Marko Caka
  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact

Pse politika e ka kthyer Parlamentin në një mejhane batutash?

2/19/2026

0 Comments

 
Nuk i komentoj zakonisht deklaratat e politikanëve, sepse prej vitesh nuk prodhojnë më as shpresë, as besim, as iluzion ndryshimi. Janë fjali të fabrikuara në laboratorë propagande, të ngritura mbi premtime boshe dhe një varfëri të thellë mendimi. Megjithatë, ka momente kur heshtja kthehet në bashkëfajësi. Një replikë e një deputeteje socialiste me kundërshtarin e saj politik, Gaz Bardhi, e dëgjuar nga salla e parlamentit, e bën të qartë se debati politik në Shqipëri ka rrëshqitur në  nivelin më të ulët, deri në batuta për “kokteje xhini e qofte”. Në atë çast, nuk po dëgjon më politikë, por një karikaturë të saj.

Kjo nuk është thjesht rënie niveli, por është kolaps institucional. Kuvendi i Shqipërisë, i menduar si foltorja më serioze e vendit, ku përplasen ide dhe miratohen ligje, është shndërruar në një arenë talljeje publike. Deputetët nuk flasin më si ligjvënës, por si protagonistë memesh, të etur për vëmendje, jo për përgjegjësi.
Këtu nuk kemi më krizë debati, por krizë përfaqësimi. Politika nuk synon më të bindë me argument, por të poshtërojë me banalitet. Dhe kur gjuha e kuvendit i ngjan gjuhës së komenteve anonime në rrjete sociale, shteti humbet gravitetin e vet moral.

Shprehja “populli zgjedh brumin e vet” nuk është më proverbë folklorike, por  është aktakuzë. Sepse kur vota udhëhiqet nga besnikëria partiake, klientelizmi apo fuqia financiare e fushatës, parlamenti mbushet me figura që nuk kanë as formim, as etikë, as vetëdije për peshën e fjalës publike.

Etika, që dikur ishte minimumi i kërkuar edhe në kuvendet e pleqve, sot shihet si pengesë. Dikur thuhej: “mos e lësho fjalën, se nuk e mban as toka”. Sot fjala hidhet si gur në rrugë, pa peshë dhe pa përgjegjësi.
 Çdo qark ka “Zeqinenë” e vet, jo si përjashtim, por si produkt të sistemit.

Problemi real është mekanizmi i përzgjedhjes së kandidatëve. Partitë nuk kërkojnë më njerëz me integritet dhe autoritet moral, por njerëz të bindur, të kontrollueshëm dhe financiarisht të dobishëm dhe nëse ke influencë në rrjetetsociale. Lista nuk ndërtohet mbi vlera, por mbi shërbime. Dhe kur kriteri kryesor për t’u bërë deputet është buxheti i fushatës, atëherë Kuvendi kthehet në treg, jo në institucion.

Kjo mungesë etike bëhet edhe më e dukshme në momentet e krizës morale. Para disa vitesh, ish-deputetja socialiste Luiza Xhuvani dha dorëheqjen pasi djali i saj u përfshi në një ngjarje kriminale të rëndë. Ajo nuk kishte asnjë përgjegjësi ligjore për veprimin e tij, por e kuptoi se politika nuk është vetëm çështje ligji, por është edhe çështje dinjiteti moral. Dorëheqja e saj nuk ishte akt dobësie, por akt ndërgjegjeje.

Në kontrast të plotë me këtë standard, sot shohim raste kur familjarë të deputetëve përfshihen në afera kriminale, përfshirë arrestime për trafik droge në Itali, dhe politika sillet sikur asgjë nuk ka ndodhur. Ligji, me të drejtë, nuk i ngarkon deputetët me faj penal për veprimet e të afërmve. Por mungesa totale e reflektimit moral dërgon një mesazh të rrezikshëm, se pushteti është imun ndaj çdo lloj përgjegjësie etike.
Morali në politikën shqiptare ka humbur gjatë rrugës. Dorëheqja shihet si turp, ndërsa kapja pas karriges si sukses. Deputetët flasin sikur nuk përfaqësojnë askënd, sikur fjala e tyre nuk prodhon asnjë pasojë dhe sikur nesër nuk do të japin llogari për asgjë. Kjo sepse nuk ka kush t’i ndëshkojë,  aq më pak elektorati i tyre, i cili, në vend që të reagojë me votë, zgjedh heshtjen, duke u shndërruar në një trup të palëvizshëm, një mumje politike që vetëm vështron, por nuk gjykon.

Sot politika shqiptare nuk flet më për reforma, institucione apo vizion shtetëror. Flet për pije, për ushqime, për batuta. Deputetët sillen si influencerë të një kazani virtual, duke menduar se klikimi zëvendëson ligjin dhe tallja zëvendëson argumentin. Por shteti nuk ndërtohet me meme.
​
Kjo është fyerje për qytetarët, për akademikët, për profesionistët dhe për të rinjtë që kërkojnë arsye për të mos ikur. Kur politika bie në këtë nivel, shoqëria humbet besimin, atëherë bashkë me të humbet edhe e ardhmja.
0 Comments

Panathinaikos – strehë sportive dhe identitet

2/17/2026

0 Comments

 
Tre klube kam në jetën time sportive. U linda me Vllazninë, u burrërova me Panathinaikosin dhe u përfaqësova me dinjitet në elitën botërore me AC Milan.. Janë tre dashuri që nuk ndahen dot, as për nga ndjenja, as për nga pesha historike që mbajnë në vendet e tyre përkatëse. Por sot dua të ndalem te Panathinaikos. Klubi i parë që simpatizova në Greqi dhe që hyri shumë shpejt në zemrën time.

E kisha njohur që në mesin e viteve ’80, kur me Dimitris Saravakos nxori jashtë Europës Juventus-in e Michel Platini-t. Aty u lidh për herë të parë emri i Panathinaikosit me botën time sportive. Më pas do të kthehej në skuadrën që do ta ndiqja hap pas hapi, sepse Athina u bë shtëpia ime e dytë, ashtu si për gjysmë milioni shqiptarë të tjerë. Arsyeja pse e dua kaq shumë Panathinaikosin është e thjeshtë dhe e rrallë, se është i vetmi klub elitar grek që nuk e ka përzier kurrë sportin me politikën.

U dashurova sepse nuk u rreshtua kurrë në anën e gabuar të historisë. Në një Ballkan ku futbolli shpesh u kthye në zgjatim të nacionalizmit, urrejtjes dhe propagandës, Panathinaikos zgjodhi të heshtë, dhe kjo heshtje ishte më dinjitoze se çdo pankartë. Në vitet e errëta të luftërave jugosllave, kur klubet greke krijonin “vëllazëri” me ekipe serbe, kur stadiumet shndërroheshin në mitingje politike dhe flamujt bëheshin më të rëndësishëm se loja, Panathinaikos nuk e bëri kurrë këtë, pra nuk u përlye. Nuk ngriti simbole. Nuk bëri aleanca. Nuk e shiti futbollin për ideologji.

Pse nuk e bëri, nuk e mësova asnjëherë. Për shqiptarët e Greqisë, kjo nuk ishte detaj, por ishte mbijetesë morale. Kjo mjaftoi që Panathinaikosi të kthehej në strehën e tyre emocionale. Panathinaikos ishte klubi europian që kishte guxuar të ëndërronte deri në finalen e Wembley-t, përballë Ajax-it të Johan Cruyff. Një klub që nuk kishte nevojë të bërtiste nacionalizëm për të ndjerë madhështi. Dhe pikërisht për këtë,për peshën e historisë që kishte, Panathinaikosi u bë strehë për shqiptarët që jetonin në një shoqëri ku fjala “emigrant” përdorej si fyerje.

Kulmi i kësaj dashurie u arrit kur në përbërjen e Panathinaikosit u aktivizua shqiptari i parë dhe i suksesshëm, Bledar Kola. Për disa vite ai u kthye në simbol dhe lider të ekipit, falë organizimit të lojës dhe prirjeve të tij sulmuese. Bledar Kola ishte një shqiptar, një lider që se kishin njohur me pare stadiumet greke, dhe për ne shqiptarët ishte krenari. Një futbollist që nuk kërkoi mëshirë, por imponoi respekt. Kur tribuna e Gate 13 thërriste "Është i çmendur shqiptari"(“Einai trelos o Alvanos”), nuk ishte racizëm. Ishte përmbysje e stereotipit, ishte shqiptari që nuk fshihej më por që kishte fuqi për të mposhtur kundërshtarët,aq më tepër kur e bënte këtë ndaj rivalëve të përjetshëm. Ishte krenari ta shihje Bledarin në kulmin e karrierës, si në klub ashtu edhe në Kombëtare.

Një nga momentet e paharruara mbetet përballja me Gjermaninë e Oliver Kahn-it. Dashuria jonë për Panathinaikosin mori kuptim më të thellë, se brenda tij na përfaqësonte një shqiptar i nivelit të lartë. Ishte një periudhë e vështirë për shqiptarët. Nacionalizmi, paragjykimi dhe përbuzja ishin të përditshme. Monizmi na kishte nxjerrë në dyert e botës si “dele e zezë”. Sporti ishte një nga mënyrat e pakta për të treguar vlerë dhe për të krijuar krenari kolektive. Jo me parrulla, por me anë të performancë si ajo e Bladar Kolës dhe e Fotis Strakoshës, etjerë që ishin argumenti më i fortë kundër përbuzjes. Në fillim të mijëvjeçarit të ri, për mua gjithçka ndryshoi. Panathinaikos nuk ishte më vetëm skuadra që dashuroja, por edhe vendi im i punës.

Për afro dhjetë vite e ndoqa si gazetar. Nga shkallët e tifozëve kalova në tribunën e shtypit, përballë fushës së blertë dhe elektrizimit të një stadiumi të tërë. Falë Panathinaikosit të Giorgos Karagounis, Takis Fyssas, Angelios Basinas dhe Giourkas Seitaridis, stadiumet e Europës u kthyen në vendin tim të punës për të njohur litarët e botës. Ishte skuadra më brilante që kishte nxjerrë Greqia ndonjëherë, ishte boshti i Kombëtares që çmendi botën me triumfin në Euro 2004 në Portugali. Kjo karrierë më dha mundësinë të intervistoja edhe yje botërore si Kaká i Milanit, Bekam, Pirlo, Rui Kosta etj. Në konferenca shtypi me trajnerë si Alex Ferguson, José Mourinho, Arsène Wenger, Klaudio Ranieri, Otto Rehhagel etj, u bëra më i njohur tek kolegët grekë dhe të huaj, ku në disa kisha për të nxjerë edhe lajm. Sporti në Greqi ishte i organizuar, fitimprurës dhe masiv.
​
Stadiumet ishin plot, biletat të shitura muaj më parë dhe gazeta të shitura. Asnjë sukses sportiv nuk ekziston me tribuna bosh. Athina ishte shembulli i kundërt. Të gjitha këto i shkruaj për t’ia dedikuar Panathinaikosit të madh, strehës sportive të shqiptarëve që zgjodhën Greqinë si atdhe të dytë. Një klub që na pranoi pa kushte, si të barabartë, pa provokime dhe pa flirtuar kurrë me figurat më të errëta të Ballkanit. Dhe për këtë, Panathinaikos mbetet jo vetëm klub, por identitet dhe mirënjohje.
0 Comments

Një histori njerëzore nga Greqia që nuk shfaqet në media

2/14/2026

0 Comments

 
Pas gjashtëmbëdhjetë vitesh, e gjeta aty ku e kisha lënë,  në të njëjtën banesë, në të njëjtin heshtim.

Panajota, motra e vetme në jetë e mamasë që më ka adaptuar, që tani  jeton e vetmuar, e përkulur nga vitet dhe nga një shëndet që nuk fal më. Dikur ishte quajtur më e bukura e fshatit,  sot ishte thjesht një grua e mbetur vetëm me kujtimet.

Ajo ishte një nga katër motrat e familjes Fakaj, rritur në varfëri, në periferi të Lamias, në një kohë kur jeta u mësonte njerëzve të mbijetonin me pak, por të ndanin gjithçka. Martesat i shpërndanë secilën në drejtime të ndryshme. Vetëm më e vogla, Dina, nuk u largua kurrë nga fshati Perivoli. Ajo i qëndroi besnike shtëpisë së fëmijërisë deri në frymën e fundit, në vitin 2018. Sot jeton vetëm Panajota, ngaqë edhe motra e madhe, Arritija, u nda nga jeta gjatë pandemisë.

Kthimi në Greqi ishte edhe një kthim te njerëzit. Takimi i parë ishte me Elenin, kumbarën e nënës sime. Për të, ajo kishte qenë gjithmonë një motër e dytë. Vitet kishin kaluar rëndë, por kujtesa e saj jo. Edhe pse pranë një shekulli jetë, ajo nuk kishte harruar asnjë emër, asnjë fytyrë, asnjë lidhje. U përlot kur pa dikë që nuk e priste më , jo për një rikthim të bujshëm, por për rikthimin e një kujtese që kishte mbetur e gjallë. Nuk më kishte harruar fare me një kujtese për ta patur zili.

Ajo dhe motrat e tjera kishin kaluar fëmijërinë në vitet e luftës civile, kur Greqia ishte e mbuluar nga skamja. “Ju shqiptarët na kujtoni veten tonë,” thoshin shpesh motrat. Por që thia Eleni donte ti rikujtonte përsëri duke thënë- “Edhe ne dikur nuk kishim asgjë, përveç shpresës.” Një fjali e thjeshtë, që mbante brenda gjithë përvojën e mungesës dhe dinjitetit.

Koha e ndryshoi vendin. Greqia u rrit, u modernizua, u pasurua. Edhe fshati ndryshoi fytyrë. Por për to, kthimi i shpeshtë nuk ishte nostalgji romantike, por  ishte nevojë për të mos humbur rrënjët. Sepse bashkë me to do të humbnin edhe historinë e përbashkët.  Dina e kishte kuptuar këtë më mirë se kushdo. Ajo këmbëngulte që prona dhe shtëpia e fëmijërisë të mbeteshin simbol i familjes, jo objekt përçarjeje. Edhe pse njëra motër kishte ndërruar jetë vite më parë, bëhet fjalë për mamanë time, Evangjelonë, por ajo thoshte se trashëgimia nuk ndahet me pasaportë, por me kujtesë dhe drejtësi. “Ka lënë një djalë,” thoshte. “Dhe atij i takon pjesa e vet.”

Edhe kur të tjerët dyshonin, ajo përgjigjej qetë se  kujdesi dhe besnikëria nuk kanë kombësi. Dhe ndonjëherë, ata që nuk janë lidhur me gjak, janë më pranë se shumë të tjerë.

Pas vdekjes së saj, trashëgimia nuk u kthye në betejë. Përkundrazi. Një nga trashëgimtarët e tjerë, djali i Arretisë, Theodhori, refuzoi çdo vendim pa marrë më parë pëlqimin e palës tjetër, edhe kur bashkia shfaqi interes për pronën. Një gjest i rrallë në një realitet ku shpesh drejtësia humbet nëpër korridoret e gjata të gjykatave.
​
Kjo histori nuk është për prona. Është për një etikë që po zhduket,  për ndershmërinë, për kujdesin ndaj të moshuarve, për besnikërinë ndaj atyre që na rritën edhe kur nuk kishin detyrim. Është për një trashëgimi që nuk matet me metra katrorë, por me mënyrën se si nderojmë kujtimet dhe njerëzit që na bënë ata që jemi.
0 Comments

Një ndeshje e NBA dhe dështimi i një rituali fetaro-patriotik

2/11/2026

0 Comments

 
Në Çikago  pas ndeshjes Bulls–Nuggets, në korridoret e United Center-it nuk u dëgjua zhurma e zakonshme e tifozëve që presin autografe. U dëgjua heshtja. Një heshtje e trashë, e sikletshme, pothuajse liturgjike. Sepse aty nuk ishte mbledhur thjesht një turmë sportive, por një komunitet që priste diçka më shumë se basketboll.

Në një qytet ku komuniteti serb është i organizuar, i dukshëm dhe i zëshëm, u tentua një mrekulli. Jo sportive, por shpirtërore. Një procesion patriotik i ndërtuar me kujdes, ku shfaqeshin  flamuj, koreografi, fëmijë me kostume tradicionale serbe, kamerat gati për të bërë bujën. Një ngjarje që ngjante më shumë me rit se me pritje sportive.

Organizatorët ishin  priftërinj pa raso, por me mikrofon dhe listë emrash, por që nuk predikonin Zot. Predikonin një  “komb” që për shkak të tyre e kanë të mbuluar me turp. Nuk kërkonin reflektim, por selfie. Dhe altari i tyre, si gjithmonë, ishte vendosur aty ku ka më shumë kamera.

Fëmijët u veshën si ikona lëvizëse. Vallet u shndërruan në lutje. Kostumet tradicionale morën funksion liturgjik. E gjitha për një rit të vetëm që Nikola Xhokiç të shfaqej, të ndalonte për pak sekonda dhe të jepte bekimin simbolik. Sepse duhej- Një “hej” e tij për të thënë se ne kemi bekimin e MVP-së së NBA-së. Pra duhej vetëm foto për gjithë atë organizim. Një shenjë se idhulli e pranon rolin që i është caktuar. Sepse në këtë fe të re, MVP-ja nuk fiton vetëm ndeshje, por  ai fal mëkate identitare.

Por shenjti nuk doli.

Xhokiç kaloi drejt dhomës së zhveshjes, pa u ndalur, pa folur, pa e luajtur rolin. Dhe në atë moment, procesioni u kthye në akuzë. Heshtja u interpretua si tradhti. Jo ndaj tifozëve, por ndaj mitit.

Reagimi ishte i menjëhershëm. Zhgënjim. Zemërim. Moralizim publik. Jo sepse u lënduan fëmijët, se  ata, në këto rituale, janë gjithmonë pjesë e skenografisë, por sepse u shemb struktura simbolike mbi të cilën ishte ndërtuar ngjarja. Kombi  i kthyer në skenografi propagandistike, mbeti pa aktorin kryesor.

Këtu shfaqet ironia që e bën këtë histori më të madhe se një episod sportiv. Xhokiçi nuk u perceptua si MVP i NBA-së, por si “basketbollist serb”. Jo si individ, por si funksion. Jo si njeri, por si flamur lëvizës. Dhe pikërisht këtë rol ai refuzoi ta luante.

Në mënyrën e tij të heshtur, ai duket se e ka kuptuar atë që shumë e shmangin,  se një pjesë e madhe e turpit që Serbia e tërheq pas vetes nuk lidhet me sportin, por me institucionet që kanë shndërruar moralin në propagandë dhe kombin në ritual. Dhe distanca nga kjo skenë nuk ishte arrogancë, ishte një  vetëmbrojtje simbolike.

Klerikët e këtij kulti janë mjeshtra të ritualit, jo të moralit. Flasin për “vlera”, por i matin me minuta vëmendjeje. Flasin për “traditë”, por e përdorin si kostum eventi. Flasin për “dinjitet”, por kërkojnë përulje publike nga një njeri që thjesht po shkon në dhomën e zhveshjes. Ndërkohë, hijet e historisë së paemërtuar vazhdojnë t’i ndjekin.

Kontrasti u bë edhe më i fortë kur një basketbollist tjetër, pa flamur, pa koreografi, pa ritual, doli dhe u soll thjesht si njeri. Dhe në atë moment, feja e MVP-së u rrëzua. Sepse u pa qartë se nuk bëhej fjalë për shenjtëri, por për edukatë. Dhe edukata nuk prodhohet nga procesionet.

Në fund, turma mbeti me heshtjen, si pas një meshe ku Zoti nuk u shfaq. Jo sepse dikush i injoroi, por sepse për një çast u pa zbrazëtia e mitit. Një zbrazëti që as flamujt, as fëmijët, as kamerat nuk e mbushin dot.
​
Morali i këtij reportazhi është i thjeshtë, se kur kombi kërkon shpëtim në tunelin e zhveshtores, problemi nuk është sportisti që hesht. Problemi është miti që flet shumë.
0 Comments

Babai im, Zadrima dhe dinjiteti që nuk e mposhti dot as regjimi

2/10/2026

0 Comments

 
U linda në zemër të Zadrimës, në një fshat të vogël që quhet Hajmel. Nga ajo që më kanë treguar, lindja ime u prit si bekim, jo për mua, por për tim atë. Fshatarët e donin aq shumë, sa thoshin se në fshatin e tyre kishte lindur djali i kryetarit. Babai im, Prend Caka, ishte kryetar kooperative, një njeri që pushtetin e kuptonte si shërbim dhe jo si privilegj.

Zadrima është një fushë e bekuar nga natyra, e përshkuar nga Drini dhe e rrethuar nga male e kodra, por historinë e saj e kanë bërë njerëzit. Aty kishte të mirët, kishte edhe nga ata që “të qajnë ditën e të vrasin natën”. Dy krahina bashkëjetonin në heshtje, me  zadrimorët vendas  e mirditorë të ardhur, me virtytet dhe mëkatet e tyre.

Babai im kishte gjetur çelësin e komunikimit me të gjithë, në sajë të intelektit dhe karakterit të tij. Për këtë arsye, periudha kur drejtoi kooperativën e Hajmelit ishte më e lumtura e jetës së tij. Fshatarët e donin për shpirtin e madh. Aq shumë, sa edhe vite më vonë, kur kaloja andej dhe thosha se isha i biri i tij, ndihesha krenar dhe i turpëruar njëkohësisht.  Krenar për emrin që mbaja, i turpëruar sepse e dija sa e vështirë ishte t’i ngjaje atij.

Gjithçka ndryshoi rrufeshëm. Me një shkarkim të menjëhershëm, babai im u shpall armik i partisë. Dhe kur partia nuk të do, bëhesh automatikisht edhe armik i popullit. Nisi kalvari. Falë respektit që kishte krijuar tek njerëzit, nuk përfundoi në qelitë e errëta ku shumë të tjerë u shuan, por trauma mbeti.

U rrita duke e ndjerë dhimbjen e tij, edhe pse ai mundohej të më mbronte. Nuk donte të më ngarkonte me frikën e vet. Përkundrazi, më mësonte se jeta përballohet me punë, dinjitet dhe bashkëjetesë. Ai e dinte se në monizëm, po të të marrë lumi, nuk shpëton. Fitorja e vetme është mbijetesa.

Në familjen tonë bashkëjetonin dy histori, gjyshi im, ish-partizan i Brigadës 27, një njeri i thjeshtë dhe i ndershëm, dhe gjyshja ime,  një tipike mirditore e mençur e fisnike, që mbante në heshtje dhimbjen e vrasjes së vëllait të saj 14-vjeçar nga njësitet ndëshkuese ndaj antikomunistëve. Ajo dhimbje u kthye në biografi dhe u pagua nga babai im.

Mes frikës, bullizmit dhe hipokrizisë, shpëtimi im i vetëm ishte futbolli. Në fushë harroheshin ndasitë dhe mllefet. Edhe Vllaznia që e kam për zemër, po të vinte në Naraç, e kishte të vështirë.

Babai im nuk mburrej kurrë me të mirat që bënte, por fshatarët i mbanin mend. Një natë, një burrë me shumë fëmijë vodhi një thes misri për të ushqyer familjen. Në vend ta dërgonte në burg, babai im e dëgjoi, e kuptoi dhe jo vetëm që e fali, por urdhëroi t’i dërgonin thasë misri në shtëpi. Për të, pushteti ishte ndihmë, jo dënim.

Edhe arrestimin e babait të ish-Prokurores së Përgjithshme, Arta Marku, e kishte penguar dikur. Këtë e mësova shumë vonë, pas vdekjes së tij, atëherë kur emërimi e kryeprokurores bëri bujë.

Në fund, babanë tim e shpëtoi kujtesa e njerëzve, jo regjimi. U larguam nga Zadrima dhe unë vazhdova jetën studimore në Shkodër, qytetin që na formoi të dy. Një qytet që të imponon njerëzillëk dhe qytetari.
Dhe sot, shpesh  ia them vetes gjatë karrierës sime të larmishme, si një amanet i pashkruar i shkodranëve.
​
“Po të jesh shkodran, tana i ban.”
0 Comments

Monika, sensi i serisë së dytë të telenovelës

2/8/2026

0 Comments

 
Historia e çiftit Meta–Kryemadhi nuk është thjesht një kapitull i errët i politikës shqiptare, por ajo është një serial i pafund dramatik, ku politika, pasuria, morali dhe spektakli mediatik përzihen në mënyrë groteske.Nëse kjo histori do të ishte film, do të ndalohej për fëmijët, jo për dhunë, por për dozë të lartë hipokrizie.

Sikur kjo histori të zhvillohej në Turqi apo në Meksikë, producentët do të kishin xhiruar tashmë dhjetëra sezone, me tituj bombastikë dhe lot artificialë për publikun e pasdites. Në Shqipëri, për fatin tonë “të mirë”, seriali luhet live, pa regji, pa skenar të shkruar mirë, por me aktorë që nuk dalin kurrë nga roli.

Nuk përjashtohet që një ditë kjo sagë të bjerë në radarët e Netflix-it. Platforma e ka provuar tashmë suksesin me historinë e Melania Trump, por atje kemi luks, estetikë dhe një narrativë të paketuar hollivudiane. Këtu kemi një realitet më modest,  pushtet të keqpërdorur, pasuri të pajustifikuara dhe një tranzicion të përjetshëm që prodhon drama më të forta se çdo skenar fiction.

Nuk është rastësi që një nga kanalet më të mëdha shqiptare e punësoi Monika Kryemadhin. Jo për analizë politike, as për thellësi mendimi, por sepse ajo është produkt perfekt për konsum masiv. Ajo sjell atë që shqiptarët, për fat të keq, e ndjekin me pasion, përzierjen e skandalit me viktimizimin, të pushtetit me melodramën. Pra, Monika nuk e analizon politikën, ajo e riciklon atë, si mbetje toksike që shërbehen në prime time. Dhe ku më mirë se në BB VIP Albania, tempulli modern i famës pa meritë, ku dikur hynin anonimë për t’u bërë të famshëm, ndërsa sot hyjnë politikanë për t’u larë nga e shkuara.

Nga ky çift, sot kemi dy ekstreme absurde, ku njëri ndodhet në qeli, i izoluar, pa zë, pa mikrofon, pa mundësi për të dhënë intervista morale për “komplotet kundër tij”.

Ndërsa tjetra ndodhet në kulmin e ekspozimit mediatik, duke komentuar jetën e të tjerëve, ndërkohë që e veta është nën hetim.Në Shqipëri, burgu të mbyll gojën, por televizioni ta hap karrierën. Një kontrast që vetëm Shqipëria di ta prodhojë.

Monika Kryemadhi, ish-Zonja e Parë e Shqipërisë, sot shfaqet si një grua e divorcuar, sikur divorci të ishte një lloj amnistie morale. Një akt noterial që, sipas logjikës vendase, të pastron nga mëkatet si ujë i bekuar.
Por drejtësia nuk funksionon me status civil. Ajo  nuk pyet nëse je bashkëshorte, ish-bashkëshorte apo opinioniste televizive. Dosjet nuk i fshin as divorci, as grimcat televizive, as lotët e thatë në studio.

Akuzat për abuzime financiare lidhen pikërisht me kohën kur Meta dhe Kryemadhi ishin një familje politike dhe ekonomike, një njësi e pandashme pushteti.

Të dy akuzohen për pasurim gjatë kohës kur ishin në krye të shtetit dhe për shndërrimin e partisë së tyre në një biznes familjar, ku idealet shërbenin vetëm si dekor për marrëveshje nën tavolinë. Një parti që duhej t’u shërbente qytetarëve u kthye në një rrjet klientelist, ku besnikëria shpërblehej dhe morali ndëshkohej.
Ndërkohë, Ilir Meta po përjeton rënien më spektakolare të një politikani shqiptar. Nga president i Republikës, në të izoluar pa zë, madje pa të drejtë për tu intervistuar. Një rënie që në vende me kulturë politike do të shoqërohej me dorëheqje, heshtje dhe reflektim. Në disa raste, historia njeh edhe vetëflijim. Por kjo kërkon ndjenjë faji, turp dhe përgjegjësi morale. Pra, vetëflijimi kërkon ndërgjegje.

Cilësi që Meta nuk i ka demonstruar kurrë. Meta ka pasur gjithmonë vetëm instinkt mbijetese.  Për të, poshtërimi publik është thjesht një episod tjetër në serial, jo një fund tragjik. Ironia absolute është se ai nuk vuan nga izolimi, por nga mungesa e publikut.

Ironia tjetër më e madhe është qëndrimi i Monika Kryemadhit ndaj ish-bashkëshortit të saj. Ajo sillet sikur të mos kenë ndarë bashkë tre dekada jo vetëm krevatin, por  pushtet, privilegje dhe përfitime. Sikur të mos kishte qenë ajo një nga figurat më të favorizuara nga karriera e Metës. Sikur të mos kishte vepruar si ndërmjetëse mes pushtetit dhe biznesit, ku faturat për favore politike qarkullonin më shpejt se ligjet në Parlament. Ajo ishte përfituese direkte e pushtetit, ndërmjetëse e favoreve, arkëtare politike me buzëqeshje publike.

Askush nuk do ta njihte Monika Kryemadhin po të mos ishte martesa me liderin e FRESH-it, i cili më pas do të kalonte nga një funksion i lartë në tjetrin, duke mbajtur gjithmonë “bllokun” në xhep. Një bllok që nuk shërbente për shënime shtetërore, por për llogari private. Pra, nga bashkëshorte, në deputete, në figurë publike, në opinioniste. Një karrierë e ndërtuar jo mbi ide, por mbi akses.

Dhe përfitimet nuk u ndalën vetëm tek çifti. Familjarët u përfshinë, justifikimet u bënë gjithnjë e më groteske, deri në pikën që pasuritë të shpjegoheshin me tavolina ambulatore dhe funerale. Pasuri që shfaqen si mrekulli biblike, por pa profet, pa besim dhe pa turp.  Një narrativë që nuk do ta besonte as skenari më i dobët i një telenovele.

Por sot, për fat të mirë, këtë histori nuk e shkruan më propaganda, as ekranet televizive. E shkruan drejtësia. Dhe ky është ndoshta episodi i vetëm ku publiku pret jo dramë, por drejtësi.

Prandaj,  për herë të parë, seriali rrezikon të mos ketë sezon tjetër. Jo sepse publiku u lodh, por sepse drejtësia, sado vonë, ka hyrë në skenë.

Dhe kjo, në Shqipëri, është kthesa (twist-i) më e papritur i gjithë historisë.
​
0 Comments

Kur debati publik shndërrohet në urrejtje: përballë agresionit ideologjik dhe intimidimit

1/31/2026

0 Comments

 
Pas publikimit të artikullit tim të fundit në gazetën "Tema" mbi ngjarjet e rënda në SHBA dhe vrasjen e dy protestuesve amerikanë nga agjentë federalë të ICE, u përballa në faqen time në Facebook me një fenomen që, për çudi, nuk e kisha hasur më parë në këtë formë, as në 30 vite karrierë gazetarie.

Mes komenteve u shfaq një profil me emrin Roz Marku. Përtej një identiteti virtual që shfaqej si “verior” dhe disa lidhjeve të deklaruara me kandidaturën e një shqiptari republikan në SHBA, asgjë tjetër nuk e lidhte realisht me Shqipërinë. Profili ishte pa foto personale, por i stolisur me imazhin e presidentit aktual amerikan,  një adhurim që do t’ia kishte zili edhe Trump Jr. Nuk shkruante kurrë në shqip, gjë që lë të kuptohet se nuk e zotëron mirë gjuhën, por përgjigjet e mia të gjata dhe shpjeguese i kuptonte për mrekulli. Një paradoks tipik i arrogancës digjitale, që nuk flet gjuhën, por pretendon monopolin e së vërtetës.

Që në fillim, gjuha e tij ishte sulmuese, përjashtuese dhe fyese. Me këtë, fatkeqësisht, jemi mësuar në rrjetet sociale dhe nuk ka asnjë arsye të zbresim në batakun e injorancës. Ajo që më befasoi ishte akuza që e dëgjoja për herë të parë në jetën time, “komunist i vogël”. Si arriti në këtë përfundim Roz Marku i etiketimeve të shpejta, nuk u bë kurrë e qartë, pasi në artikullin tim nuk kishte asnjë tezë ideologjike, por vetëm fakte dhe dëshmi mbi vrasjen e dy protestuesve amerikanë nga agjentë federalë të ICE. Gjithmonë në mendjet e sëmura, kur  mungon argumenti, shpiket armiku.

Më vjen keq që komunizmi ka lënë pasoja të rënda te shumë njerëz. Unë pata fatin që ky sistem monstruoz të mos më përfshinte drejtpërdrejt, për shkak të moshës së re. Por im atë nuk i shpëtoi dot kësaj makinerie represive, nga kuadër me shkollë të lartë u degradua në kooperativist bujqësie, për shkak të një dajë të tij të vrarë nga njësitet e krijuara për përndjekjen e antikomunistëve. Pikërisht për këtë arsye jam betuar që kurrë të mos i shërbej jo vetëm asaj mostre, por asnjë pjelle ideologjike që mbart të njëjtën logjikë shtypjeje.

Në vitet e mia të punës si gazetar në Greqi, nëse Roz Marku jetoi, siç pretendon ai, me dhimbjen e pasojave të një sistemi, unë jetova me dhimbjet reale të emigrantëve shqiptarë,  me dhunën, torturat, diskriminimin dhe poshtërimin e tyre, të dokumentuara me fakte dhe dëshmi në faqet e gazetave shqiptare. Kjo është diferenca mes përvojës reale dhe retorikës boshe.

Nga gjithë ajo që shkruante në një anglishte të varfër, një gjë u bë e qartë se  Roz Marku është një trumpist i bindur. Kjo është e drejta e tij dhe nuk vihet në diskutim. Çdokush ka të drejtë të besojë te lideri i vet politik, madje edhe ta shndërrojë atë në figurë shpirtërore. Po të ishte për këtë arsyeja, unë nuk do të kisha shkruar asnjë rresht.

Ajo që binte në sy ishte sjellja kërcënuese, gjuha përjashtuese dhe bindja se kush nuk mendon si ai duhet etiketuar, diskredituar dhe dëbuar simbolikisht. Në thelb, ajo që shfaqej ishte një mendësi autoritare, me tipare fashiste, e maskuar pas termit të rehatshëm “antikomunist”. Të deklarohesh antikomunist është gjëja më e lehtë në botë, sepse është përgjigjja standarde që jep çdo i huaj në një intervistë emigracioni në SHBA. Pyetja e vërtetë është pse kjo kërkesë morale vlen vetëm për komunizmin dhe jo edhe për dy ideologjitë e tjera monstruoze që ka njohur njerëzimi, për  fashizmin dhe nazizmin.

Shkrimi im kishte për qëllim të hapte debat, jo të prodhonte linçim. Reagimi i këtij komentuesi, i vetëshpallur si mbrojtës i së vërtetës absolute, e ktheu diskutimin në një përplasje të dhunshme verbale dhe ideologjike. Ishte një shembull tipik se si diskursi publik rrëshqet nga argumenti te fyerja dhe nga mendimi ndryshe te urrejtja e organizuar.

Në vend të kundërargumenteve, u përdorën etiketime ideologjike, akuza kolektive dhe sulme personale. M’u atribuuan bindje, prejardhje dhe histori familjare që nuk i njeh dhe që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin. U përfshi feja, u manipulua historia dhe u hodh baltë mbi familje, krahina dhe komunitete të tëra. Kjo nuk është kritikë, por është përpjekje për delegjitimim. Kur mungojnë faktet, shpiket faji. Kur mungon arsyeja, ngrihet zëri.

Ky model reagimi nuk është i ri. Ai bart tiparet e mendësive totalitare që pretendojnë se zotërojnë të vërtetën absolute dhe e shohin mendimin ndryshe si kërcënim. Në këtë logjikë, fjala e lirë tolerohet vetëm kur përputhet me bindjet e tyre, ose  përndryshe kërkohet heshtja, përjashtimi ose poshtërimi publik.

Madje Roz Marku arriti deri aty sa të tentonte të më intimidonte, duke më kërcënuar me dëbim nga Amerika e lirive dhe duke sharë vendin e origjinës sime, ndërkohë që tek ai nuk vihej re asnjë ndjesi përgjegjësie apo empatie. Se ku e gjen këtë forcë të brutalitetit, duke menduar të njëjtën gjuhë që përdornin diktaturat, ku ushtarët besnikë të partisë kryqëzonin qytetarët dhe i dërgonin në internime, deri në qelitë e ftohta të minierave të Spaçit.

Në mënyrë të papranueshme, në këtë debat ai  përfshiu edhe fenë. Ajo që për miliona njerëz është burim paqeje dhe morali u përdor si mjet përçarjeje. Madje edhe emri im, për shkak të konotacionit fetar, u devijua sipas logjikës së vjetër totalitare. Vetëm me demokracinë ai mori sërish emrin e babait të gjyshes sime të persekutuar, pra emrin e babait të dajës së vrarë. Por historia, sipas Roz-it, u deformua për të ndërtuar narrativa faji kolektiv, një qasje e rrezikshme dhe thellësisht e padrejtë ndaj atyre që kanë vuajtur realisht nga regjimet dhe ekstremizmat e së shkuarës.

Debati publik kërkon përgjegjësi. Kritika është e shëndetshme, por fyerja nuk është. Kundërshtimi është i domosdoshëm, por dehumanizimi jo. Një shoqëri demokratike matet nga aftësia për të përballuar mendime të kundërta pa rrëshqitur në gjuhë urrejtjeje.

Komuniteti që kam ndërtuar ndër vite në rrjetet sociale, për gati dy dekada, është ngritur mbi respektin, dialogun dhe dinjitetin. Ai nuk është hapësirë për linçime, shpifje apo projeksione të frustrimeve personale. Heshtja, kur fjala shndërrohet në helm, është shpesh forma më e lartë e përgjigjes. Jo çdo provokim meriton podium.
​
Ky shkrim i imi nuk është thirrje për censurë, por për reflektim. Fjala e lirë është themel i shoqërisë sonë, por ajo vjen gjithmonë me përgjegjësi. Pa të, debati shndërrohet në zhurmë dhe liria në kaos.
0 Comments

Nga Kapitoli te Minneapolis: standardi i dyfishtë i dhunës shtetërore

1/28/2026

0 Comments

 
Të bësh një protestë paqësore është një nga aktet më të civilizuara në shoqëritë demokratike. Pikërisht këtë u kërkoi protestuesve në Minneapolis edhe Zonja e Parë e SHBA-së, Melania Trump. Deklarata e saj erdhi në një moment krize të thellë, kur zemërimi publik kishte shpërthyer pas vrasjes së Renne Good dhe, së fundmi, Alex Pretti-t nga efektivë të Agjencisë së Mbrojtjes së Kufirit (ICE), vrasje të kryera, sipas pamjeve filmike,  në gjakftohtësinë më të plotë.

Dy ngjarje të rënda, të dokumentuara nga video tashmë virale, kanë tronditur jo vetëm opinionin amerikan, por edhe atë ndërkombëtar. Që prej atij momenti, indinjata e protestuesve është rritur dhe përplasja me trupat e ICE është bërë gjithnjë e më e ashpër. Përballë protestave masive, autoritetet federale kanë shtuar praninë e forcave të tyre në Minneapolis. Madje, në territorin e tensionuar ka zbritur vetë drejtuesi i kësaj agjencie, Gregory Bovino.

Sjellja e Bovinos ka qenë aq agresive, sa protestuesit e kanë akuzuar hapur për qëndrime autoritare dhe retorikë që ngjan më shumë me metodat e regjimeve totalitare sesa me një shtet demokratik. Ironikisht, Bovino vjen nga një familje emigrantësh italianë, me gjyshër të ardhur nga Kalabria. Por kjo trashëgimi nuk duket se ka ndikuar aspak në qëndrimin e tij. Përkundrazi, sipas protestuesve dhe kritikëve, ai shfaq një agresivitet të ftohtë dhe përçmues ndaj emigrantëve, një sjellje që shumëkush e ka krahasuar me oficerët e Gestapos, madje me një lloj nostalgjie të rrezikshme për autoritarizmin.

Kritikët e kanë quajtur Bovinon një “Napoleon të mundshëm”, duke ironizuar edhe estetikën e tij të ashtuquajtur “naziste”. Me valën anti-emigrante të nxitur nga Donald Trump, Minneapolis dukej se ishte momenti politik që Bovino kishte pritur prej kohësh. 55-vjeçari, zyrtar i lartë i patrullës kufitare amerikane, ishte bërë më herët figurë kyçe në operacionet agresive kundër emigracionit në Los Angeles, Chicago dhe qytete të tjera. Por deklaratat e tij pas të shtënave ndaj Alex Pretti-t, një shtetas amerikan 37-vjeçar, e çuan famëkeqësinë e tij në një nivel të ri, aq sa përfundimisht tejkaloi edhe kufijtë e tolerancës së administratës Trump.

Në reagimin fillestar, Bovino pretendoi se Pretti kishte për qëllim të “masakronte agjentët e zbatimit të ligjit”. Ndërkohë që pamjet video rrëzonin këto pretendime, ai jo vetëm që nuk u tërhoq, por i dyfishoi deklaratat provokuese në emisionet kryesore televizive të së dielës.

Edhe pse pranoi se ishte hapur një hetim, Bovino dukej sikur e paragjykonte rezultatin e tij, duke vazhduar ta quante Pretti-n “të dyshuar” dhe jo viktimë.

“I dyshuari e vendosi veten në atë situatë”, i tha ai Dana Bash në emisionin State of the Union në CNN, duke injoruar pamjet që sugjeronin se Pretti po përpiqej të ndihmonte një grua të shtyrë me dhunë përtokë nga agjentët. “Viktimat janë agjentët e patrullës kufitare”, shtoi ai.

Këtu lind një pyetje thelbësore morale:-  nëse një njeri me origjinë emigrante e quan viktimën “të dyshuar”, atëherë si u quajtën protestuesit e dhunshëm të 6 Janarit që sulmuan Kapitolin, tempullin e demokracisë amerikane? Nëse Garda Kombëtare do të kishte vepruar atë ditë me të njëjtën brutalitet, 6 Janari do të ishte shndërruar në një masakër me mijëra viktima. Por ata u përmbajtën, duke zgjedhur të mbrojnë jetën njerëzore edhe mbi simbolikën e ndërtesës. Ndërsa në rastin e Renne Good dhe Alex Pretti-t, njerëz të paarmatosur, pjesëmarrës në protesta paqësore, u qëlluan pa mëshirë nga oficerë që më shumë ngjallin fantazmat e nazizmit sesa figurën e një polici që ka si parim themelor vlerën e jetës njerëzore.

Prandaj deklarata e Melania Trump duhet parë më shumë si një dush i ftohtë për trupat e ICE sesa si kritikë ndaj protestuesve të Minneapolis. Sepse protestuesit, pa armë, janë etiketuar si të dhunshëm, madje edhe si “terroristë”, vetëm për të justifikuar krime që pamjet filmike i nxjerrin lakuriq.

Videot janë të qarta se Renne Good dhe Alex Pretti nuk ishin të rrezikshëm. Nuk ishin të armatosur. Nuk ishin terroristë.
​
Ajo ishte një nënë e brishtë me dy fëmijë. Ai ishte një infermier që shpëtonte jetë njerëzish. Ata nuk kërcënonin jetën e askujt. Ata po kundërshtonin
0 Comments

Michael Bauman, drita drejt Oscar-it dhe befasimi i tij për mrekullitë e Shqipërisë

1/23/2026

0 Comments

 
Pa dyshim, filmat e këtij viti dallohen për nivel të lartë realizimi dhe cilësi artistike. Për këtë do të ketë kohë të flitet deri në ceremoninë finale. Ajo që dua të theksoj sot është diçka tjetër: një mirënjohje personale, por me domethënie publike.

Ky edicion bëhet i veçantë nga shfaqja e një emri që për profesionistët e industrisë nuk është aspak i panjohur, Michael Bauman, i nominuar për Çmimin Oscar në kategorinë Best Cinematography për filmin “One Battle After Another”, me protagonistë Leonardo DiCaprio, Sean Penn, Teyana Taylor dhe Benicio Del Toro.

Michael Bauman konsiderohet prej vitesh si një nga gaffer-ët më të mirë të ndriçimit në botë dhe, së fundmi, si një nga Drejtorët e Fotografisë më premtues në Hollywood, veçanërisht në ndriçimin e filmave të studiove të mëdha.

Për mua, ky nominim ka një domethënie të veçantë për shkak të një historie personale, që më lejoi ta njoh nga afër karakterin e tij njerëzor. Katër  vite më parë, gjatë pandemisë globale, bashkëshortja ime, Ediola Pashollari, po kërkonte të hapte një kapitull të ri në karrierën e saj duke u vendosur përfundimisht në Nju Jork. Pavarësisht përvojës së gjatë profesionale si lidere në disa organizata ndërkombëtare dhe kualifikimeve të larta akademike, aplikimet e saj për pozicione drejtuese si përgjigje kishin të njëjtin justifikim paradoksal: overqualified.

Në kulmin e këtij procesi profesional, erdhi një telefonatë e papritur nga vetë Presidenti-themelues i International Cinematographers Lighting Society (ICLS), Michael Bauman. Pasi kishte shqyrtuar CV-në e Ediolës, ai i ofroi menjëherë pozicionin e Drejtores Ekzekutive të shoqatës. Një bisedë e shkurtër mjaftoi për të shprehur bindjen dhe krenarinë e tij që një institucion ndërkombëtar i këtij niveli të drejtohej nga një grua me përvojë shumëvjeçare në organizmat  ndërkombëtare dhe me formim akademik në disa Universitete prestigjioze në Angli dhe SHBA.
Që nga ajo ditë, Ediola drejton një nga institucionet më të rëndësishme të ndriçimit në industrinë e filmit hollivudian, në një botë ku drita nuk është thjesht teknikë, por gjuhë artistike. Në këtë rol, ajo bashkëpunon nga afër me  bordin drejtues të ICLS-së, si dhe  bashkëthemeluesit dhe drejtuesit e departamenteve të ndriçimit të filmave epikë si Rafael Sánchez (Joker 2) dhe Martin Smith (Mission: Impossible). Gjithashtu ajo  kordinon aktivitetin e  500 anëtare të shoqatës, që janë kokat e ndriçimit të kinematografisë botërore. Si dhe moderon aktivitetet e ndryshme me producentë e  aktorë të njohur ndërkombëtarisht.

Puna e anëtareve të ICLS-it është një kontribut që rrallë shihet nga publiku, por që përcakton identitetin vizual të filmave më të mëdhenj në botë.

Pikërisht për këtë arsye e solla sot në vëmendje këtë moment të rëndësishëm në karrierën e Michael Bauman, tashmë i nominuar për Oscar. Jo vetëm sepse e meriton si profesionist, por edhe si njeri i thjeshtë, komunikues dhe i hapur.

Gjatë vizitës sonë në Shqipëri, Bauman tregoi interes të veçantë për vendin tonë. Ai  kërkonte vazhdimisht   që  t’i dërgonim fotografi nga çdo vend që ne vizituam, për t’i pasur si referencë për projektet e tij të ardhshme. Gjithashtu ai donte në detaje jo vetëm infrastrukturën por edhe arkitekturën shqiptare. Sipas reagimeve të tij, ai u befasua nga bukuritë e rralla dhe mahnitëse të Shqipërisë, duke shprehur hapur idenë se pse këto peizazhe të mos bëhen pjesë e produksioneve të mëdha hollivudiane.
​
Ndoshta ky nominim për Oscar është edhe një dritë e vogël shprese që një ditë, kamera e Hollywood-it të ndalet edhe mbi Shqipërinë.
0 Comments

Krimi në qendër të Tiranës: si funksionoi fabrika e mashtrimit nën hundën e shtetit.

1/22/2026

0 Comments

 
Investigimi i Le Lene nuk është thjesht një reportazh televiziv. Është aktakuzë publike ndaj një shteti që ka zgjedhur të mos shohë, të mos dëgjojë dhe të mos veprojë. Është prova se në Shqipëri krimi nuk fshihet më në bodrume apo periferi, por operon hapur, në kulla, në qendër të kryeqytetit.

Faktet janë të ftohta dhe tronditëse, një Call Center, me rreth 100 operatorë, funksiononte si organizatë kriminale e strukturuar, duke mashtruar mijëra qytetarë italianë dhe europianë, me një xhiro fitimi rreth 30 milionë euro. Jo në ndonjë fshat të humbur, por në mes të Tiranës.

Le t’i bëjmë pyetjet një nga një, sepse këtu nuk ka më vend për naivitet:

Si është e mundur që 100 persona hyjnë çdo ditë në të njëjtin ambient për të kryer vepra penale dhe askush nuk e vëren?

Si është e mundur që një biznes me fluks financiar dhjetëra miliona euro të mos bjerë në radarët e tatimeve, bankave dhe strukturave antikrim?

Si është e mundur që një kullë moderne të mos ketë kamera sigurie funksionale ose që këto pamje të mos jenë parë kurrë nga autoritetet?

Përgjigjja më e thjeshtë dhe më e dhimbshme është kjo, se nuk është se nuk u pa, është se u tolerua.

Ky nuk është krim i fshehtë. Ky është krim industrial, që kërkon logjistikë, drejtues, financim, mbrojtje dhe heshtje institucionale. Pa këto, nuk mbijeton asnjë ditë, jo më vite.

Dhe tani le të flasim për përgjegjësinë individuale.

Njëqind operatorë.

Njëqind bashkëpunëtorë në krim.

Njëqind njerëz që e dinin shumë mirë se po zhvatnin llogaritë bankare të qytetarëve të huaj. Asnjë pendesë.

Asnjë denoncim. Asnjë frikë. Sepse në Shqipëri krimi nuk të stigmatizon, por të punëson. Dhe kur të paguan mirë, shumëkush është gati të shesë edhe ndërgjegjen, madje të tradhtojë edhe më të afërmin.

Dhe kur një shoqëri sheh 100 mashtrues që hyjnë e dalin çdo ditë nga një kullë dhe nuk pyet asgjë, problemi nuk është vetëm shteti. Problemi është normalizimi i pisllëkut.

Ku ishte policia ekonomike?
Ku ishte SHISH?
Ku ishin prokurorët që sot flasin për luftë ndaj korrupsionit?
Ku ishte SPAK se ky nuk është krim i rëndomtë, por  krim i organizuar dhe i mirë strukturuar ?
Ku ishin bankat që duhej të raportonin transaksione të dyshimta?
Ku ishin tatimet që duhej të pyesnin se nga vinin këto para?

Të gjithë këta institucione ose kanë qenë të paafta, ose bashkëpunëtore, ose të frikësuara. Nuk ka alternativë të katërt.

Dhe fakti që u deshën gazetarë italianë për ta zbuluar këtë skemë është poshtërimi më i madh për shtetin shqiptar. Sepse kjo do të thotë se krimi i huaj hetohet më seriozisht se krimi që ndodh në oborrin tonë.
Ky nuk është episod. Ky është model.

Sot Call Center. Nesër pastrim parash.

Pasnesër trafik ndikimi. Dhe gjithçka ndodh sepse Tirana është bërë një qytet ku era e keqe nuk ndihet më. Jo sepse nuk ekziston, por sepse të gjithë janë mësuar me të.

Në këtë realitet, pyetja nuk është më, - “Si ndodhi kjo?”

Pyetja e vërtetë është,-  Sa të tjera funksionojnë ende sot, pa u zbuluar?

Sepse nëse 100 mashtrues nuk u panë, atëherë problemi nuk është se nuk shohim dot. Problemi është se kemi zgjedhur të mos shohim.
0 Comments
<<Previous
Forward>>

    Author

    ​Welcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema.
    Happy reading! 

    Archives

    March 2026
    February 2026
    January 2026
    December 2025
    November 2025
    October 2025
    September 2025
    August 2025
    July 2025
    June 2025
    May 2025
    March 2025
    February 2025
    January 2025
    December 2024
    November 2024
    October 2024
    September 2024
    August 2024
    July 2024
    May 2024
    January 2024

    Categories

    All

    RSS Feed


  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact