Marko Caka
  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact

Martin Cani na ulëret të gjithëve "Act now"

11/20/2024

0 Comments

 
Fundjavën që kaloi Kryeministri Rama në podkastin e tij  theksoi se qeveria po përgatitet të hapë një dritare për ata që janë në emigracion në fushën e ndërtimit dhe turizmit. Madje shkon më tej duke thënë-" se është çmenduri të rrish në Greqi dhe të mos kthehesh në Shqipëri" - pra të vish e të punosh se pagat janë më të mira këmbëngulte  nga mikrofoni i podkastit të tij,  kryeminstri i vendit. Deri ketu shumë mirë se motivon shqiptarët të kthehen e të kontribojnë për vendin e  tyre, se  "guri i randë peshon në vend të vet"- thonë edhe këngët e kurbetit, ndërsa të tjerat janë bla,bla.

Pra, gjitha këto tingëlluan  shumë bukur në fundjavën me diell sadoqë për  komentuesit më kritikë të Ramës tek  Tema janë gjithmonë të pakënaqur e skeptikë, ku sipas tyre kryeminstri o nuk jeton në Shqipëri të njoh  realitetin,  o i thotë nën efektin e "pijes". Unë besoj tek e para me realitetin, sepse nuk kaluan as 48 orë dhe të Hënën  vrasja e 14 vjeçarit Martin Cani që ishte ndoshta ngjarja më tronditëse, dhe  më e rënda e gjithë vitit, ishte  shembulli më i mirë për ti treguar kryeministrit se jo shumë larg zyrave të  tij  ne kemi një Shqipëri tjetër që rënkon brenda pellgut të pa sigurisë dhe në indiferencën e gjithë shoqërisë e më e kryesorja në inekzistencën e  shtetit që ti drejton  dhe paguhet nga taksat tona. Vrasja e 14 vjeçarit nga dora kriminale e bashkëmoshatarit të tij dëshmoi edhe një herë  se edukimi dhe siguria në vend është në nivelet më të ulëta,  si asnjëherë.  Në ambjentet e shkollës nxënësi me armë të ftohtë sfidoi  të gjithë, që nga prindërit e tij, mësuesit, shoqërinë ku rrethohemi dhe shtetin që duhet të na mbrojë bashkë me gardianët përreth shkollës. Të gjitha këto që lartpërmenda të hënën në orën 13:10 , në shkollën "Fan Noli"  rezultuan që  nuk funksionojnë aspak, pa thënë se janë inekzestentë përballë këtij brezit të ri që po e rrisim, se po e edukojmë as që bëhet fjalë. Madje vrasësi edhe pas ngjarjes si pa i hyrë ferrë në këmbë dhe me "trimëri" të madhe na bënte karshi me armën e ftohtë të krimit duke e publikur në rrjetin e tij social e duke na  treguar se krimin e kishte bërë me vetëdije, pa asnjë shenjë pendesë sepse shoqëria përreth është "e vdekur" dhe krenarinë e gjen tek "të fortët" që kanë pushtuar gjithë TIK-TOK-un . Ky është një akt kriminal alarmant për shtetin  sepse ka goditur në pikën më të dobët të shoqërisë sonë ,tek ardhmja e vendit, aty ku fëmijët ndjehen të pa sigurtë,  të pa mbrojtur nga bashkëmoshatarët e tyre të prirur për tu bërë kriminelë, të cilët për moshën që kanë mund të dalin të pa lagur nga lehtësirat që ua krijon ligji. Kështu brezi ka lindur Shqipëria e pas tranzicionit sepse shembulli i tyre fillon që nga familjet e tyre të shthurura, shoqëria që na rrethon(në injorancë të plotë), nga "të fortët" e lagjes dhe të politikës dhe deri tek aktet  e dhunshme të  ligjvënësve  brenda mureve të  parlamentit shqiptar nga ku dalin edhe ligjet që ne duhet ti zbatojmë.

Pra, zoti Kryeministër përpara se ti ftosh bashkatdhetarët që të mbajnë ekonominë e Shqipërisë në këmbë, atyre duhet tu garantosh sigurinë e fëmijëve të tyre të cilët janë rritur dhe edukuar jashtë me një frymë tjetër ku vlera e njeriut është aq e shenjtë saqë  askush tjetër në këtë botë nuk ua ka fatin e tyre në dorë përveç Zotit ku ata besojnë.

Para pak kohësh takoj në Athinë Sandër Palokën ,një mik i vjetër shkodran, i cili punon mjeshtër ndërtimi për 30 vite në shtetin helen. Por, para se ta takoja për kafe  pas kaq shumë vitesh, më thotë - Marko po nxitoj se kam për të shku tek shkolla e djalit, se çdo dy  javë e kamë lënë të bisedoj me mësuesit e tij për ecurinë e tij në mësime, sepse tek sjellja nuk e kam merak se e kam  shumë të  dashur si me bashkëmoshatarët ashtu edhe me mësuesit. Një herë e kisha pyetur- pse Sandër, me zanatin që ke ti shumë mirë  mund ta ushtrosh në Shqipëri, ngaqë kanë nevojë për ju dhe mund të paguhesh më mirë. Ai mu përgjigj menjeherë a thua se e kishte në majë të gjuhës -  "Jo, se unë sot jetoj për fëmijët dhe kam investuar gjithçka për  edukimin e tyre, për të cilët në Shqipëri ndjehem i pa sigurtë se si do të jetë e ardhmja e tyre". Ndoshta Sandri kishte të drejtë se shkolla e djalit të tij, Shtjefnit, në Shën Elefteri të Athinës ishte  e rrethuar, me një portiere të sigurisë që hapte e mbyllte derën dhe sillej  me shumë  edukatë si dhe mësuesit që e  pritshin vetëm për anën e mësimdhënies për arritjet e Shtjefnit, sepse edukimin ja jepnin prindërit dhe ishin shumë të kënaqur nga sjellja e tij me të gjithë.

Edhe babai i Martin Canit  kamarier punonte në një lokal të Tiranës dhe sakrifikonte për të ardhmen e djalit, i cili ishte edhe futbollist i të rinjve të Dinamos, por nuk kishte llogaritur se jeta e tij nuk është vetëm brenda familjes së tij por është edhe jashtë ku djali jeton e luan me shokët e tij ku  "i forti"  sfidon shoqërinë dhe që  është i instaluar kudo në çdo hallkë të shoqërisë duke na e bërë   jetën tonë akoma  më të pa sigurtë nën hundën e shtetit. 

Ky është realiteti i Shqipërisë sot, ku  tragjedia e 14 vjecarit Martin Cani mos të përsëritet më por të jetë një këmbanë për të gjithë ne që më përpara se ta luftojmë të keqen rreth nesh, prindërit të edukojnë fëmijët e tyre, mësuesit të arsimojnë nxënësit e tyre dhe shoqëria në harmoni  të bashkëjetojë për sfidat e reja zhvilluese, dhe shteti të garantojë të ardhmen e tyre të sigurtë. Kur këto të jenë arritur, atëherë  kryeministri i sotëm i Shqipërisë së tranzicionit të gjatë  ka të drejtën e Zotit të na ftojë të gjithëve, të kthehemi  për ta ndërtuar Shqipërinë tonë e për ta bërë akoma më të bukur ashtu siç na do Europa e Bashkuar. Por  përpara se të shkojmë deri atje shoqëria jonë ka nevojë të lëvizë që tani  "Act now" ..
0 Comments



Leave a Reply.

    Author

    ​Welcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema.
    Happy reading! 

    Archives

    May 2025
    March 2025
    February 2025
    January 2025
    December 2024
    November 2024
    October 2024
    September 2024
    August 2024
    July 2024
    May 2024
    January 2024

    Categories

    All

    RSS Feed


  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact