|
Për herë të parë në jetën time, pothuajse çdo person i rëndësishëm që takoj në industrinë hollivudiane më pyet për Shqipërinë dhe për ishullin e Sazanit. Nuk flasim për njerëz të zakonshëm, por për personazhë që janë pjesë e industrisë më të madhe të argëtimit në botë.
Më parë ndodhte rrallë që dikush të dinte diçka për Shqipërinë. Sot është krejt ndryshe. Pasi bukuritë e vendit tonë janë promovuar nga mediat më të mëdha amerikane dhe ndërkombëtare, njerëzit afrohen për të mësuar më shumë rreth vendlindjes sime dhe zhvillimeve që po ndodhin atje. Një nga temat që ka zgjuar më shumë interes është përfshirja e familjes së Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në projektet e lidhura me Sazanin. Pavarësisht debateve pro dhe kundër, fakti mbetet se kjo e ka kthyer Shqipërinë në një temë diskutimi ndërkombëtar. Nëse duhet t’i vendoset një emër këtij transformimi të imazhit të Shqipërisë, ai është Edi Rama. Ai ka arritur që një vend i vogël, që shpesh krahasohet me një pikë në oqean përballë fuqive të mëdha, të tërheqë vëmendjen e botës. Shumë liderë do ta kishin zili aftësinë e tij për ta bërë Shqipërinë pjesë të diskutimeve globale. Megjithatë, ekziston edhe ana tjetër e medaljes. Ndërsa jashtë vendit Shqipëria shihet gjithnjë e më shumë si një histori suksesi, brenda vendit shumë qytetarë vazhdojnë të jenë të zhgënjyer. Arsyeja kryesore është korrupsioni. Korrupsioni ka qenë gangrena që për dekada ka dëmtuar zhvillimin e vendit dhe ka gërryer besimin e qytetarëve te politika. Shqiptarët nuk e shohin më atë si një problem të izoluar, por si një nga shkaqet kryesore që ka penguar përparimin e vendit. Edi Rama erdhi në pushtet si simbol i shpresës për ndryshim dhe në shumë drejtime ndërtoi institucione më funksionale sesa ato që gjeti. Por sfida më e madhe mbeti lufta kundër korrupsionit, veçanërisht kur ai shfaqej brenda vetë qeverisë së tij. Nga Saimir Tahiri, Erion Veliaj deri tek Belinda Balluku, figura që dikur konsideroheshin reformatorë përfunduan të përballeshin me akuza dhe hetime që dëmtuan rëndë besimin publik. Problemi nuk është vetëm puna e palodhur dhe ndërtimi i projekteve. Në një shtet demokratik kërkohet edhe integritet moral dhe pastërti figure. Kur këto mungojnë, çdo sukses tjetër vihet në pikëpyetje. Kjo është arsyeja pse shumë shqiptarë nuk e pranojnë argumentin se kryeministri nuk kishte dijeni për veprimet e vartësve të tij. Për ta, përgjegjësia politike nuk mund të shmanget kaq lehtë. Pikërisht këtu qëndron ndarja më e madhe mes perceptimit ndërkombëtar dhe atij vendas. Debati mbi Sazanin dhe Zvërnecin ka bashkuar shumë prej kundërshtarëve të Ramës, jo vetëm për çështjet e pronësisë apo procedurave, por sepse për herë të parë në histori tema lidhet drejtpërdrejt me familjen e Presidentit të Shteteve të Bashkuara. Kur në histori përfshihet emri Trump, ngjarja fiton menjëherë jehonë globale. CNN, ABC, CBS, FOX dhe shumë media të tjera e kanë kthyer Shqipërinë në një temë diskutimi. Dhe kjo, pavarësisht polemikave, ka sjellë një efekt të pamohueshëm, ku miliona njerëz kanë dëgjuar për Shqipërinë dhe kanë parë bukuritë e saj natyrore. Nuk ka shumë rëndësi nëse vëmendja vjen nga lajme pozitive apo polemika. Ajo që ka rëndësi është se Shqipëria po njihet në çdo cep të botës. Sazani, dikur një ishull i harruar, sot diskutohet si një destinacion potencial i elitës ndërkombëtare. Historia njeh raste të ngjashme. Greqia përfitoi jashtëzakonisht nga vëmendja ndërkombëtare që solli Aristotel Onassis nga martesa me vejushën e Shtëpisë së Bardhë, Zhaklin Kënedi dekada më parë. Sot, shumë shpresojnë se projekte të ngjashme mund të sjellin përfitime afatgjata edhe për Shqipërinë. Sigurisht, çështjet ligjore dhe pronësore duhet të trajtohen nga drejtësia dhe institucionet shqiptare. Por përtej debateve politike, mbetet fakti se Shqipëria po fiton një vend gjithnjë e më të rëndësishëm në hartën turistike të botës. Dhe nëse një ditë brigjet e Jugut shqiptar do të përmenden krah destinacioneve më të njohura mesdhetare, atëherë brezat e ardhshëm do të kujtojnë se ky ishte momenti kur Shqipëria doli përfundimisht nga hija dhe u bë pjesë e vëmendjes globale. Ndoshta jo rastësisht, gjithnjë e më shpesh ajo po quhet “Maldivet e Europës”.
0 Comments
Leave a Reply. |
AuthorWelcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema. Archives
July 2026
Categories |
RSS Feed