|
Në industrinë e filmave hollivudian nuk ka rëndësi nga vjen, por sa i besueshëm dukesh në ekran. Këtë e kam kuptuar më mirë se askush tjetër falë mikut tim italo-amerikan, Domenico Del Giacco.
Nëse do të më duhej të përshkruaja me pak fjalë Domenico Del Giaccon, do të thosha se është një njeri që kudo reflekton edukatë, përulësi dhe fisnikëri. Është nga ata njerëz që nuk kanë nevojë të flasin shumë për të fituar respektin e të tjerëve, sepse mënyra si komunikon, si sillet dhe si respekton çdo koleg mjafton që ta bëjë të veçantë. Domenico është një italo-amerikan i lindur në Queens të New York-ut, në një familje me rrënjë të thella napolitane. Krenohet me origjinën e tij dhe nuk e fsheh kurrë dashurinë për Italinë. Por ajo që më ka bërë gjithmonë përshtypje është respekti i jashtëzakonshëm që ai ka për shqiptarët. Sa herë kemi biseduar për Shqipërinë, ai është shprehur me një sinqeritet që rrallë e gjen tek njerëzit që nuk kanë lidhje gjaku me vendin tonë. Sipas tij, shqiptarët dallohen nga tre virtyte që sot janë bërë gjithnjë e më të rrallë në botë, si burrëria, besnikëria dhe aftësia për të dhënë dashuri e respekt pa kushte. Janë pikërisht këto vlera që krijuan edhe miqësinë tonë, një miqësi që ka mbijetuar ndër vite mes qindra ditëve të xhirimeve, audicioneve dhe sfidave të një industrie ku jo gjithmonë është e lehtë të gjesh njerëz të sinqertë. Në karrierën time kam kaluar më shumë se 3,000 ditë në sheshxhirime filmash dhe serialesh. Kam interpretuar dhjetëra personazhe dhe kam bashkëpunuar me qindra aktorë nga vende të ndryshme të botës. Megjithatë, me Domenicon kam ndarë ndoshta më shumë sete filmike se me çdo koleg tjetër. Kemi interpretuar personazhe të ndryshëm, por shpeshherë rolet tona lidhen me identitetin dhe origjinën e vendeve tona. Audicionet kanë qenë ato që shpesh kanë ndarë rrugët tona profesionale. Ka pasur raste kur konkurronim për të njëjtin rol dhe secili priste me ankth vendimin e drejtorit të kastingut. Ironia më e madhe ndodhte kur paraqiteshim për role mafiozësh apo gangsterësh italianë. Logjika të thotë se një italian me origjinë napolitane do të ishte zgjedhja më e natyrshme. Por jo gjithmonë ndodh kështu. Në disa raste, regjisorët zgjidhnin mua dhe jo Domenicon. Ai, një italian "24 karatësh", mbetej jashtë, ndërsa unë interpretoja personazhin italian. Kjo ishte gjithmonë arsye për të qeshur mes nesh. Unë i thosha me humor se ndoshta shqiptarët ngjajnë më shumë me sicilianët, ndërsa ai përgjigjej se kjo mund të vlente për italianët e veriut, por jo për napolitanët. E vërteta është shumë më e thjeshtë. Domenico ka një fytyrë të qetë, të butë dhe fisnike, larg stereotipit të ashpër që kërkojnë shpesh regjisorët për figurën e mafiozit. Hollywood-i nuk zgjedh gjithmonë sipas kombësisë apo miqësisë, zgjedh sipas pamjes që i shërben historisë. Në ekran nuk ka rëndësi pasaporta, por besueshmëria vizuale. Pikërisht kjo është një nga mësimet më të mëdha që të jep aktrimi. Nga ana tjetër, kemi interpretuar edhe shumë role pozitive. Agjentë të FBI-së, detektivë, avokatë, gjyqtarë, biznesmenë e zyrtarë. Personazhe që kërkojnë qetësi, seriozitet dhe autoritet, cilësi që të dy përpiqemi t'i përcjellim me profesionalizëm. Ajo që nuk ndryshon kurrë është respekti i Domenicos për shqiptarët. Sa herë takohemi, ai mundohet të më përshëndesë në shqip. Ndonjëherë e shqipton me theks italian, por pikërisht kjo e bën edhe më të bukur. Është mënyra e tij për të treguar se Shqipëria nuk është thjesht vendi i mikut të tij, por një vend që ai e respekton dhe e vlerëson. Sigurisht, si çdo miqësi e mirë, edhe e jona ka "përplasjet" e saj. Konflikti ynë i vetëm lidhet me futbollin. Domenico është një napolitan i pandreqshëm. Për të, Napoli nuk është thjesht një skuadër futbolli, por identitet, krenari dhe histori. Nuk dëshiron t'i flasësh për Milanin, skuadrën që unë e kam mbështetur prej vitesh. Debatet tona janë gjithmonë plot humor dhe respekt. Kur biseda shkon te Diego Armando Maradona, Domenico ndryshon krejtësisht. Në sytë e tij lexohet adhurimi. Për të, Maradona nuk ishte vetëm futbollisti më i madh që ka veshur fanellën e Napolit, por një figurë hyjnore që ndryshoi historinë e qytetit dhe të futbollit italian. Natyrisht, si një italian i lindur në Shtetet e Bashkuara, ai mbështet me krenari kombëtaren italiane, Azzurrët, simbolin që bashkon italianët në mbarë botën. Por ka një moment kur zemra e tij ndahet. Kur Shqipëria zbret në fushë kundër çdo kundërshtari tjetër, Domenico bëhet tifoz i kuqezinjve. Me dy duart formon shqiponjën dykrenare dhe buzëqesh sikur të ishte një shqiptar mes shqiptarëve. Në një industri ku konkurrenca është e ashpër dhe interesi personal shpesh vjen para miqësisë, njohja me Domenico Del Giaccon është një nga ato dhurata që të kujton se mbi çdo rol, mbi çdo kontratë dhe mbi çdo sukses profesional, mbetet njeriu. Sepse karriera ndërtohet me punë, por respekti fitohet me karakter. Dhe Domenico Del Giacco është një nga ata njerëz që e ka fituar këtë respekt kudo ku ka shkelur.
0 Comments
Leave a Reply. |
AuthorWelcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema. Archives
August 2026
Categories |
RSS Feed