Sulmet që po i bëhen prokurorëve të SPAK nga politika dhe nga mediat e favorizuara po tregon botërisht se kjo e para është më e tronditur se kurrë madje me një magnitude kaq të fuqishme saqë ata që kanë hyrë për korrupsion nuk e kishin parashikuar se me kaq rihter një ditë do të shkërmoqeshin në sy të publikut.
Pra, kjo politikë shqiptarë që shihet sot më tepër se kurrë drejt shkërmoqjes, tregon më si miri se gjatë gjithë këtij tranzicioni të 34 viteve është ndërtuar me materialin më të keq të politikanëve duke mos llogaritur fare se po të vinte një termet i fuqishëm do ta rrëzonte me pasoja katastrofike. Nëse në ndërtim fajin ja vëmë sipërmarrësit për produktin e keq, ndërsa në politikë fajin ja vëmë aktorëve drejtues që ua serviren në pjatë elektoratit duke e mashtruar me votën e tij. Po heq një paralele për të kuptuar pasojat që lënë tërmetet e mëdha kur si kur ato lëkundin tokën dhe kur ato trondisin politikën. Si për ironi në këtë histori të përfshirë në këtë llumë të korrupsionit janë oligarkët e ndërtimit të cilët e dijnë shumë mirë pasojat e termetit por tejngopja me paratë e tenderave dhe të parave të pista i nxori jashtë parashikimeve se një ditë do dalin zbuluar nga hetimet e SPAK. Këta oligarkë i dinë shumë mirë pagesat e dasmave të politikanëve më të korruptuar dhe të muajit të mjaltit ne vendet ekzotike të Azisë jugore. Disa vite më parë një termet i fuqishëm në Turqi shuajti një qytet të tërë sepse shumica e pallateve ishin ndërtuar nga materiale poshtë standardeve, dhe qeveria vuri prapa hekurave vetëm sipërmarrësit ndërtues si përgjegjësit e vetëm të tragjedisë me mijëra viktima. Në politikë nga tërmetet e mëdha që po sjell drejtësia e re qëndron e kundërta se para përgjegjësisë vihet produkti i zgjedhur, që i bie të jetë politikani i korruptuar si përgjegjësi kryesor dhe jo aktorët që e zgjodhën këtë “produkt” për të drejtuar. Këta të fundit marrin më shumë përgjegjësinë morale duke e heq si barrë vetës, a thua se nuk e dinin se një produkt i keq do të shkatërronte karrierën dhe partinë që përfaqësojnë. E kundërta ndodh në shtetet e konsoliduara demokratike ku çdo gabim që ndodh në politikë liderët mbajnë përgjegjësinë deri në dorëheqje . Ndërsa në Shqipëri lideri në rastin konkret Kryeministri ja hedh paq duke ja lënë përgjegjësinë vetëm politikanit të korruptuar, a thua se nuk kishte sy në ballë që ta njihte, dhe nëse jo, të pyeste të paktën se çfarë “brumi” është, “duke pyetur një mijë e vetë e bën si do vetë”-thotë populli. Por jo, liderët shqiptarë e dinë shumë mirë se në politikë vihet me moton “kap ça të kapësh dhe zhvat çdo gjë sa s’është vonë” duke bashkëpunuar në grup, por harrojnë se nga tejngopja një ditë do të paguhen të gjitha. Ky është ligji i hajdutit që e ka ves vjedhjen dhe dora e tij nuk ndalon kurrë derisa një ditë do ta kapin. Kjo po shihet në dritën e diellit sot sado që pengesat e mëdha po bëjnë më të ngadaltë punën e drejtësisë së re, me SPAK-un në gjurmim të tyre për ti vënë të gjithë pas hekurave. More të gjithë, kush ka gëlltitur “çorbën e prishur” do të gjykohen sepse drejtësia për ata u ndërtua dhe jo për fukarenjtë që nuk kanë asgjë përveç shpirtit. Të shkruash për PD nuk ja vlen se është e tëra e lërosur, këmbë e krye dhe sot nuk ka pushtet, dhe pa u riformatur duke shkulur një herë e mirë të keqen e saj që po e drejton, dhe që është e destinuar të jetë gjithmonë në opozitë. Madje kjo opozitë e shkërmoqur pa moral, që u thotë ndjekësve të tyre kapeni hajdutin, ndërkohë që hajdute ishin vetë. SPAK dhe gjykata sot duhet ti kishte brenda qelisë dhe jo të dalin e të bëjnë moral madje t’u japësh edhe të drejtën për të bërë fushatë elektorale. Duhet ndaluar sa më parë që të gjithë politikanët që kanë konsumuar vepër penale duhet të ishin në masa arresti dhe jo të dalin nëpër media e pudiume dhe të na tregojnë se cilët janë hajdutët nga kundërshtarët politikë, në rastin konkret qeveria. Atë e di shumë mirë SPAK-u me Byronë e Hetimit, prandaj duhen lënë të qetë e të punojnë me profesionalizëm, sepse peshqit janë në rrjetën investigimit dhe nuk ka nevojë për ndihmën e të korruptuarve, për të na treguar gishtin. Drejtësia është aq e zonja profesionalisht për ta bërë këtë, pra për të ndjekur gjurmët e krimit pa qenë nevoja nga zërat që vijnë nga jashtë. Më tepër këta zëra vijnë nga politika e korruptuar që po përpiqet për ta penguar duke hedhur tymnaja duke u marrë me jetën e prokurorëve dhe të shkuarën e tij. Mirë a po keq, vetingu emergjent vendosi tani për tani në drejtësinë e re këta prokurorë, dhe nëse ata vënë një politikanë të korruptuar prapa hekurave nuk ka asnjë gjë të keqe, përkundrazi na bëjnë optimistë se më në fund drejtësia shqiptare po funksionon. E ç’rëndësi ka nëse një prokuror që ndoshta është vendosur nga e djathta nuk duhet të zbatojë ligjin dhe me bazë të fakteve të akuzojë një zyrtar të lartë që e ka zgjedhur e majta. Prokurorët nuk janë vendosur për të bërë politikë por janë vendosur për të zbatuar ligjin duke ndëshkuar krimin e çfarë do llojë forme. Të gjitha mediat që janë favorizuar nga kryebashkiaku i kryeqytetit i janë vërsulur prokurorit të çështjes duke u kapur me gjëra që s’kanë asnjë krahasim për atë çfarë kanë bërë të korruptuarit. Tani që kryebashkiaku u arrestua nga prokurori i çështjes, lëshon akuza se i ka kërkuar leje ndërtimi për kullat. Ku ishte më përpara që ta denonconte, apo foli tani që u zu ngushte. Kjo e bën kryebashkiakun përsëri fajtor për mos kallëzim të krimit, dhe nëse nuk ka prova, atëherë për intimidim. Ka mundësi se më e besueshme është se prokurori Dado ka kapur të gjithë fijet sesi funksiononte rrjeti e këtij favorizmi që nga artistët, sportistët, influencierët e derit tek mediumet sepse kjo është metoda më e mirë për të mbajtur gjallë korrupsionin e tyre në karrigen jetëgjatë të pushtetit. Nëse kryebashkiaku shfaqej njeri i suksesshëm duke ndërtuar parqe, rrugë, kopshte e shkolla me paratë e taksave të qytetarëve, të njëjtën gjë bënin edhe mafiozët italianë duke dhuruar bamirësi me paratë e drogës që do të thotë me paratë e vdekjes së fëmijëve të tyre narkomanë. E kush nuk e mban mend nga emigrantët shqiptarë të Greqisë kryebashkiakun karizmatik e popullor të Selanikut ,Vasilis Paparigopulos i cili e drejtoi qytetin verior grek për 3 mandate por në prill të vitit 2011, ai ishte në mesin e 25 personave të kontaktuar nga një gjykatës hetues me një hetim për përvetësim të të 51.4 milionë eurove të komunës. Ai u akuzua gjithashtu nga pasardhësi i tij, Jannis Butaris, se kishte dhënë shifra të pasakta financiare. Në shkurt të vitit 2013, kryebashkiaku Paparigopulos u shpall fajtor dhe u dënua me burgim të përjetshëm për përvetësim të 17.9 milionë eurove të Bashkisë së Selanikut gjatë kohës që ishte kryetar bashkie. Në korrik 2014, dënimi u ul në një maksimum prej 20 vitesh pasi një gjykatë e apelit në Selanik vendosi se krimet e Papageorgopoulos përbënin veprimin si “aksesues për vjedhjen e fondeve komunale gjatë kohës që ishte në detyrë. E dhashë si shembull se ky ishte një fenomen që dominoi Selanikun për dy dekada si një ish sportist olimpik i suksesshëm, dhe si një populist që karrierën e tij e lidhte vetëm me suksesin, por në realitet bota e tij e nëndheshme rezultoi më e rrezikshme për qytetarët e Selanikut të cilët e besuan me ato që shfaqej por nuk e dinin që ai u vidhte taksat e tyre të ardhmen e fëmijëve të tyre. Pra për të ardhur tek Shqipëria e jonë e vonuar, drejtësia është si një termet, më e fuqishme se kurrë, e cila po punon duke mbledhur faktet dhe akuzat janë gati, por hajdutët që po vërtiten për tju shmangur hekurave duke intimiduar Dumanin dhe prokurorët e tjerë janë në grahmat e fundit dhe që presin vetëm drejtësinë për t’u ndëshkuar dhe për të sjellë besueshmërinë tek qytetarët e thjeshtë. Kaq mjafton për opozitën e cila po nuk u riformatua për të heq të kalburën e madhe që ka brenda nuk ka shans që populli edhe një herë tu japë një mundësi për të qeverisur. Problemi im është me socialistët, atë parti ku im atë aderoi dhe luftoi që të jetë promotorja e demokracisë, me politikanë të ndershëm. Por sot 20 vjet pas vdekjes së tij, kjo parti po tregon edhe dobësitë e saj, sepse pranoj në radhët e saj madje për ta drejtuar politikanë “të maskuar”, që të qajnë ditën e të vrasin natën, pra atë që me buzëqeshje prej artisti ta japin me dritën e kamerave, por ta plaçkisin natën me sorollojin e tyre që kanë instaluar që nga bashkëfamiljarët e tyre e deri tek miqtë e tyre të përbetuar për vjedhje. Këta erdhën këmbëzbathur dhe sot numërojnë milionat dhe kur kapen ngushtë me pasuri marramendëse thojnë se ua kanë lënë prindërit e tyre me pensionin e tyre qesharak. Po ne të tjerët nuk kemi prindër, që dijnë të na japin vetëm dashurinë e ndershmërinë sepse vetëm këto janë pasuritë më të çmueshme që e mbajnë njeriun kokëlartë. Ja kush jeni ju, që e kthyet postin politik në çiflig. E kthyet partinë socialiste, nga më të madhen dhe më të besueshmen në një çiflig tuajin që ju duhet vetëm kur merrni votën. Ju studiuat vetëm për të kapur politikën dhe morët peng partinë socialiste vetëm për tu pasuruar. E kam për detyrë të hedh këto rreshta jo si një qytetarë, jo si gazetarë dhe as si një aktor i skenarëve me filma hollivudian, por si i biri i një ish socialisti të ndershëm, i cili iku në botën e amshme si një nga idealistët më të mëdhenj e më të ndershëm të asaj partie që e mbrojti dhe i qëndroi besnik në ditët më të vështira me ëndërron se ata që do ta përfaqësojnë këtë parti do ti shërbejnë vendit me devotshmëri e me pastërti. Im atë më thoshte – ” Ti shërbesh vendit nuk do të thotë vetëm të kryesh detyrën por edhe si të mbrosh figurën tënde të pastër, profesionalizmin e integritetin tënd të pa përlyer gjëkundi nga tundimet që të sjell karriga e pushtetit”. Nëse misioni i tim ati dhe i socialistëve të ndershëm në fillimet e para ishte për të mbrojtur partinë socialiste nga revanshizmi i regjimit Berishian i cili po bënte të njëjtën gjë që bëri partia e tij e parë e aderuar (PPSh), e cila me luftën e klasave e eliminonte kundërshtarin e bindjeve politike deri në vdekje. Etapa e dytë ishte që brezit që ju dha përgjëgjësia për ta përfaqësuar PS në drejtimin e pushtetit, nuk ishte për ta mjelur dhe zhvatur shtetin por për ti shërbyer qytetarëve pa prekur asnjë qindarkë në arkën e saj. Nëse ti ke futur duart në atë arkë nuk ka Zot që të shpëton, qe do të thotë askush nuk ta mbron figurën tënde të njollosur. Sepse kjo është politika, si një ruletë ruse, le të bësh 1000 mijë të mira nëse rrëshket nga papastërtia e figurës nuk ringritesh kurrë më. Politika nuk është si profesionet e tjera, që ta fal pendesën, që pranon reflektimin, ku me një autokritikë të jep një shans për tu ringritur. Në politikë me anë të pastërtisë duhet të jesh si një fortesë që nuk tundohesh, se po u njollose sadopak rrëzohesh një herë e përgjithmonë, bie nokaut. Pra sot unë dua të flas me tim atë e ti them se partia jote ku ti sakrifikove deri edhe në grevë urie bashkë Namik Doklen e kandidatët e tjerë socialistë për votën e vjedhur ku qytetarët ta besuan për ndershmërinë tënde, sot është marrë peng nga disa batakçinj që nuk shohin gjë tjetër, por vetëm si një zgjidhje për të pasuruar gjithë sorollojin e tyre. E kanë kthyer si një biznes familjar ku të gjitha postet duhet ti marrin familjarët e të njohurit e tyre, madje edhe deputetët na dalin kushërinj. Deri këtu është katandisur mënyra e të bërit politikë, pa qenë monarki. Të gjithë janë të fshehur pas oligarkëve të cilët u garantojnë pasurinë e vjedhur duke ju dhënë mundësi të gjithë familjarëve të bëjnë një jetë përrallore kudo rrethuar në luks, dhe pak metra më tutje të vështron ajo bota tjetër e syve të zgurtullitura të pashpresë, të fëmijëve të cilët e gdhijnë të nesërmen barkëtharë e këmbëzbathur. Ngushëllohen vetëm me vargjet e Migjenit që ulërasin edhe pas një shekulli me shpresën se një ditë do vijë e ardhmja e tyre munguar. Një e ardhme që nuk do të vinte kurrë pa drejtësinë e re që si një termet po shkul themelet e politikës së korruptuar, e cila e instaluar për mbi tre dekada ka varfëruar jetën e shqiptarëve dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre.
0 Comments
Leave a Reply. |
AuthorWelcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema. Archives
May 2025
Categories |