Marko Caka
  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact

Një ndeshje e NBA dhe dështimi i një rituali fetaro-patriotik

2/11/2026

0 Comments

 
Në Çikago  pas ndeshjes Bulls–Nuggets, në korridoret e United Center-it nuk u dëgjua zhurma e zakonshme e tifozëve që presin autografe. U dëgjua heshtja. Një heshtje e trashë, e sikletshme, pothuajse liturgjike. Sepse aty nuk ishte mbledhur thjesht një turmë sportive, por një komunitet që priste diçka më shumë se basketboll.

Në një qytet ku komuniteti serb është i organizuar, i dukshëm dhe i zëshëm, u tentua një mrekulli. Jo sportive, por shpirtërore. Një procesion patriotik i ndërtuar me kujdes, ku shfaqeshin  flamuj, koreografi, fëmijë me kostume tradicionale serbe, kamerat gati për të bërë bujën. Një ngjarje që ngjante më shumë me rit se me pritje sportive.

Organizatorët ishin  priftërinj pa raso, por me mikrofon dhe listë emrash, por që nuk predikonin Zot. Predikonin një  “komb” që për shkak të tyre e kanë të mbuluar me turp. Nuk kërkonin reflektim, por selfie. Dhe altari i tyre, si gjithmonë, ishte vendosur aty ku ka më shumë kamera.

Fëmijët u veshën si ikona lëvizëse. Vallet u shndërruan në lutje. Kostumet tradicionale morën funksion liturgjik. E gjitha për një rit të vetëm që Nikola Xhokiç të shfaqej, të ndalonte për pak sekonda dhe të jepte bekimin simbolik. Sepse duhej- Një “hej” e tij për të thënë se ne kemi bekimin e MVP-së së NBA-së. Pra duhej vetëm foto për gjithë atë organizim. Një shenjë se idhulli e pranon rolin që i është caktuar. Sepse në këtë fe të re, MVP-ja nuk fiton vetëm ndeshje, por  ai fal mëkate identitare.

Por shenjti nuk doli.

Xhokiç kaloi drejt dhomës së zhveshjes, pa u ndalur, pa folur, pa e luajtur rolin. Dhe në atë moment, procesioni u kthye në akuzë. Heshtja u interpretua si tradhti. Jo ndaj tifozëve, por ndaj mitit.

Reagimi ishte i menjëhershëm. Zhgënjim. Zemërim. Moralizim publik. Jo sepse u lënduan fëmijët, se  ata, në këto rituale, janë gjithmonë pjesë e skenografisë, por sepse u shemb struktura simbolike mbi të cilën ishte ndërtuar ngjarja. Kombi  i kthyer në skenografi propagandistike, mbeti pa aktorin kryesor.

Këtu shfaqet ironia që e bën këtë histori më të madhe se një episod sportiv. Xhokiçi nuk u perceptua si MVP i NBA-së, por si “basketbollist serb”. Jo si individ, por si funksion. Jo si njeri, por si flamur lëvizës. Dhe pikërisht këtë rol ai refuzoi ta luante.

Në mënyrën e tij të heshtur, ai duket se e ka kuptuar atë që shumë e shmangin,  se një pjesë e madhe e turpit që Serbia e tërheq pas vetes nuk lidhet me sportin, por me institucionet që kanë shndërruar moralin në propagandë dhe kombin në ritual. Dhe distanca nga kjo skenë nuk ishte arrogancë, ishte një  vetëmbrojtje simbolike.

Klerikët e këtij kulti janë mjeshtra të ritualit, jo të moralit. Flasin për “vlera”, por i matin me minuta vëmendjeje. Flasin për “traditë”, por e përdorin si kostum eventi. Flasin për “dinjitet”, por kërkojnë përulje publike nga një njeri që thjesht po shkon në dhomën e zhveshjes. Ndërkohë, hijet e historisë së paemërtuar vazhdojnë t’i ndjekin.

Kontrasti u bë edhe më i fortë kur një basketbollist tjetër, pa flamur, pa koreografi, pa ritual, doli dhe u soll thjesht si njeri. Dhe në atë moment, feja e MVP-së u rrëzua. Sepse u pa qartë se nuk bëhej fjalë për shenjtëri, por për edukatë. Dhe edukata nuk prodhohet nga procesionet.

Në fund, turma mbeti me heshtjen, si pas një meshe ku Zoti nuk u shfaq. Jo sepse dikush i injoroi, por sepse për një çast u pa zbrazëtia e mitit. Një zbrazëti që as flamujt, as fëmijët, as kamerat nuk e mbushin dot.
​
Morali i këtij reportazhi është i thjeshtë, se kur kombi kërkon shpëtim në tunelin e zhveshtores, problemi nuk është sportisti që hesht. Problemi është miti që flet shumë.
0 Comments



Leave a Reply.

    Author

    ​Welcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema.
    Happy reading! 

    Archives

    February 2026
    January 2026
    December 2025
    November 2025
    October 2025
    September 2025
    August 2025
    July 2025
    June 2025
    May 2025
    March 2025
    February 2025
    January 2025
    December 2024
    November 2024
    October 2024
    September 2024
    August 2024
    July 2024
    May 2024
    January 2024

    Categories

    All

    RSS Feed


  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact