|
Nuk jam ekspert i politikës, por si gazetar karriere në Greqi, kam një avantazh që shpesh mungon në debatin shqiptar në krahasimin empirik. Shqipëria e sotme ngjan në mënyrë shqetësuese me Greqinë e viteve ’90 deri në 2010, jo thjesht në nivel retorike, por në strukturën e pushtetit, marrëdhënien politikë–biznes dhe në normalizimin e korrupsionit si mjet qeverisjeje.
Për shkak se jeta dhe aktiviteti im profesional janë zhvilluar në Greqi, studimi i fenomenit të korrupsionit më ka ardhur natyrshëm. Jo vetëm sepse Greqia u cilësua për dekada si “kampione” e abuzimit me fondet publike, por sepse aty mësova si ndërtohet korrupsioni si sistem, si përhapet, si normalizohet dhe si, herë pas here, has rezistencë nga shoqëria civile apo grupime politike që zakonisht humbasin betejën. Modeli është i thjeshtë dhe i rrezikshëm me dy parti sunduese, politikanë që ndryshojnë ngjyrat por jo zakonet, dhe një elektorat i lodhur që votohet më shumë nga frika sesa nga shpresa. Madje, në qarqet politike qarkullonin prej vitesh edhe informacione për “trajnimet” e politikanëve të rinj shqiptarë në forume rinore greko-shqiptare, si rasti i Kamena Vurlës në Greqi, një Jale politike, ku mësohej jo shërbimi publik, por teknika e kapjes së pushtetit dhe shfrytëzimit të tij. Ku pionierët e këtij kampingu trajnues të asokohë, ishin Monika Kryemadhi me shokët e shoqet e saj të partisë. Por kjo i përket së shkuarës. Dhe drejtësisë së re. Në Greqi, për dekada me radhë, dy partitë e mëdha, PASOK dhe Nea Demokratia e alternuan pushtetin duke ndërtuar një shtet klientelist. Rezultati dihet, falimentimi i vitit 2010, kolapsi i besimit publik dhe shkatërrimi i klasës së mesme. Sipas të dhënave të Transparency International, Greqia renditej për vite me radhë ndër vendet më të korruptuara të BE-së, ndërsa borxhi publik arriti mbi 180% të PBB-së. Shqipëria sot ndodhet në një stad të ngjashëm, por pa luksin e një ekonomie të madhe. Edhe këtu kemi një bipartizëm të ngrirë, ku rotacioni nuk ka prodhuar ndryshim sistemi, por vetëm ndërrim aktorësh. Edhe këtu korrupsioni nuk është devijim, por mekanizëm funksional i pushtetit. Sipas raporteve të fundit ndërkombëtare, Shqipëria vazhdon të ketë probleme serioze si me kapjen e institucioneve, lidhjen e politikës me interesat oligarkike, dhe përdorimin e fondeve publike si instrument elektoral. SPAK ka prodhuar hetime dhe arrestime të nivelit të lartë, një zhvillim i rëndësishëm historik, por kjo nuk ka krijuar ende frymë politike, sepse drejtësia vepron mbi individë, ndërsa problemi është strukturor. Pra këtu qëndron thelbi se skandalet nuk rrëzojnë qeveri nëse nuk ka FRYMË. Çështja sot nuk është si u bënë politikanët e tranzicionit kaq të korruptuar, por si mposhtet binomi politik që e ka mbajtur peng Shqipërinë për dekada. Dhe kjo nuk ndodh brenda një dite. Nuk ndodh as me skandale, as me dosje, as me konferenca shtypi. Ndodh vetëm kur krijohet ajo që unë e quaj FRYMA. Pa frymë, nuk ka pushtet. Në këtë vakuum shfaqen figura të reja politike. Adriatik Llapaj është një prej tyre. Protesta e tij e vazhdueshme, simbolike, e vetmuar shpeshherë, tregon një gjë të rëndësishme që do të thotë se ekziston një nerv i pashuar në shoqëri, por ai ende nuk është organizuar në masë kritike. Nëse kërkojmë analogji historike, ajo nuk është romantike, por brutale se Aleksis Çipras nuk erdhi në pushtet sepse ishte i ri apo i pastër. Ai erdhi sepse dy partitë tradicionale kishin humbur çdo legjitimitet moral, shoqëria greke kishte prekur fundin, dhe ishte krijuar një aleancë e gjerë e të zhgënjyerve, jo thjesht e militantëve. SIRIZA nuk fitoi vetëm votuesit e majtë. Ajo fitoi të pavendosurit, ish-votuesit e PASOK-ut, partitë e vogla, dhe qytetarët që kishin frikë nga dalja e Greqisë nga eurozona. Nga 3% në 36.34% nuk të çon idealizmi, por kriza + fryma + besueshmëria morale. Morali është i thjeshtë, se pushteti nuk vjen nga mllefi, por nga FRYMA. Dhe ironikisht, ajo qeveri “radikale” rezultoi një nga më të suksesshmet e Greqisë moderne, që shpëtoi vendin nga dalja nga eurozona dhe zgjidhi një konflikt 30-vjeçar me Maqedoninë e Veriut në çeshtjen e emrit të saj. Në Shqipëri, problemi është se FRYMA pengohet nga një faktor kyç, opozita e vjetër e diskredituar. Një opozitë që ka qeverisur keq, është përfshirë në afera madhore, nuk ka bërë kurrë autokritikë dhe që sot shfaqet si luftëtare e korrupsionit pa kërkuar asnjëherë falje. Kjo opozitë është paradoksi shqiptar që sa herë del në rrugë, forcon qeverinë. Sepse shoqëria nuk mobilizohet për t’u rikthyer në të shkuarën. Dhe sepse memoria kolektive nuk ka harruar as korrupsionin, as arrogancën, as dhunën politike të asaj periudhe. Pa pendesë, pa distancim, pa ndryshim real, ajo nuk mund të jetë instrument rrëzimi i askujt. Këtu qëndron prova më e madhe për çdo lëvizje të re, përfshirë Llapajn. Pra hapi i parë, distancimi publik, i qartë dhe pa ekuivoke nga opozita e vjetër. Jo heshtje. Jo neutralitet. Por ndarje politike dhe morale. Nëse Llapaj dëshiron vërtet të ndërtojë FRYMËN, ai duhet të protestojë edhe kundër kësaj opozite, jo të marshojë pranë saj. Duhet t’ua heqë maskën atyre që e përdorën pushtetin për përfitim personal dhe që sot sillen si shpëtimtarë. Hapi tjetër është rinia. Jo si dekor, por si motor përçarës brenda familjeve politike. Sepse brezi i ri shqiptar nuk ka nostalgji për partitë, nuk ka borxhe ideologjike dhe nuk pranon më autoritetin politik si dogmë. Sepse rinia është brezi më pak i infektuar nga klientelizmi, më pak i shantazhuar emocionalisht nga partitë dhe më pak i verbuar nga nostalgjitë e rreme. Ky brez ka një fuqi që prindërit e tij nuk e patën, dyshimin. Dhe pikërisht ky dyshim është lënda e parë e FRYMËS. Në Greqi, FRYMA u ndërtua mbi frikën e humbjes së gjithçkaje. Në Shqipëri, ajo duhet të ndërtohet mbi refuzimin e përjetësimit të dështimit. Nëse kjo frymë nuk ndërtohet, Shqipëria nuk do të ndryshojë edhe nëse arrestohen dhjetëra politikanë, hapen qindra dosje, ose shpallen dhjetëra “reforma”. Sepse pa frymë, pushteti vetëm riciklohet. Dhe historia na e ka mësuar tashmë, në Athinë dhe jo vetëm se kur shoqëria nuk beson më askënd, fiton ai që arrin t’i japë shpresës formë politike. Dhe FRYMA në Shqipëri nuk ndërtohet me fytyrat e vjetra, por me guximin për t’u ndarë prej tyre. Nëse kjo ndodh, atëherë po, themi se lëvizja Llapaj mund të jetë në rrugën e duhur. Në të kundërt, pra po e ritheksoj, pa ndarje nga e vjetra, pa guxim moral dhe pa FRYMË, çdo lëvizje e re rrezikon të mbetet thjesht episodi i radhës- "Një zhurmë e re në një sistem të vjetër".
0 Comments
Leave a Reply. |
AuthorWelcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema. Archives
January 2026
Categories |
RSS Feed