Gjithmonë Big Brother- in në Top Chanel e kam parë të domosdoshëm për shqiptarët, sepse është një pasqyrë e tyre brenda një shtëpie të madhe ku përplasen të gjitha steriotipet që ka trashëguar vendi në vite.
Dhe një e më i veçanti që më ka ngacmuar gjithmonë por që u shfaq vetëm pak ditë para se ti jepnim lamtumirën e vitit të shkuar brenda shtëpisë më të famshme të shqiptarëve ku vëllai i madh i kontrollon të gjithë non stop. Dhe më çuditshmja, ky fenomen ishte fshehur brenda gjeneratës së re, por që ishte aq i freskët si dikur kur më ngacmonte atë adoleshencën time të viteve të fundit të monizmit. Pra Livia e Jozi, dy banorët e këtij formati ishin dy dëshmitarët më të famshëm që zgjuan fenomenin se "Ti s’je shkodran, por je nga rrethinat". Pothuajse kjo ndodh vetëm në Shkodrën teme dhe në asnjë qytet tjetër, ngaqë është djepi i kulturës shqiptare. Pikërisht në Shkodër nuk qëndron kjo tek qytetarët dembabadem të saj, por luftë ndaj "qytetërimit" ka ardhur nga jabanxhinjtë i themi ne në Shkodër. Kjo ishte përbuzja më e madhe që i bëhej një banori në rrethinat e qytetit apo një banori të fshatrave që e kufizojnë qytetin. Pra dy të rinjtë e shtëpisë së Big Brother "luftonin" për qytetërimet që duhet të ishin medoemos brenda qytetit mundësisht në qendër të qytetit, që i bie diku nga Piaca apo teatri i Migjenit. Madje edhe ky i fundit që ka emrin e teatrit më të madh të qytetit verior ku është trashëguar e ruajtur vlera e artit të Shkodrës, po ta dëgjonte nuk do ta zinte varri atje ku është. Sepse Millosh Gjergj Nikolla, shkurt Migjeni me prejardhje nga Reka e Dibrës është argumenti më i fortë se të jesh qytetar ku qyteti po bën një shekull që krenohet me veprat e tij, nuk është e thënë që të jesh brenda tij, por mund të jesh edhe nga rrethinat apo edhe nga fshatrat më të skajshëm që ka Shkodra si rreth, apo si njësi administrative, mjafton që me dijet i ke dhënë ndriçim shoqërisë ku jetojmë e punojmë. Këtë kanë bërë shkodranët e hershëm që me civilizimin e tyre të fituar nga natyra e tyre edukuese dhe nga shkollimi i tyre pothuajse jashtë vendit, i dhanë zhvillim mendjes së vonuar të shqiptarëve të tjerë, që ishin të prapambetur nga lufrat e skamjet feudale. Për shembull emrin e mirë të qytetarit Shkodran, mund të ketë edhe një pukjan si pjesë e qarkut të tij, mjafton që me edukimin dhe formimin i jep kontribut Shkodrës. Ashtu si qytetar shkodran nuk të bën edhe sikur të jesh banor në qendër tek lulishtja e madhe nëse ti ke një jetë kriminale që vetëm i prish imazhin e mirë të qytetit mijëra vjeçar. Pra, njeriun e edukuar dhe me vlera nuk e karakterizon emri i një qyteti, por personaliteti i tij që është një vlerë e shtuar për Shkodrën si qytet dhe si qark. Të gjithë e dinë se Shkodra e ka thelbin e qytetërimit me fshatarët e saj përreth, të cilët u vendosën që në hershmërinë e qytetit duke mbajtur emrat e fshatrave të tyre si mbiemër. Si përshembull, fshati Bushat me bushatlinjtë liderë të principatave, fshati Shirokë me doktor Frederikun, themeluesin e kirurgjisë shqiptare të fillimin e shekullit 19-të dhe me shestanët si kampionët më të mëdhenj të notit shqiptar, fshati Mjedë me poetin e tyre të famshëm Ndre Mjeda, fshati Mes me tregtarët më të medhenj mesianë që e zhvilluan qytetin, me fshatin Fishtë shumë pak kilometra nga qyteti që i dhanë Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë Gjergj Fishtën e madh, e sa e sa të tjerë që Shkodra jonë krenohet me ata. Diskriminimi me anë të epiteteve se ti je rrethinor e s’je nga qyteti e kisha kujtuar se ishte lënë prapa nga shqiptarët por që flinte akoma brenda gjeneratës së re, dhe të vinte e të shpërthente brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri, tek banori i saj, Jozi e Livia për tu vetëmbrojtur kjo më ka befasuar. Dhe kjo meritë i takon këtij formati të Top Chanel që me anë të eksperimenteve të saj me banorët sjell një fenomen që ka vite që fle në mendjet e sëmura të disa brezave të shqiptarëve, por që duhet të ndalohet një herë e mirë, duke u kthyer në një debat publik që brezat që vijnë të kuptojnë se QYTETAR nuk të bën qyteti, por cilido që vjen e jeton e jep kontribute për komunitetin për ta zhvilluar atë që Shkodrën dhe çdo qytet tjetër ta ndjejnë si shtëpinë e tyre. Kështu e kanë bërë qytetërimet e vendeve zhvilluese që jetën e shikojnë së bashku me fshatrat e tyre përreth sepse pa ata dhe produktet e tyre shoqëria dhe zhvillimi njerëzor nuk ka jetë.
0 Comments
Leave a Reply. |
AuthorWelcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema. Archives
January 2025
Categories |