|
“Congratulations, you’re booked.” (Urime, je pranuar). Mund të ketë një përkthim më të saktë por ky është kuptimi për këtë rast.
Janë tre fjalët që prisja me padurim për filmin e ri të Martin Skorceze, ku do të luaja rolin e një punëtori mirëmbajtjeje hoteli, në anglisht një handyman. Edhe pse më parë kisha bërë provat e kostumeve dhe ishin marrë përmasat e mia, asgjë nuk ishte e sigurt pa atë konfirmim final. Në industrinë amerikane të filmit, pa ato tre fjalë, asgjë nuk quhet e mbaruar. Janë fjalët që ëndërron çdo aktor karriere. Në projektet hollivudiane nuk funksionon favori apo miku. Askush nuk rrezikon të dëmtojë një projekt që kushton miliona, madje qindra miliona dollarë. Talentit dhe profesionalizmit i jepet pesha e vërtetë. Në e-mailin e casting-ut ishin të detajuara të gjitha, si lokacioni, ora e paraqitjes, “holding”-u, rregullat dhe privatësia absolute që kërkon produksioni. Çdo informacion ruhet me përpikmëri dhe çdo marrëveshje firmoset për të mbrojtur besueshmërinë e kësaj industrie marramendëse. Mezi prisja ditën e xhirimeve. Jo sepse ishte hera e parë në sheshxhirim, por sepse kësaj here bëhej fjalë për Martin Skorceze dhe Leonardo DiCaprio. Vetëm t’i shohësh bashkë është ëndërr për çdo filmdashës, jo më të luash pranë tyre. Dita ime e xhirimit përkoi me 1 Majin, Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve dhe ironikisht me rolin tim si mirëmbajtës hoteli. Ora e paraqitjes ishte 5 e mëngjesit, kështu që më duhej të vija celularin në zile për të mos humbur zgjimin e shumë pritur. Sheshxhirimi zhvillohej në një nga studiot më të mëdha të industrisë hollivudiane në New York, pranë East River në Brooklyn. Për të hyrë duhej ID-ja dhe numri i autorizimit që produksioni ia kishte dhënë sigurisë. Pa to, askush nuk hynte. Tek hyrja më priti Ellie, asistente produksioni, me bllokun në dorë. Bashkë me kolegen tjetër, ajo do të kujdesej për ne gjatë gjithë ditës. Atë ditë ishim vetëm dy aktorë suportues në skenë, pra unë dhe një vajzë që luante pastruesen e hotelit. Pjesa tjetër e kastit ishin vetë yjet, me Leonardo DiCaprio, Jennifer Lawrence, Patricia Clarkson dhe Louis Cancelmi. Skena zhvillohej rreth orës 3 të mëngjesit në hollin e një hoteli, në momentin kur gjithçka është gati të fiket dhe bari po mbyllej. Fillimisht na çuan në grim. Flokët nuk kishin shumë rëndësi sepse do të mbaja kapele, por detajet anësore u rregulluan për t’iu përshtatur periudhës së filmit. Pastaj vazhduam tek breakfast-i. Në filmat hollivudiane nuk fillon puna pa ngrënë. Është pjesë e kulturës së produksionit ku kushtet e aktorëve dhe ekipit të xhirimit janë prioritet absolut. Më pas erdhi “line-up”-i, një kontroll final përpara hyrjes në sheshxhirim. Çdo detaj i pamjes kontrollohej nga departamentet përkatëse, në rastin konkret nga veshja, grimi dhe flokët. Në sheshxhirim çdo gjë funksiononte me disiplinë ushtarake. Asistentët e regjisorëve komunikonin në zinxhir të vazhdueshëm. Asistenti i parë fliste drejtpërdrejt me Skorceze, ndërsa të tjerët raportonin për çdo detaj. Atë ditë të gjithë kishin ardhur shumë herët. Çdo gjë duhej të ishte perfekte për syrin e Skorcezes. Kishte specialistë që matnin këndet e tavolinave, distancat e qirinjve, pozicionet më të vogla të dekorit. Detaje që ndoshta pak regjisorë në botë i vënë re me aq këmbëngulje sa ai. Pas rreth tre orësh përgatitjeje, në sheshxhirim mbërriti Skorceze me ekipin e tij. Menjëherë pas tij erdhi Leonardo DiCaprio me asistentët personalë. Me atë ecjen e tij karakteristike, hijerëndë, ai përshëndeste me kokë këdo që i kapte syri. Pastaj nisi diskutimin me Skorceze për karakterin dhe lëvizjet në skenë, ndërsa stand-i i tij kishte bërë më parë pozicionimet teknike. Unë ndërkohë kisha mbi një orë që bëja prova. Emocionet ishin ndryshe këtë herë. Kur Skorceze të thoshte “Action”, DiCaprio do të zbriste shkallët drejt hollit ndërsa unë duhej të tërhiqja një karrige dhe ta vendosja në pozicionin e duhur. Vetëm kjo lëvizje mori mbi 20 dubla dhe rreth 70 minuta xhirim. Duart më ishin lodhur, por nuk e ndjeja fare. Entuziazmi ishte më i fortë se lodhja, sepse po luaja pranë Leonardo DiCaprios. Madje kishte momente kur ai priste komandën “Action” dhe sytë i mbante të ngulitur drejt pozicionimit tim. E ndjeja veten si njeriu më i privilegjuar në botë në ato sekonda. DiCaprio nuk lodhej kurrë nga dublat. Merrte çdo udhëzim me qetësi absolute. Mes përgatitjeve të skenës, ai shtrihej mbi divan dhe relaksohej totalisht derisa të rifillonte xhirimi. Ku e ku gjeja edhe unë një skutë për tu shplodhur sadopak, por fshehurazi pa më parë të tjerët. Jo se të ndalon kush, por nga respekti që kam ndaj hirarkisë, për të mos u ekspozuar përpara tyre. Por momenti më i bukur për mua erdhi më vonë. DiCaprio ishte ulur në një cep të barit, ndërsa unë duhej të kaloja pranë tij me një pjesë të instrumenteve të jazz-it dhe t’i vendosja mbi podiumin e orkestrës së piano-barit. Në atë moment duhej të improvizoja një zhurmë të vogël aksidentale me fletët e instrumentit që krijon tingullin për të krijuar shqetësim tek personazhi i tij. Papritur më afrohet vetë Scorsese. Më sheh dhe më thotë qetësisht:- “ Më pelqeu shumë, por e dua pak më të fortë atë zhurmën aksidentale.” U shtanga. Në mendjen time në të qindtat e sekondit më kaluan fjalët: - "Vërtet Martin Skorceze, mi tha këto fjalë, dhe erdhi të flasë direkt me mua.” Sepse zakonisht regjizorët e atij niveli komunikojnë vetëm me protagonistët. Çdo udhëzim tjetër ndaj të tjerëve vjen përmes asistentëve. Por atë moment ishim vetëm unë dhe DiCaprio në skenë. Dhe ndoshta ky ishte privilegji më i madh në jetë, të isha pjesë e një momenti konfidencial krijues mes regjisorit më legjendar të Hollywood-it dhe një prej aktorëve më të mëdhenj të historisë së kinemasë. Gjithësesi tek kjo skenë mësova se ka momente në jetë që nuk maten me para, as me famë, por vetëm me emocion.
0 Comments
Leave a Reply. |
AuthorWelcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema. Archives
July 2026
Categories |
RSS Feed