Marko Caka
  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact

Tiranës i duhet një menaxher, jo një tjetër politikan

9/26/2025

0 Comments

 
Ndërkohë që Partia Socialiste ka shpallur zyrtarisht kandidaten e saj për Bashkinë e Tiranës, pyetja që lind natyrshëm është: çfarë do të bëjë opozita? A do ndjekë të njëjtën rrugë të konsumuar, duke zgjedhur një tjetër figurë politike nga radhët e saj, apo do ketë kurajën të bëjë diçka ndryshe – për qytetin dhe për vetveten?

Është koha që opozita të tregojë se e ka kuptuar sinjalin e qytetarëve. Tirana nuk ka nevojë për një tjetër politikan, por për një menaxher të zoti, të ndershëm dhe me reputacion të padiskutueshëm. Një figurë që nuk është konsumuar nga debatet boshe të politikës ditore, por që ka dhënë prova të suksesit në fushat ku ka punuar , qoftë në biznes, akademi, shoqëri civile apo administratë publike.

Nëse opozita dëshiron të fitojë realisht Tiranën , jo vetëm të marrë pjesë në një betejë për të ruajtur gjallërinë politike, por duhet të dalë jashtë rrethit të ngushtë të partive dhe të kërkojë njerëzit më të respektuar nga qytetarët. Ata nuk janë të paktë. Tirana ka plot personalitete të padiskutueshme, që i kanë shërbyer qytetit në mënyrë të ndershme, por që nuk janë afruar me politikën nga frika se do duhet të futen “nën rreshtoren e udhëheqësit”. Por po t’u ofrosh pavarësi, mundësi reale për të ndryshuar qytetin dhe mbështetje të sinqertë, ata do e marrin përsipër sfidën.

Një kandidat i tillë nuk ka pse të ndërtojë fushatën mbi sulmin ndaj Veliajt. E vërteta është që mandati i tij nuk ishte bosh. Ai la gjurmë në disa drejtime, por u dëmtua rëndë nga aferat që lidhen me klientelizmin dhe përfshirjen e të afërmve në tendera. Opozita nuk duhet të kandidojë thjesht për të “zhbërë Veliajn”, por për të thënë: “Ne do ta vazhdojmë aty ku ai e la, por me duar të pastra.”

Ky është mesazhi që fiton zgjedhjet. Jo urrejtja, jo akuza boshe, por shpresa për një qeverisje më të ndershme, më transparente dhe më efektive. Tirana është një qytet që nuk kërkon premtime të mëdha, por zgjidhje konkrete për problemet që i njeh çdo qytetar si trafiku, ndotja, mungesa e hapësirave publike, çmimet, strehimi, përkujdesja ndaj komuniteteve në nevojë.
​
Ndaj pyetja që duhet të shtrojmë sot nuk është “Kë do të zgjedhë opozita?”, por “Pse të zgjedhë sërish një politikan?” Sepse në këtë betejë, nuk fitohet me flamuj partiakë, por me reputacion personal dhe me vullnet për të punuar. Tirana është gati për një ndryshim, por ndryshimi i vërtetë nuk vjen nga fjalët, por nga fytyrat.
0 Comments



Leave a Reply.

    Author

    ​Welcome to my blog, where my thoughts and my opinions come to life through my words. These blogs are also published on Gazeta Tema.
    Happy reading! 

    Archives

    January 2026
    December 2025
    November 2025
    October 2025
    September 2025
    August 2025
    July 2025
    June 2025
    May 2025
    March 2025
    February 2025
    January 2025
    December 2024
    November 2024
    October 2024
    September 2024
    August 2024
    July 2024
    May 2024
    January 2024

    Categories

    All

    RSS Feed


  • Home
  • About
  • Blog
  • Contact