Marko Caka
  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact

Pse nuk flasim mirë kur i kemi njerezit pa lënë këtë botë?

8/25/2025

0 Comments

 
Në fillim nuk doja të shkruaja, duke pranuar heshtjen, sepse ashtu zgjodhi edhe Zoti për ta marrë me vete, në mënyrë të papritur dhe të qetë, Artur Zhejin. Por më pas vendosa të hedh disa rreshta, jo për të ngushëlluar, por për t’i kujtuar atyre që, më në fund, u kujtuan pas vdekjes së tij. Pikërisht kjo më ngacmon tek të gjallët se i ndjeri e ka gdhendur tashmë historinë e jetës së tij profesionale si gazetar dhe publicist, me një penë të rrallë e brilante, që analizonte aq bukur realitetin me një pasuri fjalori për t’u pasur zili.

Nuk kam qenë nga ata miqtë e tij që ndaja kafen ose një gotë verë pas ditëve të stërlodhshme dhe zullumit të tmerrshëm të politikës, asaj sëmundjeje si kancer, që shkatërron jo vetëm jetën e qytetarëve, por edhe të gazetarëve që punuan me profesionalizëm e sakrificë gjatë këtij tranzicioni kaq të gjatë e të lodhshëm për shqiptarët. Unë isha një mik në distancë, mik i shkrimeve të tij. Nuk e jetova nga afër për ta kuptuar vlerën e tij si njeri, as për të ndarë stresin që ai përjetoi, stres që mbase i kushtoi edhe jetën e shkurtër që nuk e meritonte.

Nuk dua të ngushëlloj njerëzit e tij më të shtrenjtë, duke i thurur lavde tani që ai na la dhe Zoti e mori në botën e përtejme, sepse tani nuk ka më nevojë, sepse flet vetë vepra e tij, që mbetet në histori dhe nuk do të harrohet kurrë. Por dua t’u kujtoj të gjithëve, atyre që sot e “vajtojnë” sipas mënyrës së tyre, se më mirë do të kishte qenë që ai të kujtohej e të vlerësohej sa ishte gjallë, për kontributin e tij të veçantë si gazetar i një tjetër kalibri, që luftoi për çështjen kombëtare me mënyrën e vet, duke e dashur dhe mbrojtur kombin, pa përbuzur të tjerët.

Ai ishte gazetar i rrallë, nacionalist por edhe liberal në mendime, që impononte respekt për kombin, duke na vënë në dukje të mirat e të këqijat që solli historia jonë. Pena e tij ishte e hidhur ndaj çdo të keqeje të mbuluar me ngjyrën e korrupsionit, pa asnjë dallim, edhe pse shpesh nuk e vlerësuam, sepse jemi të prirur të dehim veten me fjalime të bukura politike.

Pena e Zhejit të vlerësonte kur punoje mirë, por edhe të kritikonte kur punoje keq – gjithmonë me stilin e tij të hollë, që nuk pajtohej me të keqen, por as nuk të “vriste” që të mos ringriheshe kurrë. Ai besonte se gjithmonë ka një shans të dytë, nëse politikani reflekton mbi gabimet e tij.

Pas vdekjes, u detyrova të kërkoj emrin e tij në Google. Aty gjeta një faqe të varfër në Wikipedia, krejt e pamjaftueshme për aq sa ai ka dhënë. Kjo tregon sa modest ishte ai, që nuk i interesonte ekspozimi i emrit, por vepra. Ndërkohë, Wikipedia ka faqe të mbushura për modele, moderatore apo figura të zbrazëta, të cilat mjafton të paguajnë kompani që u shkruajnë përralla me mbret për një CV bosh.

Asgjëkundi nuk pashë që Artur Zheji të ishte vlerësuar nga institucionet shqiptare, apo nga organizmat e ngritur enkas për të vlerësuar punën sakrifikuese të gazetarëve ndër vite.       

Këto institucione duket se janë ngritur vetëm për të zhvatur fonde e për t’u pasuruar vetë. A nuk e meritonte edhe ai një vlerësim nga presidenti apo autoritetet më të larta? Sepse, në fund të fundit, ku ka mjeshtër më të madh se një mjeshtër i penës, që mban gjallë vlerën e kombit dhe që e bën historinë të mos shuhet kurrë nga kujtesa e shkurtër e popujve?

Tani të gjithë “vajtojnë” për të ndjerin, por sa ishte gjallë, askush nuk e mori mundimin t’i jepte atë që meritonte – duke ia thënë ballë për ballë dhe duke e falënderuar për kontributin e tij të pashoq mediatik e publicistik. Edhe ata që u kritikuan nga pena e tij, do të dilnin më të nderuar nëse do ta kishin çmuar kritikën e tij, sepse vetëm atëherë do të kuptonin gabimet e veta.
​
Edhe ne, lexuesit dhe audienca, do të fitonim shpresë se ky vend ka perspektivë për të ndryshuar pozitivisht, kur politika, me të gjitha gabimet e saj, do të gjente reflektimin në penën e veçantë të Artur Zhejit.
0 Comments



Leave a Reply.

    Author

    ​Welcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema.
    Happy reading! 

    Archives

    November 2025
    October 2025
    September 2025
    August 2025
    July 2025
    June 2025
    May 2025
    March 2025
    February 2025
    January 2025
    December 2024
    November 2024
    October 2024
    September 2024
    August 2024
    July 2024
    May 2024
    January 2024

    Categories

    All

    RSS Feed


  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact