Nga sportist student në pronar të një vile milionëshe – ëndrra amerikane e një shqiptari nga Berati7/5/2026 Një mesazh i thjeshtë mbërriti në WhatsApp-in tim:- "Jeni i ftuar për Ditën e Pavarësisë, më 4 Korrik, në vilën time për një barbecue në backyard."
Ishte një ftesë nga Etjen Nako, një shok i imi shqiptar nga Berati. Po, shqiptar, edhe pse emri i tij mund të të krijojë përshtypjen se është francez. Bashkë me ftesën ishte edhe adresa e vilës së tij në një nga zonat më të shtrenjta të Connecticut-it. Në Amerikë nuk të bën më përshtypje kur dëgjon për vila të shtrenjta. Ky është një vend ku suksesi shpesh matet edhe me atë që ke arritur të ndërtosh. Por kjo ftesë më ktheu 16 vite pas, në ditët kur unë dhe Etjeni punonim së bashku në të njëjtin restorant. Kur mbërrita në SHBA në vitin 2010, anglishtja ime ishte shumë e dobët, pa thënë s'dija asnjë fjalë. Punova si busboy, ndërsa Etjeni ishte kamarier. Pronari i restorantit, Sevdi Gashi nga Peja, më dha një mundësi të çmuar dhe më mbajti në punë, ndërsa unë përpiqesha të jepja maksimumin çdo ditë. Njeriu që ma lehtësoi më shumë atë periudhë ishte pikërisht Etjeni. Ai nuk ishte vetëm kolegu im, por edhe shoku që çdo njeri do të donte ta kishte pranë. Tavolinat që shërbente ishin edhe ato për të cilat kujdesesha unë dhe, ndryshe nga shumë kamarierë që e shohin veten si "eprorë" të busboy-ve, Etjeni shpesh më ndihmonte edhe të pastroja tavolinat. Ishte një gjest i vogël, por tregonte karakterin e tij. Ai dallohej për inteligjencën, edukatën dhe komunikimin e jashtëzakonshëm me klientët. Nuk mjaftohej vetëm të merrte porositë. Shpjegonte përbërjen e gatimeve, origjinën e produkteve dhe i këshillonte klientët sipas preferencave të tyre. Për këtë arsye tavolinat e tij ishin gjithmonë plot dhe, si skuadër, fitonim edhe bakshishe shumë të mira. Që atëherë lindi një miqësi që vazhdon edhe sot. Etjeni më ka ndihmuar në shumë momente, falë njohjes së shkëlqyer të gjuhës angleze dhe realitetit amerikan, pasi kishte ardhur në SHBA dy vite përpara meje. Historia e tij nis në Berat. I lindur në vitin 1990, vetëm një vit më vonë prindërit e tij emigruan në Greqi, në ishullin Paros. Atje punuan fort dhe u integruan shpejt, duke investuar gjithçka në edukimin e dy djemve të tyre, Etjenit dhe vëllait të vogël, Kristos. Duke parë aftësitë e tij të jashtëzakonshme, prindërit bënë çdo sakrificë që Etjeni të vazhdonte studimet në Shtetet e Bashkuara. Vetëm 17 vjeç u largua për në Amerikë për të ndjekur kolegjin. Si mijëra studentë të tjerë, studionte ditën dhe punonte në mbrëmje për të përballuar jetesën. Më vonë, pasi përfundoi studimet, u punësua në kompani të mëdha farmaceutike. Në të njëjtën kohë ndihmoi edhe vëllain e tij të vinte në New York për studime, duke e mbështetur financiarisht deri sa ai ndërtoi karrierën e vet. Sot të dy vëllezërit janë profesionistë të suksesshëm, me pozicione të rëndësishme dhe të ardhura shumë të mira. Kanë krijuar familjet e tyre dhe jetojnë atë që shumë e quajnë "Ëndrra Amerikane". Kur mbërrita në vilën e Etjenit për festën e 4 Korrikut, nuk pashë thjesht një shtëpi që vlen mbi një milion dollarë. Pashë shpërblimin e viteve të sakrificës, studimit, punës së ndershme dhe këmbënguljes. Pashë një bashkëshort dhe baba shembullor, i cili, së bashku me partneren e jetës së tij, Xhulin, po ndërton një familje të bukur mbi vlerat më të çmuara që trashëgojmë ne shqiptarët, dashurinë për familjen, mikpritjen dhe bujarinë. Ishte një shtëpi e mbushur jo vetëm me sukses, por edhe me ngrohtësi njerëzore, ku çdo i ftuar ndihej si pjesë e familjes. Pashë historinë e një studenti që dikur ndante qiranë me roommate-t dhe punonte netëve në restorant për të paguar shkollën, ndërsa sot pret miqtë në oborrin e vilës së tij. Për mua, kjo nuk është historia e një shtëpie luksoze. Është historia e një shqiptari nga Berati që, së bashku me familjen dhe vëllain e tij, besoi te arsimi, puna dhe mundësitë që ofron Amerika. Është një histori që dëshmon se ëndrra amerikane nuk është një mit. Ajo vazhdon të ekzistojë për ata që janë të gatshëm të sakrifikojnë, të studiojnë dhe të mos dorëzohen kurrë. Etjeni dhe Kristosi janë një shembull i gjallë se suksesi nuk ndërtohet brenda natës. Ai ndërtohet vit pas viti, me përulësi, karakter dhe punë të palodhur.
0 Comments
Leave a Reply. |
AuthorWelcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema. Archives
July 2026
Categories |
RSS Feed