Marko Caka
  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact

Nga Naraçi i Shkodrës në skenat e Netflix: roli im si asistenti i presidentit të FIFA-s, Sepp Blatter

7/1/2026

0 Comments

 
Netflix kishte hapur audicion për një rol shumë interesant në një projekt të madh kushtuar futbollit të femrave, historisë legjendare të ekipit amerikan që fitoi Kupën e Botës në vitin 1999, duke mposhtur Kinën në finale. Roli ishte ai i asistentit të Presidentit të FIFA-s, Sep Blatter.

Për të qenë i sinqertë, futbolli ka qenë gjithmonë pjesë e jetës sime. Nëse ekziston një fushë për të cilën mund të flas pafund, është pikërisht futbolli, sepse aty kam dedikuar një pjesë të rëndësishme të jetës dhe shpirtit tim.

Por sapo pashë që audicioni ishte i hapur për të gjithë, mendimi i parë që më erdhi ishte: “Kush jam unë përballë njerëzve nga vende që e kanë futbollin traditë?” Probabiliteti që unë ta fitoja dukej pothuajse i papërfillshëm, sidomos kur mendoja se fëmijëria ime vinte nga Naraçi, një fshat i vogël, pothuajse i panjohur në hartën e Shqipërisë, e jo më në atë botërore.

Pikërisht në këto momente skeptike një nxitëse për të sfiduar vetveten më është bërë bashkëshortja ime, e cila në të tilla raste nuk më le të gaboj.

Kam qenë gjithmonë kërkues ndaj jetës, pa marrë parasysh edhe kushtet nga vij. Miqtë që kam patur përreth më thoshin shpesh se “Ti ja del se je shumë zhbirilues.” Ndoshta kjo ka qenë edhe mënyra ime e mbijetesës për të arritur në thelbin e fundit.

Me këtë mentalitet shkova në audicion, ku kishte shumë pyetje rreth njohurive dhe eksperiencës sime në futboll. Kush më ka njohur që fëmijë e di shumë mirë çfarë ka qenë futbolli jo vetëm për mua, por për të gjithë bashkëmoshatarët e mi.

Kam qenë nga ata fëmijë që janë rritur me topat e futbollit pranë krevatit. Jo sepse kishim luks apo më shumë se të tjerët, por sepse shtëpia ime ishte pranë shkollës dhe ato pak topa mbaheshin për t’u ruajtur. Aq i madh ishte pasioni i fshatit për futbollin, sa nuk u rezistonin dot as topave që kishte shkolla. Edhe pse topat ishin pronë e shkollës, im atë ua jepte djemve të luanin, sepse e kuptonte se futbolli ishte shpirti për ta, ishte mënyra e vetme për t’u argëtuar dhe për të harruar vuajtjet e kohës.

Nëse do të ekzistonte një version shqiptar i “jetës braziliane me topin”, ai ishte Naraçi i Shkodrës. Pasioni për futbollin ishte aq i madh, sa edhe të vetmen fushë që kishin e ndanin mes grupmoshave të ndryshme, vetëm që secili të kishte mundësinë të argëtohej dhe të jetonte emocionet e topit të rrumbullakët. Talente të lindura natyrshëm, pa akademi dhe pa shkolla sportive, por viktima të një sistemi monist ku askush nuk ua hidhte sytë dhe nuk kishin mundësi të provonin veten.

E vetmja derë që iu hap ishte falë im atë dhe ndihmësit të tij, Zef Nikolli i fshatit ngjitur zadrimor, Kaçë, të cilët organizuan ekipin për të përfaqësuar komunën e Vaudejësit (asokohe kooperativë) në rang rrethi. Ishte një mundësi e artë që i bëri të njiheshin kudo për fitoret dhe harmoninë e tyre si skuadër.

Komunat si Bushati, Barbullushi, Dajçi apo Kopliku kishin talente të frikshme, por Naraçsit e Vaudejësit kishin diçka tjetër që pak e kishin, kolektivitetin, harmoninë dhe të lindur pas topit. Dhe pikërisht këto i bënin të pakalueshëm dhe të veçantë. Mos të harrojmë se Naraçi frymonte me shpirtin e asaj Shkodre ku Vlkaznia ishte më shumë se një skuadër, ishte krenari, identitet dhe fe futbolli. Besnikëria ndaj saj ishte e shenjtë për çdo moshë, ndërsa tifozët përshkonin kilometra të tëra në këmbë, vetëm për të parë skuadrën e zemrës dhe për të jetuar emocionet që vetëm futbolli mund t’i falte.

Kjo eksperiencë fëmijërie më ndihmoi shumë edhe në audicion. Ndërsa njohuritë e mia për futbollin u plotësuan më pas gjatë karrierës si gazetar sportiv për 10 vite në Greqi, ku pata fatin të mbuloja evente të mëdha ndërkombëtare, sidomos në Champions League.

Aty kam intervistuar emra të mëdhenj të futbollit botëror nga Kaka, David Beckham, Jose Mourinho deri tek shqiptaret e suksesshëm të Zvicrës e Gjermanisë, Valon Behrami e Shkodran Mustafi Mesa duket, kjo eksperiencë mjaftoi që produksioni i Netflix të aprovonte audicionin tim si të suksesshëm për rolin e asistentit të Presidentit të FIFA-s, Sepp Blatter në filmin kushtuar ekipit legjendar amerikan të vitit 1999.
​
Sinqerisht, ende nuk e besoja plotësisht. Por ajo që e besonte më shumë se kushdo ishte Ediola, e cila bashkë me urimin më dha edhe një këshillë për të mos e harruar se “Kurrë mos thuaj kurrë… sepse edhe Naraçi ka historinë e tij, ndoshta më ndryshe se vetë brazilianët, në mënyrën sesi e dashuroi futbollin mes kufizimeve dhe errësirës së një regjimi totalitar.”

Pas aprovimit erdhi menjëherë veshja (fitting-u), ku gjithçka tek kostumet duhej përshtatur me atmosferën dhe stilin e vitit 1999.

Roli im zhvillohet në skenat finale të filmit, në tribunën VIP gjatë finales historike, si dhe në ceremoninë madhështore të medaljeve, ku mbaj tabakanë me medaljet që Presidenti Sep Blatter (luajtur nga Jean Brassard) do t’ua varte një e nga një në qafë vajzave të ekipit fitues amerikan.

Pastaj momenti më emocionues i gjithë eksperiencës është skena kur marr në duar Kupën e Botës dhe ia dorëzoj Presidentit të FIFA-s, Sep Blatter. Më pas, ai fton drejtuesen e ekipit amerikan, një rol i interpretuar nga aktorja hollivudiane, Zoey Deutch, për t’ia përcjellë trofeun kapitenes së skuadrës së SHBA-së, në një nga momentet më ikonike dhe emocionale të historisë së futbollit të femrave.

Për më shumë detaje nga xhirimet dhe eksperienca me yjet e këtij filmi, publiku do të ketë mundësi ta ndjekë projektin në Netflix dhe në kinematë botërore vitin e ardhshëm.

Por ajo që dua të theksoj se këto janë ndër skenat më të rëndësishme të karrierës sime artistike. Jo vetëm për shkak të madhësisë së produksionit Netflix, por sepse ky projekt lidhet me sportin më popullor në botë dhe me historinë më të madhe të futbollit të femrave në Amerikë.
0 Comments



Leave a Reply.

    Author

    ​Welcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema.
    Happy reading! 

    Archives

    July 2026
    June 2026
    May 2026
    April 2026
    March 2026
    February 2026
    January 2026
    December 2025
    November 2025
    October 2025
    September 2025
    August 2025
    July 2025
    June 2025
    May 2025
    March 2025
    February 2025
    January 2025
    December 2024
    November 2024
    October 2024
    September 2024
    August 2024
    July 2024
    May 2024
    January 2024

    Categories

    All

    RSS Feed


  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact