Marko Caka
  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact

Të vërtetat për Kryepeshkopin Anastas parë jashtë Tiranës

2/2/2025

0 Comments

 
Për respekt të ndarjes nga jeta , të imzot Anastas Janullatos gjatë përcjelljes  së tij në botën e amshme kisha vendosur të mos shkruaja asnjë fjalë dhe asnjë koment përveçse ngushëllimet  tek gjithë besimtarët dhe adhuruesit e tij.  

Emrin e shkelqësisë së tij, Anastas Janullatos e kam dëgjuar për herë të parë kur isha emigrant në fshatin historik arvanitas, Platees të Thivës, në qershorin e largët të 1992-it, atëherë kur prifti  Papa Dhimitri  më jep lajmin se në krye të Kishës Autoqefale Shqiptare është zgjedhur një bashkë student e mik i tij, akademiku teolog Anastas Janullatos.  Me të thënë të drejtën u ndjeva aq mirë se mendova se nëse është një njeri si prifti i fshatit që na priti krahëhapur, na hapi dyert e shtëpisë, na punësoi dhe që për mua personalisht u bë edhe mentor, Kryepeshkopi i Shqipërisë do të ishte një bekim për besimtarët  shqiptarët e sapo dalë nga zgjedha e izolimit ku regjimi i dënoi dhe i masakroi për shkak të besimit. 

Kaluan vitet dhe Kryepeshkopi u bë njeriu më i dashur tek besimtarët e tij shqiptarë, duke lënë menjanë dëshpërimin dhe duke parë vetëm  shpresën në fytyrat e tyre. Në një nga intervistat e tij të rralla,Kryepeshkopi Janullatos do të thoshte- “Mendova, kush do t'i ndihmojë këta njerëz?  Kush do t'u japë atyre shpresë?  Thashë me vete: Nëse ke besim, qëndro dhe lufto.  Nëse nuk e keni, shkoni në shtëpi." 

Në dekadën që pasoi, Kryepeshkopi Anastas Janullatos luftoi për të kapërcyer vështirësitë që kishte kaluar kombi për të krijuar një kishë të re për besimtarët e tij. Më pas Kryepeshkopi i shqiptarëve orthodoks gjatë intervistës theksoi: “Janë ngritur afërsisht 150 kisha të reja (të mëdha dhe të vogla), janë rinovuar dhe restauruar 60 kisha dhe manastire, të përcaktuara si monumente kulture dhe janë riparuar 160 kisha.  Më shumë se 70 ndërtesa u blenë, u ndërtuan dhe u rikonstruktuan për të akomoduar kopshte, shkolla, qendra rinore, qendra shëndetësore, zyra metropolitane, shtëpi mikpritjeje, punishte, kuzhina ushqimore, etj.  Në total ka pasur më shumë se 460 projekte ndërtimi”.

Çdo lloj edukimi ishte jetik për Kryepeshkopin e shqiptarëve.  “Arsimi është shumë më tepër se libra për të lexuar dhe fakte për të mësuar përmendësh.  "Qëllimi i tij ishte të kontribonte në formimin e njerëzve që jo vetëm janë të aftë intelektualisht ose të aftë në specialitete specifike, por që motivohen nga respekti dhe dashuria, jo nga lakmia dhe frika. 

Fillimet e para nuk kanë qenë të lehta për të, se politika në të dyja anët e morën për "Pushkë për Top", për ta përdorur atëherë kur e kanë nevojë.

Gjatë një intervistë të dhjetorit 2012 për televizionin shtetëror grek, ERT dhe për gazetaren e njohur Eleni Katrici, Kryepeshkopi Anastas do të  thoshte- "Historia e zezë që kishte filluar ndaj emigrantëve dhe gazetat asokohe shkruanin për "Fshesa" e etjera, etjera, ndërkohë kisha takuar kryeministrin (asokohe Konstandinos Micotaqis) dhe politikanë të tjerë dhe shkova tek autoritetet përgjegjës dhe u thashë- Ç'farë po bëni, çfarë është ajo fjalë "Fshesa"që ju po përdorni, a nuk e kuptoni se është fyerje për një popull dhe një turp për ju dhe ne që jemi grek. Kush jemi ne qe të tjerët i shohim kështu. Dhe këta(politikanët greke) më shikonin quditshëm sepse ishin vitet e para që nuk më njihnin mirë dhe kishin pikëpyetje në qendrmet e mia. 

Por hirësia e tij, Janullatos nuk u doli ashtu siç e prisnin, por vazhdoi misionin e tij të shenjtë ashtu siç ma kishte përshkruar prifti i fshatit, papa Dhimitri, një njeri i drejtë ,i pastër, akademik dhe mbi të gjitha i dashur me njerëzit. Madje prifti i fshatit  më thoshte gjithashtu se në formimin e tij kishte ndikuar edhe nëna  nga Preveza, Roksani Maltezo  që e kishte rritur pa praninë e të atit, dhe Janullatos për këtë e ka shprehur gjatë ntervistës me gazetaren Katrici-  “Kur do të vija në botë, nëna ime nuk pushoi së qeni në lutje dhe shpresë, sepse ishte në rrezik të madh nga shtatëzënia. .  Madje, asaj i kishin thënë që nuk do ta ushqente dot fëmijën me gji dhe siç më tha më vonë, më dha gji për një kohë të gjatë, sepse ishim të varfër në atë kohë, por shumë të dashur si familje.  Nëna ime ishte personi më i rëndësishëm në jetën time.  Zakonisht babai ishte larg shtëpisë për një kohë të gjatë.  Ajo jetoi një jetë shumë të gjatë, deri në të 90-at, dhe ishte gjithmonë pranë meje.  Nuk mund ta falënderoja aq sa do të kisha dashur”.

Ndoshta kjo ka qenë edhe arsyeja që Kryepeshkopi Anastas jetën e tij ja dedikoi shqiptarëve, mbase bëri më shumë në heshtje duke ditur se rretthohej nga e keqja e të dyja anëve. 

Fatkeqësisht qarqet e ndryshme antishqiptare nuk e kishin parashikuar ashtu sepse e mendonin se do të ishte si homologët e tij, Patriarkët  serb, Ilinjë e Profinjë që i mëshuan nacionalizmit dhe ngjallën urrejtjet ndaj besimeve të të tjera ,a thua se Jezu Krishti kishte lindur vetëm për serbët dhe për askënd tjetër.

Duhet theksuar se edhe në luftën e Kosovës, Kryepeshkopi Anastas Janullatos qëndroi pranë refugjatëve shqiptarë nga Kosova. Pra bëri të kundërtën që bëri kisha Autoqefale  greke që doli në mbrotje të popullit serb duke e argumentuar si përkrahje ndaj vëllezërve orthodoks serb. Mirëpo, as kjo lëvizje dhe ky distancim  nuk e largoi urrejtjen dhe dyshimin e elitës  së dy vendeve.  Edhe pse vetë Anastasi nuk bëri asnjë dallim, ai nuk lejoj që Kisha e tij Autoqefale Shqiptare të  favorizonte greket e minoritetit, madje as nuk bënte diskriminim midis ortodoksëve, katolikëve, myslimanëve apo ateistëve.

Mjafton vetëm të citojmë fjalët e hirësisë së lartë te  Kryepeshkopit Anastas për të kuptuar sesa i veçantë ishte personaliteti dhe e vepra e tij e përjetshme në shërbimin e lartë në emrin e Zotit,  dhe sa larg homologëve të tij serb e rusë ishte për nga  botëkuptimi e tij human. -"Çdo krim në emër të fesë është krim kundër vetë fesë.  Çdo formë dhune në emër të fesë cenon, në çdo kuptim, vetë fenë.  Asnjë luftë nuk është e shenjtë.  Vetëm paqja është e shenjtë. Askush nuk ka të drejtë të përdorë vajin e fesë për të ndezur zjarrin e konfliktit. Feja është një dhuratë hyjnore, që i jepet qetësimit të zemrave, shërimit të plagëve dhe afrimit të individëve dhe popujve”.

​Këto fjalë  të çmuara të Janullatos tregojnë vlerën dhe pasurinë e madhe që la tek ne duke marrë me vete dashurinë e një vendi të vogël që e priti me dyshime për shkak të tymnajave të dashakeqësve që e donin si një vaj për tu përhapur në  zjarr,  por në fund doli njeriu që shujati zjarret dhe ndriçoi shpirtin e tij për këtë vend duke kërkuar madje si amanet i rrallë që trupi i tij  të prehet po aty ku misioni i tij nisi dhe me veprat e tij do  vazhdojë . Vetëm me këtë gjest prej misionari të shenjtë  tregon sesa të çmuar ishin shqiptarët dhe Shqipëria për Kryepeshkopin e parë të Kishës Autoqefale dhe të vetëm të tyre, si dashuria e vetme dhe e përjetshme për  besimtarët e tij dhe jo vetëm.
0 Comments



Leave a Reply.

    Author

    ​Welcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema.
    Happy reading! 

    Archives

    May 2025
    March 2025
    February 2025
    January 2025
    December 2024
    November 2024
    October 2024
    September 2024
    August 2024
    July 2024
    May 2024
    January 2024

    Categories

    All

    RSS Feed


  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact