Marko Caka
  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact

Nga privatizimi te oligarkia: rasti Rezart Taçi dhe modeli rus i pasurisë pa burim

2/24/2026

0 Comments

 
Ishte viti i fundit para se të mbyllja kapitullin grek të jetës sime dhe të nisesha drejt Shteteve të Bashkuara. Një pasdite e zakonshme kafeje në periferi të Tiranës, tek “Ariu”, u kthye pa e kuptuar në një moment reflektimi politik dhe profesional. Jo për shkak të luksit të ambientit,  të cilin kurrë nuk e kam konsideruar kriter vlere, por për shkak të një pranie që simbolizonte shumë më tepër sesa një individ. Ai ishte Rezart Taçi, i rrethuar nga truproja, si një figurë pushteti paralel.

Me një instinkt gazetaresk sytë më ndalën jo te njeriu, por te skena,  mbrojtje, distancë, heshtje, kontroll. Pyeta nipin tim Landin se kush ishte. Përgjigjja e tij ironike – “ky është bosi që solli AC Milan në Shqipëri, madje donte ta blinte” – ishte më shumë se një shaka. Ishte përkufizimi perfekt i mënyrës se si në Shqipëri ndërtohet miti përmes futbollit, spektaklit dhe parasë, jo përmes transparencës.

Si gazetar me mbi dy dekada përvojë, veçanërisht në Greqi, e di shumë mirë se futbolli nuk është kurrë vetëm futboll. Ai është portë hyrëse në pushtet, ndikim, marrëdhënie politike dhe pastrim imazhi. Kur një individ, pa një histori të qartë industriale apo financiare, shfaqet si aksioner, bamirës dhe “shpëtimtar” klubi, pyetja nuk është si ia doli, por pse iu lejua.

Historia e Taçit është historia klasike e tranzicionit shqiptar, sesi një emigrant i thjeshtë në Itali, i punësuar në sektorin e shërbimeve, që brenda një kohe rekord shndërrohet në milioner strategjik, i lidhur me shtetin, sportin dhe median. Bamirësia e ekspozuar, donacionet, eventet publike, pra, të gjitha elementë të njohur për këdo që ka hetuar mekanizmat e riciklimit të parasë dhe ndërtimit të një alibie sociale.

Si reporter, kam mësuar se gjithmonë ekzistojnë dy skena, si ajo që transmetohet nga kamerat dhe ajo që ndodh pas tyre. Nga njëra anë, një sipërmarrës “model” që kontribuon për sportin dhe shoqërinë dhe nga ana tjetër, takime të mbyllura si ajo natë, me  truproja, lëvizje diskrete dhe një arrogancë pushteti që nuk buron nga ligji, por nga imuniteti politik.

Kulmi i kësaj historie ishte privatizimi i ARMO-s, gjatë qeverisjes së demokratëve. Një nga aferat më të errëta të pasurisë publike shqiptare. Një aset strategjik, teorikisht fitimprurës, i dhënë pa transparencë, pa garë reale dhe pa një plan zhvillimi të besueshëm. Askush nuk shpjegoi kurrë pse u përzgjodh ai, mbi ç’kritere, dhe kush përfitoi realisht nga rrënimi i mëtejshëm i rafinerive.

Këtu nuk bëhet fjalë për dështim biznesi. Bëhet fjalë për model shtetëror, të kapjes së ekonomisë nga individë të lidhur me politikën, përdorimin e privatizimeve si instrument transferimi pasurie dhe heshtjen institucionale si bashkëpunim kriminal.

Në Shqipëri, gjatë viteve të tranzicionit, mbi 70% e privatizimeve strategjike rezultuan, ose të dështuara,
ose të rishitura, ose të falimentuara brenda pak vitesh. Ky është një raport disproporcional krahasuar me rajonin, ku norma e dështimit të privatizimeve strategjike luhatet nga 15% në Slloveni deri në 30% në Rumani.

Në këtë kontekst, rasti i ARMO nuk është përjashtim, por shembull tipik. Një aset energjetik, me kapacitet rafinimi dhe treg të garantuar, që në vend të modernizimit përfundoi në degradim teknik, humbje të vazhdueshme, borxhe zinxhir ndaj shtetit dhe punëtorëve.

Në asnjë ekonomi funksionale nuk blihet një rafineri për ta lënë të rrënohet, përveçse kur qëllimi nuk është prodhimi, por qarkullimi i parasë.

Në Itali, pas skandalit “Calciopoli”, u evidentua qartë se futbolli ishte përdorur për akses në qarqe politike, riciklim imazhi, ndërtim besueshmërie publike. Por ndryshimi thelbësor është ky se  në Itali, pastrimi i parave përmes sportit u godit me konfiskime masive. Në Shqipëri, për vite me radhë, ai u konsiderua “sipërmarrje”.

Për vite me radhë, drejtësia heshti. Dosjet u pluhurosën, ndërsa personazhet u shndërruan në VIP-a të paprekshëm.

Statistikat e organizatave ndërkombëtare flasin qartë se  Shqipëria për dekada ka qenë në top 5 vendet europiane për informalitet ekonomik, me nivele mbi 45–50% të PBB-së. Në një ekonomi të tillë, milionerët nuk krijohen nga inovacioni, por nga pozicionimi në nyjet ku takohen shteti, importet, energjia dhe monopoli.

Në Rusi, midis viteve 1992–1998, mbi 60% e pasurive strategjike kaluan në duar private, shumica e tyre përmes procedurave jo-transparente, pa detyrim real investimi afatgjatë.

Figura si Roman Abramoviç u shfaqën fillimisht si “sipërmarrës”, u legjitimuan përmes sportit, filantropisë dhe lidhjeve ndërkombëtare, dhe vetëm më vonë u kuptua se pasuria e tyre nuk buronte nga tregu, por nga riciklimi i aseteve shtetërore.

Shqipëria nuk pati luksin e Bashkimit Sovjetik, por pati një tranzicion të shpejtë dhe pa filtra. Dhe këtu qëndron paralelizmi. Privatizimet strategjike shqiptare, përfshirë ARMO, ndodhën në një mjedis,  pa kontroll të origjinës së kapitalit, pa mekanizma penalizues për dështimin, pa përgjegjësi reale për degradimin e aseteve.

Sot, kur flitet për “drejtësi të re”, emri i Taçit rikthehet jo si rastësi, por si domosdoshmëri. Akuzat për pastrim parash, rreziku i një dënimi deri në 13 vite burg dhe konfiskimi i rreth 18 milionë eurove nuk janë thjesht çështje penale individuale, por janë provë nëse shteti shqiptar ka vullnet të godasë arkitektët e tranzicionit kriminal apo do të ndëshkojë vetëm zbatuesit periferikë.

Prandaj, kur sot flitet për hetime për pastrim parash, për shifra si 18 milionë euro dhe rrezik dënimi deri në 13 vite burg, nuk kemi të bëjmë me një rast individual. Kemi të bëjmë me një test sistemik- A është Shqipëria në gjendje të rishikojë mënyrën se si u krijuan “elitat ekonomike” e saj?

Si gazetar, nuk më intereson fati personal i askujt. Më intereson precedenti ekonomik. Sepse nëse një model që prodhoi dhjetëra ARMO të vogla e të mëdha nuk çmontohet, atëherë edhe drejtësia, edhe tregu, edhe morali publik mbeten thjesht dekor. Sepse nëse kjo histori mbyllet sërish pa përgjegjësi reale, atëherë nuk kemi dështim të drejtësisë, kemi vazhdimësi të krimit të veshur me kollare.

Ajo pasdite në “Ariu” nuk ishte rastësi. Ishte një fotografi e tranzicionit shqiptar, të një  pushteti pa përgjegjësi, pasuri pa histori dhe heshtje që kushton më shumë se çdo deklaratë politike.
​
Dhe kur një shoqëri fillon ti normalizojë të gjitha këto, atëherë problemi nuk është individi, por sistemi që e prodhoi.
0 Comments



Leave a Reply.

    Author

    ​Welcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema.
    Happy reading! 

    Archives

    February 2026
    January 2026
    December 2025
    November 2025
    October 2025
    September 2025
    August 2025
    July 2025
    June 2025
    May 2025
    March 2025
    February 2025
    January 2025
    December 2024
    November 2024
    October 2024
    September 2024
    August 2024
    July 2024
    May 2024
    January 2024

    Categories

    All

    RSS Feed


  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact