Marko Caka
  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact

Pse amerikanët votuan Trump?!

11/8/2024

0 Comments

 
Duke parë që të gjithë dolëm bllof me anë të sondazheve të ofruara, kjo mbase edhe kompanitë e operimit me mediat pro Kamala Harris  i kanë  zhvilluar sondazhet emocionalisht bëri që realiteti të  ishte ndryshe me një epërsi të dukshme të Donald Tramp. Është e njëjta gjë si në futboll në Europianin e Gjermanisë ku tifozët e zjarrtë kuqezi  vunë  baste në ndeshjen kundra Spanjës me shpresën për fitore por që dështuan sepse e parashikuan emocionalisht ngaqë asnjëherë nuk duan humbjen e kombëtares së tyre, ndërsa tek bastaxhinjtë profesionist  vepron  indicia drejt realitetit(me këmbë në tokë)që do të thotë fitore të sigurt të Spanjës, e cila doli edhe kampione e Evropës. Shpesh ndodh që sondazhet e sakta dalin edhe në   rrethin e afërt të shoqërisë deri dhe me pjesëtarë të familjes. Bashkëshortja ime duke e parë situatën me shumë gjakftohtësi dhe me opinionet e kolegëve të saj ku ajo punon ishte e bindur se fitorja këtë radhë shkonte në rizgjedhjen e Trump. Të njëjtën gjë më thoshte edhe një shok i imi shkodran Gjon Destanishta,nga një familje e persekutuar dhe dhe e nderuar me bindje të djathta, i cili do të votonte për herë të parë pas marrjes së nënshtetësisë amerikanë, dhe ëndrra e tij ishte  për tja dhënë votën  ish presidentit Trump dhe për ta parë edhe një herë në Shtëpinë e Bardhë. Për fitoren e Trump votoi   edhe  miku tjetër ekuadorian,Poli, i cili bashkë me familjen e tij tradicionalisht kishin votuar për demokratët,  por që tani ishin të zhgënjyer, duke besuar se tani rivali i tyre do të bëjë më shumë për    komunitetin më të madh në SHBA, të latinoamerikanëve të cilët janë suporti më i madh i rritjes ekonomike për ta bërë Amerikën akoma më të fuqishme .

Pra dhashë një shembull se  nganjëherë nuk është nevoja tu besojmë sondazheve të servirura nga kompanitë operuese që bashkëpunojnë me mediat duke  mbajtur anën e kandidatëve,  por shumë lehtë mund të dalë nga larmiteti i besimeve dhe mbështetjes politike të njerëzve ku ne rrethohemi, mjafton një gjakftohtësi dhe  mos të ndikohesh nga emocionet e ideve tona.

Këtë treguan edhe zgjedhjet amerikane të 5 Nëntorit ku realiteti fundosi dëshirën atyre që e donin fitoren e demokratëve me çdo kusht.

Prandaj duke parë këtë dukuri vendosa të jap një opinion rreth  fitores së Trump në këndvështrimin  tim  ashtu si i njoh unë gjërat në 15 vjetët e mia në SHBA ku erdha si i huaj dhe tani si një qytetarë me të drejtë të plotë  vote dhe mendimi të barabartë me ata ku të parët e tyre kanë ardhur që në krijimin e Shteteve të Bashkuara. Pëlqehet  apo nuk pëlqehet  ky është mendimi im i bazuar në eksperiencën time sesi i njoh unë amerikanët dhe nuk është e thënë që tek unë qëndron e drejta.  E them këtë për shkak të diversitetit që më ka krijuar puna ime sidomos në këto dhjetë  vitet e fundit në industrinë e filmit ku për shkak të sheshxhirimeve më është dashur të ndryshoj pothuajse tre-katër lokacione të punës në javë në disa shtete të ndryshme të SHBA-së.  Janë të paktë ata amerikanë  që e kanë fatin si të  aktorëve të filmave ku puna ua krijon  diversitetin e lokacioneve që  të njohësh jetën e njerëzve më me detaje, si kulturën ashtu dhe mentalitetin e tyre  në ambjentin ku ata rrethohen. Pra është krejtësisht ndryshe tek shumica e popullsisë që kanë një punë të përhershme, në të njëjtën vend dhe me të njëjtit njerëz, një rutinë që ta bën  jetën monotone duke mos njohur realitetin e jetës amerikane në përgjithësi, por vetëm duke e mësuar me anë të mjeteve të informacionit. Me zgjedhjen e Presidentit Tramp këto mjete informacioni rezultuan të dështuara sepse janë të ndikuara nga dëshira për të fituar kandidati i tyre i preferuar që vihet në shërbim të interesave të tyre.

Në opinionin tim dua të radhis katër nga disa faktorë që sollën zgjedhjen e Donald Trump në Presidentin e 47-të të SHBA-së.

E para - Amerikanët nuk janë gati per tja besuar fatin e vendit të tyre një gruaje.  Kjo nuk ka të bëjë me ngjyrën se të njëjtën gjë pësoi edhe Hillary Clinton në zgjedhjet e 2016-tës. Por në mentalitetin e amerikanëve duke parë natyrën e egër që ka politika globale, vetëm një personalitet i fuqishëm si Trump që merr  vendime të guximshme mund të ruajë ekuilibrin  e këtij rendi botëror që është më i përshtatshmi për kohën e sotme.

E dyta - Mungesa e një lidershipi të ri që sjell një ndryshim  rrënjësor nga politika e vjetër e establishmentit që kishte kohë që nuk prodhonte diçka të re që solli një zhgënjim total nga ana e votuesve demokratë. Amerikanët ishin lodhur me demokratët, sepse  nuk kishin një hap të dukshëm, por ishte shumë  i ngadaltë dhe ku e ku në vendnumëro. Këtë  nuk e duan amerikanët. Në anën tjetër edhe konservatorët kanë një mungesë të një lidershipi të ri alla Trump por ja besuan edhe një herë moshës së tij atij sepse ka akoma energji  për ta shndërruar Amerikën në një kolos të madh të ekonomisë botërore.  Edhe thënia "Amerika e para" kishte kuptimin e  jo një  Amerikë për ti shërbyer të gjithëve dhe vetë qëndron si një rrotë e pa levizur.  Amerikanët më tepër pëlqejnë një njeri "të çmendur" që rrezikon por që e luan rrotën e ekonomisë së tij përpara, dhe jo të lejojë shtete të fuqishme ekonomike si Kina që   përfitojnë nga taksat e importit në kurriz të amerikanëve , njëkohësisht duke e sfiduar në politikën e jashtme me  strategji antiamerikane që vë në rrezik sigurinë e partnerëve të saj dhe asaj globale. Amerikanët e dinin shumë mirë  se Donald Trump me agresivitetin dhe retorikat e tij të famshme  që ai  shfaqte  në media përballë gazetarëve  nuk i bën në realitet, aq më tepër ai  njihej  me dekada si një showman televiziv që dinte të argëtonte teleshikuesit amerikanë. Prandaj amerikanët besojnë se Trump si një artist i showbizit është shumë larg luftrave të cilët e argumentojnë me mandatin e tij të parë si njëri që shtrin i dorën "armiqve" për hir të paqes. Gjithashtu edhe  narrative  se Trump është i paparashikueshëm dhe një rrezik për globin për amerikanët nuk qëndron aq më tepër që ata e donin një njëri të fuqishëm dhe të guximshëm për të marrë vendime vetë mbi fatin e Amerikës duke i dhënë  përparësi zhvillimit dhe mirëqenjës së amerikanëve. Amerikanëve u interreson ekonomia e saj e fuqishme që përballon të gjitha nevojat jetike të tyre pastaj kujdesi për partnerët strategjikë ku gjithmonë kishin përfituar në emër të tregut të përbashkët dhe sigurisë globale.

Ç'ështe e verteta Trump kishte nisur ta bënte që në vitin e dytë të mandatit të parë me rritjen e ekonomisë dhe uljen e papunësisë,  por që e dëmtoi pandemia në fillimin e 2020 pa thënë e penalizoi në zgjedhjet e Nëntorit të po atij viti,  duke mos arritur të realizonte premtimet e tij drejt  objektivit të tij "Amerika e para dhe e madhërishme".

E treta - Amerikanët si natyrë janë më ndryshe se europianët. Dhe krahasimi bëhet me europianët veriorë, me të njëjtën origjinë por edhe në shkallën  e larte e të  barabartë të demokracisë. Ndryshimi është se amerikanët janë më të prirur drejt aventurës. Ju pëlqen të  ndryshojnë  ambjent dhe të  vihen në kërkim të shanseve më të mëdha në jetën e tyrë. Po të vëresh shumica e amerikanëve ndryshojnë vendbanime brenda vendit sa në një shtet në  tjetrin në kërkim të një jetë më të mirë por edhe diçka më  ndryshe. Pra nuk qëndrojnë si europianët autoktonë që jetojnë deri sa të vdesin në vendlindjen e tyre duke mbajtur të gjallë ksenofobinë dhe deri diku diskriminin ndaj emigrantëve që vijnë për një jetë më të mirë por edhe për ti ripërtërirë popullsinë e tyre të plakur që ka nevojë për zhvillimin e vendit. Këtu përfshihet popullsia e vendeve më të zhvilluara europiane ku niveli i emigrimit të popullsisë së tyrë është në pothuajse zero. Prandaj amerikanët janë më të hapur ndaj një presidenti që shfaqet për një ndryshim radikal që nuk "fle nën dafina", por që kërkon ta ndryshojë botën pozitivisht pa marrë parasysh rreziqet dhe pasojat. Amerikanëve ju pëlqen Trump sesi ai kërkon ta menaxhojë një luftë me vendime të drejtpërdrejta dhe transparente, për të vënë palët drejt një marrëveshje që i jep fund luftës deri edhe brenda 24 orëve por që duhet të sakrifikojë  për të arritur një marrëveshje që kënaq të gjitha palët. Kjo strategji e Trump lëndon vendet që duan të mbrojnë territoret e tyre nga agresori por ndalon luftën e gjatë që kushton më shumë në jetë njerëzish dhe me kosto katastrofike për ekonominë.

Lufta e  Ukrainës është testi më i madh i Trump nëse do arrijë të ulë në bisedime Putin me Zelenskin për ti dhënë fund luftës dhe pretendimeve të tyre. Ai do ta menaxhojë luftën edhe me përvojën e një biznesmeni  duke ditur që nga arka e shtetit amerikan janë nxjerr mbi 60 miliardë dollarë për të ndihmuar Ukrainën. Gjithësesi pritet sesi Trump do ta ndërtojë marrëdhënjen me NATO-n por që do të jetë më i butë, dhe më afrues  sesa në mandatin e parë sepse kërcënimi i sigurisë globale është më i dukshëm dhe ka nevojë për një aleancë të përbashkët, por që tani i duhet të nxisë çdo anëtar të aleancës për të kontribuar në buxhetin për mbrojtjen e sigurisë por pa dëmtuar taksapaguesit amerikanë. Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte është shprehur optimist për një bashkëpunim të ngushtë me Presidentin e sapo zgjedhur, Donald Trump.

E katërta - Emigracioni është një nga sfidat e Donald Trump gjatë mandatit të tij  të dytë , për të përfunduar ndërtimin e  murit që pengon kalimin e paligjshëm, gjithashtu për të ndaluar trafikun narkotik dhe klandestinë ku kriminelët të infiltruar kishin shtuar kriminalitetin brenda territorit ku për miliona emigrantë është endrra amerikane. Në këto zgjedhje me 45% të votave ka qenë e dukshme si asnjëherë tjetër që votat e hispanikëve mbështetën Trump me shpresën sse kontributi i tyre në zhvillimin e vendit, do të përkthehej në mirëqenie për familjet e tyre që kanë integruar në Amerikë. Edhe ata si amerikanët e hershëm që nuk kanë  asnjë dallim për ta bërë Amerikën të madhe përsëri sepse e ardhmja e fëmijëve të tyre ështe në këtë vend, prandaj duhet të mendonin më shumë për dikë që mendon më shumë për shpërblimin ndaj kontributeve të tyre. Gjatë mandatit të parë Trump nuk mori asnjë masë të ashpër ndaj emigrantëve që jetojnë prej shumë vitesh pa dokumenta, ndërkohë që në këtë mandat ai ka premtuar se do ta kontrollojë këtë numër dhe nëse kanë dëshmi penale ata do të dëbohen menjëherë nga SHBA-ja. Tramp si një menaxher i mirë në biznes e di shumë mirë sesa i rëndësishëm është emgracioni në ripërtëritjen e popullsisë  që ndihmon në rritjen e  ekonomisë amerikane sidomos në sektorin e ndërtimit dhe të shërbimeve.
​
0 Comments



Leave a Reply.

    Author

    ​Welcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema.
    Happy reading! 

    Archives

    February 2025
    January 2025
    December 2024
    November 2024
    October 2024
    September 2024
    August 2024
    July 2024
    May 2024
    January 2024

    Categories

    All

    RSS Feed


  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact