Marko Caka
  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact

Mes viktimës dhe viktimizimit: një kujtim nga Athina

5/2/2026

0 Comments

 
Duke lexuar një intervistë të Lea Ypit, më mbeti në mendje një fjali që të detyron të reflektosh:- “Unë nuk mund të viktimizohem… sepse do të mjegulloja vijën mes atyre që kanë vuajtur vërtet dhe atyre që përdorin viktimizimin si avantazh.”

Kjo fjali më ktheu pas në kohë, në fillimet e mia si emigrant në Greqi.

Në Athinë, fillimisht jetoja me kushërinjtë në Halandri, përpara se të vendosesha në konviktet e kompleksit universitar në Zografu. Ishte një jetë e thjeshtë, mes studimeve, punës dhe përpjekjes për t’u përshtatur me një realitet të ri, si çdo fillim emigranti. Por lidhjen me kushërinjtë nuk e shkëputa kurrë.

Një nga vendet ku kthehesha shpesh ishte lokali ku punonte kushëriri im, Iliri, brenda një qendre tregtare. Ai lokal nuk zgjati shumë, por kujtimet që lidhen me të janë të pashlyeshme, mbi të gjitha për zemrën e madhe të Ilirit, që nuk linte asnjë mik të paguante.

Aty njoha dy burra nga Himara, Stavron dhe Theodhorin. Të dy roje nate në atë qendër tregtare. Të dy pothuajse të së njëjtës moshë. Të dy me një fëmijëri të përbashkët në të njëjtin qytet, por aty mbaronin ngjashmëritë sepse jeta i kishte ndarë në mënyrë dramatike.

Stavro ishte një histori që nuk tregohet lehtë. Nëna e tij ishte himarjote, një grua e fortë dhe fisnike. Babai, një grek nga Korfuzi, kishte ardhur si tregtar në Himarë. U dashurua me nënën e tij, por historia e tyre u pre në mes nga regjimi. Në momentin që erdhën për ta arrestuar, ai u arratis drejt Korfuzit, dhe nuk u kthye më kurrë. La pas një grua shtatzënë. La pas një fëmijë që nuk do ta njihte kurrë.

Stavro u rrit pa baba, por jo vetëm me mungesën e tij, ai u rrit me damkën e tij. “I biri i një greku antikomunist.” Një damkë që në atë kohë mjaftonte për të të shkatërruar jetën, vetëm e vetëm se mbajti mbi supe pasojat e emrit të tij.

Dhe një ditë, kjo ndodhi, jo për një krim, as për ndonjë veprim konkret, por për një dëshirë, malli për të parë babain e tij.

U arrestua dhe u dënua me 12 vite burg për agjitacion e propagandë, të cilat i vuajti në Burgun famëkeq të Spaçit. Aty njohu dhe u bë pjesë e një brezi të tërë të persekutuarish, mes tyre figura si At Zef Pllumi, Dom Simon Jubani, Gjin Marku, etj.

Por ajo që e bënte të veçantë Stavron nuk ishte historia e tij. Ishte mënyra se si e tregonte atë. Pa urrejtje, pa mllef, as pa nevojën për t’u viktimizuar.

Kur doli nga burgu, nëna e tij kishte ndërruar jetë dhe ai nuk kishte mundur as ta përshëndeste për herë të fundit.

Dhe megjithatë, një ditë më tha:-“Plagën nuk ma dha vendi im… ma dha një regjim.”

Ai nuk e urrente Shqipërinë, por e donte aq shumë në mënyrën e tij. Në një mënyrë të qetë, të thellë e pa zhurmë.

Në anën tjetër ishte Theodhori. Ai kishte qenë në anën e privilegjuar të sistemit. I arsimuar, me karrierë, nga drejtor i shkollës së mesme në drejtues arsimi në Vlorë. Por pas rënies së regjimit, gjithçka ndryshoi. Nga një pozicion i lartë, u bë emigrant në roje nate. Dhe në çdo fjalë të tij kishte mllef.

Mllef për vendin, për njerëzit, dhe si për çudi edhe për të kaluarën e tij të privilegjuar.

Shpesh e përdorte identitetin sipas interesit, herë më shumë grek se grekët, herë viktimë e sistemit. Pra me një qellim të vetëm, kur kjo i sillte përfitime si dokumentet e minoritetit apo pensionet.

Përplasjet mes tij dhe Stavros ishin të pashmangshme. Sepse Stavro nuk pranonte të barazonte gjithçka. Ai thoshte: “Nuk na ndante origjina, por na ndante ideologjia se nuk ndoqëm regjimin që ishte i pamëshirshëm ndaj të gjithëve pa dallim. Dhe vuajtja nuk është privilegj.”

Dy histori nga i njëjti qytet, nga i njëjti sistem, por dy qëndrime krejt të ndryshme ndaj jetës. Njëri kishte kaluar ferrin… dhe nuk kërkonte të quhej viktimë. Tjetri kishte jetuar me privilegje… dhe e përdorte viktimizimin sipas rastit. Dhe pikërisht këtu qëndron dallimi që shpesh harrojmë. Sepse jo çdo dhimbje të bën më të drejtë. Dhe jo çdo humbje të jep të drejtën për të kërkuar mëshirë.

Siç thotë edhe Lea Ypi në intervistën e saj, ekziston një vijë e hollë mes viktimës dhe viktimizimit.
​
Dhe ndoshta, mënyra më e mirë për ta respektuar atë vijë… është të mos flasim në emër të dhimbjeve që nuk i kemi përjetuar vetë. Sepse viktimat e vërteta nuk kanë nevojë të bërtasin. Ata nuk kërkojnë mëshirë. Nuk kërkojnë përfitime. Ata mbajnë plagët në heshtje… dhe nuk lejojnë që dhimbja t’u prishë shpirtin.
0 Comments



Leave a Reply.

    Author

    ​Welcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema.
    Happy reading! 

    Archives

    July 2026
    June 2026
    May 2026
    April 2026
    March 2026
    February 2026
    January 2026
    December 2025
    November 2025
    October 2025
    September 2025
    August 2025
    July 2025
    June 2025
    May 2025
    March 2025
    February 2025
    January 2025
    December 2024
    November 2024
    October 2024
    September 2024
    August 2024
    July 2024
    May 2024
    January 2024

    Categories

    All

    RSS Feed


  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact