|
Ishte janari i vitit 1999. Interneti sapo kishte filluar të hynte në jetën tonë, ku disa faqe pioniere, chat-i i famshëm i Hotmail-it dhe një botë që për herë të parë po komunikonte në kohë reale mbi ngjarjet më të fundit.
Ngjarja kryesore e asaj kohe ishte lufta në ish-Jugosllavi, një luftë që nga Bosnja kishte kaluar tashmë në Kosovë. Një nga ato ditë, te kompjuteri i bibliotekës së fakultetit, më afrohet një mik i vjetër student, Rudenc Ruka. Një tepelenas, patriot i thekur, me gjak shqiptari që i rridhte në vena, studiues i pasionuar i historisë botërore dhe veçanërisht i çështjeve shqiptare. Ishte e pamundur që në hulumtimet e tij të mos ndalej te masakra e Reçakut, pamjet e së cilës po shpërndaheshin në mënyrë virale në çdo rrugë komunikimi që ofronte interneti i asaj kohe. Ai erdhi i tronditur dhe më tregoi pamjet më ç'njerëzore të kryera nga forcat serbe ndaj popullsisë civile të Reçakut. Një masakër që Europa, pak a shumë, besonte se i kishte lënë pas që nga Lufta e Dytë Botërore, që nga koha kur Hitleri ushtroi barbarinë e tij mbi hebrenjtë me Holokaustin në thertoret e Aushvicit. E megjithatë, pothuajse pamje të një thertoreje të ngjashme u shfaqën sërish në fund të mijëvjeçarit, më 15 janar 1999, në Reçak. Para kësaj ngjarjeje makabre, në Greqi kishte nisur të përhapej një propagandë e fortë anti-UÇK, ku Ushtria Çlirimtare e Kosovës etiketohej si “organizatë terroriste” nga disa media që mbronin haptazi teza antishqiptare dhe proserbe. Një nga të paktat hapësira ku ruhej pluralizmi i mendimit ishte emisioni i Makis Triandafyllopoulos, “Zougla” (“Xhungël”), ku i ftuar i përhershëm për temat shqiptare ishte patrioti i madh i shqiptarëve në Greqi, i ndjeri, Aristidh Kola, përballë mbrojtësve të tezës se Kosova ishte pjesë e Serbisë. Debatet ishin të ashpra. Në çdo episod, përplasjet mes publicistit Kola dhe apologjetëve të politikës serbe ishin të pashmangshme. Por ishte pikërisht masakra e Reçakut ajo që ndryshoi gjithçka. Fotot e viktimave, të mbajtura në duart e Aristidh Kolias, u shndërruan në një akuzë të drejtpërdrejtë dhe të pamëshirshme, që iu “plaste në fytyrë” të ftuarve të emisionit, për t’u treguar se kush ishin realisht “vëllezërit” serbë që ata mbronin, një vëllazëri shpirtërore burimin e së cilës as vetë nuk dinin ta shpjegonin. Sado që Kola argumentonte se lidhja historike dhe njerëzore e grekëve ishte shumë më e afërt me shqiptarët sesa me serbët, se shqiptarët kishin qenë fqinjët që u gjendeshin pranë në kohët më të vështira, propaganda kishte bërë punën e saj. Por Reçaku e theu këtë narrativë. Pas masakrës, për opinionin publik grek u bë e qartë se serbët e Millosheviçit ishin autorë të krimeve më çnjerëzore. Filloi jo vetëm sensibilizimi, por edhe distancimi i hapur prej tyre. Ndër të parët që e bëri këtë ishte vetë Makis Triandafyllopoulos, i cili jo vetëm e dënoi masakrën, por vlerësoi publikisht Aristidh Kolian si një dëshmitar të gjallë dhe të pakompromis të mbrojtjes së kauzës së UÇK-së për liri dhe pavarësi të Kosovës. Masakra e Reçakut nuk ishte thjesht një krim lufte. Ajo ishte pika e kthesës. Një moment që u tregoi jo vetëm grekëve, por mbarë njerëzimit, se kush ishin serbët e Millosheviçit, një makineri kasaphane që duhej shporrur njëherë e mirë nga tokat shqiptare të Kosovës. Dhe pikërisht pas Reçakut, akti vetmohues i heronjve të UÇK-së nisi të legjitimohej ndërkombëtarisht, jo më si veprimtari e një grupi “terrorist”, por si qëndresa e një ushtrie që u ngrit për të mbrojtur popullin e vet, dinjitetin dhe atdheun nga zgjedha serbe. Sot, me Kosovën shtet të pavarur, realiteti flet vetë. Greqia dëshmon se është ndër partnerët më të afërt dhe më bashkëpunues me qeverinë e Kosovës, pavarësisht nuancave formale diplomatike. Marrëdhëniet mes dy vendeve nuk kanë qenë kurrë më të ngushta, më funksionale dhe më pragmatike, duke vërtetuar se Kosova dhe UÇK-ja përkundër propagandës serbe, nuk kanë qenë dhe nuk janë një kërcënim për Greqinë. Përkundrazi, Kosova është shndërruar në një aleat paqësor dhe strategjik, jo vetëm për helenët, por për stabilitetin dhe sigurinë e gjithë rajonit. Ky zhvillim rrëzon përfundimisht narrativën e rreme që u ushqye për vite me radhë nga qarqe proserbe, duke provuar se lufta e UÇK-së nuk ishte një projekt destabilizimi, por një domosdoshmëri historike për liri, dinjitet dhe paqe të qëndrueshme në rajon.
0 Comments
Leave a Reply. |
AuthorWelcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema. Archives
January 2026
Categories |
RSS Feed