjëherë në jetën time”, tha shuteri legjend, Reggie Miller.

Dhe e vërteta ashtu ishte, Petroviç sapo mbërriti në SHBA u bë shuteri më i  mirë i NBA duke u stërvitur shumë fort me 7-8 orë në ditë dhe pa marrë as një ditë pushim.

Ishte i pari basketbollist që me vajtjen e tij në NBA theu tabunë dhe  ju tregoi amerikanëve se përtej Atlantikut, në Europën e vjetër  ka aq talent sa nesër do të jenë yjet e saj dhe të basketbollit botëror.

Dhe e verteta ashtu doli se NBA-në e prekën edhe yjet e tjerë europianë fitues të kompeticionit më të rëndësishëm e më të fortë të planetit, si Toni Kukoç, Dirk Novicki, Toni Parker, Paul Gaskoi etj. Gjithë këtë numër basketbollistësh u rritën duke parë Mozartin e basketbollit për të ndjekur më vonë gjurmët e tij. Ishte Drazen Petroviç lideri i gjeneratës së yjeve të viteve 80 që revolucionarizoi basketbollin europian në nivelin më të lartë  duke i mbushur fushat me plot të rinjë, duke e kthyer basketbollin në një hobi, pasion e dashuri për gjeneratat e ardhshme.

Historia tragjike e vdekjes së tij.

Një vdekje që erdhi nga një aksident rrugor në  autostradën Autaband 9 në Dusenkolf të Gjermanisë. Ishte pasditja e 7 qershorit 1993 që solli  humbjen e papritur dhe të trishtë për sportin botëror duke i marrë jetën në lulen e rinisë, yllit më premtues në historinë e basketbollit botëror.
​
Petroviç i konsideronte aeroplanët "vdekje të sigurt".  Kur vendosi të mos kthehej në Kroaci, nga Polonia ku ishin me kombëtaren e vendit të tyre për kualifikueset e Kampionatit Evropian 1993, kolegu i tij Stojko  Vrankoviç e këshilloi të ndiqte skuadren, e cila do të largohej me linjë ajërore, pasi kishte një “parandjenjë të keqe”.  Por Petroviç së bashku me të fejuarën dhe një miken e tij basketbolliste turke, janë nisur për në Zagreb me një makinë private të markës gjermane Wolsvagen Golf.  Pasditja ishte me shi, shikueshmëria e dobët dhe rruga e rrëshqitshme. Petroviç ishte në gjumë dhe nuk kishte vendosur rripin e sigurimit kur e fejuara e tij u përplas me një kamion që kishte humbur kontrollin dhe kishte hyrë në ndarësin e rrugës.  Dy vajzat u plagosën, por mbijetuan ndërsa Drazen u gjend i vdekur  brenda rrënojave të Golfit. Pikërisht në të njëjtën datë, dhjetë vjet para vdekjes, me 7 Qershor 1983  i ishtë lëshuar karta e identitetit!  Në muzeun në Zagreb, pranë "Drazen Petrovic Halle", pista e brendshme Cibona me emrin e tij është një nga ekspozitat, së bashku me fanellën e tij të parë në Shibenka, biçikletën e parë të palëvizshme që përdori si profesionist, medalje të panumërta që fituan. në nivel kolektiv dhe kombëtar orën e artë që mbante në dorë ditën e aksidentit fatal.  Ora, si jeta e tij, ndaloi në 17:20 .


0 Comments



Leave a Reply.

    Author

    ​Welcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema.
    Happy reading! 

    Archives

    February 2025
    January 2025
    December 2024
    November 2024
    October 2024
    September 2024
    August 2024
    July 2024
    May 2024
    January 2024

    Categories

    All

    RSS Feed


  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact