|
E ndjekur së fundmi nga historia tronditëse e Mishel Prelës, që tregoi në një emision investigativ rrugëtimin e tij të dhimbshëm drejt humbjes së ëndrrave, më riktheu pas në kohë te një përvojë personale, një histori që nuk e kisha ndarë kurrë më parë.
Ishte periudha kur studioja në Fakultetin e Filozofisë në Athinë dhe jetoja në konviktin studentor në rrugën Olof Palme, brenda kampusit universitar. Aty njoha një student shqiptar, emrin e të cilit nuk dua ta përmend. Ishte një djalë me kulturë të admirueshme, i rritur në një familje intelektuale tiranase, me sjellje shembullore dhe zemër të butë. Në një kohë kur shumë të rinj shqiptarë përjetonin trazira pas viteve të para të post-komunizmit, ai dukej se i kishte ruajtur vlerat e tij. Mes nesh lindi një shoqëri natyrale. Ne të dy, të ardhur nga i njëjti realitet, gjenim te njëri-tjetri atë afërsi që të mungon kur je jashtë vendit. Takoheshim shpesh në holl, në mensë, apo në oborrin e konviktit. Por kjo njohje e qetë kishte një hije të rëndë, ai ishte prej vitesh i varur nga droga, një gjë që në fillim nuk e kisha vënë re. Rinte i izoluar në dhomë kur donte “mallin”, ndërsa para të tjerëve shfaqej i qetë dhe i ekuilibruar. Vetëm kur nisi të më kërkonte para borxh, realiteti u bë i dukshëm. Netëve trokiste në derën time, shpesh i rrënuar, duke më lutur që t’i jepja para. Dhe ishte e pamundur t’i thoja “jo”. Kishte një mirësjellje të natyrshme, një edukatë që e mbante të gjallë edhe kur droga ia griste karakterin. Si mik, e shikoja me dhembje dhe nuk kisha forcë t’i mbyllja derën. Një ditë, ai më kërkoi ta çoja me motor në një periferi të Omonias, zonë e njohur për kriminalitet, prostitucion dhe tregti droge. Mua nuk më shkoi mendja se mund të ishte e rrezikshme se kisha ende besim tek ai njeri i mirë që e njihja. Pasi arritëm, më kërkoi të prisja. Kaloi gjysmë ore dhe ankthi nisi të më rritet. Kur ai u kthye, ishte i gjakosur dhe vraponte. “Ikim, po na ndjekin!” – më tha. U larguam me shpejtësinë që papaqi i lodhur na lejonte. Vetëm pasi u gjendëm në zonën e sigurt të Leoforos Alexandras, ma tregoi të vërtetën. Trafikantët e kishin kërcënuar që të paguante borxhin ose të punonte për ta në aktivitete të pista. Kur kishte refuzuar, e kishin sulmuar. Ai, në vetëmbrojtje, kishte rrëmbyer një hekur nga duart e tyre dhe e kishte goditur njërin në kokë, duke e lënë pa ndjenja. Isha i shokuar. Ajo histori mund të më kishte ndryshuar jetën edhe mua. Nëse ai njeri do të kishte humbur jetën, ne të dy do të ishim futur në një labirint nga i cili nuk do të dilnim kurrë më. Atë natë qëndrova para televizorit, me frikën se mos shfaqej ndonjë lajm për plagosjen apo vdekjen e dikujt. Për fat, trafikantët nuk e denoncuan ngjarjen, jo për humanizëm, por sepse vetë vepronin në paligjshmëri dhe ishin mbrojtur nga statusi i azilkërkuesve dhe nuk donin të ekspozoheshin për aktivitetin e tyre kriminal. Pas asaj dite, nuk u takuam më. As borxhin nuk e kërkova. Ia falja, sepse brenda tij ishte ende një djalë i mirë, por që droga e kishte kthyer në dikë tjetër, duke e tërhequr drejt një rruge pa kthim.Ai ishte një djalë me vlera, por droga kishte folur më fort se edukata, familja apo ëndrrat. Dhe e kishte zhytur në një botë nga e cila rrallë kthehesh i njëjti. Historia e Mishel Prelës na kujton pikërisht këtë, shpesh nuk janë njerëzit e këqij, por rrethanat e këqija, shoqëritë e gabuara, vendi i gabuar dhe çasti i gabuar që shkatërrojnë një jetë. E tillë ishte historia e mikut tim. Dhe të tilla janë shumë histori që nuk i dëgjojmë kurrë. Njeriu mund të nisë me ëndrra të mëdha, për t’u bërë aktor, profesionist, artist, njeri me kontribute, por një kthesë e vetme, një shoqëri e gabuar, një varësi, mund ta zhdukë brenda natës atë ëndërr. Ashtu si ndodhi me mikun tim. Ashtu si ndodhi me Mishel Prelën. Ashtu si ndodh me qindra të rinj që nuk i dëgjon askush. Dhe ndoshta, duke treguar histori të tilla, i japim një zë asaj pjese të shoqërisë që shpesh mbetet e padukshme si pjesa që kërkon ndihmë, por nuk arrin asnjëherë ta kërkojë me zë të lartë.
0 Comments
Leave a Reply. |
AuthorWelcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema. Archives
November 2025
Categories |
RSS Feed