Marko Caka
  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact

Michael Bauman, drita drejt Oscar-it dhe befasimi i tij për mrekullitë e Shqipërisë

1/23/2026

0 Comments

 
Pa dyshim, filmat e këtij viti dallohen për nivel të lartë realizimi dhe cilësi artistike. Për këtë do të ketë kohë të flitet deri në ceremoninë finale. Ajo që dua të theksoj sot është diçka tjetër: një mirënjohje personale, por me domethënie publike.

Ky edicion bëhet i veçantë nga shfaqja e një emri që për profesionistët e industrisë nuk është aspak i panjohur, Michael Bauman, i nominuar për Çmimin Oscar në kategorinë Best Cinematography për filmin “One Battle After Another”, me protagonistë Leonardo DiCaprio, Sean Penn, Teyana Taylor dhe Benicio Del Toro.

Michael Bauman konsiderohet prej vitesh si një nga gaffer-ët më të mirë të ndriçimit në botë dhe, së fundmi, si një nga Drejtorët e Fotografisë më premtues në Hollywood, veçanërisht në ndriçimin e filmave të studiove të mëdha.

Për mua, ky nominim ka një domethënie të veçantë për shkak të një historie personale, që më lejoi ta njoh nga afër karakterin e tij njerëzor. Katër  vite më parë, gjatë pandemisë globale, bashkëshortja ime, Ediola Pashollari, po kërkonte të hapte një kapitull të ri në karrierën e saj duke u vendosur përfundimisht në Nju Jork. Pavarësisht përvojës së gjatë profesionale si lidere në disa organizata ndërkombëtare dhe kualifikimeve të larta akademike, aplikimet e saj për pozicione drejtuese si përgjigje kishin të njëjtin justifikim paradoksal: overqualified.

Në kulmin e këtij procesi profesional, erdhi një telefonatë e papritur nga vetë Presidenti-themelues i International Cinematographers Lighting Society (ICLS), Michael Bauman. Pasi kishte shqyrtuar CV-në e Ediolës, ai i ofroi menjëherë pozicionin e Drejtores Ekzekutive të shoqatës. Një bisedë e shkurtër mjaftoi për të shprehur bindjen dhe krenarinë e tij që një institucion ndërkombëtar i këtij niveli të drejtohej nga një grua me përvojë shumëvjeçare në organizmat  ndërkombëtare dhe me formim akademik në disa Universitete prestigjioze në Angli dhe SHBA.
Që nga ajo ditë, Ediola drejton një nga institucionet më të rëndësishme të ndriçimit në industrinë e filmit hollivudian, në një botë ku drita nuk është thjesht teknikë, por gjuhë artistike. Në këtë rol, ajo bashkëpunon nga afër me  bordin drejtues të ICLS-së, si dhe  bashkëthemeluesit dhe drejtuesit e departamenteve të ndriçimit të filmave epikë si Rafael Sánchez (Joker 2) dhe Martin Smith (Mission: Impossible). Gjithashtu ajo  kordinon aktivitetin e  500 anëtare të shoqatës, që janë kokat e ndriçimit të kinematografisë botërore. Si dhe moderon aktivitetet e ndryshme me producentë e  aktorë të njohur ndërkombëtarisht.

Puna e anëtareve të ICLS-it është një kontribut që rrallë shihet nga publiku, por që përcakton identitetin vizual të filmave më të mëdhenj në botë.

Pikërisht për këtë arsye e solla sot në vëmendje këtë moment të rëndësishëm në karrierën e Michael Bauman, tashmë i nominuar për Oscar. Jo vetëm sepse e meriton si profesionist, por edhe si njeri i thjeshtë, komunikues dhe i hapur.

Gjatë vizitës sonë në Shqipëri, Bauman tregoi interes të veçantë për vendin tonë. Ai  kërkonte vazhdimisht   që  t’i dërgonim fotografi nga çdo vend që ne vizituam, për t’i pasur si referencë për projektet e tij të ardhshme. Gjithashtu ai donte në detaje jo vetëm infrastrukturën por edhe arkitekturën shqiptare. Sipas reagimeve të tij, ai u befasua nga bukuritë e rralla dhe mahnitëse të Shqipërisë, duke shprehur hapur idenë se pse këto peizazhe të mos bëhen pjesë e produksioneve të mëdha hollivudiane.
​
Ndoshta ky nominim për Oscar është edhe një dritë e vogël shprese që një ditë, kamera e Hollywood-it të ndalet edhe mbi Shqipërinë.
0 Comments



Leave a Reply.

    Author

    ​Welcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema.
    Happy reading! 

    Archives

    January 2026
    December 2025
    November 2025
    October 2025
    September 2025
    August 2025
    July 2025
    June 2025
    May 2025
    March 2025
    February 2025
    January 2025
    December 2024
    November 2024
    October 2024
    September 2024
    August 2024
    July 2024
    May 2024
    January 2024

    Categories

    All

    RSS Feed


  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact