Marko Caka
  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact

Morali nuk kompensohet me “punë kolosale”

12/29/2025

0 Comments

 

Më në fund Kryeministri reagoi, jo për t’u distancuar, por për t’i dalë në mbrojtje një nëpunëseje të administratës së tij, drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, e akuzuar dhe nën arrest shtëpie nga GJKKO. Një reagim që u ndal më shumë te “puna kolosale” e saj sesa te akuza penale që rëndon mbi të, një akuzë që nuk dëmton vetëm individin, por edhe imazhin e qeverisjes që kryeministri pretendon të përfaqësojë.


Logjika e mbrojtjes është e vjetër dhe e konsumuar se ka punuar shumë, ka transformuar institucionin, ka prodhuar rezultate. Por kjo logjikë bie ndesh me një parim themelor të politikës dhe shtetit se çdo vepër shumëzohet me zero nëse morali vihet në pikëpyetje.

​Reagimi i Kryeministrit ishte politikisht i turpshëm. Jo sepse ai shprehu një mendim, por sepse zgjodhi të heshtë për akuzën dhe të flasë gjatë për “punën e shkëlqyer”, sikur morali dhe ligji të jenë detaje dytësore përballë performancës.

Ky është thelbi i deformimit të pushtetit në Shqipëri me idenë se nëse dikush “punon shumë”, i falet gjithçka.


Nuk ka reformë, digjitalizim apo “punë kolosale” që ta shpëtojë figurën publike nga dyshimi i prekjes së arkës publike. Morali është më i shtrenjtë se çdo arritje teknike. Morali nuk është aksesor, është themel. Kur themeli çahet, ndërtesa rrënohet, sado e bukur të duket fasada.


Se nëse prodhon rezultate, mund edhe të vërë dorë në arkën publike, dhe kjo të konsiderohet një devijim i vogël personal. Një logjikë që nuk i përket as demokracisë, as shtetit të së drejtës, por mentalitetit të pronarit që e sheh institucionin si pronë private.


Në momentin që morali përligjet, pra bëhet pis, ai zhvleftëson jo vetëm individin, por edhe institucionin që ajo drejton. Politika është e qartë në këtë pikë se figura e pastër është kriteri parësor. Kur ajo cënohet, dorëheqja nuk është dramë, por akt dinjiteti. Më mirë të largohesh vetë sesa të të largojë indinjata publike.

Në çdo vend normal, një zyrtar nën akuzë nuk mbrohet nga eprori i tij me deklarata politike, por largohet derisa drejtësia të flasë.

Fatkeqësisht, këtë parim Shqipëria ende nuk e ka kuptuar, pra ndodh e kundërta, drejtësia shihet si bezdi, ndërsa mbrojtja publike bëhet akt besnikërie politike. Sepse nuk mbrohet individi, por zinxhiri.


Prej vitesh, vjedhjet e parasë publike kanë gjetur paqe pothuajse në çdo institucion. Dhe sa herë një zyrtar akuzohet, drejtuesit e tij vrapojnë ta mbrojnë, jo nga bindja për pafajësi, por nga frika se çdo gur që lëviz, rrezikon karrigen e radhës.


I vetmi që duket se del gjithmonë i paprekur nga ky zinxhir përgjegjësish është kryeministri. Ai justifikohet, me formulën tashmë standarde: “Secili përgjigjet vetë për shkeljet e tij”, ndërsa qeverisja vazhdon sikur asgjë të mos ketë ndodhur. Madje, shpërndahen edhe certifikata morale publike për “punë shembullore”, edhe kur drejtësia ka trokitur fort në derë.


Sipas kësaj logjike, mjafton të jesh i palodhur dhe efikas, dhe krimi organizuar bëhet një devijim i vogël teknik, për të cilin “le të flasë drejtësia”. Por paligjshmeria nuk është aksident individual, ai është aromë që përhapet. Dhe këtu vlen shprehja e vjetër e popullit- se ku ka tym, ka zjarr. Nëse era e tymit ka mbërritur deri në kafene dhe në biseda publike, imagjino sa fort duhet t’i ketë ardhur atij që i ka nën hundë.


Ai vazhdon punën, bën propagandë për arritje dhe na kërkon të besojmë se aktet e nëndheshme ndodhin rastësisht, pa dijeninë e tij, nën hundën e tij, dhe gjithmonë vetëm nga të tjerët.


Të pretendosh se nuk ke ndier asgjë, nuk është pafajësi. Është ose tallje me inteligjencën publike, ose pranim i heshtur i realitetit.


Pa thënë se është ose verbëri politike, ose bashkëjetesë e qëllimshme me problemin. Dhe të dyja këto janë njësoj të rrezikshme për një shtet që pretendon të jetë modern, i ndershëm dhe me vizion evropian.


​Drejtuesit nuk distancohen sepse “do presim drejtësinë”. Dhe përgjegjësia politike është shndërruar në fjalë boshe për konferenca shtypi. Shqipëria nuk ka problem mungesën e reformave, por mungesën e turpit politik. Sepse në fund, nuk është drejtësia ajo që rrëzon qeverisjet. Është morali i kalbur që i bën ato të bien nga brenda. Kur pushteti fillon të mbrojë dyshimin, dhe jo integritetin, atëherë problemi nuk është një drejtoreshë. Problemi është modeli.
0 Comments



Leave a Reply.

    Author

    ​Welcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema.
    Happy reading! 

    Archives

    January 2026
    December 2025
    November 2025
    October 2025
    September 2025
    August 2025
    July 2025
    June 2025
    May 2025
    March 2025
    February 2025
    January 2025
    December 2024
    November 2024
    October 2024
    September 2024
    August 2024
    July 2024
    May 2024
    January 2024

    Categories

    All

    RSS Feed


  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact