Marko Caka
  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact

Shtrëngimi i dorës me Harry Potter

7/19/2026

0 Comments

 
Jeta më ka mësuar një gjë të thjeshtë se asnjë punë nuk është e vogël dhe e nënvlerësueshme. Çdo profesion, çdo sakrificë dhe çdo aftësi që fiton gjatë rrugës mund të të hapë një derë që nuk e kishe imagjinuar kurrë.

Në botën e filmit thuhet se për rolet kryesore dhe dytësore, shkolla e aktrimit dhe eksperienca janë pasaporta drejt suksesit. Kjo është e më se e vërtetë se keto të dyja janë faktorët kryesorë që i japin një aktori mundësinë të ndërtojë një karrierë dhe të arrijë majat e kinemasë.. Por për shumë role të tjera, sidomos ato karakteriale, shpesh vendosin aftësitë(skills) që ke fituar në jetë. Kamera nuk kërkon vetëm një aktor, ajo kërkon një njeri që di ta jetojë personazhin. Talenti mund të jetë i lindur, por në shumicën e rasteve ai formësohet dhe përsoset përmes përgatitjes dhe punës.

Kur hodha hapat e para në këtë industri nuk kisha as diplomë aktrimi dhe as eksperiencë në sheshxhirim. E vetmja pasuri që zotëroja ishte jeta ime. Jeta, e cila për hir të mbijetesës, më detyroi të mësoj profesione dhe aftësi të ndryshme. Sot e kuptoj se Zoti nuk e lë pa shpërblim asnjë punë të ndershme.

Edhe kur punoja si pastrues, nuk e konsiderova kurrë atë punë si të parëndësishme. Pikërisht ajo eksperiencë më ka ndihmuar të fitoj role në tre filma të mëdhenj hollivudianë. Dikush mund të mendojë se të mbash një fshesë nuk kërkon ndonjë aftësi të veçantë, por në film nuk mjafton vetëm ta mbash. Duhet të hysh në karakter, të lëvizësh natyrshëm dhe të bindësh kamerën. Objektivi nuk fal, por ai zbulon menjëherë nëse po aktron apo po shtiresh.

Për fat, jeta më ka dhuruar shumë aftësi. Siç thashë kam punuar si pastrues, shofer, bartender, kamarier, gazetar dhe kam kaluar edhe përmes disiplinës ushtarake. Në atë kohë nuk e dija se të gjitha këto do të bëheshin një ditë pjesë e CV-së sime si aktor.

Eksperienca ime ushtarake nisi me shërbimin e detyrueshëm në Shqipërinë e fillimviteve të tranzicionit. Ishte një kohë e trazuar, kur vendi po ndryshonte me shpejtësi. Atëherë kur armiku i jashtëm imagjinar u zëvendësua nga pasiguria dhe kaosi i brendshëm. Për arsye që lidhen me zgjedhjet e mia të asaj kohe, nuk mësova kurrë ta përdor armën. Por fitova diçka që më ka shoqëruar gjatë gjithë jetës, të vlerësoj disiplinën.

Vite më vonë, në vitin 2017, mora pjesë në një trajnim tre-mujor në kampin e Warner Brothers në Atlanta të shtetit të Xhorxhias për koreografinë e dyluftimeve dhe lëvizjeve taktike për nevojat e filmit "Godzilla: King of the Monsters". Aty kuptova se çdo përvojë e jetës po merrte kuptim. Një vit më parë, në vitin 2016, kisha ndjekur trajnimin e Universal Studios për driver stunts, për nevojat e skenave të përplasjeve automobilistike në Fast & Furious 8 në Cleveland. Çdo trajnim shtonte një aftësi të re dhe më bindte se në industrinë e filmit asgjë nuk humbet. Çdo "skill" që fiton mund të bëhet, një ditë, arsyeja pse zgjidhesh për një rol. Ajo eksperiencë më hapi rrugën për të fituar rolin e Oficerit Taylor, në një film ku do të interpretoja përkrah Daniel Radcliffe.

Ishte e pabesueshme të ndaje të njëjtin set me një aktor që ka qenë pjesë e një prej fenomeneve më të mëdha në historinë e letërsisë dhe kinemasë. Kur e dëgjon emrin e tij, mendja e kujtdo i shkon menjëherë te Harry Potter. Miliona njerëz janë rritur me filmat e tij. Por unë pata fatin ta njihja nga afër. Takimi ynë i parë ndodhi në provat e skenave të natës. Skena që do zhvilloheshin në Havai, në vitin 1968, brenda klubit të oficerëve gjatë Luftës së Vietnamit.

Ishim në sheshxhirim (set), të gjithë të përqendruar, kur ai erdhi drejt nesh. Na përshëndeti dhe na shtrëngoi dorën një nga një. Mund të duket një gjest i zakonshëm, por për mua nuk ishte vetëm ajo.

Ai shtrëngim duarsh ishte një leksion karakteri. Daniel nuk sillej si një yll që duhej admiruar nga larg. Ai sillej si një koleg që e dinte se një film nuk ndërtohet vetëm nga protagonisti, por nga puna e çdo njeriu që ndodhet para dhe pas kamerës.

Pra në filozofinë e tij, çdo njeri në set është i rëndësishëm për realizimin e një skene perfekte. Arma më e fortë nuk është protagonizmi, por harmonia e skuadrës. Ndoshta këtë ai e di më mirë se kushdo tjetër, sepse Broadway të mëson se suksesi nuk ndërtohet vetëm nga aktori kryesor, por nga puna kolektive përballë një audience që e ndien çdo emocion live.

Ankthi i ditës së parë ishte i madh. Prisja me padurim të punoja pranë një aktori të atij kalibri. Sapo përfunduam provën e parë (rehersail), ai erdhi, na takoi dhe na shtrëngoi dorën. Në sheshxhirim nuk ka kohë për bisedë të gjatë, por unë përfitova nga ajo shtrëngim dore për ta uruar për suksesin që po korrte në Broadway me shfaqjen "Every Brilliant Thing" në Hudson Theatre.

U befasua kur kuptoi se ndiqja punën e tij edhe në teatër. Por, e vërteta është se nuk kam kohë të jem spektator në Broadway, por jam i apasionuar pas informacionit. Kam qenë gjithmonë i etur për të mësuar se çfarë ndodh në atë magji të performancës. Besoj se ai teatër është një tempull ku aktorët dhe publiku krijojnë një lidhje që nuk mund të përshkruhet me fjalë.

Natën e parë xhiruam vetëm tre skena. Daniel kishte ardhur në shesh që në mesditë, ndërsa ne u bashkuam vetëm në mbrëmje për skenat e fundit. Pas orësh të tëra pune dhe dhjetëra dublave, ai vazhdonte të buzëqeshte dhe të ruante të njëjtën energji.

Aty kuptova se madhështia e një aktori nuk matet vetëm me çmimet që fiton apo me famën që gëzon. Matet me mënyrën se si i trajton njerëzit që punojnë pranë tij.
​
Nga ato net xhirimesh kam shumë kujtime. Por nëse dikush më pyet sot se cili ishte momenti që nuk do ta harroj kurrë, përgjigjja ime është e thjeshtë. Shtrëngimi i dorës me djalin magjik të Harry Potter.
0 Comments



Leave a Reply.

    Author

    ​Welcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema.
    Happy reading! 

    Archives

    August 2026
    July 2026
    June 2026
    May 2026
    April 2026
    March 2026
    February 2026
    January 2026
    December 2025
    November 2025
    October 2025
    September 2025
    August 2025
    July 2025
    June 2025
    May 2025
    March 2025
    February 2025
    January 2025
    December 2024
    November 2024
    October 2024
    September 2024
    August 2024
    July 2024
    May 2024
    January 2024

    Categories

    All

    RSS Feed


  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact